LDK-ja ndihmon përmbysjen e koalicionit të vet pavarësisht zemërimit qytetar.
Qeveria e Kosovës është shkarkuar pas miratimit të mocionit të mosbesimit në Kuvend.
Mocioni, i dorëzuar nga partnerja e dytë e koalicionit, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), kaloi me 82 vota për, 32 kundër dhe një abstenim.
Meqë Kushtetuta kërkon një shumicë të thjeshtë të 120 deputetëve për ta mbështetur mocionin, dhe pasi të gjithë përfaqësuesit e opozitës votuan për, përkrahja e shumë deputetëve të LDK-së ishte vendimtare.
Lëvizja për ta shkarkuar qeverinë e përbërë nga koalicioni Vetëvendosje-LDK, e cila qeverisi vetëm 52 ditë pas zgjedhjeve të përgjithshme në tetor, vjen në vlugun e krizës së paparë të COVID-19 ndërsa qeveritë anekënd botës po luftojnë ta përmbajnë pandeminë globale.
Gjatë seancës së jashtëzakonshme maratonike që zgjati 12 orë, e cila u mblodh pavarësisht ndalimit të grumbullimeve nga qeveria, shumica e deputetëve mbanin vazhdimisht maska mbi gojë dhe hundë, kurse gazetarëve u ishte ndaluar hyrja për t’iu lënë deputetëve më shumë hapësirë që ta mbajnë distancën prej 1.5 metrash ndërmjet vete. Kushtet e papara ishin përpjekje për t’i ndjekur këshillat e Institutit të Shëndetësisë Publike, i cili ishte pyetur nga Kryesia e Kuvendit rreth kushteve shëndetësore të mbajtjes së seancës.
Pleased to see the Assembly will hold a session on the no-confidence vote tomorrow. As I told the PM today, it is important for the Assembly and all Kosovo institutions to respect the Constitution.
— Ambassador Philip S. Kosnett (@USAmbKosovo) March 24, 2020
Qeveria ka marrë lëvdata vendore dhe ndërkombëtare për kundërpërgjigjen ndaj koronavirusit, ndërsa qytetarët, aktorët e shoqërisë civile dhe shumë ambasada të huaja kanë nxitur fuqishëm politikanët të vazhdojnë të përqendrohen në sfidat e tanipërtanishme, e jo në manovrat e tyre politike; përjashtim këtu është ShBA-ja, duke pasur parasysh se ambasadori i saj tha në një Tweet të martën mbrëma se ishte “i kënaqur” që do të ndodhte votimi i mosbesimit.
Para votimit në Kuvend, qytetarët prapë dolën në ballkone dhe dritare për t’i përplasur tenxheret e tiganët, duke i vazhduar protestat e përditshme kundër fokusit të politikanëve në agjenda politike në vend se të mobilizohen për masa mbrojtëse nga pandemia COVID-19.
Gjatë seancës, disa dhjetëra protestues po ashtu e thyen izolimin shoqëror dhe dolën para ndërtesës së Kuvendit; teksa shumica mbanin maska dhe e ruanin distancën dymetërshe nga njëri-tjetri, disa prej tyre mbanin pankarta me mbishkrimin “Kundër mocionit”.
Megjithatë, dallimet dhe lufta për pushtet u përshkallëzuan në ditët e fundit, me këmbënguljen e Presidentit Thaçi për nevojën e shpalljes së Gjendjes së Jashtëzakonshme, e cila do t’ia barte atij një pjesë të madhe të pushtetit.
Gjatë fjalimit në Kuvend para votimit, Kryeministri Albin Kurti tha se qeveria e tij po rrëzohet sepse Thaçi dëshiron ta nënshkruajë një marrëveshje me Serbinë të bazuar në shkëmbim territoresh. Kjo lidhet me përpjeket e Thaçit për t’u pozicionuar në qendër të procesit të dialogut, dhe me analizën e dëgjuar që ShBA-ja e do një marrëveshje të shpejtë — të ndërmjetësuar nga i Dërguari i Posaçëm i Presidentit të ShBA-së për Dialogun, Riçard Grenell — që mund të etiketohet si sukses i politikës së jashtme para zgjedhjeve presidenciale në nëntor.
“Nuk ka marrëveshje as në Shtëpi të Bardhë, as të Gjelbër, as të Kuqe për shkëmbim territorresh,” tha Kurti gjatë fjalimit të zjarrtë.
Ndërkaq, të mërkurën u vërtetuan edhe tetë raste të reja me COVID-19, duke e çuar numrin e përgjithshëm të të infektuarve në 71; të hënën u shënua një kërcim i madh në numra pasi Instituti i Shëndetësisë Publike konfirmoi 26 raste pas testimit të 100 kontakteve të njerëzve që kanë dalë pozitivë më herët.
Ministri i Shëndetësisë Arben Vitia tha të mërkurën mbrëma se njëri nga pacientët që më parë kishte dalë pozitiv me virusin, tash ka dalë negativ. “Nevojitet edhe testi kontrollues dhe me shpresë që do të kemi pacientin e parë të shëruar me COVID-19 në Kosovë”, ka thënë ai.
Kriza kushtetuese
Shkarkimi i qeverisë ua jep edhe një arsye për pasiguri qytetarëve të trazuar nga masat kundër COVID-19, meqenëse duket se po e sjell një krizë kushtetuese.
Sipas Kushtetutës, kalimi i mocionit të mosbesimit do të thotë se qeveria llogaritet si e shkarkuar. Kjo do të thotë gjithashtu se “Kuvendi mund të shpërndahet nga Presidenti i Republikës së Kosovës…”
Nëse Kuvendi shpërndahet, Kushtetuta thotë se zgjedhjet duhet të mbahen brenda 45 ditëve. Sidoqoftë, me masat e posaçme shtrënguese — përfshirë orën policore dhe ndalimin e grumbullimeve publike — që janë vendosur për ta përmbajtur përhapjen e COVID-19, është e paqartë se si do të ndodhte në terren.
Ndërsa për shpalljen e Gjendjes së Jashtëzakonshme, Kushtetuta kërkon që Presidenti ta bëjë “në konsultim me Kryeministrin”, dhe duhet mbështetja e dy të tretave të deputetëve të Kuvendit.
Ky është territor i paeksploruar.
Ka pasur sugjerime, përfshirë nga juristja dhe Kryekuvendarja Vjosa Osmani, se “dispozitat kushtetuese” e lejojnë presidentin t’ia japë partisë më të votuar — në këtë rast Vetëvendosjes — edhe një mundësi për ta formuar qeverinë; Osmani ka thënë se nëse kjo dështon, precedenti ka qenë që vendi të shkojë në zgjedhje.
Neni 95.5 i Kushtetutës thotë: “Nëse Kryeministri jep dorëheqjen ose për arsye të tjera posti i tij/saj mbetet i lirë, Qeveria bie, dhe Presidenti i Republikës së Kosovës, në konsultim me partitë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën në Kuvend, mandaton kandidatin e ri, për të formuar Qeverinë”.
Një Komentar i gjerë i Kushtetutës, i botuar në vitin 2013 nga dy gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese, po ashtu e mbështet idenë se partisë më të madhe duhet t’i jepet edhe një mundësi për ta formuar qeverinë.
“Me kalimin e mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë, qeveria humb të gjithë autoritetin kushtetues për të kryer kompetencat e saj, dhe ipso iure [nga vetë ligji] kalohet në procesin e ri të emërimit të qeverisë, përmes propozimit të një kandidati nga ana e presidentit të republikës”, thotë komentari.
Megjithëkëtë, ky është territor i paeksploruar.
Plasaritjet e koalicionit
Mocioni i mosbesimit ndaj qeverisë u dorëzua nga Grupi Parlamentar i LDK-së të premten më 20 mars, duke lënë afat prej pesë ditësh që të mbahet votimi në Kuvend.
Kjo lëvizje erdhi pasi Kryeministri Kurti nuk i përmbushi kërkesat e Kryetarit të LDK-së, Isa Mustafës, për ta ringarkuar nënkryetarin e partisë, Agim Veliun, si ministër të punëve të brendshme dhe të administratës publike, dhe për ta hequr menjëherë tarifën 100% ndaj produkteve të Serbisë.
Kurti e shkarkoi Veliun më 18 mars sepse u deklarua në kundërshtim me qëndrimin zyrtar të qeverisë për kundërpërgjigjen ndaj pandemisë së COVID-19 kur shprehu mbështetjen për propozimin e Presidentit Thaçi rreth shpalljes së Gjendjes së Jashtëzakonshme. Qeveria kishte këmbëngulur se Gjendja e Jashtëzakonshme — e cila do t’i kufizonte të drejtat kushtetuese dhe do t’i jepte pushtet ekzekutiv Këshillit Kombëtar të Sigurisë, i kryesuar nga presidenti në ato rrethana — nuk ishte ende e nevojshme, duke thënë se situata po menaxhohet mirë nga qeveria.
Njoftimi i Zyrës së Kryeministrit për shkarkimin e Veliut thotë: “Përmes deklaratave të tij të bëra publikisht, por jo edhe të mbështetura me qëndrime të tij në mbledhje të brendshme, Ministri i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, z. Veliu ka dëshmuar mungesë të theksuar lidershipi dhe ka minuar hapur punën e qeverisë, pjesë e të cilës ai është”.
Më vonë, Mustafa shkroi në Facebook: “Pres edhe sot që zoti Kurti ta heq tarifën, ta anulojë vendimin për shkarkimin e z. Veliu. Që atij dhe LDK-së ti kërkoj falje për veprimet e tij dhe të atyre me të cilët ka bashkëpunuar në këtë akt të ulët”.
Duke u përgjigjur ndaj kritikave se e kishte prishur koalicionin kur refuzoi të shkonte në takim me LDK-në para shkarkimit të Veliut, Kurti ka thënë se e kishte njoftuar Mustafën por nuk e kishte takuar sepse takimi do të nënkuptonte se ishte i gatshëm ta diskutonte këtë gjë, ndërsa ai atëhermë e kishte marrë vendimin.
Kosova ka pasur trysni të vazhdueshme nga ShBA-ja për heqjen e pakusht të tarifës 100%, ndërsa administrata e Donald Trampit ka marrë rol më aktiv në marrëdhëniet Kosovë-Serbi gjatë muajve të fundit; në fillim të marsit, Thaçi dhe Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq u ftuan në Shtëpinë e Bardhë si përpjekje e Uashingtonit për arritjen e një “marrëveshjeje”.
Në një konferencë për shtyp të premten, Mustafa ka thënë se i kishte shkruar Kurtit për heqjen e tarifës 100% ndaj produkteve të Serbisë sepse “po rrezikohet miqësia me ShBA-në”, por nuk kishte marrë përgjigje.
Mbrëmjen e po asaj dite, Kurti njoftoi se qeveria ka vendosur ta heqë taksën 100% për lëndën e parë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, dhe se më 1 prill do të nxirrej një vendim tjetër për zëvendësimin e tarifës së mbetur me “masat e reciprocitetit”.
Debati për Gjendjen e Jashtëzakonshme
Ngjarjet kanë lëvizur shpejt në ditët e fundit.
Gjatë një fundjave plot pasiguri rreth asaj se a do t’i qëndrojë LDK-ja prapa mocionit të dorëzuar të premten, dhe pasi qeveria tha se Kosova po hyn në javët “vendimtare” në luftën kundër përhapjes së COVID-19, Kosova shënoi vdekjen e parë nga virusi.
Thaçi u përgjigj duke e ngritur sërish idenë e Gjendjes së Jashtëzakonshme, të cilën ekishte propozuar ditë më parë: “Institucionet e shtetit duhet të jenë të gatshme, që në rast nevoje të shpallet menjëherë Gjendja e Jashtëzakonshme”, ka thënë ai në Facebook.
Të hënën pas vërtetimit të 26 rasteve të reja, qeveria mori vendimin t’i kufizojë tutje lëvizjen dhe grumbullimet e qytetarëve. Masat e fundit ndalojnë lëvizjen e qytetarëve dhe automjeteve private prej orës 10:00 deri në 16:00 dhe prej orës 20:00 deri në 6:00, përveç nevojave mjekësore, prodhimit, furnizimit dhe shitjes së mallrave thelbësore dhe për shërbimet dhe aktivitetet e lidhura me menaxhimin e pandemisë.
Jo më shumë se dy persona mund të lëvizin së bashku përjashta, dhe ata duhet ta mbajnë distancën prej dy metrash gjatë gjithë kohës. Takimet janë të ndaluara në të gjitha rrethanat — qofshin private, publike, të hapura a të mbyllura — përveç kur ato janë të domosdoshme për t’i kryer punët dhe detyrat për parandalimin dhe luftimin e pandemisë, dhe kur mbahet distanca prej dy metrash.
"Qeveria ka marrë një vendim që vjen si rezultat nga rekomandimet e ekspertëve të fushës."
Furtuna Sheremeti, këshilltare ligjore e Kurtit
Atë natë, Presidenti Thaçi thirri një konferencë të jashtëzakonshe për shtyp ku e quajti vendimin e qeverisë “antikushtetues” dhe u tha qytetarëve se nuk janë të obliguar ta respektojnë atë. Më tej tha se as policia, e as autoritetet e sigurisë nuk duhet ta zbatojnë sepse kjo do të përbënte shkelje penale, duke e përdorur sërish momentin për promovimin e Gjendjes së Jashtëzakonshme.
Qeveria ka këmbëngulur se të gjitha masat e vendosura janë brenda kompetencave të saj. Këshilltarja ligjore e Kurtit, Furtuna Sheremeti, ka thënë për Koha.net se vendimi është bazuar në Nenin 55 të Kushtetutës që bën fjalë për kufizimin e të drejtave, e jo në Nenin 56 (për Gjendjen e Jashtëzakonshme), i cili bën fjalë për “shmangien” nga të drejtat gjatë një Gjendjeje të Jashtëzakonshme.
“Qeveria ka marrë një vendim që vjen si rezultat nga rekomandimet e ekspertëve të fushës dhe bëhet fjalë për kufizim për kohë të caktuar,” ka thënë ajo. Është [po ashtu] në linjë me Ligjin për Parandalimin e Sëmundjeve Ngjitëse”.
Të martën, Thaçi ka njoftuar se e kishte dërguar vendimin e qeverisë në Gjykatën Kushtetuese dhe kishte kërkuar një “masë të përkohshme,” dhe i ka bërë thirrje Kurtit që t’i pezullojë masat e fundit deri në vendimin e Gjykatës.
Kurti u përgjigj të mërkurën në Facebook duke thënë se: “ne kemi kërkuar nga Gjykata Kushtetuese ta refuzojë kërkesën [e Thaçit] në lidhje me vendosjen e masave të përkohshme”, sepse sipas tij, ato nuk i përmbushin tri kriteret e parapara në Rregulloren e Punës të Gjykatës Kushtetuese: ndërtimin e rastit prima facie [e marrë për të vërtetë derisa të dëshmohet e kundërta], dëshmimin se ekzekutimi i vendimit shkakton dëm të pariparueshëm dhe se masat e përkohshme janë në interesin publik.
Legjitimiteti demokratik vihet në pyetje
Zhvillimet e ditëve të fundit gjithashtu kanë ngritur pyetje të rëndësishme rreth legjitimitetit demokratik.
Përpjekjet e Presidentit Thaçi për ta shtyrë Gjendjen e Jashtëzakonshme, kundër vullnetit të qeverisë së zgjedhur, është parë nga disa si e barasvlershme me një “grusht shteti”, sidomos pas konferencës për shtyp të martën mbrëma, në të cilën dukej se nxiste qytetarët për mosbindje ndaj masave të vendosura nga qeveria kundër COVID-19.
“Presidenti ka shpallur veten arbitër dhe interpretues përfundimtar të kushtetutës së vendit”, ka shkruar publicisti Veton Surroi në Kohën Ditore. “Kështu ai u ka bërë thirrje policisë dhe autoriteteve për mosbindje, me shpjegimin se në të kundërtën do të kryenin shkelje penale. Kjo është më shumë se kundërvajtje; është përpjekje për ta përmbysur sistemin kushtetues të vendit”.
Epilogu i mocionit të mosbesimit ka bërë që shumë qytetarë të ndihen të zemëruar, të zhgënyer dhe të pasigurt për të ardhmen.
Për shumë njerëz në Kosovë, koalicioni i ri qeverisës, i udhëhequr nga Vetëvendosja — parti që ishte ngjitur në krye të sondazheve pa qeverisur më parë — përfaqësonte një mundësi për ndryshim dhe përparim pas shumë vitesh amullie; partitë që kanë votuar ta rrëzojnë qeverinë e posazgjedhur ishin pjesë të qeverive të mëparshme që kanë qenë të rrethuara nga skandalet e korrupsionit.
"U bëj thirrje të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës që mos ta përkrahin këtë mocion. As nuk është në kohën e duhur, por mbi të gjitha nuk do t’i prodhojë Kosovës një qeveri tjetër që ka legjitimitet."
Vjosa Osmani, LDK (24 mars)
Duke i rënduar më tej pyetjet rreth legjitimitetit të lëvizjes për dorëzimin e mocionit të mosbesimit është mungesa e përkrahjes nga Vjosa Osmani, kandidatja më e votuar e LDK-së në zgjedhjet e tetorit, e cila ishte në ballë të fushatës së tyre zgjedhore.
Kandidatja për kryeministre e LDK-së ka marrë mbështetjen e 85% të 206,000 votuesve të partisë, dhe duke siguruar 176,000 vota personale ka marrë më se 100,000 vota më shumë sesa i dyti në listën e LDK-së. Kryetari i partisë, Isa Mustafa, dhe nënkryetari Agim Veliu, të cilët ishin thelbësorë për ndërmarrjen e mosionit të mosbesimit, nuk ishin fare kandidatë në zgjedhje.
Osmani tha në një konferencë për shtyp të martën se “absolutisht nuk e mbështet” mocionin e mosbesimit. “U bëj thirrje të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës që mos ta përkrahin këtë mocion. As nuk është në kohën e duhur, por mbi të gjitha nuk do t’i prodhojë Kosovës një qeveri tjetër që ka legjitimitet”, ka thënë ajo, duke shtuar se secila qeveri e re që mund të formohet pas votimit të mosbesimit do të përfshinte partitë ndaj të cilave LDK-ja ka vija të kuqe për koalicion.
Ajo ishte njëra nga tre deputetët që votuan kundër mocionit në Kuvend, duke qenë po ashtu në pakicën e figurave të larta që kanë votuar kundër dorëzimit të tij gjatë takimit të kryesisë së LDK-së në javën e kaluar. Disa anëtarë tjerë të LDK-së kanë kërkuar që të gjendet gjuhë e përbashkët mes LDK-së dhe VV-së në këtë kohë të vështirë dhe të mos prishet koalicioni.
Pas konferencës për shtyp të Osmanit të martën, në një debat në T7 Veliu e quajti “tradhti” thirrjen e saj për ta hedhur poshtë mocionin.
“Qëndrimi i Vjosa Osmanit nuk është diçka e re në LDK. Ajo ka vepruar edhe më parë kështu”, ka thënë ai. “Nëse vazhdon përditë të bëjë thirrje kundër vendimeve të LDK-së dhe punon me të tjerët kundër neve, nuk ka asnjë kuptim që ajo të qëndrojë në LDK”.
Janë ngritur po ashtu pyetje rreth vendimit të Kurtit për shkarkimin e shpejtë të Veliut në mes të situatës së krizës.
Kurti është akuzuar nga kritikët në të kaluarën për mostolerimin e zërave kundërshtues, ndërsa pozita e lartë e Veliut në LDK, si dhe natyra tashmë delikate e marrëdhënieve të koalicionit pas negociatave disamujore për t’u bërë bashkë, me gjasë e kanë bërë këtë vendim mjaft të rrezikshëm.
Analisti Enver Robelli ka argumentuar që, paçka se Veliu nuk e ka fshehur kurrë mendimin se koalicioni VV-LDK është i gabuar, ngutia e Kurtit për ta shkarkuar “nuk është e parrezikshme” dhe duket se ka qenë kalkulim për interesat zgjedhore të partisë së tij.
ShBA-ja e vetmuar
Gjendja e tanishme politike në Kosovë gjithashtu ka shpërfaqur dallimet e politikave transantlantike në rajon.
Të martën, ambasadat e shteteve të Kuintit — Gjermanisë, Francës, Italisë, ShBA-së dhe Mbretërisë së Bashkuar — u dukën të bashkuara pas lëshimit të një deklarate që nxiste liderët politikë “ta ruajnë dhe sigurojnë integritetin dhe funksionalitetin e qeverisë dhe institucioneve të Kosovës në këtë moment kritik dhe ta bëjnë prioritet luftën kundër COVID-19 në Kosovë mbi politikën”.
BE-ja po ashtu nxori një deklaratë që thirri për unitet: “U bëjmë thirrje të gjithë liderëve institucionalë të punojnë së bashku, në përputhje të plotë me kushtetutën e Kosovës, dhe t’i përqendrojnë të gjitha energjitë dhe përpjekjet për luftimin e pandemisë dhe mbrojtjen e qytetarëve të Kosovës. Nuk është koha për antagonizma institucionalë, është koha për unitet politik”.
Raportuesja e Parlamentit Evropian për Kosovën, Viola von Cramon-Taubadel, ka thënë se situata nuk duhet të përdoret “për dobinë e politikanëve të caktuar”.
“Kosova ka nevojë për një qeveri të qëndrueshme që mund t’i drejtojë qytetarët në këto kohë të paqarta të krizës. Respektimi i dialogut Prishtinë-Beograd është i domosdoshëm për të gjithë Ballkanin Perëndimor dhe BE-në dhe duhet të jetë qeveria e Kosovës e ulur në tryezën e bisedimeve, jo aktorët e tjerë,” ka thënë ajo në Twitter, duke folur për përçarjen e qeverisë së Kosovës me Thaçin rreth përfaqësuesit të Kosovës në dialogun me Serbinë.
Si trysni shtesë, ambasadorët e Francës dhe Gjermanisë në Kosovë nxorën një demarsh të përbashkët duke i bërë thirrje LDK-së për ta tërhequr mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë.
Sidoqoftë, të martën mbrëma, Ambasadori i ShBA-së në Kosovë e theu unitetin e dukshëm duke thënë se ishte “i kënaqur” që do të mbahej votimi i mosbesimit në Kuvend. “Siç i kam thënë Kryeministrit sot, është e rëndësishme për Kuvendin dhe institucionet ta respektojnë Kushtetutën”, thotë postimi në Twitter, i cili u ripostua menjëherë nga Riçard Grenell.
Von Cramon-Taubadel iu përgjigj duke e pyetur ambasadorin Kosnet se si mund të jetë i kënaqur ta shohë rënien e qeverisë gjatë një pandemie. Ajo vazhdoi: “E pabesueshme. E papërgjegjshme. Më vjen shumë keq për qytetarët e Kosovës. Nuk e meritojnë këtë”.K
Imazhi i ballinës: Atdhe Mulla / K2.0 (nga arkivi).