Në shtator të këtij viti, pas një dekreti presidencial që autorizonte kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama të krijonte një ministre virtuale të bazuar në Inteligjencë Artificiale (AI), ai emëroi Diellën si “Ministre të Prokurimeve Publike”. Me këtë vendim, Diella u bë sistemi i parë i AI në botë që mban një rol në nivel kabineti qeveritar. Me misionin për të mbikëqyrur prokurimet publike dhe për ta luftuar korrupsionin, sipas Ramës, Diella synon të sjellë transparencë dhe efikasitet në sektorin publik.
Për qytetarët shqiptarë, Diella nuk është një emër i ri. Që prej janarit të vitit 2025, ajo është lansuar si asistente virtuale e integruar në platformën digjitale qeveritare, e-Albania. Përmes saj, qytetarëve u ofrohen udhëzime për përdorimin e shërbimeve online dhe ndihmohen në aplikimin ose shkarkimin e dokumenteve digjitale. Por, edhe pse sisteme të AI përdoren në shumë vende të botës për funksione shtetërore të ndryshme, Diella është rasti i parë në botë i një sistemi AI që mban detyrën e një ministreje.
Marrë parasysh shpejtësinë me të cilën AI është bërë pjesë e përditshmërisë sonë, Diella edhe mund të duket si ministre ideale. Një ministre që funksionon në bazë të algoritmeve, nuk merr ryshfet, nuk favorizon kushërinjtë, nuk merr pjesë në darka elektorale dhe nuk kërkon shpërblim për besnikëri politike.
Madje, Diella nuk ndikohet as nga lodhja. Kapaciteti i saj analitik është shumëfish më i madh se ai i një ekipi njerëzor. Një sistem algoritmik si Diella mund të analizojë mijëra tenderë brenda pak minutash, të krahasojë oferta, t’i zbulojë anomalitë në çmime apo të identifikojë lidhje të fshehura mes kompanive. Proceset, që në auditimet klasike zgjasin muaj, mund të reduktohen në pak minuta.
Si rezultat, përdorimi i një sistemi të tillë të AI pritet t’i ulë kostot administrative, t’i përshpejtojë proceset e auditimeve dhe ta forcojë transparencën në sektorin më të cenueshëm të financave publike. Në skenarin më të mirë, çdo aktor në një tender trajtohet sipas të njëjtave kritere, duke shmangur arbitraritetin. Pra, Diella mund të sigurojë efikasitet, paanshmëri dhe kapacitet të pakrahasueshëm për identifikimin e abuzimeve. Për një vend si Shqipëria, që renditet e 80-ta nga 180 vende në indeksin e korrupsionit të Transparency International, kjo përbën një shpresë të madhe për eliminimin e korrupsionit në prokurimet publike.
Megjithë dobitë në parim që mund t’i sjellë Diella, shqetësimet rreth mënyrës se si do të funksionojë ky sistem algoritmik janë të mëdha. Në rastin më të keq, ky eksperiment rrezikon t’i gërryejë themelet e demokracisë dhe ta cenojë sovranitetin digjital të Shqipërisë.
Korrupsion algoritmik?
Ekziston një perceptim i përhapur se algoritmet janë objektive, thjesht sepse janë teknologji. Por në realitet, çdo sistem i AI pasqyron të dhënat me të cilat trajnohet. Nëse këto të dhëna janë të anshme, të pasakta ose të paplota, atëherë sistemi algoritmik i riprodhon ato modele. Për shembull, nëse të dhënat e prokurimit publik në Shqipëri, me të cilat është trajnuar sistemi algoritmik i Diellës, përmbajnë raste abuzimi, korrupsioni, diskriminimi apo paragjykimi, atëherë ai sistem rrezikon t’i riprodhojë dhe t’i përforcojë ato modele.
Me fjalë të tjera, përfundimet dhe vendimet e sistemeve të AI varen nga të dhënat me të cilat ato ushqehen. Për pasojë, sistemi mund të gjenerojë rezultate diskriminuese ose paragjykuese. Kështu, për qytetarët, vendimet e Diellës në sipërfaqe mund të duken si “objektive”, ndërkohë që në të vërtetë mbartin paragjykime të padukshme dhe rrezikojnë të çojnë në vendime të gabuara.
Për më tepër, vetë kodi burimor i Diellës – një set udhëzimesh të shkruara në gjuhë programimi, që përcakton logjikën dhe funksionimin e algoritmeve të atij sistemi – nuk është transparent. Kodi burimor është komponenti themelor që shërben si bazë për trajnimin, modifikimin dhe zhvillimin e sistemit algoritmik. Kur kodi burimor i një sistemi të AI dhe mënyra se si ai funksionon nuk është transparente dhe nuk mund të rishikohet nga ekspertë të pavarur, atëherë nuk ka as mundësi që të identifikohen dhe korrigjohen gabimet potenciale ose dobësitë e sigurisë në atë sistem. Kjo rrit rrezikun për gabime teknike dhe e bën sistemin më pak të besueshëm. Mungesa e transparencës në kodin burimor të Diellës krijon pashpjegueshmëri teknike të vendimeve dhe e bën tërë sistemin të dyshimtë.
Kështu që, nëse nuk ka transparencë të të dhënave trajnuese, të algoritmeve dhe kodit burimor të një sistemi të AI, korrupsioni i pranishëm në Shqipëri mund të zëvendësohet nga një “korrupsion algoritmik”, i cili është shumë më i vështirë për t’u zbuluar dhe shpjeguar. Nga një sistem i korruptuar njerëzor mund të kalojmë në një sistem i cili është jotransparent dhe pseudo-objektiv. Kjo paraqet një problem të madh teknik, sepse as vetë operatorët e Diellës dhe aq më pak qytetarët, nuk mund t’i kuptojnë vendimet e saj.
Diella nuk merret në pyetje, nuk shpjegon vendimet dhe nuk mban përgjegjësi politike apo ligjore.
Një tjetër rrezik është cenimi i përgjegjësisë. Demokracia bazohet në zinxhirin e llogaridhënies: qytetarët zgjedhin parlamentin, parlamenti kontrollon qeverinë dhe ministrat japin llogari për vendimet e tyre. Por çfarë ndodh kur vendimet merren nga një sistem i AI si Diella? Një ministri/eje mund t’i kërkohet llogari në interpelancë, të shkarkohet ose të ndiqet penalisht. Diella, përkundrazi, nuk merret në pyetje, nuk shpjegon vendimet dhe nuk mban përgjegjësi politike apo ligjore.
Aktualisht, Shqipëria nuk ka një kornizë ligjore që parashikon përgjegjësinë e AI për vendime të gabuara që mund t’i cenojnë të drejtat e qytetarëve. Kjo krijon një situatë ku nuk dihet se kush mban barrën e përgjegjësisë: nëse një tender shpërndahet padrejtësisht, ndaj kujt mund të ngritet padi? Kush do të përballet me komisionet parlamentare? Një ekip i huaj programuesish? Microsoft? Apo ndoshta një organizatë joqeveritare ndërkombëtare që ka marrë pjesë në zhvillimin e Diellës? Përgjegjësia në këtë rast bëhet e paqartë, duke e kthyer AI në një mekanizëm për t’iu shmangur llogaridhënies politike.
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, në dekretin për emërimin e Kryeministrit Edi Rama, në nenin 2 përcakton se: “Kryeministri ushtron edhe përgjegjësitë për ngritjen dhe funksionimin e Ministrit Virtual të AI ‘Diella’”. Po e njëjta fjali përsëritet edhe në nenin 1 të dekretit për përbërjen e Këshillit të Ministrave. Në praktikë, kjo mund të interpretohet se përgjegjësinë politike për veprimet e Diellës e mban vetë Rama.
Një qasje më demokratike dhe legjitime do të kishte qenë që, para emërimit, të krijohej një bazë ligjore për veprimet dhe vendimet e saj.
Emërimi i një sistemi të AI në rolin e ministres së prokurimeve publike u kritikua ashpër nga opozita shqiptare. Përfaqësuesit e Partisë Demokratike (PD) argumentuan se “Diella” do të përdoret vetëm për t’iu shmangur përgjegjësisë për shkelje të mundshme në prokurimet publike.
Një qasje më demokratike dhe legjitime do të kishte qenë që, para emërimit, të krijohej një bazë ligjore për veprimet dhe vendimet e saj. Nëse në të ardhmen Diella, për arsye të panjohura ose të paparashikueshme, merr vendime arbitrare, të pasakta ose të dëmshme, lind pyetja se si kryeministri Rama do të jetë në gjendje t’i shpjegojë dhe t’i justifikojë këto veprime para Kuvendit të Shqipërisë dhe qytetarëve.
Pa një bazë ligjore të qartë dhe të hollësishme që përcakton kompetencat, përgjegjësitë dhe kufijtë e Diellës, përgjegjësia politike bie tërësisht mbi Ramën, duke e ekspozuar atë ndaj kritikave ligjore, politike dhe publike. Kjo situatë jo vetëm që rrezikon transparencën dhe llogaridhënien e institucioneve, por mund ta minojë besimin e qytetarëve në proceset vendimmarrëse të prokurimit publik.
Prandaj, krijimi i një ligji që përcakton qartë kompetencat, përgjegjësitë dhe kufijtë e Diellës është qenësor. Një hap i tillë do të shmangte keqkuptime të mundshme dhe do të forconte legjitimitetin institucional të saj.
Cenimi i sovranitetit digjital
Një shqetësim shtesë lidhet me faktin se Diella është zhvilluar në bazë të Modeleve të Mëdha Gjuhësore (në anglisht: Large Language Models) të Microsoft, një kompani ndërkombëtare. Kjo do të thotë se vendime që prekin miliona apo edhe miliarda lekë të parasë publike do të përpunohen e filtrohen përmes një sistemi algoritmesh të zhvilluar me ndihmën e një korporate të huaj. Në këtë pikë, shtrohet një pyetje qenësore: a është e pranueshme që një funksion kaq i rëndësishëm dhe sovran – siç është menaxhimi i parasë publike – t’i delegohet një kompanie ndërkombëtare?
Problemi nuk qëndron vetëm te përdorimi i teknologjive të huaja, gjë që është e zakonshme ditëve të sotme, por te varësia e mundshme e një shteti nga një infrastrukturë digjitale të cilën nuk mund ta kontrollojë plotësisht. Kush mund të garantojë, për shembull, se logjika algoritmike mbi të cilën funksionon Diella është krejtësisht e paanshme dhe e mbrojtur nga interesa të huaja komerciale apo politike? Çka ndodh nëse një kompani private, tërthorazi, arrin ta ndikojë mënyrën se si shpërndahen burimet publike, qoftë edhe përmes parametrave teknikë të algoritmit?
Nëse Shqipëria mbështetet deri në këtë nivel në platforma të huaja për funksione kritike, vendi rrezikon të humbë një pjesë të kontrollit mbi të dhënat dhe proceset vendimmarrëse. Në këtë rast, bëhet fjalë për të dhëna jashtëzakonisht të ndjeshme: tenderët publikë, buxhetin, shpenzimet shtetërore. Të gjitha këto janë elemente që ndikojnë drejtpërdrejt në funksionimin e shtetit dhe stabilitetin ekonomik.
Shqipëria rrezikon të krijojë varësi ndaj teknologjisë së kompanive të huaja.
Për më tepër, rreziku i precedentit është i madh. Nëse sot një mjet i AI si Diella kufizohet vetëm në fushën e prokurimit publik, nesër një e ngjashme mund të shtrihet në fusha edhe më të rëndësishme, siç janë vendimmarrja mbi buxhetin kombëtar, përcaktimin e prioriteteve të politikave sociale, apo edhe inicimin e reformave ligjore. Në një skenar të tillë, sovraniteti digjital i një shteti vihet seriozisht në pikëpyetje, sepse vendimet politike fillojnë të ndikohen nga sisteme algoritmike që në thelb janë projektuar, zhvilluar dhe kontrollohen nga kompani private të huaja.
Në këtë mënyrë, shteti rrezikon të krijojë varësi ndaj teknologjisë së kompanive të huaja. Në planin afatgjatë, kjo do të thotë se kontrolli mbi të dhënat kombëtare, logjikën e shpërndarjes së fondeve dhe politikat e ardhshme mund të mos menaxhohet ekskluzivisht nga institucionet vendore, por të kushtëzohet nga teknologjitë dhe interesat e kompanive të huaja.
Ky diskutim lidhet ngushtë edhe me konceptin e sigurisë kombëtare. Ashtu siç një shtet nuk ia delegon ushtrinë apo mbrojtjen kombëtare një pale të tretë, njësoj nuk duhet t’a lejojë që menaxhimi i financave dhe të dhënave strategjike shtetërore të kontrollohen nga aktorë të jashtëm. Në të kundërt, vendi rrezikon të ekspozohet ndaj manipulimeve të mundshme, qoftë ekonomike, politike apo edhe gjeostrategjike.
Kur Diella shndërrohet në zemrën e administrimit të prokurimit publik, atëherë ajo bëhet automatikisht një shënjestër e parë e sulmeve kibernetike.
Çështja bëhet edhe më e ndjeshme kur hyjmë në aspektin e sigurisë kibernetike. Kur Diella shndërrohet në zemrën e administrimit të prokurimit publik, atëherë ajo bëhet automatikisht shënjestra e parë e sulmeve kibernetike, qofshin këto të organizuara nga shtete të tjera, grupe kriminale apo konkurrentë vendorë dhe ndërkombëtarë. Nëse Diella do të sulmohej dhe paralizohej nga një sulm kibernetik, gjithë prokurimi publik do të rrezikohej, proceset administrative do të mbeteshin të bllokuara, të dhënat e ndjeshme rreth kontratave dhe buxhetit do të mund të vidhen, manipulohen ose shkatërrohen, dhe mbi të gjitha, do të krijohej një krizë e thellë besimi tek qytetarët dhe bizneset që do ta shihnin shtetin si të paaftë për t’i mbrojtur financat dhe informacionin publik.
Mjafton të kthehemi në vitin 2022, kur Shqipëria vetë u bë viktimë e një sulmi të madh kibernetik që paralizoi për javë të tëra shërbimet publike digjitale. Ky precedent dëshmon qartë se kërcënimi nuk është hipotetik, por një realitet i prekshëm që mund të përsëritet dhe sulmet e ardhshme mund të synojnë sisteme shumë më të ndjeshme, siç është Diella. Përvoja ndërkombëtare e përforcon edhe më shumë këtë shqetësim.
Sovraniteti digjital nuk duhet parë vetëm si çështje e pronësisë mbi teknologjinë, por edhe si element i domosdoshëm i mbrojtjes së infrastrukturës kritike kombëtare.
Estonia në vitin 2007 u përball me një sulm masiv që paralizoi bankat dhe institucionet shtetërore, ndërsa Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) në vitin 2021 përjetuan krizë energjetike pas sulmit mbi kompaninë “Colonial Pipeline”. Këto raste tregojnë se edhe shtetet më të fuqishme janë të cenueshme në aspektin teknologjik. Nëse vende si Estonia dhe SHBA, me një sistem të përparuar digjital, nuk kanë qenë plotësisht të mbrojtura, atëherë një shtet si Shqipëria, me kapacitete të kufizuara teknologjike dhe financiare, është edhe më i ekspozuar. Një situatë e tillë përbën jo vetëm një cenim të sovranitetit digjital, por edhe një kërcënim serioz për stabilitetin ekonomik, politik dhe për sigurinë kombëtare në tërësi.
Prandaj, sovraniteti digjital nuk duhet parë vetëm si çështje e pronësisë mbi teknologjinë, por edhe si element i domosdoshëm i mbrojtjes së infrastrukturës kritike kombëtare. Pa një strategji të qartë për sigurinë kibernetike dhe pa mekanizma që garantojnë kontroll të plotë kombëtar mbi funksionimin e sistemeve të tilla, çdo përpjekje për digjitalizimin e administratës publike mbetet e brishtë dhe e rrezikuar. Në këtë kuptim, Diella nuk është vetëm një projekt teknologjik për luftimin dhe parandalimin e korrupsionit, por edhe një provë e madhe për aftësinë e Shqipërisë për ta ruajtur sovranitetin e saj digjital.
Diella përfaqëson një eksperiment të guximshëm që vendos Shqipërinë në qendër të vëmendjes ndërkombëtare për përdorimin e AI në nivel qeveritar. Potenciali i saj për të rritur transparencën dhe për të luftuar korrupsionin në prokurimet publike është i padiskutueshëm, por po aq reale janë edhe rreziqet që lidhen me mungesën e transparencës së algoritmeve, paqartësinë mbi përgjegjësinë politike dhe ligjore, si dhe varësinë nga teknologjitë e huaja. Për këtë arsye, teknologjia duhet të përdoret vetëm si mjet ndihmës për ta përmirësuar dhe përshpejtuar punën e institucioneve dhe jo si zëvendësuese e vendimmarrjes politike.
Garantimi i përgjegjësisë dhe i legjitimitetit kërkon një kornizë ligjore të qartë, raportim të hollësishëm në Kuvend, auditim të pavarur të algoritmeve dhe ruajtjen e sovranitetit digjital. Vetëm kështu, Diella mund të bëhet një histori suksesi në luftën kundër korrupsionit, pa minuar themelet e demokracisë dhe pa e ekspozuar vendin ndaj varësisë teknologjike të huaj ose rreziqeve të sigurisë kibernetike.
Imazhi i ballinës: Dina Hajrullahu / K2.0