Në fund të vitit 2014, shtetasi serb Sllobodan Gavriq u kap në kryeqytetin e Kosovës me 12 kilogramë eksploziv, të cilat doli t’i ketë transportuar nga Beogradi deri në lagjen Arbëria në Prishtinë pa asnjë pengesë. Si rezultat, institucionet e rendit dhe të sigurisë në vend u përballën me kritika e akuza se nuk e parandaluan hyrjen e tij në Kosovë me armët që akuzohej se kishte ndërmend t’i përdorte për vepra terroriste dhe prishje të rendit kushtetues.
Sipas prokurores së rastit, Gavriq kishte hyrë përmes pikës kufitare në Rudnicë dhe Jarinje, kufi me Serbinë, dhe gjatë hyrjes së tij nuk ishte ndaluar fare në kufirin e Kosovës. Në qershor të këtij viti, Gavriq u dënua me aktvendim të plotfuqishëm me 13 vjet burg, derisa rasti i doganierëve që nuk e ndaluan ka përfunduar në Prokurori për hetim të mëtutjeshëm.
Krejt kjo ngjarje kishte ngritur një debat, sidomos në instanca të sigurisë, për nevojën e shtimit të kontrollit më të rreptë në kufijë si dhe për nevojën e këmbimit të informacioneve me shtetet fqinjë, me relevancë për sigurinë e Kosovës. Në rastin e Gavriqit, një bashkëpunim i tillë do të kërkohej me Serbinë, porse dihet se kjo praktikisht është thuajse e pamundur, ani pse ka përpjekje ndërkombëtare për të lehtësuar takime mes policisë serbe dhe asaj kosovare.
Ndërkohë, ka një numër të iniciativave rajonale ndërkufitare për të luftuar krimin e organizuar, si trafikimin e qenieve njerëzore dhe të narkotikëve — 33 sosh janë themeluar qysh prej mesit të viteve ’90 — por mungesa e njohjeve të Kosovës nga disa vende anëtare të BE-së nënkupton se ajo nuk është pjesë e gjitha këtyre nismave. Mungesa e bashkëpunimit, veçanërisht me Serbinë, në fushën e drejtësisë dhe sigurisë e ka bërë Kosovën një vend tranzit të përshtatshëm për kriminelët dhe vend “të ndjeshëm për aktivitete të krimit të organizuar”.
Kosova si shtet nuk ka marrëdhënie direkte zyrtare me INTERPOL-in, meqë nuk njihet nga të gjitha shtetet anëtare.
Nëse flasim, ta zëmë, për trafikim me qenie njerëzore, Kosova në vazhdimësi renditet si vend i përshtatshëm dhe transit për gra, burra dhe fëmijë që trafikohen për qëllime prostitucioni ashtu edhe për punë të rënda. Për më tepër, sipas zyrës së Organizatës së Kombeve të Bashkuara kundër Drogës dhe Krimit (UNODC), vendet e Ballkanit janë “korridoret kryesore” të trafikimit me narkotikë.
Këto fakte por edhe raste si ky i “Gavriq”, i cilësuar si rast terrorizimi nga organet e drejtësisë në vend, ka ngritur nevojën e menjëhershme të anëtarësimit të Kosovës në organizatën më të rëndësishme policore në botë – Organizatën Ndërkombëtare të Policisë Kriminale, INTERPOL. Kjo organizatë policore synim kryesor e ka: sigurimin e një sistemi të informacionit global policor; mbështetjen e vazhdueshme për institucionet policore të vendeve anëtare në zbatimin e ligjit; ndërtimin e kapaciteteve përmes mbështetjes dhe trajnimeve të ndryshme në fushën e zbatimit të ligjit; si dhe mbështetjen në identifikimin e krimeve dhe kriminelëve përmes informacioneve të bazës së të dhënave të INTERPOL-it, ku qasje në informata kanë vetëm shtetet anëtare të saj, e të cilat e kanë po ashtu të drejtën të këmbejnë këto informacione.
Prezenca fizike e Interpolit në kufijtë e Kosovës do të nënkuptonte prezencën e kësaj databaze në to, por edhe pajisje, trajnime e mjete tjera që do të ndihmonin parandalimin e krimit. Anëtarë të Komisionit Parlamentar për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës, në vazhdimësi kishin deklaruar se presenca e tillë e INTERPOL-it në kufijtë kosovarë do të rriste efikasitetin në parandalimin e rasteve si ky i Gavriqit, por edhe të rasteve të tjera, sidomos të krimit të organizuar.
Fronte të ndryshme të lobimit
Përpjekjet më serioze të Kosovës si shtet i pavarur për t’u anëtarësuar në INTERPOL kanë nisur vonë. Kërkesa e parë e bërë në vitin 2010 nga ministri i punëve të brendshme asokohe, Bajram Rexhepi, kishte mbetur tek sekretari i përgjithshëm i Interpolit në Lion, Francë, meqë nuk kishte kaluar tutje në organe tjera për shqyrtim. Vetëm pesë vite më vonë, në vitin 2015, ishte shtruar kërkesa e radhës e Kosovës për anëtarësim.
Por, Kosova si shtet nuk ka marrëdhënie direkte zyrtare me INTERPOL-in, meqë nuk njihet nga të gjitha shtetet anëtare. Andaj i gjithë komunikimi mes Kosovës dhe INTERPOL-it, qoftë për këmbim të informacione, fletëarreste, kërkime ndërkombëtare, raste penale etj, ndërmjetësohet nga një palë e tretë, respektivisht misioni i kombeve të bashkuara në Kosovë, UNMIK-u. Ky bashkëpunim ishte vendosur përmes një memorandumi mirëkuptimi ndërmjet INTEPROL-it dhe UNMIK-ut në vitin 2002. Asokohe Kosova ishte akoma nën administrimin e UNMIK-ut.
Hulumtimi pati theksuar edhe mungesën e bashkëpunimit dhe koordinimit ndërmjet Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës për përgatitjen e vendit drejt anëtarësimit në INTERPOL.
Njësoj sikurse këmbimi i informacioneve që bëhet mes Policisë së Kosovës dhe INTERPOL-it përmes zyrës ndërlidhëse të kësaj të fundit në UNMIK, edhe aplikimi i Kosovës si shtet për anëtarësim në Interpol është bërë në këtë mënyrë. Kërkesa e prillit të vitit 2015 ishte dërguar përmes UNMIK-ut, dhe ishte nënshkruar nga vetë kryeministri Isa Mustafa.
Megjithatë, sipas nenit 4 të Kushtetuës së kësaj organizate, kërkesat për anëtarësim duhet të dorëzohen nga autoritetet qeveritare, e kjo nuk njihet nga organizata të ndryshme ndërkombëtare, duke përfshi më së shumti Kombet e Bashkuara për shkak të Rezolutës 1244 të saj, e që pohon qëndrim neutral ndaj shtetësisë së Kosovës.
Kjo e shumë çështje tjera janë vërejtur edhe në hulumtimin e fundit të Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë në vitin 2016, “Nyja Gordiane: Pengesat e Kosovës për anëtarësimin në organizata ndërombëtare të Sigurisë”. Por hulumtimi po ashtu pati theksuar edhe mungesën e bashkëpunimit dhe koordinimit ndërmjet Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës për përgatitjen e vendit drejt anëtarësimit në INTERPOL (si dhe në përgjithësi mungesën e hapave konkret të qeverisë për të çuar përpara integrimin e shtetit në organizata të sigurisë, qoftë rajonale apo edhe më gjerë).
Përfundimisht, kërkesa e vitit 2015 për anëtarësim në Interpol nuk kishte arritur fare që të kalojë në agjendën e mbledhjes së Asamblesë së Përgjithshme të Interpol në vitin 2016. Kërkesa u pati supsendua deri në këtë vit, kur në maj u kumtua lajmi se Komiteti Ekzekutiv i INTERPOL-it vendosi ta përfshijë kërkesën për anëtarësim të Kosovës në agjendën e mbledhjës së Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, e cila këtë vit do të mbahet në Pekin të Kinës.
Krahas Kosovës, këtë vit do të shqyrtohen edhe kërkesat për anëtarësim të Palestinës si dhe të Ishujve Solomon, të cilët kanë aplikuar për anëtarësim në të njëtin vit (2015) si Kosova.
Përderisa pritet të votohet ndaras për secilën, aplikacioni i Kosovës për anëtarësim është i pari sipas agjendës. Ka mendime se kjo mbase i jep mundësi Kosovës që të votohet edhe nga ato shtete që potencialisht do të votojnë pro Palestinës, e cila gjindet në pozitën e njëjtë si Kosova sa i përket njohjes së shtetësisë së saj ndërkombëtarisht. Por anën tjetër ekziston edhe rreziku që Kosova (e cila ka 114 njohje nga shtetet anëtare në Interpol), të mos votohet në rast se shtetet anëtare nuk duan që Palestina ( e cila ka 136 njohje nga shtetet anëtare të Interpol), të bëhet anëtare e kësaj organizate policore. Secilit shtet do t’i duhen 2/3 e votave totale (apo 126 vota) për t’u bërë anëtare e Interpol.
Mësimet nga e kaluara
Praktikat e mëhershme të aplikimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare, ka lënë shije të keqe sa i përket suksesit në sigurimin e 2/3 e votave.
Më 9 nëntor të vitit 2015, për vetëm tri vota Kosova kishte dështuar të anëtarësohej në organizatën e Kombeve të Bashkuara për Edukim, Shkencë dhe Kulturë – UNESCO. Për më tepër, 15 shtete që e kishin njohur shtetësinë e Kosovës nuk e kishin përkrahur këtë aplikim. Këtu përfshihet: Kolumbia, Antigua dhe Barbuda, Burundi, Unioni i Komoreve, Egjipti, Japonia, Polonia, Guinea Bisau, Mauritania, Mikronezia, Peruja, Koreja e Jugut, Sau Tome dhe Principe, Swaiziland dhe Uganda. Këto shtete ose votuan kundër, ose abstenuan, ose zgjodhën të dalin jashtë sallës.
Mosgarantimi i votave madje as të shteteve që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës në rastin e UNESCO-s kishte rezultuar me kritika ndaj diplomacisë kosovare, që drejtohet nga PDK qysh prej vitit 2011, për shkak të lobimit joadekuat.
Pra, derisa autoritetet kosovare kanë shprehur bindjen se do ta sigurojnë anëtarësimin në Interpol, historia e diplomacisë kosovare na sugjeron që këtë çështje ta shohim me një dozë të madhe të skepticizmit.
Në anën tjetër, nëse prapë kthehemi tek historia e Kosovës në rrugën e saj drejt anëtarësimit në nisma dhe organizata të sigurisë në rajon, vërehet po ashtu një dështim i diplomacisë kosovare, sidomos në lobim, ani pse proceset e anëtarësimit në nisma rajonale dhe europiane të sigurisë kanë qenë dukshëm më të lehta sesa ato për anëtarësim në Interpol.
Në vitin 2013, Kosova aplikoi për anëtarësim me të drejta të plota në Qendrën për Bashkëpunim në fushnë e Sigurisë, RACVIAC, që është nën ombrellën e Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore, SEECP. Por ajo ishte refuzuar me argumentin se nuk ishte asokohe pjesë e SEECP-së.
Në tetor të vitit 2014, Kosova është pranuar si pjesemarrëse në të gjitha aktivitetet e RACVIAC-ut, por jo me të drejta të plota për shkak të vërejtjes nga shtetet mosnjohëse të saj Serbia, Bosnja dhe Hercegovina dhe Rumania. Dhe deri në fund të të njejtit vit, po ashtu u anëtarësua në SEECP. Megjithatë, Kosova asnjëherë nuk e shfrytëzoi anëtarësimin në këtë të fundit për të avancuar pozitën e saj ne RACVIAC.
Nëse mbështetemi tek punët e diplomacisë kosovare viteve të fundit ndërkaq, qartazi shihet se ajo ka dështuar t’i sjellë më shumë njohje Kosovës. Që prej vitit 2015 e tutje Kosova ka pasur vetëm katër njohje të reja nga Antigua dhe Barbuda, Suriname, Singapori dhe Bangladeshi.
Pra, derisa autoritetet kosovare kanë shprehur bindjen se do ta sigurojnë anëtarësimin në Interpol, historia e diplomacisë kosovare na sugjeron që këtë çështje ta shohim me një dozë të madhe të skepticizmit.
Serbia anën tjetër e cila është tejet e angazhuar t’i bllokojë proceset e integrimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare, dhe respektivisht njohjen e shtetësisë së saj, tashmë ka lëshuar sinjale përmes zyrtarëve të saj se do të mundohet ta bllokojë këtë proces me çdo kusht.
Gazeta serbe “Blic” pati raportuar në korrik të këtij viti se shteti serb po lobon për ta pengur anëtarësimin e Kosovës në Interpol. Shefi i zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq për më tepër kishte deklaruar në fillim të gushtit të këtij viti se “Kosova tashmë përfaqësohet në Inteprol përmes organeve të UNMIK-ut si dhe Serbisë dhe se në rast se ka pasur ndonjë rast kur një kriminel është dashur të paraburgoset nga territori i Kosovës kjo çështje është zgjidhur tashmë”.
Tani përderisa vëmendja është kthyer drejt INTERPOL-it, rezultati në fund pritet të shihet gjatë takimit të Asamblesë së Përgjithshme të kësaj organizate në Pekin, nga 26-29 shtator të këtij viti. Por shija e hidhur e së kaluarës më tepër na qon kah dyshimi se Kosova e ka më të sigurt përsëritjen e hapjes së shishes së shampanjës për një proces që akoma nuk ka ndodhur, sesa për anëtarësimin në Interpol. K
Foto kryesore: Majlinda Hoxha / K2.0.