Në Mitrovicën e dikurshme, Ferdane Shehu-Misini filloi rrugëtimin e saj jetësor si mësuese. Sot, në moshën 91-vjeçare, ajo është një ndër të rrallat që mund t’i rrëfejë me kthjelltësi periudhat që për shumicën janë të njohura vetëm nga librat e historisë, por që për të janë kapituj të jetuar. Rrëfimi i saj ta krijonte përshtypjen e një libri të gjallë të historikut mbi 150-vjeçar të qytetit të Mitrovicës.
Njëra nga dhjetë gratë e ftuara në serinë e podkasteve “Zanat e heshtuna — Gratë e Mitrovicës”, prodhuar nga redaksia jonë në Mitropol, Ferdanja është mjaft e zëshme kur bëhet fjalë për kujtimet e saj. Ajo nisi rrëfimin duke e ndërtuar me kujdes historikun e familjes së saj, për të vazhduar me rrugën e saj arsimore, nga shkollimi e deri te përkushtimi në klasë.
“Kam pasë 52 nxënës në klasë”, thotë ajo teksa përshkruan fillimet e saj si mësimdhënëse në vitin 1950, “nuk bëjshin zhurmë, por shumë është”. Kur ajo kërkoi që klasa të ndahej, drejtori iu përgjigj: “Prindërit kanë shprehë dëshirë me kon’ te ti”. Ajo vazhdoi t’i mësonte 35 nxënës në shkollën fillore “Meto Bajraktari”, ku punoi për dy vite, pastaj kaloi për 16 vite në shkollën “Vllado Çetkoviç”, ndërkaq sot “Anton Zako Çajupi”.
Por Ferdanja nuk u ndal aty. Në mesin e viteve ‘60, pasi Bashkësia Arsimore e Mitrovicës bëri marrëveshje me Shkollën e Lartë Pedagogjike në Prizren, ajo iu përvesh mësimit, duke ndjekur ligjërata edhe të shtunave e të dielave për kualifikim të mëtutjeshëm. “Edhe aty e kam dhanë fuqinë e fundit”, kujton ajo. Ligjëratat e fundjavës dhe provimet e vështira nuk e ndalën. “Shumë kam mësu… e rregullisht mësojsha edhe e kryva”. Më pas ajo shërbeu edhe si drejtore shkolle për 12 vjet në “Vllado Çetkoviç”.
Ferdanja u pensionua në vitin 1991, në një periudhë kur situata vetëm po përkeqësohej në Kosovë.
Platformë për gratë që formësuan heshturazi Mitrovicën
Historia e Ferdanës është vetëm njëri nga rrëfimet që gratë e Mitrovicës ndanë me ne në serinë e podkasteve, projekt që e nisëm në janar të vitit 2025. Ky podkast nxjerr në pah rrëfimet e grave që e kanë formësuar këtë qytet, por që rrallëherë janë dëgjuar.
Ndonëse shumëkush vitin e ri e fillon me qëllime dhe ambicie të freskëta, ne në Mitropol e nisëm ndryshe. Këtë projekt e kishim bartur me vete prej kohësh, me një ndjesi të thellë përgjegjësie, i cili më në fund po merrte formë, duke hapur rrugën për të dëgjuar këto rrëfime të rralla.
Gratë të cilat ishin pjesë e serisë së podkasteve, janë gra që kanë kontribuar në fusha të ndryshme të jetës publike e shoqërore në Mitrovicë. Disa prej tyre janë të njohura për publikun, por shumë të tjera folën për herë të parë në media. Ato ndanë me ne histori që nuk ishin rrëfyer kurrë më parë: për sfidat personale, për sukseset e arritura me shumë mund, për punën e palodhshme që e kishin bërë në heshtje për dekada me radhë. Deri tash, në podkast morën pjesë gra që ishin e janë aktiviste politike, profesore e mësuese që kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në arsim ndër vite.
Disa prej këtyre dhjetë rrëfimeve, secili më i veçantë se tjetri, na kujtuan se çfarë force mbartin gratë e këtij qyteti. Gra që, edhe në kohët më të rënda për vendin, gjatë represionit dhe masave të dhunshme, nuk heshtën, duke u bërë zëra të fuqishëm të qëndresës, urtësisë dhe kujtesës kolektive.
Puna jonë si redaksi u pasurua jashtëzakonisht shumë përmes këtij projekti. Jo vetëm që krijuam një format të ri komunikimi përmes podkasteve, por mësuam si të dëgjojmë më mirë, si të kuptojmë më thellë dhe si t’u japim hapësirë atyre që shpesh janë anashkaluar në diskursin mediatik.
Ky projekt u mundësua falë një granti që morëm nga organizata mediale Kosovo 2.0, i financuar nga Bashkimi Evropian (BE), ndërkaq për ne, si medium lokal, një mbështetje e tillë na mundësoi që t’i sjellim në dritë disa nga qindra historitë përreth dhe ta vendosim në qendër zërin e grave të qytetit tonë.
Për ne në Mitropol, që funksionojmë me kapacitete të kufizuara, ky projekt ishte gjithashtu një mundësi për të ruajtur pavarësinë, si dhe stabilitetin tonë financiar për disa muaj, një sfidë që i karakterizon për çdo ditë mediumet lokale. Kjo përvojë na e rikujtoi edhe njëherë se sa e nevojshme është mbështetja e organizatave që kanë vizion dhe që e kuptojnë thellësisht kontekstin lokal në të cilin punojmë.
Projekti nuk ka përfunduar ende. Ne jemi ende në terren, duke u takuar me gra që kanë çfarë të rrëfejnë dhe presin të dëgjohen.
Projekti “Zanat e heshtuna” është një arkivë e gjallë e kujtesës sonë kolektive, e ndërtuar fjalë pas fjale nga gratë që ndoshta nuk kanë pasur gjithmonë mikrofonin përpara, por që gjithmonë kanë pasur një zë të fortë. Një zë që ia vlen të dëgjohet, të ruhet dhe të përcillet.
Imazhi i ballinës: K2.0