Vetëm pesë vjet pas luftës së vitit 1999, tensionet ndëretnike në Kosovë dolën sërish në sipërfaqe. Krejt çka duhej për nxehjen e gjakrave, humbjen e dhjetëra jetëve dhe djegien e qindra monumenteve e shtëpive ishte raportimi medial i pamatur dhe nxitës i ngjarjeve lidhur me mbytjen e tre fëmijëve në lumin Ibër në mars të vitit 2004. Qytetarët ishin të rraskapitur nga pasojat e luftës dhe të mllefosur nga paqartësia për statusin përfundimtar të Kosovës.
Ndonëse këto trazira mund të na duken të largëta e të papërsëritshme, ndonjëherë krejt çka duhet për t’i nxitur tensionet ndëretnike në Kosovë është një dasmë në kohë pandemie, një raportim medial i shtrembëruar e provokativ, një lodhje e hutim gjithëpopullor, si dhe shumë paqartësi rreth interesave të liderëve politikë shqiptarë e serbë.
Me sa duket, pasi të ballafaqohemi me krizën e pandemisë COVID-19 do të na duhet domosdoshërisht të ballafaqohemi edhe me realitete tjera të shoqërisë sonë, në veçanti me të kaluarën.
Ndryshe nga COVID-19, izolimi nuk kryen punë
Përgjatë viteve, qeveritë e njëpasnjëshme e kanë lënë çështjen e ballafaqimit me të kaluarën në gjendjen më të koklavitur të mundshme, dhe deklaratat e veprimet kundërthënëse nga liderët politikë kohëve të fundit po e bëjnë këtë realitet më të dukshëm se kurrë.
Gjer më tani, në procesin e dialogut është diskutuar për gjithçka përpos çështjeve themelore: mohimi i krimeve nga ana e Serbisë, mosbashkëpunimi juridik për ekstradimin e të akuzuarve për krime lufte, reparacionet e luftës, dëmet materiale, përgjegjësia për krimet e pasluftës, si dhe dallimet e tjera ekzistenciale midis dy palëve. Viktimat e luftës së Kosovës janë diskutuar minimalisht e sipërfaqësisht nga të gjitha palët.
Dy figurat kryesore të partive në koalicionin (tashmë të rrënuar) qeverisës, Kryeparlamentarja Vjosa Osmani dhe Kryeministri në detyrë Albin Kurti kanë theksuar vazhdimisht që në dialogun e Brukselit do të vendosin kushte lidhur me viktimat e luftës së fundit në Kosovë. Që të dy kanë theksuar kushtëzimin e dialogut me hapjen e arkivave për gjetjen e trupave të personave të pagjetur, çështjen e reparacioneve të luftës, si dhe kanë premtuar dialog të brendshëm me serbët e Kosovës.
Pas zhvillimeve politike që e shoqëruan rrëzimin e qeverisë, tashmë gjendemi brenda një vorbulle të paqartësisë kolektive lidhur me të ardhmen institucionale të Kosovës. Mirëpo, diskursi i vazhdueshëm për shkëmbim territoresh po tregon edhe njëherë se sa qendror duhet të jetë ballafaqimi me të kaluarën në programet e qeverisë së ardhshme.
Trajtimi fillon me edukim të bazuar në fakte
Një terapi potenciale për Kosovën fillon me edukimin për ballafaqim me të kaluarën dhe vazhdon me gjithëpërfshirjen dhe trajtimin e barabartë të kategorive të viktimave, përparimin praktik në politikat dhe iniciativat për bashkëpunim juridik midis Kosovës dhe Serbisë, si dhe me gjetjen e së vërtetës lidhur me luftën e fundit në Kosovë.
Mosha mesatare e popullsisë së Kosovës është 25.9 vjet dhe 70% të popullsisë janë më të rinj se 30 vjet. Të rinjtë e etnive të ndryshme, posaqërisht ata që kanë lindur pas luftës në Kosovë, janë thuajse tërësisht të izoluar nga njëri-tjetri, si në aspektin formal ashtu edhe në atë shoqëror. Përveç kontaktit minimal që kanë mes vete, ata ushqehen me narrativa kundërthënëse e armiqësore ndaj njëri-tjetrit.
Serbët në veri të Kosovës edukohen me libra dhe kurrikulë të udhëhequr nga Beogradi dhe ballafaqohen me refuzim absolut të krimeve të luftës në Kosovë. Ato pak inserte që lidhen me luftën në Kosovë përfshijnë vetëm “agresionin e NATO-s” dhe listojnë rreth 1,200-2,500 viktima civile të vrara gjatë bombardimeve të NATO-s, pa i përmendur viktimat e vrara nga forcat serbe.
Një libër i historisë që përdoret në shumicën e shkollave në Kosovë (majtas) dhe një libër i historisë që përdoret në shkollat në veri të vendit (djathtas). Teksti në serbisht thotë: “Në shkurt të vitit 2000, Republika Federale Jugosllave (RFJ) i dërgoi një letër Këshillit të Sigurimit të OKB-së ku e akuzoi Misionin e OKB-së në Kosmet (Kosovë dhe Metohi) për minimin e situatës dhe shkeljen e Rezolutës 1244, duke thënë se që nga fillimi i mandatit të KFOR-it kishte 4,249 sulme terroriste, 899 vrasje, 784 lëndime dhe 834 rrëmbime.” Foto: Atdhe Mulla / K2.0.
Shqiptarët në pjesën tjetër të vendit edukohen me përshkrimin narrativ e epik të luftës dhe ballafaqohen me zbrazëti për vrasjet e pasluftës apo për viktimat e grupeve minoritare, madje me raste keqinterpretohet e hiperbolizohet numri i viktimave shqiptare të luftës. Që të dyja këto narrativa — diametrikisht të kundërta — përdoren në shkollat brenda kufijve të Kosovës.
Fillimisht qeveria e re duhet t’i intensifikojë veprimet që urgjentisht të krijohen tekste të reja shkollore, uniforme për të gjitha shkollat, të cilat e shfaqin të vërtetën e dokumentuar të luftës si në gjuhën shqipe ashtu edhe në atë serbe, duke iu shmangur figurave letrare dhe interpretimeve emocionale.
Nëse kjo duket e pamundshme, një mundësi tjetër është paraqitja e të dyja interpretimeve në një tekst të vetëm shkollor për të ilustruar se si historia varet nga perspektiva e secilës palë. Nëse përcjellet mundësia e dytë, nevojitet kujdes i shtuar që kjo të bëhet për shkaqe ekskluzivisht ilustruese dhe jo për ta kredituar njërën apo tjetrën narrativë.
Ku qëndrojmë në aspektin ligjor?
Kur kalojmë nga edukimi te gjithëpërfshirja dhe trajtimi i barabartë i viktimave të luftës, problemet kryesore që duhet të adresohen janë të natyrës ligjore. Ligji për Statusin dhe të Drejtat e Dëshmorëve, Invalidëve, Veteranëve, Pjesëtarëve të UÇK-së, Viktimave Civile dhe Familjet e Tyre, që ndryshe njihet si Ligji mbi Reparacionet, akoma nuk ka arritur të sigurojë trajtimin dinjitoz të kategorive të ndryshme të viktimave.
Problem fillestar është fushëveprimi kohor i ligjit që konsideron se familjarët e viktimave civile kanë të drejtë në pension vetëm nëse kanë humbur të afërmit para datës 20 qershor 1999. Kështu, të vrarëve të pasluftës, qofshin shqiptarë apo të etnive tjera, nuk u njihet e drejta për reparacion. Ligji duhet të rregullohet në mënyrë që t’i përfshijë edhe viktimat e vrara pas qershorit 1999.
Balancimi i pensioneve të viktimave civile me ato të viktimave të UÇK-së nuk do të shkaktonte barrë të përhershme buxhetore.
Po ashtu, sipas kategorizimit të këtij ligji, viktimat civile të luftës pranojnë një pension prej 98 eurosh në muaj, ndërkaq familjarët e viktimave të UÇK-së pranojnë 358 euro. Ndonëse është e kuptueshme që pjesëtarët e UÇK-së dhe familjarët e tyre të marrin pensione për sakrificën e tyre, viktimat civile gjithashtu duhet të trajtohen dinjitetshëm dhe të kompenzohen, sado pjesshëm, për fatkeqësinë dhe humbjen e tyre.
Ky ligj nuk ka karakter të përhershëm — me ardhjen e gjeneratave të paprekura nga lufta do të shuhen edhe këto pensione. Rrjedhimisht, një balanc midis pensioneve të viktimave të UÇK-së dhe atyre civile nuk do të shkaktonte barrë të përhershme buxhetore. Amandamentimi i ligjit për ta adresuar këtë problem duhet të bëhet para se fëmijët e civilëve të vrarë ta humbin të drejtën e tyre për pension, dhe para se partnerët e prindërit e tyre të vdesin për shkak të moshës së shtyer.
Kur jemi te ligji, që nga shpallja e pavarësisë Kosova ka kornizë gjithëpërfshirëse ligjore që i promovon dhe i mbron vlerat dhe parimet e së drejtës ndërkombëtare dhe të të drejtave të njeriut. Strategjitë dhe politikat në përgjithësi kanë karakter progresiv; ilustrim mund të jetë trajtimi i krimeve të luftës në sistem të drejtësisë.
Më 2019, Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka shpalosur strategjinë për krime të luftës, e cila në teori tingëllon mjaft gjithëpërfshirëse — i mbetet qeverisë së ardhshme ta zbatojë atë në praktikë. Prokurorja Speciale znj. Drita Hajdari ka theksuar se zbatimi i kësaj strategjie nuk mund të rezultojë i suksesshëm nëse nuk ka mbështetje të nivelit të lartë politik. Për më shumë, për ta zbatuar atë duhet të ketë përparim në bashkëpunimin juridik me Serbinë, e cila strehon shumicën e kriminelëve të luftës.
Qeveria duhet po ashtu ta mbështesë pavarësinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve vendorë duke mos qëndruar duarkryq kundrejt deklaratave linçuese që iu bëhen atyre në rastet e lidhura me krimet e luftës, por duke i mbrojtur ata. Po ashtu, duhet ta përmirësojë gjendjen e dëshmitarëve të mbrojtur, fillimisht duke zbatuar maksimalisht Ligjin për Mbrojtje të Dëshmitarëve dhe pastaj duke arritur marrëveshje diskrete me shtete aleate me qëllim të strehimit të dëshmitarëve të rrezikuar.
Të kushtëzuar nga bashkëpunimi ndërshtetëror
Konstatimi se Kosova ka infrastrukturë bashkëkohore ligjore nuk është absolut; ka ligje dhe nene që nuk janë të akorduara me standardet bashkëkohore. Njëri prej tyre është edhe Ligji i Procedurës Penale, i cili parasheh gjykimin në mungesë për krime të luftës.
Është plotësisht e kuptueshme se kjo iniciativë ka ardhur si rezultat i frustrimit që mungesa e bashkëpunimit juridik me Serbinë e ka pamundësuar sjelljen e të akuzuarve në gjykatat vendore të Kosovës. Po ashtu është e vërtetë se familjarët kanë nevojë për njohje të vuajtjeve të tyre me anë të një aktgjykimi të plotë. Megjithatë, ky nen duhet të rishikohet.
Praktikisht, Kosova duhet të sigurojë mbrojtjen e të akuzuarve dhe të drejtën e tyre për prezumim të pafajësisë. Sado e hidhur që është, dhe sado të bindur të jemi që i akuzuari i ka kryer veprat për të cilat është i akuzuar, sado që si shtet të mundohemi t’i angazhojmë avokatët më të mirë për t’i mbrojtur të akuzuarit pa prezencën e tyre, kjo praktikë nuk përkon me praktikat aktuale të së drejtës ndërkombëtare penale.
Edhe nëse e anashkalojmë aspektin moral, aktgjykimi i një rasti potencial të gjykimit në mungesë s’do të mund të zbatohej. Nëse i akuzuari nuk është në Kosovë, nuk mund të burgoset. Madje edhe në rast të ekstradimit, i akuzuari ka të drejtë të kërkojë rigjykim dhe gjykimi i kaluar mund të konsiderohet si humbje e burimeve.
Arritja e një të vërtete rajonale është e domosdoshme duke marrë parasysh karakterin rajonal të luftërave në ish-Jugosllavi.
Përmirësimet në fushat e edukimit për ballafaqim me të kaluarën, të reparacioneve dhe të drejtësisë duhet të plotësohen me të drejtën e viktimave për të ditur. Përpos avancimit të punës së Ekipit Përgatitor për Themelimin e Komisionit për të Vërtetën dhe Pajtimin (KVP), dhe bashkëpunimin me Komisionin Rajonal për Gjetjen e së Vërtetës dhe Fakteve rreth të Gjitha Viktimave të Krimeve të Luftës dhe Shkeljeve të të Drejtave të Njeriut në Territorin e ish-Jugosllavisë nga 1 janari 1991 deri më 31 dhjetor 2001 (KOMRA), këtu është pjesa ku hyn në lojë dialogu i Brukselit.
Qeveria e ardhshme duhet të jetë avokuesja më e fortë e arritjes deri tek e vërteta duke vendosur në tavolinë çështjen e personave të zhdukur, pra duke kërkuar hapjen e arkivave shtetërore ku ka informata për vendndodhjen e trupave të tyre.
Avokimi në nivel të dialogut do të mund të plotësohej me lehtësim të dialogut të brendshëm midis grupeve etnike të Kosovës, me theks në raportet midis serbëve lokalë dhe shqiptarëve. Nëpërmjet KVP-së si dhe me përkrahjen e KOMRA-s mund të bëhet përparim në arritjen e një të vërtete rajonale, e cila është e domosdoshme duke marrë parasysh karakterin rajonal të luftërave në ish-Jugosllavi.
Problem i vjetër, realitet i ri
Mund të na duket se tani nuk është koha e duhur për t’i menduar e diskutuar këto çështje, dhe me të drejtë mund të themi që prioritet për momentin është dhe duhet të mbetet shëndeti ynë.
Mirëpo fatkeqësisht, shtete të ndryshme në botë po ballafaqohen me mundësinë e abuzimit të pandemisë për përfitime të ndryshme politike. Mesa duket, as Kosova nuk po kursehet nga ky abuzim. E fatkeqësisht, në mes të krejt amullisë se si t’i minimizojmë pasojat fizike, ekonomike e mendore nga COVID-19, po na duhet të mendojmë edhe për ballafaqim me të kaluarën.
Pas virusit ka gjasë që do ta kemi një realitet krejt tjetër. Deri tash bota ndahej pak a shumë në atë para dhe pas revolucionit agrar e industrial, para dhe pas luftërave botërore, apo para dhe pas luftës së ftohtë. Tani e tutje ka gjasë që bota të ndahet në atë para dhe pas COVID-19.
Ndoshta kjo do të ketë ndikim fundamental edhe në mënyrën se si ballafaqohemi me të kaluarën, mirëpo nëse raportet mes Kosovës dhe Serbisë vazhdojnë të trajtohen në mënyrë jo adekuate e të mangët, edhe nevojat e shoqërisë për ballafaqim me të kaluarën do të mbeten të njëjta.
Neve vetëm na mbetet të shpresojmë që e vetmja e kaluar me të cilën do të ballafaqohemi pas pandemisë do të jetë ajo e luftës së fundit në Kosovë e nuk do të na shtohet edhe ndonjë ngjarje drastike politike me të cilët duhet të ballafaqohemi në të ardhmen.
Imazhi i ballinës: Arrita Katona / K2.0.