Në thelb | Teknologji

Drejtësi pa ChatGPT?

Nga - 21.08.2025

Sistemi i drejtësisë ende larg efikasitetit që e ofron AI.

Leotrim Gashi është gjyqtar në Gjykatën Themelore të Mitrovicës, në Departamentin e Përgjithshëm Penal. Ai është bërë pjesë e sistemit gjyqësor në vitin 2023, pikërisht në periudhën kur nisi shpërthimi i inteligjencës artificiale (AI). Në fund të vitit 2022, lansimi i ChatGPT nga kompania OpenAI, një platformë që mund t’u përgjigjej brenda sekondash çfarëdo pyetjeje, arriti rreth 1 milion përdorues vetëm gjatë javës së parë.

Sot, ChatGPT dhe platformat e tjera të AI janë bërë pjesë e përditshmërisë së shumicës së njerëzve, pavarësisht profesionit. Megjithatë përdorimi i këtyre platformave në disa profesione ngre dilema etike më të mëdha sesa në të tjera. Gashi shpesh është përballur me diskutime lidhur me përdorimin e AI në punën e përditshme si gjyqtar.

Ai thotë se kjo temë ngre shumë pikëpyetje, prandaj platformat e AI i shfrytëzon vetëm si ndihmë në aspektin teknik, kryesisht për analizimin e materialeve ligjore, hulumtimin e rasteve gjyqësore vendore dhe ndërkombëtare apo për standardizimin e vendimeve të natyrës së njëjtë. 

Ngjashëm, Grok dhe ChatGPT janë dy prej platformave të AI të cilat i shfrytëzon më shumë avokatja Gerta Ragipi. Platformën Grok ajo e sheh më të përshtatshëm sidomos në aspektin e përmbledhjes së dokumenteve, përpilimin e hyrjes në rrethana të ndonjë rasti dhe aspekte të ngjashme teknike. 

Kur i duhet t’i trajtojë rastet e ndryshme të veprës civile të shpifjes, avokatja i drejtohet platformave të AI për të kërkuar precedentë të ngjashëm nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNj). 

Duke kërkuar të dhëna për praktikën gjyqësore të dënimeve për një vepër penale, edhe prokurorja e Prokurorisë Speciale në Kosovë, Iliriana Çollaku-Tafa, kishte vendosur t’i drejtohet ChatGPT. Por asaj nuk i kreu shumë punë, meqë nuk gjeti burime të besueshme.

Profesionistët e drejtësisë theksojnë mungesën e digjitalizimit të të dhënave dhe mungesën e kapaciteteve të sistemit gjyqësor, si barriera për përdorimin e AI.

Bazuar në bisedat të cilat K2.0 i ka realizuar me profesionistë të sistemit të drejtësisë në Kosovë, gjyqtarë e avokatë shpesh i drejtohen ChatGPT apo platformave të tjera të AI, për shkak të mungesës së një platformë të qasshme në Kosovë që ofron përmbledhje të vendimeve gjyqësore vendore, praktikave gjyqësore ndërkombëtare apo mundësisë për kërkim të avancuar ligjor. 

Natyra e punës së tyre, që kërkon hulumtim të praktikave gjyqësore vendore dhe ndërkombëtare me precedentë gjyqësorë të ngjashëm me rastet, të cilat i trajtojnë, e bën këtë proces një nga shtyllat kryesore të punës së tyre. Ky hulumtim zakonisht merr kohë, ndërkaq platformat e AI, si ChatGPT, të njëjtin e kryejnë brenda sekondash.

Bisedat me profesionistët e drejtësisë kanë nxjerrë në pah mungesën e digjitalizimit të plotë të të dhënave, si dhe mungesën e kapaciteteve të sistemit gjyqësor për ta integruar AI. Një teknologji e tillë do t’u mundësonte gjykatave dhe administratës gjyqësore automatizimin e proceseve protokollare, integrimin dhe harmonizimin e të dhënave ekzistuese dhe krijimin e një baze të unifikuar informacioni për konsultim, analizë dhe marrje të vendimeve në mënyrë më efikase.

Vetëm së fundmi, sistemi i drejtësisë ka funksionalizuar disa platforma të fragmentuara, të cilat kryesisht shërbejnë për qasjen bazike në dokumente dhe të dhëna, por ende nuk arrijnë të ofrojnë një integrim të plotë të të dhënave apo ta lehtësojnë bashkëpunimin ndërmjet aktorëve të sistemit gjyqësor. Një platformë e krijuar nga një kompani private, Lexdoks, ofron një databazë të të dhënave të sistemit gjyqësor në vend, por që mbetet e kufizuar në përdorim për shkak të qasjes me abonim.

Integrimi i AI në qasjen në të dhëna është vetëm një nga mënyrat se si AI do ta rriste efikasitetin në sistemin gjyqësor, që karakterizohet nga mbingarkesa e lëndëve, burokracia dhe procedura të vjetërsuara, si transkriptimi manual i seancave, proces ky që do të mund të kryhej lehtë përmes platformave të AI.

Megjithatë, edhe vetë profesionistët e drejtësisë janë të rezervuar në përdorimin e AI, për shkak të kufizimeve të platformave dhe natyrës së punës së tyre. 

“Ndjeshmëria që nuk e zëvendëson njeriun”

ChatGPT apo platformat e tjera të AI japin udhëzime lehtësisht sepse funksionojnë duke analizuar miliarda fjali për t’i parashikuar fjalët e radhës dhe për të gjeneruar përgjigje që tingëllojnë natyrshëm. Por, për shkak se nuk kuptojnë faktet si një njeri, ato mund të jenë të pasigurta për t’u përdorur si udhërrëfyes në çështje ligjore.

Gjyqtari Gashi thotë se nëse gjyqtarët i ndjekin udhëzimet e AI pa ndonjë verifikim të mëtejshëm të vërtetësisë dhe kohës së aplikimit të këtyre udhëzimeve, ka rrezik që ato mund të çojnë deri tek marrja e një vendimi të padrejtë. 

Ai ka rezerva në përdorimin e AI edhe për shkak të ndjeshmërisë dhe aspektit njerëzor, që sipas tij duhet të jenë të pranishme në vendimet të cilat prodhojnë pasoja juridike. 

“Vendimet gjyqësore kanë pasoja të drejtpërdrejta në jetën, lirinë dhe të drejtat e qytetarëve. Prandaj saktësia ligjore, profesionalizmi dhe ndjeshmëria gjatë proceseve gjyqësore janë thelbësore në vendimmarrjen e tyre, vlera këto që një sistem i AI, sidomos në formën e sotme, nuk mund t’i garantojë”, tha ai, duke theksuar se përgjegjësia e çfarëdo vendimi në fund mbetet te gjyqtari, jo te AI. 

Gzim Shala, hulumtues në  Instituti Kosovar për Drejtësi (IKD), organizatë që monitoron sistemin e drejtësisë në Kosovë, tha se kanë vërejtur rritje të interesimit nga sistemi i drejtësisë për përdorimin e AI. Megjithatë, Shala thekson se nuk duhet të lejohet as krijimi i perceptimit se vendimet e gjyqtarëve mund të ndikohen nga AI.

Derisa aktualisht përfaqësuesit e sistemit të drejtësisë në Kosovë kanë rezerva rreth përdorimit të AI, avokatët dhe gjykatësit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), Angli e vende të tjera, po përdorin në masë të madhe AI në marrjen e vendimeve dhe përgatitjen e shkresave, duke ngritur shqetësime tek shumë sisteme juridike ndërkombëtare e profesionistë ligjorë rreth ndërveprimit të AI dhe drejtësisë.

Përdorimi i AI në sistemin e drejtësisë, po përcillet me paqartësi në nivel global. Në vitin 2024, Bashkimi Evropian (BE) miratoi Aktin për Inteligjencë Artificiale. Ky akt vlerëson se përdorimi i AI nga institucionet në raste të mosmarrëveshjeve të ndryshme mepasoja ligjore, konsiderohet me “rrezik të lartë”. Ky dokument i hartuar e miratuar nga institucionet e BE, nuk e përjashton përdorimin e AI për aktivitete të ndryshme administrative, megjithatë në asnjë mënyrë nuk duhet ta përcaktojë vendimin përfundimtar. “Vendimmarrja duhet të mbetet aktivitet i drejtuar nga njeriu”, thuhet aty. 

Një prej arsyeve që një përdorim i tillë shkurajohet është për shkak se këto platforma njihen edhe për “halucinacionet”, që njihen si trillime të gjeneruara nga AI. Halucinacionet ndodhin meqë këto modele të AI gjenerative (GenAI) bazohen në modele të mëdha të dhënash dhe parashikojnë përgjigje bazuar në modelet e tyre dhe jo në verifikim të drejtpërdrejtë të fakteve. Nëse të dhënat janë të kufizuara ose pyetja është e paqartë, GenAI mund t’i mbushë boshllëqet me informacion të trilluar.

Pikërisht kjo bëri që një firmë avokatie e quajtur “Butler Snow”, e themeluar në Mississippi, SHBA, të detyrohet të kërkojë falje në Gjykatë, pasi ishte bazuar në citime të trilluara, të gjeneruara nga AI në dy procese gjyqësore. Ndaj firmës në fjalë dhe firmave të tjera të avokatisë që hartojnë ankesa e vendime me AI, janë paralajmëruar edhe sanksione nga gjyqtarja që e ka trajtuar rastin, Anna Manasco. 

Në Britaninë e Madhe, dy gjyqtarë kanë shqiptuar vërejtje ndaj avokatëve që përdorin AI për të ndërtuar argumente ligjore apo deklarata të trilluara të dëshmitarëve që nuk ekzistojnë, të cilat më pas çojnë në prezantimin e informacioneve të rreme para Gjykatës.

AI mund ta japë një version të nenit me elemente bindëse, por nuk përputhet në tërësi me ligjin apo situatën për të cilën kërkohet referimi i nenit

Ndërkohë, Damien Charlotin, një studiues ligjor në Paris, Francë, i cili mirëmban një databazë lidhur me përdorimin e AI, ka evidentuar 95 raste të trillimeve të gjeneruara nga AI në SHBA nga qershori i vitit 2023, si dhe 53 raste vetëm në vitin 2025. Këto statistika shpërfaqin rastet në të cilat avokatët e kanë pranuar se kanë përdorur AI për përpilimin e shkresave ligjore.

Ndërkohë Ragipi, avokate, tha se gjatë kërkimeve, ka vërejtuar se AI në shumë raste ofron përmbajtjen e neneve siç i përshtatet përdoruesit, e jo siç janë nenet në të vërtetë. Kjo nënkupton që në vend se të tregojë saktësisht se çka thotë një nen ligjor ose një burim, AI mund ta japë një version të nenit me elemente bindëse, por nuk përputhet në tërësi me ligjin apo situatën për të cilën kërkohet referimi i nenit. Prandaj, Ragipi thotë se rishikimi është qenësor për ta vërtetuar saktësinë e informacionit. 

Një Gjykatë në Malajzi për herë të parë përdori AI për marrjen e një vendimi, duke dënuar dy persona për posedim të drogës. Konkretisht, gjykatësit kishin marrë vendim bazuar në rekomandimet e AI lidhur me shkallën e dënimit që duhej t’u shqiptohej të dyshuarve pasi ia kishin ofruar AI informacionet për sasinë e drogës së gjetur, profilin e të akuzuarve, historinë e dënimeve në të kaluarën, si dhe të dhënat sociale ekonomike si rrethana lehtësuese apo rënduese. Kjo kishte shkaktuar reagime të shumta, duke theksuar se dënimet bazuar në AI janë kundërkushtetuese pasi që nuk parashihen me Kodin e Procedurës Penale. 

Rritja e përdorimit të AI në SHBA, ka nxitur një numër vendimesh të Gjykatave në shtete të ndryshme. Në vitin 2023, një opinion ligjor i etikës në Michigan kishte theksuar se gjyqtarët duhet ta bëjnë dallimin mes përdorimit të AI për të vendosur lidhur me një çështje, dhe përdorimit të saj për t’u informuar lidhurme rrethanat e çështjeve

Përderisa përdorimi i AI në nivel global po përcillet me kaq paqartësi dhe dyshime në aspektin e drejtësisë për palët, është edhe më e vështirë të paramendohet përdorimi i AI në Kosovë, duke marrë parasysh vlerësimet ekzistuese për kapacitetet e varfëra digjitale të sistemit gjyqësor në Kosovë.

Platformat e fragmentuara digjitale

Që nga viti 2013, sistemi gjyqësor i Kosovës me mbështetjen e donatorëve ndërkombëtarë, kishte filluar punën në realizimin e projektit për një databazë qëndrore të të dhënave gjyqësore. Kjo databazë u quajt Sistemi për Menaxhimin Informativ të Lëndëve (SMIL), e cila kishte për qëllim modernizimin e regjistrimit të lëndëve dhe shpërndarjen automatike të tyre tek gjyqtarët dhe prokurorët. 

Megjithatë, zbatimi i këtij projekti hasi në vonesa të konsiderueshme deri në vitin 2020. Këto vonesa u shkaktuan kryesisht nga mungesa e kapaciteteve dhe koordinimit institucional për integrim të të dhënave elektronike në sistem dhe mungesa e financimit të qëndrueshëm për databazën. Që nga viti 2020, SMIL ka filluar të përdoret në mënyrë të avancuar, duke lehtësuar regjistrimin elektronik dhe ndarjen e lëndëve në mënyrë automatike tek gjyqtarët dhe prokurorët.  Përmes ndërlidhjes së SMIL me platformën e-Kosova, është krijuar poashtu një mekanizëm digjital për përcjelljen e statusit të lëndëve individuale në Gjykatë, që lejon qasjen online në informacione për lëndë individuale gjyqësore. Sidoqoftë, qasja në këtë mekanizëm lejohet vetëm nëse përdoruesit janë të përfshirë në të paktën një rast ligjor në SMIL. Në të kundërtën, ata nuk mund të përdorin këtë mekanizëm.

Të dhënat e publikuara në Open Data janë të varura nga sasia e të dhënave që integrohen në SMIL.

Para vitit 2020, menaxhimi i lëndëve në Kosovë bëhej kryesisht në mënyrë manuale dhe të fragmentuar. Lëndët regjistroheshin vetëm në libra dhe dosje fizike, formë e cila vazhdon të praktikohet, edhe pse synohet vetëm regjistrimi digjital në të ardhmen. Shpërndarja e lëndëve te gjyqtarët bëhej nga sekretariatet dhe nuk kishte standard të unifikuar për regjistrimin apo monitorimin e tyre. Qytetarët nuk kishin qasje të drejtpërdrejtë në informacion, ndërsa statistikat qendrore mungonin. 

Me fillimin e shpërndarjes automatike të lëndëve në gjykatat themelore, e më pas edhe në Gjykatën e Apelit në dhjetor të vitit 2021 dhe më vonë në Gjykatën Komerciale në prill të vitit 2024, ky integrim i të dhënave e bëri informacionin të qasshëm në mënyrë elektronike. Kështu, u krijua baza për formimin e platformës Open Data nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), e cila u funksionalizua në vitin 2022.  

Platforma Open Data nuk është një sistem i pavarur, por funksionon duke u shërbyer me të dhënat që gjeneron SMIL. Kjo platformë përpilon raporte statistikore bazuar në të dhënat që merr. Open Data mund të gjeneroj dy lloje kryesore të raporteve: të paracaktuara dhe dinamike. 

Raportet e paracaktuara të platformës ofrojnë të dhëna bazike rreth numrit të lëndëve të regjistruara dhe të zgjidhura, kohëzgjatjen mesatare të trajtimit të tyre, numrin e seancave të mbajtura apo ngarkesën e gjyqtarëve. Rrjedhimisht, nëse të dhënat nga SMIL janë të pjesshme ose jo të strukturuara, edhe raportet e paracaktuara në Open Data mbeten të kufizuara sa i përket përmbajtjes së të dhënave bazike.

Ndërkohë, raportet dinamike mundësojnë filtrime dhe kombinime të ndryshme të të dhënave sipas vitit, gjykatës, departamentit ose llojit të rastit, si dhe bartjen e rezultateve në formate Excel ose PDF, duke lehtësuar analizën më të hollësishme.

Por prodhimi i raporteve të tilla të hollësishme vështirësohet përderisa një pjesë e madhe e dokumenteve gjyqësore gjatë integrimit në SMIL kalojnë në proces anonimizimi manual, për ta ruajtur privatësinë e palëve. Anonimizimi nënkupton që elementet identifikuese të palëve fshihen fizikisht në dokument e më pas ai skanohet dhe publikohet si imazh në faqet e gjykatave. 

Kompjuteri nuk arrin ta lexojë këtë format, duke e bërë të pamundur përpunimin automatik, kategorizimin e të dhënave dhe analizën e tyre të avancuar. Edhe kur një vendim ka disa faqe të lexueshme, mjafton që faqja e parë dhe e fundit të përmbajnë anonimizime manuale për të shkaktuar probleme në përpunimin automatik, përfshirë edhe gjenerimin e të dhënave me AI. Kjo nënkupton se cilësia dhe tërësia e informacionit që publikon Open Data varet drejtpërdrejt nga cilësia e të dhënave që integrohen në SMIL.

SMIL dhe Open Data në sistemin gjyqësor të Kosovës

  • Fillon implementimi i integrimit të të dhënave elektronike në SMIL, në tërë gjykatat themelore të Kosovës. SMIL përdoret në mënyrë të avancuar, duke mundësuar shpërndarje automatike të lëndëve tek gjyqtarët dhe prokurorët.

  • Open Data — platformë statistikore që merr të dhëna nga SMIL; bazuar në to, prodhon raporte bazike dhe dinamike lidhur me lëndët, kohëzgjatjen e trajtimit dhe ngarkesën e gjyqtarëve. Qytetarët mund të kenë qasje në këto raporte në mënyrë elektronike.

Përkundër cilësive të lartpërmendura, platforma Open Data nuk është projektuar si mjet për hulumtim juridik të thelluar, krahasime të precedentëve apo të shërbejë si mjet i specializuar për analizë, siç janë platformat ndërkombëtare si Bloomberg Law, Westlaw dhe LexisNexis. Këto platforma ndërkombëtare ofrojnë përmbajtje redaktoriale dhe mjete të specializuara për analizë ligjore.

Megjithatë diçka e ngjashme, nismë private e ndarë prej Këshillit Gjyqësor, ekziston në Kosovë. Platforma Lexdoks, e lansuar në vitin 2022, është platformë e kërkimit juridik dhe synon ta bashkojë legjislacionin dhe praktikën gjyqësore të Kosovës me mjete të avancuara të AI për kërkim më efikas. Hulumtimi ligjor i integruar nënkupton që në Lexdoks ekziston mundësia e përdorimit të sistemeve digjitale në disa aspekte, qoftë në analizë apo edhe raportim të të dhënave gjyqësore në mënyrë të strukturuar. Kjo platformë u themelua nga një grup i kombinuar i ekspertëve: Alban Krasniqi, jurist, Dalian Zogaj, ekspert i AI, Alban Muriqi, jurist, si dhe dy programerë: Edon Zogaj dhe Blend Pajaziti.

Përderisa Open Data e KGJK është mjet i transparencës statistikore që ofron informata rreth lëndëve, seancave dhe ngarkesës së gjykatave, Lexdoks është platformë kërkimi juridik që bashkon legjislacionin, praktikën gjyqësore dhe aktet nënligjore në sistemin ligjor të Republikës së Kosovës, duke u dhënë mundësi përdoruesve të hulumtojnë më thellë në aspektin ligjor, t’i filtrojnë të dhënat, kërkimin apo rezultatet, t’i ndjekin lidhjet ndër-tekstuale në mes të dokumenteve dhe ta përdorin platformën duke e përshtatur atë në gjuhën e tyre. 

Sipas Krasniqit, Lexdoks.com deri më tani ka mbi 5,000 përdorues të regjistruar, të cilët mund të kryejnë hulumtim ligjor të integruar, në mbi dy milionë faqe të legjislacionit dhe praktikës gjyqësore. Ndonëse Lexdoks ka ngjashmëri me platformat si Westlaw, LexisNexis dhe Bloomberg Law dhe është mjet i vlefshëm për profesionistët ligjorë, qasja në të mbetet e kufizuar për përdoruesit, pasi përdorimi varet nga anëtarësimi individual mujor prej 15 eurosh. Ashtu si edhe platformat ndërkombëtare, edhe Lexdoks funksionon me abonim, por në Kosovë pagesa individuale për platforma profesionale nuk është praktikë e gjerë. Sipas Krasniqit, u mbetet institucioneve të Kosovës të bëjnë planifikimet e duhura financiare për t’u siguruar punonjësve të sistemit gjyqësor qasje të vazhdueshme në platformën e tyre dhe përdorimin e Lexdoks për nevoja profesionale.

Një dallim tjetër krahasuar me platformat ndërkombëtare është se platforma është më tepër e dizajnuar për t’u përdorur nga profesionistët e sistemit gjyqësor, jo për përdorim më të gjerë analitik, si dhe përmbajtja është e kufizuar në nivel të Kosovës. Lexdocs ofron vegëza referuese tek platforma tjera të ngjashme të së drejtës ndërkombëtare,  mirëpo përmbajtjen e ka të fokusuar në praktikën gjyqësore të Kosovës.

Megjithëse e mbështet përdorimin e AI në sistemin e drejtësisë, Krasniqi thotë se Kosova është larg krijimit të mekanizmave për një gjë të tillë.

Në kontekstin e integrimit të AI në platformat aktuale të sistemit gjyqësor, Krasniqi vlerëson se bashkëveprimi i platformave aktuale të sistemit gjyqësor në Kosovë me AI është i kufizuar. Kjo sidomos duke marrë parasysh se sistemit të drejtësisë në Kosovë në aspektin digjital i mungojnë ndërfaqe të programimit të aplikacioneve (siç njihet në anglisht: Application Programming Interface – API), të cilat janë set i rregullave që mundësojnë komunikimin dhe shkëmbimin e të dhënave në mes dy programe apo sistemeve të ndryshme. Krasniqi theksoi se platformave aktuale poashtu u mungojnë opsionet e shkarkimeve “bulk” (në masë) dhe shkarkimeve në formate të lexueshme prej përdoruesve nga kompjuteri. Formate të tilla mund të jenë HTML, XML, JSON që janë strukturuar për t’u analizuar automatikisht nga programet, algoritmet dhe AI.

Megjithëse e mbështet përdorimin e AI në sistemin e drejtësisë, Krasniqi thotë se Kosova është larg krijimit të mekanizmave për një gjë të tillë, duke theksuar se kërkohet angazhim i mëtutjeshëm i stafit profesional, por edhe pajijse më të avancuara teknologjike. Edhe nëse këto kushte krijohen, Krasniqi këmbëngul sërish në verifikim njerëzor të të dhënave të sugjeruara nga AI, për shkak të pavërtetësisë dhe gabimeve që mund t’i përmbajnë, nëse ngelin të paverifikuara.

Si mund ta lehtësojë AI punën e gjyqësorit?

Gashi dhe Ragipi, që të dy, e përmendin përdorimin e AI në favor të lehtësimit të punës së tyre, sidomos në aspektin e proceseve teknike. Sistemi gjyqësor në Kosovë është i stërngarkuar nga proceset administrative fizike dhe numri i madh i lëndëve, gjë që shkakton vështirësi në disa aspekte të proceseve gjyqësore, përfshirë gjykimin në afat të arsyeshëm kohor, por edhe koston shtesë financiare që krijohet duke llogaritur shpenzimet administrative në rastet kur seancat shtyhen.

Në vitin 2022, bazuar në matjet e KGJK, IKD, organizatë që monitoron sistemin e drejtësisë në Kosovë, konstatoi se një lëndë civile për t’u zgjidhur në shkallën e parë, gjegjësisht në Gjykatën Themelore, merr kohë 3.8 vite. Kurse, e njëjta në shkallë të dytë, në Gjykatë të Apelit, mund të zgjasë po ashtu deri në 1.7 vite. Si rezultat, kohëzgjatja për trajtimin e një lënde civile prej momentit të parashtrimit në Gjykatë Themelore e deri në momentin kur e njëjta përfundon në Apel, është pesë vite e gjysmë.

Për shkak të procesit të gjatë të zgjidhjes së lëndëve, në vitin 2025 janë mbi 250.000 lëndë të trashëguara dhe afër 70.000 të reja.

Këto lëndë janë grumbulluar kryesisht për shkak se janë bartur ndër vite, si rezultat i mungesës së kapaciteteve organizative në sistemin gjyqësor, që përfshin numrin e kufizuar të gjyqtarëve dhe stafit administrativ, zvarritjet ligjore si rezultat i kërkesave të shumta procedurale që kanë avokatët për palët apo kthimi në rigjykim i shumë rasteve nga gjykatat. 

Për shkak të numrit të madh të lëndëve të trashëguara, trajtimi i rasteve të ndryshme merr kohë, e shumë lëndë parashkruhen plotësisht. Parashkrimi si koncept juridik nënkupton humbjen e të drejtës për ta ndjekur një çështje të caktuar, pas kalimit të afatit të përcaktuar me ligj. 

Krasniqi e sheh të përshtatshme ndihmën e AI në parandalimin e parashkrimit të rasteve. Sipas tij, AI mund të lidhet me sistemin e menaxhimit të çështjeve të gjykatave për t’i monitoruar automatikisht afatet dhe për ta paralajmëruar gjyqtarin apo palët sa herë që një afat parashkrimi po afrohet. AI gjithashtu mund të ndihmojë në prioritizimin e rasteve, duke sugjeruar se cilat lëndë duhet të trajtohen më parë sipas ndërlikueshmërisë, afateve ligjore dhe rrezikut për parashkrim.

Përdorime tjera efikase të AI përfshijnë edhe transkriptimin automatik të seancave, dëshmive të palëve, përgatitjen më të shpejtë të procesverbaleve gjyqësore, strukturimin automatik të materialit për konsultim gjatë gjykimit, kërkimin më të lehtë në arkiva dhe përkthimin e menjëhershëm të dokumenteve në gjuhët zyrtare.

Sidoqoftë, KGJK, aktualisht nuk ka një strategji për përdorimin e AI në punën e tyre, përveç Planit Strategjik të KGJK për vitin 2023-2025, i cili diskuton për përdorimin e teknologjisë vetëm në mënyrë të përgjithshme.

Sipas tyre, përdorimi i AI është në fazë shumë të hershme, prandaj ky institucion ndjek praktikat dhe udhëzimet e institucioneve të BE. “Nuk mund të thuhet se AI përdoret në gjykata, përveç përdorimeve individuale që mund t’i përdorin të punësuarit, shembull për sqarime apo shkrime të ndryshme në mënyrën si është bërë praktikë e gjerë”, thuhet në përgjigjen e KGJK.

 

Shënim i redaksisë [21 gusht 2025]: Versionit aktual të artikullit i është shtuar një sqarim nga Alban Krasniqi, bashkëthemelues i Lexdoks, i cili thekson se përgjegjësia për t’u siguruar punonjësve të sistemit gjyqësor qasje në platformë u takon institucioneve të Kosovës.



Imazhi i ballinës: Dina Hajrullahu / K2.0

Dëshironi të mbështetni gazetarinë tonë? Anëtarësohuni në “HIVE” ose konsideroni një donacion. Mëso si këtu.