Gjerë e gjatë | Histori

Gjyshja ime, jugonostalgjia dhe një përrallë e papërfunduar

Nga - 15.12.2021

E rritur në Jugosllavinë e pasluftës, gjyshja e shihte veten si pjesë të pandashme të strukturës shoqërore socialiste. Si ta kuptimësoj botën e saj sot?

Derisa u bëra ta njihja, gjyshja ime ishte bërë grua e vështirë. Dukej e ashpër: kish një vështrim serioz, nuk ish grua me të cilën doje të ngatërroheshe. Në shqip kemi shprehjen ‘zonjë e randë’. E këtillë ishte gjyshja: e vështirë, dinjitoze, krenare; qibar dhe e krehur edhe kur ishte mbyllur në shtëpi.

Myrvete Hoxha
Myrvete Hoxha, mesi i viteve 1980.

Në sytë e mi, ajo ishte më e madhe se jeta. Duket se kish diçka të vërtetë sa i përket trupit të saj të bëshëm rinor, pasi sot rrobat e vjetra më lëvaren mbi shtatin tim të imët, tre numra më të mëdha. Ajo kishte një prani që kërkonte vëmendje dhe respekt sa herë që hynte në dhomë.  Nëpër shtëp, gjithnjë na urdhëronte të bënim ndonjë gjë. Herë pas here, zbriste nga dhoma e gjumit herët në mëngjes, hapte të gjitha dritaret dhe dyert dhe na thërriste në ‘aksion pune’ — pastrim pranveror a la komunist.

Më vonë në jetë, kur trupi iu dorëzua pleqërisë dhe u palos në vetvete, ajo vazhdonte të kryente ritualin e mëngjesit, duke krehë me kujdes flokët e argjendta, që butësisht binin mbi shpatulla të valëzuara, para se të vinte një karficë sipër veshit të majtë për t’i mbajtë në vend. Çdo disa muaj ajo i bënte flokët permanent në të njëjtin vend — një lokal të vogël afër sheshit Zahir Pajaziti, te salloni i flokëve Ardhmëria, mbetje e kohëve jugosllave. Sa herë marr të zbres nga sheshi dhe has në telat e hapur plot peshqirë të zbardhur që frizeret i lënë jashtë për t’u terë, e mendoj gjyshen duke u kthyer në shpi e freskët nga frizeri, një erë amoniaku duke ia ndjek hapat e lehtë.

Unë jetoj ngjitur me lokalin Ardhmëria, ndaj më bie ndër mend gjyshja ime shpesh.

1. Bota e djeshme

Bota që brezi i gjyshes sime kishte ndërtuar dhe në të cilin kishin banuar është veçse një fantazmë në Kosovën e sotme. Ndryshe nga Sarajeva, ku mund të pish kafe në kafenenë Tito, ose nga Shkupi, ku mund të blesh karficë me imazhin e Mareshalit në pazar, Prishtina është shkretëtirë për turistin jugonostalgjik.

Në Kosovë, segregacioni i stërzgjatur i viteve 1990 dhe lufta brutale e viteve 1998-99 me Serbinë, ndërprenë njëherë e mirë të gjitha lidhjet reale dhe imagjinare me Jugosllavinë. Lufta shërbeu edhe si çarje epistemike. Krejt jetët tona u çanë përgjysmë aty e tutje: para dhe paslufta; çarja, plagë e hapur ende e pezmatuar dy dekada më vonë. Pavarësisht nga kjo çarje dhe homogjenizimi i diskursit publik përmes ‘kryenarrativës’ rreth kultit të Adem Jasharit pas luftës, kujtesa kolektive vazhdon të jetë vend i fërkimeve të vazhdueshme. Kjo luftë e mbytur përqendrohet mjaft shumë rreth asaj se çka e kush kujtohet e përkujtohet; jetët e kujt janë të vajtueshme, cilat sakrifica të dalluara.

Që nga lufta e Kosovës, siç shkruan Stephanie Schwandner-Sievers, kujtesa publike e Jugosllavisë është e padukshme dhe e pandieshme. Në përjashtimet e rralla kur artistët ose intelektualët — anëtarë të “elitës kozmopolite” siç i quan Schwandner-Sievers — kanë reflektuar për këtë periudhë, ata e kanë bërë këtë me hidhërim.

Megjithatë, në mjedise private, Schwandner-Sievers kishte ndeshur një Tito-nostalgji të ngjashme me atë të kombeve dhe etnive të tjera ish-jugosllave. Disa gra e kujtonin kohën e Titos me miradije — kishin qenë vajzat e para në familjet e tyre të shkonin në shkollë; të tjerë që ishin rritur në fund të viteve ’60 dhe në fillim të viteve ’70 e shihnin periudhën socialiste si kohë “formative” që ua kishte formësuar ëndrrat. Megjithatë, kujtimet e kësaj periudhe lidheshin pazgjidhshmërisht me shpresat dhe aspiratat që këta breza kishin për të ardhmen, por edhe me përvojat traumatike që kaluan shqiptarët në vitet 1980 dhe 1990. Ky “tipar i plagosur” i kujtesës, shkruan Schwandner-Sievers, mund të ketë kontribuar në mungesën e diskutimeve publike të kujtimeve të Jugosllavisë midis shqiptarëve që nga rënia e Republikës Federale.

Myrvete Hoxha, Josip Broz Tito
Myrvetja dhe pionierët në Prishtinë me Josip Broz Titon dhe gruan e tij Jovankën, 1960.

Gjyshja më vdiq para pesë vjetësh. Ajo jetoi aq sa të shihte Jugosllavinë të shpartallohej dhe të shpaloste konfliktet e brendshme që i kishin parapri viteve ’80, por që gjatë gjithë periudhës socialiste o ishin minimizuar e shpërfillur o ishin shuar me dhunë. Vitet 1980 kishin qenë rënie nga shkëlqimi edhe për të: sipas një biografie të saj në një përmbledhje të botuar nga mesi i viteve ’90, “për shkak të trysnive socio-politike ajo doli në pension të parakohshëm” në vitin 1986 nga një karrierë e suksesshme në arsim dhe aktivizëm politik.

Si fëmijë, gjyshja kishte qenë korriere për partizanët komunistë në Gjakovë, bashkë me tre vëllezërit më të mëdhenj dhe motrën e madhe, që i ishin bashkuar lëvizjes në një moment a tjetër. Ajo kish qenë e re, dhe lufta i kish lënë vrragë të mëdha; teksa ishte rritur, kishte jetuar nën hijen e lavdisë së vëllezërve të vet (motra përmendet më rrallë në rrëfimet e familjes). Sot e kësaj dite, dera e vjetër prej druri e shtëpisë së familjes në Gjakovë mban një pllakë që përkujton Fahri Hoxhën, vëllain që iu var nga nazistët në gusht të vitit 1944. Por njëri nga vëllezërit e mbijetuar, Fadili, komandant i partizanëve të Kosovës, që u bë politikan i nivelit të lartë në Republikën Socialiste Federative të Jugosllavisë, mbahet mend më së shumti — dhe mbetet temë për debat sot e kësaj dite.

Në një video të rrallë të gjyshes, filmuar në vitin 2012, ajo shfaqet e shqetësuar dhe dridhet tek flet para kamerës. Është veshë me të zeza, ngjyrë që e vishte përherë pas vdekjes së të birit më 1993; një shall i thjeshtë ia zbukuron veshjen e zymtë. Duhet të jetë ditë gëzimi, por ajo është mes dhjetëra njerëzish të grumbulluar në një dhomë keq të ndriçuar, në zyrën e Organizatës së Veteranëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare (OVLANÇ) — siç quhej Lufta e Dytë Botërore në Jugosllavi. Të gjithë kanë ardhë në shpalosjen e shtatores së Fadil Hoxhës, Heroit të Popullit të Jugosllavisë, disa ditë para njëqindvjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë – pa dyshim për ta përfshi figurën historike të Hoxhës si pjesë e pandashme të historisë së kombit shqiptar.

Më tërhoqi historia jugosllave si një arkeologe amatore që gërmon për objekte në oborrin e shtëpisë së vet.

Ceremonia është festë e hidhur: Pas vite të të bërit pazar me autoritetet për një hapësirë publike, një shesh a një rrugë, në të cilën do të ngrihej shtatorja, organizata u detyrua ta vendoste në një dhomë të vogël të harruar pranë ish-sheshit Vëllazërim-Bashkim — sot, sheshi Adem Jashari.

E ulur pranë vëllait të vogël, Skënderit, sot njërit nga anëtarët e paktë të kryesisë së organizatës së veteranëve, ajo nuk i copëzon fjalët.

“Kjo është e turpshme. Fadili nuk ishte person që meritonte bust në dhomë”, thotë duke tundë kokën me mosbesim.

Pas thuajse 10 vjetësh, pas një serie premtimesh për ta vendosur në qendër të Gjakovës, dhe shumë rezistencë nga kuvendi komunal, shtatorja e bronztë mbetet e harruar në një cep të zyrës së veteranëve, duke mbledhë pluhur.

2. Jugonostalgjia

Gjatë tërë jetës së saj, gjyshja ime ishte motra e vogël e Fadil Hoxhës, dhe gjatë tërë jetës sime, unë isha mbesa e saj.

Isha nisur të shkruaja këtë ese me qëllimin që të përmblidhja kujtimet e pak njerëzve të fundit që ose kishin qenë të përfshirë aktivisht në ndërtimin e një Jugosllavie socialiste, ose që mezi i kishin mbijetuar represionit të saj, por qysh në fillim kuptova se historia familjare e gjyshes ndikonte në çdo takim, çdo intervistë.

Mbiemri im hapte dyer, por edhe mbyllte. Të intervistuarit më tregonin rrëfime që mendonin se doja t’i dëgjoja, duke supozuar se isha në kërkim t’ia shpëtoja nderin familjes ose t’i shpëtoja gjurmët e fundit të “jetës më të mirë jugosllave”.

Myrvete Hoxha, Fadil Hoxha
Myrvetja me të vëllanë Fadilin, 1983.

"Nostalgjia joreflektuese pjell monstra", përfundon Boym.

Ata nuk e kishin krejt gabim. Më tërhiqte historia jugosllave siç tërhiqet një arkeolog amator të gërmojë për artefakte në oborrin e vet. 

Unë kam lindur në vitin 1988 dhe nuk e mbaj mend Titon, dhe nuk e kam përjetuar lumturinë konsumeriste jugosllave të viteve ’70. A po bëhesha jugonostalgjike dhe a nuk do të ishte kjo gjë e keqe qysh në fillim? Në fund të fundit, nostalgjikët konsiderohen qenie sentimentale, naive dhe disi torollake. Me sy të përhumbur ata e rrëfejnë me mall të kaluarën, duke parë me admirim çdo kujtim si një kliker të vetëm nga i cili koha ka fshirë të gjitha papërsosmëritë. Por siç tregon Svetlana Boym në librin “The Future of Nostalgia” (E ardhmja e nostalgjisë), kjo  gjendje përfundimisht moderne, e që na buron nga nevoja për ta ndalë kohën, për ta ndalë përparimin, ka më shumë nuancë nga që duket.

Nostalgjia është në thelb ambivalente dhe mund të jetë gjakim për një vend e për një kohë. Më me rëndësi, për dallim nga melankolia, e cila është individuale, nostalgjia përqendrohet në marrëdhënien mes kujtesës personale dhe kolektive. Në libër, Boym përshkruan dy lloje nostalgjie: restauruese dhe reflektuese. E para nuk e sheh veten si nostalgji, por si të vërtetë dhe traditë, dhe manifestohet në ringjalljet kombëtare dhe nacionaliste aktive në mit-bërje antimoderne. Përderisa nostalgjia restauruese kënaqet me rindërtimin e “monumenteve të së kaluarës”, nostalgjia reflektuese “sorrollatett mbi rrënojat, patinën e kohës dhe historisë”. Nostalgjia reflektuese, pra, ka të bëjë me mallin, humbjen dhe pamundësinë për t’i harnuar boshllëqet e kujtesës që nostalgjikët restaurues i kërkojnë me aq ngulm.

Siç shkruan Boym, nga njëra anë kemi nostalgji restauruese, që përforcon një “rrëfim kombëtar” homogjen, një kujtesë kolektive të bazuar në narrativa që zbatojnë “një të vërtetë absolute”. Ndërkohë, nga ana tjetër kemi nostalgjinë reflektuese që thekson marrëdhënien mes identitetit individual e kolektiv, jo duke u përpjekë të rikrijojë narrativa të unifikuara, por duke ruajtur boshllëqet dhe dallimet që dalin nga këndvështrime të kundërta.

“Nostalgjia joreflektuese pjell monstra”, përfundon Boym.

Hetimi im ishte nostalgjik, po, por ishte nostalgji reflektuese. Isha përpjekur të mblidhja kujtime të shkëputura të gjyshes, jo për të ndërtuar një rrëfim koherent për të a brezin e saj, por për të rindërtuar një pamje të një përkohshmërie të ndryshme, në të cilën gjyshja dikur kish qenë e re dhe e lumtur, anëtare e çmuar e komunitetit të vet. Në fund të fundit ishte kërkim për një temporaliteti në të cilin gjyshja ime në fakt kishte kuptim.

 

3. Grua e dalluar

Si ish-arsimtare e historisë dhe e gjeografisë, gjyshes sime i pëlqenin librat jofiktivë, veçmas biografitë bashkëkohore të njerëzve të shquar. Ajo gjente ngushëllim duke lexuar për burrat e mëdhenj dhe gratë e mëdha, ndërveprimin e personales dhe historikes në rrjedhën e një jete të vetme, e mua më pëlqen të mendoj se i pëlqenin edhe thashethemet.

Në vitet e mëvonshme, ajo lexonte kujtimet e presidentëve amerikanë, zonjave të para dhe të politikanëve evropianë, duke vlerësuar stilin në të cilin librat e tillë ndërthurnin të vërtetën dhe përvojën, faktin e trillin. Këta libra ishin në kontrast të plotë me mënyrën se si ne ishim mësuar t’i shkruanim biografitë në shkollë, qofshin të personaliteteve të njohura, të figurave historike ose, sidomos, të dëshmorëve.

Dhjetëra monografi të tilla mblidhnin pluhur në bibliotekën personale të gjyshes:  kronika të mësuesve të parë në Kosovë; libra mbi figura historike që në një mënyrë a tjetër kishin kontribuar në zhvillimin e kombit shqiptar dhe kuptohet, libra për të vëllanë e saj, Fadilin.

Të gjithë këta libra ndiqnin një shabllon dhe përsëritnin motive të ngjashme. Për shijen time letrare, rrëfimi i thatë që i shoqëronte këto jetë që ishin të vlefshme për t’u dokumentuar, i bënte të dukeshin gjithçka veçse të vlefshme për t’u jetuar. Këta burra dhe, më rrallë gra, kishin lindë në një ditë e vend të caktuar, por të gjithë kishin ardhë disi nga familje patriotike dhe kishin vazhduar të kryenin akte patriotike. Këto familje mund të përshkruhen si feudale, intelektuale, të pasura ose të varfra. Herë-herë njerëzit vinin nga familje të vjetra qytetare; herë të tjera nga familje bujare pronare tokash, e më rrallë nga klasa punëtore ose familje tokpunuese. Por e përbashkëta e gjithë këtyre personazheve të biografive ishte se ata vinin nga diku, patriotizmi i familjes së tyre duke ua hapur një rrugë lavdie, duke i paraprirë ardhjes së tyre në skenën e jetës dhe duke ua formësuar përgjithmonë synimet e veprimeve — ose të paktën interpretimin tonë të tyre.

Në këtë traditë, do të duhej të thoshim se gjyshja ime, Myrvete Limani, e lindur Hoxha (1930), kishte lindë në një familje patriotike, atdhedashëse, e cila e çmonte arsimin mbi të gjitha. Shkollën fillore dhe të mesme e ndoqi në Gjakovë, ishte pjesëtare aktive e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare nga viti 1942 — kur ishte veç fëmijë — dhe iu bashkua Partisë Komuniste krejt e re në vitin 1948.

Ishte ndër mësueset e para që diplomoi nga Shkolla Normale në Gjakovë dhe i vazhdoi mësimet për histori e gjeografi në Shkollën e Lartë Pedagogjike të Beogradit. Ndërmjet viteve 1948 dhe 1949 mori pjesë në aksionin e të rinjve për ndërtimin e Novi Beograd. Me mbarimin e studimeve, u kthye në Gjakovë për të dhënë mësim në gjimnaz, para se të vazhdonte mësimdhënien në gjimnazin e Prizrenit. Në vitin 1957 u transferua në Prishtinë për të dhënë mësim në shkollën fillore “Aca Marović”, sot shkolla “Faik Konica”.

Myrvetja në zyrën e saj si drejtoreshë e objekteve parashkollore të Prishtinës, mesi i viteve 1980, dhe me stafin e saj në kopshtin e fëmijëve në Ulpianë në festat e fundvitit në vitin 1982.

Gjatë gjithë kësaj kohe, Myrvetja ishte anëtare aktive e komiteteve dhe sekretariateve të ndryshme partiake në Gjakovë, Prizren e Prishtinë. Për shkak të aktivizmit të theksuar, u emërua anëtare e Kryesisë Krahinore të Lidhjes Socialiste të Popullit Punonjës (LSPP). Ndërmjet viteve 1974 dhe 1986 ishte drejtoreshë e të gjitha enteve parashkollore në Prishtinë, ku u angazhua aktivisht për zgjerimin e numrit të kopshteve dhe përmirësimin e gjendjes së objekteve nën mbikëqyrjen e saj.

Për shkak të presionit politik, u detyrua të pensionohej para kohe, por jo para se të dekorohej me dy Urdhra për Merita për Popullin dhe me një pllakë ‘Ganimete Tërbeshi’ për kontribut të jashtëzakonshëm në “edukimin socialist”.

Shikuar nga ky këndvështrim, mund të konkludohet lehtësisht, siç bënte titulli i një artikulli të Rilindjes të vitit 1974, se Myrvete Hoxha Limani kishte qenë “Aktive ç’prej fëmijënisë”.

Por në një traditë tjetër të shkrimit të biografisë, në të cilën portretet e njerëzve dalin nga grumbuj rrëfimesh apokrife dhe kujtimesh të vështira, jeta e gjyshes sime s’mund të përmblidhet dot nga një rezyme e ‘sukseseve të korrura’ të një edukatoreje në Jugosllavinë socialiste.

Për ta kuptuar gjyshen time, duhen kuptuar rrëfimet që i pëlqente t’i tregonte, ato për të cilat ngurronte, si dhe ato që i çmonte se ia vlenin të dokumentoheshin.

 

4. Prerje

Duke dashur të regjistroj begatinë e rrëfimeve të gjyshes sime, pa dyshim për arsye vetjake po aq sa edhe për të mirën e historisë publike, në vitin 2015 më në fund arrita ta bindja të jepte një intervistë për Iniciativën e Historisë Gojore, një projekt me të cilin isha përfshirë asokohe.

Gjyshja, që kish qenë e mprehtë gjatë gjithë jetës, kishte filluar t’i përsëriste tregimet, duke kërkuar me ngulm gjëra që i kish harruar, por që e dinte se dikur kishin qenë aty. Shqetësohej kur s’i mbante mend të gjitha, ose kur kujtimet e pushtonin kur më së paku i priste, por edhe ishte plot ankth për të rrëfyer gjithçka gjersa ende mundtej. Përfundimi ishte një intervistë e papërkryer, në të cilën dhembjet më të thella të saj megjithatë ia dolën të shpërfaqeshin.

Nëpërmjet kësaj interviste, kisha kuptuar se përkundër gjithë bollëkut të shumëfishtë në jetën e gjyshes sime — bollëk vëllezërish e motrash, kushërinj, nipash; bollëk mundësish e përvojash — e gjitha ishte spirancuar në humbje. Në fillim humbja e shtëpisë gjatë Luftës së Dytë Botërore, pastaj humbja e vëllait; më vonë humbja e më të voglit bir, dhe fill mrapa, ajo e burrit. Në kohën kur po e intervistonim në dhomën për mysafirë në shtëpi — dhomë e mbajtur e dëlirë për vizitorët që rrallëherë vinin — ajo ishte personi më i vjetër në familje dhe në mesin e moshatarëve, dhe s’i kishte mbetë pothuajse asgjë për të humbë.

 

5. Mësime fillore

Kur lindi Myrvetja nga Nakije dhe Halim Hoxha më 22 mars 1930, Gjakova ishte qytezë e vogël por plot gjallëri në Mbretërinë e Jugosllavisë, të sunduar nga dinastia Karadjordjević. Familja Hoxha ishte familje feudale që e kishte zënë dita e ligë që në fillim të shekullit 20, dhe sikur familjet e tjera që zotëronin toka në Gjakovë, i urrenin taksambledhësit — porezxhitë. “Familja ish shumë e pasur, krejt gjakovarët e dinë, por s’kishe pare në atë kohë”, thoshte gjyshja gjithë sqimë. “Kryekasapët që torturonin njerëzit ishin porezxhitë që mblidhnin taksa derë më derë. Kur nuk kishe pare me pagu, merrnin sende nga shpia dhe i merrnin sepse duhej kry pagesa”.

Gjyshi i Myrvetes, Haxhi Emin Efendiu, që kish marrë titullin Haxhi pasi bëri haxhillëkun në Mekë, ishte burrë i ditur dhe i arsimuar, njohës i gjuhës arabe, persiane e turke. Kishte qenë mësues dhe udhëhiqte ruzhdijen e Gjakovës, një lloj shkolle e mesme fetare. Babai i Myrvetes, Halimi, po ashtu burrë i arsimuar, ishte tregtar. Në “Fadil Hoxha siç e njoha unë”, Ekrem Murtezai shkruan se Halimi mbante shumë dyqane, zotëronte tokë, mbikëqyrte punëtorë dhe jepte mësim në mejtep, shkollë fetare osmane. Ishte martuar tri herë, fakt të cilin gjyshja ime nuk e përmend në intervistën tonë; dhe as ma ka përmendë ndonjëherë privatisht apo në ndonjë rast tjetër se Fahriu dhe Fadili kishin lindë nga dy gratë e para të Halim Hoxhës; dhe se të dyja kishin vdekë derisa fëmijët ishin ende shumë të vegjël.

Familja ishte e madhe: Halim Hoxha kishte tetë fëmijë; të gjithë, përfshirë vajzat, ishin dërguar në shkollë. Fillimisht, gjyshja dhe motra e saj Nexhmija u shkolluan në mejtep para se të dërgoheshin në shkollim në serbisht (në të ashtuquajturën “građanska škola” — shkolla qytetare) sikur se ishin shkolluar vëllezërit Fadili dhe Fahriu para tyre. “Kush e kqyrte atëherë [cila gjuhë], sa kohë që mund të shkoje në shkollë”, thoshte gjyshja, por njerëzit në fakt këtë e kqyrnin dhe shumica nuk shkonin. Gjatë gjithë jetës së saj, gjyshja herë pas here bënte shaka se si gjakovarët mezi e flisnin serbishten.

Fakti që familja kishtë këmbëngulë në arsimim ishte pikë e madhe krenarie për gjyshen gjatë gjithë jetës, megjithëse ndoshta ishte më shumë funksion i privilegjit. Duke qenë që nga themelimi i saj në vitin 1918, Mbretëria Jugosllave u mohoi shqiptarëve të drejtën për arsimim në gjuhën amtare — dhe para kësaj vetëm një numër i vogël shkollash kishin funksionuar në gjuhën shqipe — popullsia vendase ishte kryesisht analfabete. Sipas censusit të vitit 1931, tri njësitë territoriale, banovinat, në të cilat ndahej Kosova e sotme, kishin ndër shkallët më të ulëta të alfabetizimit në Mbretërinë Jugosllave. Në Gjakovë, 84.2% e popullsisë ishte analfabete — veç 5% e grave të të gjitha moshave dinin shkrim-lexim. Shifrat ishin edhe më të zymta për Drenicën, ku 86.4% e meshkujve dhe 98.6% e femrave ishin analfabetë.

Këto shifra qëndronin diametralisht kundër me rrethin e Beogradit, ku, pothuajse në të përkundërt, veç 10.9% e popullsisë ishte analfabete.

Regjimi fashist u kish dhënë shqiptarëve shumë të drejta që Mbretëria Jugosllave ua kish mohuar.

Kur Italia fashiste aneksoi shumicën e pjesëve të Kosovës më 1941 gjatë pushtimit të Jugosllavisë nga forcat e Boshtit, ia bashkoi ato Mbretërisë së Shqipërisë, të cilën e kishte pushtuar dy vite më parë. Për dallim nga Gjermania dhe Bullgaria, të cilat pushtuan pjesët tjera të Kosovës, protektorati italian hapi shkolla shqipe nëpër qytete e fshatra të banuara me shqiptarë. Mësues nga Shqipëria si dhe kosovarë që kishin studiuar në licetë shqiptare erdhën plim për të dhënë mësim në gjuhën amtare. Edhe Fadil Hoxha, me mbarimin e shkollimit në Elbasan, u kthye në Gjakovë si mësues në vitin 1941. Gjyshja dhe motra e saj Nexhmija, tre vjet më e vjetër, u regjistruan në shkollën shqipe në Gjakovë sapo u shfaq mundësia.

Si vajzë, gjyshja, e cila e kishte dashur shkollën, ishte nxënëse e sjellshme. Hareshëm, shkonte në shkollë me motrën dhe miqtë; që të dy, edhe djemtë edhe vajzat ecnin në grup: “E mbronim njëri-tjetrin”.

Fadili, i sapokthyer nga Shqipëria, kishte ardhë si buntovnik — siç i thoshte gjyshja ime rebelit. Në Elbasan, u ishte bashkuar grupeve komuniste dhe menjëherë pas mbërritjes në Kosovë filloi të organizonte aktivitete antifashiste. Ishte vështirë me propagu kundër italianëve në Kosovë. Regjimi fashist u kish dhënë shqiptarëve shumë të drejta që Mbretëria Jugosllave ua kish mohuar, më së shumti duke lejuar mësimin në shqip dhe përdorimin e flamurit kombëtar.

Në fotografitë nga viti 1941 a 1942, prefekti i Gjakovës, Sylejman Beg Kryeziu, mund të shihet i veshur me kostum kombëtar, në shoqërimin e një kolone oficerësh dhe udhëheqësish fetarë italianë ndërsa marshojnë qytetit në Ditën e Flamurit. Shi në Ditën e Flamurit — 28 Nëntor 1941 — Fadili me shokët organizuan protestë antifashiste bash kur njerëzit ishin mbledhë të festonin festën kombëtare për herë të parë në jetë. Pasi mbajti një fjalim animues që gjoja “demaskonte politikën e okupatorit, që pretendonte se ishte shpëtimtari i shqiptarëve”, Fadili e bëri copë-copë flamurin shqiptar të protektoratit italian. Pas këtij episodi, Fadili u arrestua shkurtimisht e më pas u lirua, para se më në fund të kalonte në aksione më të guximshme guerile.

Në mendjen e saj, partizanët ishin më të drejtë se nacionalistët shqiptarë që i luftonin serbët, sepse donin çlirimin nga të gjithë.

Lufta që zhvillohej në botën e të rriturve ngjyroste edhe botën e fëmijëve. Një ditë, pasi ra zilja, fëmijët u rreshtuan si zakonisht para shkollës, duke pritë që mësuesit t’i futnin brenda. Por atë ditë, teksa gjyshja po priste në radhë me shokët, vuri re se njëri mësues kishte vënë një plis, kapelën tradicionale shqiptare shajaku të bardhë. Megjithëse nuk ishte mbi 10 a 11 vjeçe, e dinte se plisin e vinin simpatizantët e Ballit Kombëtar, të cilët, siç thoshte ajo, “ishin më nacionalistë se shqiptarët sot” dhe donin bashkimin e mbarë kombit shqiptar. Ajo e dinte edhe se ballistët ishin “në shërbim” të gjermanëve dhe italianëve, të pushtimit dhe se ishin kundër partizanëve, mes të cilëve, natyrisht, ishte edhe vëllai i saj. Në mendjen e saj, partizanët ishin më të drejtë se nacionalistët shqiptarë që i luftonin serbët, sepse donin çlirimin nga të gjithë — përfshi italianët dhe gjermanët. Edhe si fëmijë, gjyshja e kishte kuptuar se ajo dhe mësuesi përfaqësonin “rryma” të ndryshme ideologjike . Në një akt të vogël rebelimi, gjyshja e shau mësuesin.

Pas kund 75 vjetësh, kur e intervistuam, i vinte ende turp të na tregonte si e kishte quajtur.

“Nuk mund ta them, sepse do ta regjistroni… Në thelb ia bëra të ditur se po i shërbente pushtuesve”, na tha duke qeshur me të madhe, por faqet iu skuqën një grimë.

Pasi kishte përdorë gjuhë profane, mësuesi e kishte shkulur zvarrë nga radha e nxënësve dhe e kishte futur në “burg”, një depo e improvizuar nën shkallë, ku shkolla mbante drutë për zjarr. “Isha vetëm fëmijë, bre, fëmijë … Kisha frikë se mos kish minj poshtë shkallëve”, na tha gjyshja. Mësuesi tregoi mëshirë dhe nuk e mbajti gjatë në “burg”, por gjyshja ishte e penduar për sharjen derisa vdiq. “E mbaj mend se bëra gabim. Ishte gabim çka i thashë”, na kishte thënë  gjithë fajësi.

 

6. Contorno

Gjyshja ishte krijesë e çuditshme me zakone interesante. Shumë rrallë, ia lejonte vetes  një hurpë rakie nga një gotë čokan — “me mbajtë zemrën të shëndetshme”. Asaj i pëlqente shira dhe e pinte në një gotë të vogël vere për ta shoqëruar gjellën me bamje. Bënte krelanën më të mirë, duke i copëtuar thërrimet me dorë sapo dilte brumi nga furra. Thellë në brendi ishte romantike: Të dyja patëm shku me pa “Pearl Harbor” në Kinon ABC të renovuar, dhe i pëlqente jashtë mase trekëndëshi i dashurisë mes Ben Affleck-ut, Josh Hartnett-it dhe Kate Beckinsale-it. Sot e kësaj dite ngërdheshem me atë pohimin budallak dhe anakronik të Josh Hartnett-it, kur bërtet në një moment kyç të filmit, derisa bombat japoneze godisnin Pearl Harbor-in: “Më duket se sapo nisi Lufta e Dytë Botërore!”. 

 

7. Mbi shpendët dhe zjarret

Një mbrëmje pranverore më 1943, ndërsa kish rënë errësira dhe familja Hoxha po binte me fjetë, një zog i zi u përplas në dritaren e dhomës së ndenjës së shtëpisë dykatëshe të stilit osman. “Është ogur i keq”, thoshte gjyshja sa herë një sorrë na ulej në parmak të dritares, ende thellësisht e bindur në besëtytninë e saj.

Ishte fundi i marsit ose fillimi i prillit — varësisisht nga rrëfimi — dhe pak rrugë më tutje, Fadil Hoxha, që po bridhte malet e Kosovës si partizan, kishte mbledhë një grup të vogël vartësish më të mirë për ta vra një bashkëpunëtor italian që ua rrezikonte bazat. Ai quhej Ali Bokshi dhe me 30 të tjerë ishin “bandita që i shërbenin fashizmit,” thotë Fadili në një intervistë me Veton Surroin botuar në “Fadil Hoxha në Vetën e Parë” më 2010. Njerëzit e Bokshit dilnin përnatë me karabinierët dhe sulmonin partizanët. Do të ketë qenë aq famëkeq sa gjyshja më vonë thoshte me përbuzje: “Edhe foshnjat në djep në Gjakovë e njihnin Ali Bokshin, spiunin”.

Partizanët — pra Fadili, Boro Vukmirović, Ramiz Sadiku dhe Ymer Pula — pasi vlerësuan se Bokshi ishte “kërcënimi më i madh”, vendosën ta hiqnin qafe “me çdo kusht”. Dhjetë partizanë u pozicionuan përreth shtëpisë së Bokshit, u shkrepën armë e granata, por aksioni megjithatë dështoi. “Mal Sadiku hodhi granatë, por çatia e një shtëpie e pengoi dhe bomba nuk shpërtheu brenda shpisë”, i kishte thënë Fadili Surroit. Në vend të kësaj, ndërsa shpërtheu, granata kish ndriçuar partizanët, dhe njerëzit e Bokshit i panë sulmuesit. Vetë objektivi arriti të shpëtonte i palënduar, ndërsa gjatë aksionit iu plagos vetëm i vëllai, Ganiu. Pasi dështuan në mision, partizanët u tërhoqën, duke e lënë qytetin në mëshirën e Bokshit të tërbuar, i cili me gjasë u vu, në tërbim hakmarrës, t’i digjte shumë shpi, duke vrarë burrat e familjes Grezda, përfshi Ferid Grezdën, ende fëmijë.

Fadil Hoxha
Fadil Hoxha, pas luftës në vitet 1944/45.

“Shpia jonë u sulmua e para. Nisi një breshëri të shtënash; ishim në dhomë duke u bërë gati për gjumë [kur] bum bum bum. Babai i thotë vëllait tonë të madh, ‘Fahri, ik!’” kujtonte gjyshja. Fahriu u arratis dhe nga rrëfimi i Fadilit, së mbrami mbërriti në Prishtinë, ku mandej u bashkua sërish me partizanët.

Pjesa tjetër e familjes, duke menduar se nuk ishin fajtorë për gjë, vendosi të mbetej. Në fillim fëmijët i çuan te fqinji, ndërsa babai dhe nëna mbetën prapa. Madje planifikonin të dilnin e të hapnin derën e parme për t’u thënë ushtarëve italianë: “Hajde shihni, nuk ka gjë me pa”. Duke mbajtë një llambë vajguri, Halimi e Nakija ia dolën të afroheshin deri në gjysmën e korridorit për te dera para se Nakija të ndërronte mendje. “Nuk u dilet përballë këtyre njerëzve, duken shumë të zemëruar,” tregonte gjyshja të kishte thënë e ëma. Kështu, e lanë llambën vajguri në mes të kopshtit dhe vrap ikën te fqinjët ku qenë fshehë fëmijët.

Pak kohë pasi Hoxhave iu dogj shpia, flaka kapi edhe shpinë e fqinjit. Në panik, teksa dy familjet përpiqeshin t’ia shpëtonin fqinjit mobiljet dhe rrobat nga flakët, Halimi iu drejtua një fqinji tjetër duke i kërkuar strehim. Familja e refuzoi. “Si mundeni?” u lut Halimi: “Nuk kam ku të shkoj, ushtrinë e kam në oborr.” Por fqinjët, që pa dyshim kishin frikë se do të kapeshin vetë nga zjarri, nuk lëvrinin, e ndërsa Halimi provoi me u ngjitë në murin që ndante oborret, e shtynë mbrapa. U rrëzua dhe theu këmbën, na tregonte gjyshja, duke qeshur me situatën tragjikomike. Tani, Hoxhat s’kishin nga t’ia mbanin dhe motra e madhe e Myrvetes, që ishte “e fortë, e re dhe e bëshme”, u detyrua me bartë të atin dhe me dalë në sokak.

“Dalim në rrugë dhe ndjekim [motrën me babën]. Daja ishte afër; ai na u gjet shumë gjatë luftës. I shkuam në shpi dhe ndejtëm atje”, tregonte shpesh gjyshja. “Fatkeqësia më e madhe e kohës erdhi pasi na u dogj shpia dhe po kërkonim një vend me marrë me qira. Kudo që shkonim, çohej lagjja e thoshte: ‘Jo, nuk mund të vini këtu’. ‘Pse?’ ‘Sepse do të vijnë të ju marrin dhe do të vuajmë edhe ne, do të na digjet gjithë lagjja’”.

Megjithëse shtëpinë e rindërtuan pas lufte, nuk ishte më kurrë njësoj për të.

Së mbrami, lagjet e tjera, më pak frikacake rreth ardhjes së familjes së një partizani, e që tashmë u kishin dhënë konak ilegal takimeve të rebelëve të armatosur, e pranuan familjen. Hoxhat më në fund u vendosën në lagjen Mullah Jusufi.

Ky episod ishte thellësisht traumatik për gjyshen; megjithëse shtëpinë e rindërtuan pas lufte, nuk ishte më kurrë njësoj për të. Fliste shpesh për shpinë e vjetër me raftet e shkëlqyera prej druri në dhomën e familjes, mbushë me libra të veshur me lëkurë e kapak të fortë.

Deri në vitin tjetër, qëndrueshmëria e Hoxhave u vu prapë në test. Dy nga fëmijët më të mëdhenj, Fahriu dhe Saniu, të dy në një moment apo tjetër të lidhur me lëvizjen antifashiste, u zhvendosën me punë në Tiranë, me shpresën se do t’i shpëtonin persekutimit të mundshëm. Kika, siç e quante gjyshja të ëmën gjithë jetën, ngeli me Halimin dhe fëmijët e vegjël në Gjakovë. Një natë, pasi që gjermanët kishin pushtuar Kosovën pas kapitullimit të Italisë dhe luftimet midis fuqive të Boshtit dhe partizanëve ishin shpeshtuar, Halimi, i cili nuk ishte komunist vetë, u arrestua dhe u dërgua në një kamp pune në Austri.

U kthye pas lufte në një realitet të ri: i biri i parë, Fahriu, ishte varë nga nazistët në sheshin kryesor të qytetit me 10 shokë, përfshi 17-vjeçaren Ganimete Tërbeshi; djali tjetër, Fadili, i dalë fitimtar nga lufta, ishte emëruar zëvendëskomandant i Shtabit Operacional të Kosovës, trevës që së shpejti do të bëhej krahinë e Republikës Popullore Federale të Jugosllavisë.

 

8. Fundi i luftës

Kur hynë italianët në Gjakovë në vitin 1941, gjyshja me fëmijët e tjerë kishin dalë për t’iu bashkuar turmës që u brohoriste ushtarëve marshues, duke i pritë me këngë e duartrokitje. Të  veshur me veshje kombëtare, duke valëvitë flamurin kuq e zi shqiptar, nëpër qeindrën e qytetit që pëlciste nga njerëz që thirrnin “Rroftë Shqipëria”, “Poshtë Jugosllavia”, “Rroftë baba Hitleri” dhe “Rroftë Musolini”.

Kur partizanët çliruan Gjakovën nga forcat naziste në nëntor të vitit 1944, brohoritjet dhe festimet eksploduan sërish. Por gjyshja nuk ishte aty t’i shihte për së gjalli meqë me familje po fshihej në Malësinë e Gjakovës në Shqipëri. Në fillim të vitit 1944, pas arrestimit të Halimit, na thotë gjyshja, Fadili i kishte shkruar një letër njerkës, Kikës, “Nuk mund të ndërmarr asnjë veprim. Jeni peng, do t’ju vrasin”, duke i kërkuar të fshihej me fëmijët e vegjël. Dy më të mëdhenjtë e fëmijëve, Saniu dhe Nexhmija, ishin bashkuar me forcat partizane. “Nuk shkova se isha e vogël, nuk më morën”, më thoshte gjyshja. Fshehtazi, partizanët kishin nxjerrë Kikën dhe fëmijët më të vegjël përtej kufirit për në Shqipëri, duke kaluar Tropojën për t’i lënë në Dushaj në shpinë e një njeriu të quajtur Zenel Ahmeti. Partizanët kishin baza të forta në malësi, me shumë shpi që morën familje partizane kur u arratisën nga qyteti, tregonte Fadili. “Gjithë natën, fshatarët vinin në shpinë e [Ahmetit] me na mbrojtë”, na tregonte gjyshja vite më vonë.

Familja u kthye në qytet pasi u çlirua nga forcat naziste në tërheqje dhe me ardhjen e partizanëve komunistë si fitimtarë. Për gjyshen, lufta përfundoi atëherë, megjithëse luftimet vazhduan në të gjithë Kosovën, derisa partizanët luftonin për të shuar rezistencën kombëtare antikomuniste. Në dhjetor, një grup prej qindra shqiptarësh tentuan ta merrnin Ferizajin, pa sukses; rreth një muaj më vonë një aksion i ngjashëm u organizua në Gjilan. Në hakmarrje, “një brigadë partizane serbe”, e kishte pranuar më vonë Fadil Hoxha, hyri në Gjilan dhe vrau shumë civilë, “shumë njerëz të pafajshëm që nuk kishin asnjë lidhje me ballistët.”

Ndërkohë, luftimet vazhduan edhe më në veri, në Frontin e Sremit, në veriperëndim të Beogradit, ku forcat e Boshtit në tërheqje kishin krijuar një vijë mbrojtëse kundër një përpjekjeje të përbashkët të partizanëve jugosllavë dhe forcave sovjetike e bullgare, të ndihmuara nga forcat ajrore aleate. Në Kosovë, e cila ishte nën komandën komuniste jugosllave, partizanët u përpoqën të mobilizonin sa më shumë burra në moshë për t’i dërguar në front, por u përballën me kryengritje. Megjithë përpjekjet e partizanëve, përfshi vetë Fadil Hoxhën, për ta bindë Shaban Polluzhën dhe brigadën e tij prej rreth 8000 burrash që të bashkoheshin me forcat partizane që luftonin kundër gjermanëve, Polluzha vendosi të qëndronte në vend dhe të mbronte rajonin e tij, Drenicën. Pasuan luftime mes partizanëve dhe forcave të Polluzhës, dhe sipas historianit Noel Malcolm, rreth 20.000 shqiptarë iu bashkuan kryengritjes. Deri në mars, kryengritja ishte shuar krejt; 44 fshatra të zonës qenë shkatërruar.

Ndërkohë, Fronti i Sremit u thye përfundimisht nga mesi i prillit, dhe më 9 maj, forcat sovjetike shpallën fitoren në Berlin kundër Gjermanisë e cila u dorëzua. Lufta botërore kish mbaruar vërtet. 

 

9. Mosha e pjekurisë

Shumicën e luftës, çështja e statusit të Kosovës mbeti e paqartë. Megjithë Rezolutën e Bujanit të viteve 1943-44, në të cilën Këshilli Nacional-Çlirimtar për Kosovën dhe Rrafshin e Dukagjinit e bëri të qartë se shumica e popullsisë së Kosovës ishte shqiptare dhe se dëshironin të bashkoheshin me Shqipërinë, pas përfundimit të luftës, krahina mbeti nën Serbi. Fillimisht, për shqiptarët e Kosovës, që prapë kishin mbetur jashtë shtetit shqiptar, kufiri ishte i papërfillshëm. Fill pas luftës, Jugosllavia dhe Shqipëria kishin marrëdhënie të shkëlqyera dhe Enver Hoxha e mbështeste me gjithë zemër idenë e bashkimit të dy vendeve. Në vitin 1945, kur institucionet e sapokrijuara po tentonin të zgjeronin sistemin arsimor në Kosovë, Shqipëria dërgoi 50 mësues.

“Sapo u hapën shkollat në gjuhën shqipe, filluam t’i hapnim sytë dhe duhet ta falënderojmë Shqipërinë, e cila dërgoi mësuesit menjëherë”, shpjegoi gjyshja, e cila ishte veç gjimnaziste pas luftës. “Kur mori hov, nuk u ndal më”.

Pas luftës, Partia Komuniste e Jugosllavisë (PKJ) ndërmori një fushatë masive arsimore për të zhdukur analfabetizmin. Arsimit iu kushtua shumë rëndësi nga komunistët si mjet për të nxitë një patriotizëm jugosllav si dhe për të luftuar “prapambeturinë”. Autoritetet e sapokrijuara organizuan kurse shkrim-leximi dhe zgjeruan rrjetin e shkollave fillore dhe të mesme. Shkolla Normale, e cila zhvillonte mësimet në gjuhën serbe, u themelua në Prishtinë në vitin 1945, ndërsa homologja e saj shqiptare u themelua pothuajse një vit më vonë në Gjakovë, në tetor 1946. Sipas librit të Qazim Lleshit “Normalja e Gjakovës,” shkolla në Gjakovë u organizua aty për aty për t’i përgatitë kuadrot mësimdhënëse: dita e parë e orëve u mbajt të shtunën.

Normalja Pedagogical High School in Gjakova, 1948.
Foto familjare e shkollës së mesme Normale në Gjakovë, 1948.

Sipas regjistrimit të popullsisë të vitit 1948, 62,5% e popullsisë së Kosovës ishte analfabete. Shkalla e analfabetizmit të grave ishte 78.4% — megjithëse historiania Isabel Ströhle sugjeron se shifrat faktike mund të kenë qenë më të larta. PKJ pohonte se vetëm për një vit — midis 1947 dhe 1948 — 40,000 njerëz në Kosovë kishin ndjekur kurset e shkrim-leximit, dhe në 10 vitet e para të rendit të ri socialist, numri u rrit në 270,000.

Në vitin 1947, gjyshja iu bashkua dhjetëra të rinjve e të rejave në Normale që donin të bëheshin mësues. Kur e intervistuam, ajo këmbëngulte se kish qenë në gjeneratën e parë të të diplomuarve, por sipas një libri për Normalen botuar nga Qazim Lleshi në vitin 1987, duket se ishte në gjeneratën e dytë. Rastësisht, gjyshi im Xhahit Limani, me prejardhje nga Prizreni, u takua me gjyshen gjatë vijimit të Normales, si nxënës i gjeneratës së parë që diplomoi në vitin 1948.

Normalja ishte shumë prestigjioze. Gjyshja shpesh e barazonte mbarimin e Normales me diplomimin në universitet. Vetë shkolla ishte vendosë në Institutin e Industrisë, që kish funksionuar në periudhën e luftës dhe përgatiste nxënësit për t’u bërë pedagogë. Nxënësit ndiqnin mësimet në lëndët si gjuhë e letërsi shqipe, serbo-kroatisht, rusisht, matematikë, gjeografi, fizikë, histori, muzikë e vizatim. Gjenerata e parë e nxënësve nuk kishte libra shkollorë, që do të thoshte se e vetmja mënyrë që të ruanin njohuritë ishte me mësimin përmendësh. Nxënësit e shkëlqyeshëm ua përsëritnin mësimet të tjerëve. Gjyshi, vijimi shkollor i të cilit është dokumentuar mirë në librin e shokut të tij të klasës Lleshit, me gjasë kish shkëlqyer në gjimnastikë dhe këngë.

Përderisa gjithë të diplomuarit e Normales vijonin të bëheshin mësues dhe të vendoseshin kudo që ua kish nevojën Partia Komuniste, disa, si gjyshi dhe gjyshja, vazhduan shkollimin në Beograd.

“[Me shku në Beograd] ishte ndjenjë e mrekullueshme. Ishte si me shku në një vend evropian, arritje e madhe jetësore. Fluturonim, fluturonim kur shkuam në Beograd”, tregonte gjyshja gjatë intervistës.

Në një fotografi me shokët e klasës në sheshin qendror Terazije të Beogradit, gjyshja, e veshur me një fustan të errët dhe me xhaketë mbi supe, shikon drejt aparatit tek qëndron mes tre moshatarëve. Duket e lumtur.

Myrvetja me shokët e klasës nga 'Normalja' në Beograd, 1952. Nga e majta në të djathtë: Qazim Lleshi, Ibrahim Zherka, Myrvete Hoxha dhe Hasim Binishi.

Fluturonim, fluturonim kur shkuam në Beograd”, tregonte gjyshja.

“Na kanë pritë mirë. Më vonë fillun marrëdhëniet [me serbët] të dhimbnin, veç edhe na kanë çmu”,  tha në intervistë.

Gjatë kësaj periudhe gjyshja, që e kish pikë të dobët modën gjithë jetës, kish shkuar për pazar në një nga qendrat tregtare në qendër të Beogradit. Duke kërkuar numër për vete, iu kish drejtuar një gruaje për ndihmë, duke iu referuar siç bëhej në atë kohë, motërsisht thjesht si drugarica — shoqe. Ka shumë gjasa që, duke i vënë re serbishten e varfër dhe theksin që shumica e gjakovarëve nuk arritën ta hiqnin kurrë, serbja iu kish kthyer dhe pa një, pa dy, i kish thënë gjyshes me përbuzje: “Nisam ja tvoja drugarica!” (Nuk jam unë shoqja jote!).

Ishte dush i ftohtë për naivitetin politik të gjyshes dhe një cifël në bindjen e saj për linjën partiake të vëllazërim-bashkimit. Po, të gjitha kafshët ishin të barabarta, por disa ishin më të barabarta se të tjerat.

 

10. Emancipimi instant

Gjyshja ishte pioniere e llojit të vet: E kënaqur me guximin e vet rinor, na tregonte shpesh si kish veshë rroba banje për të notuar në lumin Erenik. “Në vitet ’50!” thoshte ajo duke hapur sytë. Kohët po ndryshonin, veçanërisht për gratë.

Gratë kishin luajtur rol integral në çlirimin e Jugosllavisë dhe partia e kuptoi rëndësinë e emancipimit të grave. Fronti Antifashist i Grave të Jugosllavisë (FAG) u krijua në vitin 1941 me qëllimin e vetëm organizimin dhe mobilizimin e grave në përpjekjet e luftës kundër okupimit. Pjesëmarrja e grave në përpjekjet antifashiste të Jugosllavisë ish e paprecedent: Sipas statistikave zyrtare, 100.000 gra luftuan si partizane, dhe rreth 2 milionë i kontribuan lëvizjes në mënyra të ndryshme. 

Në Kosovë, celulat e FAG-ut që quheshin aktiva, organizonin gratë për të mbledhë armë, ushqime, rroba e furnizime mjekësore, dhe kryesisht i angazhonin me bartjen e lajmeve dhe letrave për partizanët. FAG-u u rrit në këtë pjesë të Jugosllavisë, veçmas pas përfundimit të luftës dhe ishte jetik për propagandimin e pjesëmarrjes së grave në punë vullnetare dhe në organizimin e kurseve të shkrim-leximit. Në vitin 1947, krahu lokal i organizatës filloi botimin e Buletinit, revistë në shqip, përmes të cilës u bënte thirrje grave të kujdeseshin për shpitë dhe “kopshtet” (pra hapësirën publike), duke theksuar rëndësinë që gratë të arsimoheshin si edukatore të fëmijëve, shoqërisë dhe shtetit. “Çdo nënë ka detyrën e shenjtë t’i dërgojë fëmijët në shkollë” thoshte një artikull i tillë propagandistik në numrin e dytë.

Myrvete Hoxha
Myrvetja pozon me fizarmonikë, 1950.

Njëra nga detyrat kryesore të FAG-ut në Kosovë ishte fushata kundër mbulesës, të cilën e mbanin shumica e grave të rritura në Kosovë. Një varg artikujsh në Buletini iu kushtuan kësaj çështjeje, duke e shenjuar mbulesën qartazi si pengesë për pjesëmarrjen e grave në sferën publike dhe si emblematike të “prapambetjes” së rajonit. Heqja e mbulesës supozohej të “hapte perspektiva të reja për punën dhe mbrojtjen ekonomike” dhe ishte sidomos e nevojshme tash që gratë pritej të kontribuonin në zhvillimin e përgjithshëm të shoqërisë duke punuar në fabrika, ndër të tjera, siç tregon një artikull në numrin nr. 5-6 të Buletinit.

Në fushatë ishte aktive edhe gjyshja Myrvete, e anëtarësuar në parti dhe në organizatat shoqëruese të grave.

“Krejt gratë e Gjakovës, e jo vetëm ato, por krejt Kosovës, ishin të mbylluna me çarshaf. Të reja të vjetra — të gjitha të mbylluna me çarshafa”, thoshte gjyshja. Myrvetja e re me shoqet shkonin derë më derë në Gjakovë për të bindur familjet se nënat dhe vajzat duhet të hiqnin mbulesën. “Kjo ishte detyra kryesore: ta heqnim… U thoshim hapur: ‘Është koha me hekë çarshafin’.

Fillimisht, fushata nuk qe e suksesshme, pasi përballej me rezistencë edhe nga burrat e edhe gratë, por në vitin 1951 mbulesa u bë e paligjshme. Secili anëtar i organizatave politike dhe shoqërore kishte për detyrë ta zbatonte fushatën, duke nisë nga familja.

“Edhe nëna ime ka qenë  me çarshaf, barëm ato e mbaj mend mirë. Kur erdhi koha me heqë çarshafin… se u organizojshin tubime e, siç bëjmë tash në shesh. Tona gratë, ekzistojnë fotografitë e sende”, na tha, “dilnin me hekë çarshafin n’shesh. Disa i hiqnin me rrëmbim, disa ngadalë. Nëna ime kish turp. Na thoshte, ‘Qysh unë jam plakë, e me hekë çarshafin?’”

Por edhe Kika hoqi mbulesën — të paktën çarshain si pallto. Në fotografitë e mëvonshme me familjen, o para shpisë o në ditën e dasmës së gjyshes, ajo mund të shihet e veshur me shallvare, pantallona tradicionale tullumbace me pikla, me një shall të zi mbështjellë fort rreth flokëve, me çka fytyra e butë dhe sytë e thelluar ishin të dukshëm për të gjithë.

Familja Hoxha, Myrvete Hoxha
Myrvetja në ditën e dasmës e rrethuar nga babai, nëna dhe vëllezërit e motrat, 1953.

11. Cepat e pashtrënguar

Nuk mund ta përfundoj historinë e gjyshes, ka shumë për të thënë dhe e gjitha do të ishte pak e dobishme. Harta është territori. Ashtu si Harta e Paarsyeshme e Borges-it, sapo të përkonte me tërësinë e të referuarës, historia e jetës së gjyshes do të bëhej e padobishme në pafundësinë e saj.

I thashë lamtumirë gjyshes një ditë të ftohtë dhjetori, ndërsa kortezhi i funeralit të saj vërshonte nëpër varrezat e vjetra të Prishtinës, dëshpërimisht duke kërkuar shtigje që ishin zënë nga shkurre e bimë të egra. Zija Mulhaxha, kryetari 80-vjeçar i Organizatës së Veteranëve, tha disa fjalë për të ndjerën teksa të afërmit, miqtë e familjes dhe një pjesë e vogël e kolegëve rrethuan varrin e hapur.

Nuk e mbaj mend fjalimin, por duhet të ketë filluar me, “Myrvete Hoxha Limani lindi në një familje bujare, patriotike…”

Myrvete Hoxha, Fadil Hoxha
Myrvetja me vëllain Fadilin dhe gruan e tij Vahiden në oborrin e shpisë së tyre, gusht 1999.

Imazhi kryesor: Myrvetja në pritjen publike të përgatitur për vizitën e Josip Broz Titos në Prishtinë, 1979.

Të gjitha pamjet janë të arkivit të familjes Limani.

Ky artikull mbështetet nga Rosa-Luxemburg-Stiftung Gesellschaftsanalyse und politische Bildung e.V. – Zyra në Bosnjë dhe Hercegovinë.

 

Burimet e përdorura për këtë rrëfim:

 

Akademik Ekrem Murtezai. “Fadil Hoxha Siç e Njoha Unë.” Prishtinë: Libri Shkollor, 2011.

Anna di Lellio & Stephanie Schwandner Sievers. “The Legendary Commander: The Construction of an Albanian Master-Narrative in Post-War Kosovo.” Nations and Nationalism 12 nr. 3 (2006): 513–29.

Bonfiglioli. “Revolutionary Networks. Women’s Political and Social Activism in Cold War Italy and Yugoslavia (1945-1957).” Ph.D. diss., Universiteit Utrecht, 2012.

Definitivni rezultati popisa stanovništva od 31. marta 1931. godine – Knjiga 3. Beograd: Drzavana Stamparija, 1938.

Isabel Ströhle. “Aus den Ruinen der alten erschaffen wir die neue Welt! Herrschaftspraxis und Loyalitäten në Kosovë (1944-1974).” München: De Gruyter Oldenbourg, 2016.

Mrika Limani & Lura Limani, “Miti i Luftëtares: Analizë diskursive e literaturës mbi kosovarët në Lëvizjen Antifashiste në Kosovë pas LDB-së.” Në Feminizmat në Kosovë:  Alter Habitus, 2018.

Noel Malcolm. “Kosova: Një Histori e Shkurtër.” Prishtinë: Koha, 2011.

Qazim Lleshi. “Normalja e Gjakovës: Themelimi dhe brezi i saj i parë (1946-1948).” Gjakovë: Bashkësia e Vetëqevërisë së Interesit të Arsimit dhe Edukimit të Komunës së Gjakovës, 1987.

Stephanie Schwandner Sievers. “Invisible Inaudible – Albanian Memories of Socialism After the War in Kosovo.” Në Post-Communist Nostalgia, edited by Maria Todorova & Zsuzsa Gille. New York: Berghahn Books, 2012.

Svetlana Boym. “The Future of Nostalgia.” New York: Basic Books, 2001.

Tahir Z. Berisha. “Emra Që Nuk Harrohen: Arsimtarët Veteranë (1941-1951), II.” Prishtinë: Enti i teksteve dhe i mjeteve mësimore të Kosovës, 1996.

Veton Surroi. “Fadil Hoxha Në Vetën e Parë.” Prishtinë: Koha, 2010.

  • PËR AUTORIN/EN Lura Limani
  • Ky artikull fillimisht është shkruar në anglisht.
  • 21 Dec 2021 - 21:44 | Ilir:

    Ti shnosh oj autore per Titen e edhe per idete e tij qe kane cofe ne trojet shqiptare. Po me vjen gjynah prej teje per nostalgjite qe i paske, por nuk e kuptoj aspak kete nostalgji sidomos pas publikimeve te botuara e sterbotuara lidhur me planet e tites ndaj shqipetareve duke fillue prej vrasjeve qe ushtria e tij i ka ba ndaj shqipetare ne 1945, edhe mareveshjes me FuatKyprilin per te na shperngule ne Turqi etj....

KOMENTO