Në një botë ku lajmet janë më së shumti të këqija, ku realiteti është shpesh më i vështirë se imagjinata, arti mbetet një nga format më të thella të mbijetesës. Në përballje me një realitet toksik, karakterizuar nga trauma kolektive, media sociale me mbingarkesë informacioni, kriza politike e klimatike, arti bëhet hapësirë shërimi.
Nuk është rastësi që në kohët më të errëta, njerëzit gjithmonë i janë kthyer krijimtarisë. Në telajo, në film, në poezi, në teatër, ne nuk kërkojmë vetëm t’i ikim realitetit, por të marrim një pjesë të tij dhe ta transformojmë. Ndonëse arti nuk zgjidh gjithçka, ai na jep një mënyrë për të jetuar me të pazgjidhshmen. Të paktën për pak kohë. Dhe ndonjëherë, kjo është më shumë se mjaftueshme.
Por, çfarë ndodh atëherë kur edhe arti fillon të na lodhë neve si krijues?
Për shumë artistë e punonjës kulture, sidomos në kontekstin kosovar, vera është sezoni i festivaleve kulturore, por gjithashtu edhe sezoni i mbingarkesës, punës pa orar dhe presionit për të krijuar “magji” në kushte minimale. Festivalet si Anibar, EtnoFest, DokuFest, HAPU, FemArt dhe shumë të tjerë, janë qendra kulturore e verës kosovare dhe i japin jetë qyteteve tona për disa ditë.
Por prapa skenës, shpesh fshihet një realitet rraskapitës: vullnetarë që punojnë pa pushim, artistë që udhëtojnë me shpenzime të veta, organizatorë që shterohen emocionalisht për të realizuar diçka që nuk ka mbështetje të mjaftueshme institucionale. Për ironi, hapësirat që mendohen për ta shëruar shoqërinë, nganjëherë dëmtojnë ata që i krijojnë.
Shumë organizatorë festivalesh dhe artistë në Kosovë e kanë përjetuar ndjenjën që vjen sapo mbaron festa: sallat boshatisen, rrugët qetësohen, por trupi dhe mendja janë të rrënuara. Është një shterim në proces që nuk duket nga jashtë. Publiku sheh vetëm buzëqeshjet, dritat e skenës, energjinë e momentit, por askush nuk i sheh orët pa gjumë, presionin për t’u siguruar që asgjë të mos dështojë, fjalosjet e vogla që duhet t’i menaxhosh duke buzëqeshur.
Ky shterim është një “burnout” kreativ (në shqip: djegie). Pas javësh apo muajsh duke dhënë çdo grimcë të energjisë dhe imagjinatës, shumë artistë e gjejnë veten të harxhuar. Nuk kanë dëshirë të krijojnë, ndihen të shkëputur nga puna e tyre dhe shpesh i vëjnë në dyshim aftësitë ose vlerën e vetvetes. Disa përjetojnë edhe simptoma fizike: pagjumësi, ankth, sëmundje të vogla nga lodhja e akumuluar. Shumë ma kanë përshkruar si heshtje e frikshme brenda mendjes, ku as ideja më e vogël nuk gjen vend për t’u lindur. Dhe ndonjëherë, kjo fazë mund t’i përcjellë muaj të tërë pas festivalit.
Por, shpesh ky shterim fshihet mbrapa një buzëqeshjeje festivalesh, duke mos pranuar që po “digjen” në emër të pasionit apo dashurisë për artin. Kështu, në një sistem që nuk e vlerëson sa duhet punën artistike, as financiarisht, as emocionalisht, shumë artistë bien në kurthin e vetëflijimit.
Për t’i ndihmuar artistët në këtë “burnout” kreativ dhe për t’ua respektuar dashurinë për artin për t’u dhënë mundësi që të vazhdojnë ta krijojnë artin të cilin na frymëzon, duhet të ndërtojmë një kulturë ku puna krijuese nuk shihet si diçka e vetëkuptueshme apo e përkohshme, por mbështetet institucionalisht, paguhet drejt, respektohet koha për pushim dhe ofrohet mbështetje emocionale për ata që e mbajnë gjallë këtë ekosistem.
Duhet ta normalizojmë të themi: “Jam i lodhur. Kam nevojë për ndihmë. Nuk mund t’i bëj të gjitha”, duke mos glorifikuar “djegien” në emër të pasionit. Sepse vetëm kështu arti mund të vazhdojë të jetë hapësirë shërimi dhe jo rraskapitjeje. Arti ka fuqinë të na mbajë gjallë, por vetëm nëse kujdesemi për ata që e krijojnë. Kjo nuk është kritikë për festivalet, përkundrazi, ato përfaqësojnë oazat më të vlefshme të jetës kulturore në Kosovë, por asnjë festival nuk vlen baraz me shëndetin e atyre që e mbajnë gjallë. Prandaj, nëse duam që ato të mbijetojnë dhe të mbeten hapësira të vërteta të shërimit, duhet të fillojmë të flasim për kujdesin ndaj vetes dhe njëri-tjetrit në sektorin kulturor, sepse nuk është luks, por domosdoshmëri. Vetëm kështu arti mund të mbetet hapësirë e vërtetë shërimi, për secilin.
Imazhi i ballinës: Pikturë e Alsea Ymerit.

Ky blog u botua me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian në kuadër të projektit “Diversifikimi i zërave në gazetari”. Përmbajtja e artikullit është përgjegjësi vetëm e Kosovo 2.0 dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian.
Dëshironi të mbështetni gazetarinë tonë? Anëtarësohuni në “HIVE” ose konsideroni një donacion. Mëso si këtu.