“Jemi një”. Gjatë dekadës së fundit kjo është bërë një nga himnet më të përmendura të futbollit nacional shqiptar. E ka përçuar idenë që të gjithë talentët shqiptarë duhet të bashkohen nën një flamur për t’i arritur të gjitha ëndrrat e tyre sportive.
Kjo ka qenë një formulë e suksesshme. Në kualifikimet për Euro 2016, që ishin maja e suksesit të futbollit shqiptar, 11 nga lojtarët që e arritën ekipin final prej 23 lojtarëve, kishin origjinë nga Kosova, dhe një tjetër ishte i lindur në Maqedoni. S’është për t’u çuditur që fansat emëruan ‘ekipin e tyre mbarëkombëtar.’
Shqiptarët etnik të lindur jashtë kufinjëve të Shqipërisë, e që mbajnë fanella kuq e zi, nuk janë fenomen i ri (portieri nga Prizreni, Arjan Beqaj, ishte i pari më 1998), por udhëheqja e Gianni De Biasi si menaxher i Shqipërisë dhe e asistenëtëve të tij, i ka mbledhur lojtarët e shpërndarë nëpër Evropë dhe ka arritur të krijojë një grup përplot talent, përfshirë edhe ekipin që do t’i rishkruajë librat e historisë së futbollit shqiptar.
Sidoçoftë, në shtator 2016, kur nisën xhirot e ndeshjeve kualifikuese për Botërorin 2018, sllogani Jemi një filloi ngadalë të zhdukej nga tribinat. Arsyeja ishte mjaft e thjeshtë: fansat e Shqipërisë tanimë e kishin kuptuar që ekzistojnë dy ekipe shqiptare që mund t’i mbështesnin, dhe që lojtarët mund t’i përfaqësonin.
Milot Rashica përfaqëson Shqipërinë në mars të vitit 2016 në një ndeshje miqësore kundër Luksemburgut. Gjatë atij gushti, ai e shfaqi dëshirën e tij të largohet nga Shqipëria dhe të luajë për Kosovën. Foto: Rodolfo Buhrer/imago/Fotoarena.
Për shumë prej këtyre fansave, dhe deri në një masë edhe për Shoqatën e Futbollit Shqiptar, procesi që kishte nisur në gusht, kur lojtarët filluan të kalojnë nga ekipi i kombëtares së Shqipërisë në atë të Kosovës, erdhi si befasi. Pos kësaj, lojtarët si Milot Rashica, Amir Rrahmani, madje edhe Herolind Shala, përfaqësonin të ardhmen e futbollit të Shqipërisë; lojtarë që kishin qenë pjesë të ekipeve të të rinjëve, në role udhëheqëse dhe që ishin planifikuar të ishin në ekipin e parë në vitet në vijim.
Dhe ata është dashur të parashikojnë këtë.
Procesi kishte nisur vite më parë; dhe nuk kishte lidhje me thirrjen për kampionatin evropian, apo me lojën në fushe në vend të të ndenjurit në bankën e rezervës. Kishte filluar me sportisten që tani konsiderohet si përfaqësuesja kryesore e sportit të Kosovës në botë: Majlinda Kelmendin.
U bë e qartë që ky financim nuk mjaftonte dhe se xhudistja e talentuar kishte nevojë të ndihej si pjesë e projektit të ri.
Rruga e kthimit të Kelmendit në Kosovë
Talenti i xhudistes së re ishte vënë re qysh nga fillimet e saj në sport. Megjithatë, fatkeqësisht për Kelmendin, mungesa e njohjes ndërkombëtare së institucioneve të Kosovës i pengonte mundësitë e saja për sukses. Komiteti Olimpik Kombëtar (KOK) në Shqipëri i kishte ofruar ndihmë dhe Kelmendi i kishte kaluar vitet e saja të para duke e përfaqësuar Shqipërinë në gara ndërkombëtare.
Kelmendi konsiderohej si një prej talenteve më të mëdha të Shqipërisë dhe ishte e financuar nga programi i bursave të KOK-ut, si një prej shpresave më të mëdha të vendit për medalje Olimpike.
Por sapo Federata Kosovare e Xhudos (FKXH) nisi të njihej ndërkombëtarisht, u bë e qartë që ky financim nuk mjaftonte dhe se xhudistja e talentuar kishte nevojë të ndihej si pjesë e projektit të ri.
KOK-u i Shqipërisë nuk arriti ta kuptonte këtë asokohe dhe e mori si punë të kryer mungesën e opsioneve të tjera për Kelmendin. Kërkesa e saj për të marrë pjesë në lojërat Olimpike në Londër në 2012-ën, ose me flamurin e Kosovës, ose me flamurin e Komitetit Ndërkombëtar Olimpik, edhe pse e listuar nën KOK-un e Shqipërisë, shkaktoi alarm në disa qarqe të botës sportive në Shqipëri.
Stavri Bello, sekretari gjeneral i KOK-ut në Shqipëri, asokohe i pati qartësuar qëndrimet e tij: që Kelmendi ia kishte borxh Shqipërisë pjesëmarrjen e saj. “Ajo garoi në ngjarje kualifikuese me flamur të Shqipërisë dhe emri i saj u kualifikua nën emrin e Shqipërisë,” pati thënë ai në konferencën për shtyp në vitin 2012. “Kjo do të thotë që pos nëse Kosova është e pranishme në Londër 2012, ajo nuk duhet të garojë me flamur ndërkombëtar.”
Kërkesa e saj përfundimisht u pat refuzuar dhe ajo u prezantua në Londër 2012 me delegacionin e Shqipërisë, ku Kelmendi tentoi të fitonte por u eliminua nga gara në raundin e dytë. Kjo ishte hera e fundit që ajo mori pjesë me shqiponjën dykrerëshë në judogin e saj.
Majlinda Kelmendi duke e festuar fitoren e medaljes së artë në lojërat Olimpike të Rios 2016 — me flamurin e Kosovës në judogin [fjalë japoneze për veshjen për xhudo] e saj. Copyright: Rodolfo Buhrer/imago/Fotoarena.
Duke filluar më 2013, Kelmendi filloi të përfaqësojë KFKXH-në e sapo njohur ndërkombëtarisht. Karriera e saj lulëzoi dhe ajo u bë një nga sportistet më të suksesshme shqiptare të të gjitha kohërave. Më 2016, ajo e fitoi medaljen e parë të artë Olimpike për Kosovën.
“Është ndjenjë shumë e mirë që do ta përfaqësoj me sukses Kosovën, këtë vend të vogël por me shumë probleme,” i pati thënë Kelmendi KosovaPress-it në 2014-ën, pas fitores së medaljes së dytë të artë në kampionatin Botëror të Xhudos. “Ka shumë njerëz që ndoshta nuk kanë shtëpi, e që s’kanë bukë më ngrenë, e nuk kanë kushte më shku në shkollë, dhe të arrish që nga ky vend të bëhesh kampione e botës është një ndenjë e jashtëzakonshme.”
Ky citim më së miri e tregon se çfarë e shtyri Kelmendin që të përfaqësojë Kosovën. Madje edhe në vitin 2012, si adoleshente, e pati thënë qartë që ajo nuk është duke mos e respektuar flamurin shqiptar, por ajo vetëm donte të gjente mënyrë që t’i përfaqësonte rrënjët e veta, shtëpinë e vet, mahallën e vet, qytetin e vet, dhe të gjithë ata që e kishin përkrahur e që i kishin ndenjur pranë.
Kjo shkëputje e Kelmendit i parapriu një procesi të ndarjeve që shumë njerëz nuk do ta kuptonin.
Ekzodi i futbollit
Ndoshta pse xhudoja është më pak e popullarizuar në Shqipëri, Kelmendi “shpëtoi” dhe fjala “tradhëtare” u përdor rrallë për të. Futbollistët që e ndoqën shtegun e Kelmendit nuk e patën të njëjtin fat. Lojtarët që zgjodhën t’i përfaqësojnë familjet e tyre, fshatrat e tyre dhe fqinjët e tyre, shpesh duke zgjedhur një shteg jo të lehtë për ta bërë këtë, rregullisht u etiketuan me fjalën e lartpërmendur.
Ekzodi i futbollit filloi me Samir Ujkanin. Shumë njerëz menduan që portieri ndjehej se nuk po trajtohej drejt pas humbjes së pozicionit fillestar në ekipin e parë, vend që e mori Etrit Berisha. Suksesi i Berishës brenda golit bëri që mungesa e Ujkanit të mos ndjehej shumë, madje konsiderohej që lojët e tij miqësore me ekip të Kosovës ishin opcioni i tij i vetëm, meqenëse nuk kishte më vend brenda ekipit të Shqipërisë.
Samir Ujkani, në portën e Shqipërisë, bllokon gjuajtjen nga Granit Xhaka i Zvicrës në ndeshjen kualifikuese për Botërorin e vitit 2012. Të dy lojtarët kanë rrënjë kosovare, por vetëm Ujkani do të paraqitej për përfaqësuesen e Kosovës. Foto: imago/Geisser.
Ujkani do ta kishte pranuar me lehtësi bankën e rezervës me ekipin e Shqipërisë, dhe do të ishte bërë pjesë e ekipit të parë të historik të Shqipërisë që do ta shijonte përvojën e kampionatit Evropian më 2016. Në bisedë me presidentin e Shoqatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ai pati deklaruar se ai do të “vraponte ta ndihmonte Shqipërinë” nëse ndihma e tij të nevojitej. Por ai po ashtu e pati informuar që “gjaku i tij po e thërriste” dhe se kësaj nuk mund t’i thoshte jo.
Ujkani kishte humbur dy axhallarët gjatë luftës në Kosovë. Vendi i vogël dëshironte të tregonte që sakrifica e atyre që dhanë jetën e tyre do të kishte njëfarë kuptimi. Kosova po përpiqej të tregonte që ishte e gjallë, jo vetëm në letër, por kudo që kjo ishte e rëndësishme, madje edhe në fushë të futbollit. “I kisha premtuar babait që herët a vonë do të luaja për Kosovën,” Ujkani i tha mediave para debutimit të tij me ekipin e Kosovës në kualifikimet për Botërorin 2018.
Kur hyri në fushë në Turku të Finlandës, për të luajtur në ndeshjen e parë zyrtare të Kosovës, ishte duke e drejtuar një ekip me talent të madh, edhe pse ky ekip kishte shkaktuar ndasi të mëdha mes fansave shqiptarë. Shumë të tjerë iu kishin bashkëngjitur në kalimin nga ekipi i Shqipërisë në atë të Kosovës. Në atë mbrëmje historike në stadiumin Veritas, ai ishte pjesë e gëzimit të për rezultatin e parë pozitiv të Kosovës, deri tani të vetmin, krahas Amir Rrahmanit, Milot Rashicës, Alban Mehës, Herolind Shalës dhe Vedat Muriqit, të gjithë atyre që e kishin përfaqësuar Shqipërinë më parë. Ata kishin zgjedhur ta përqafojnë një projekt, por para së gjithash, ata iu kishin përgjigjur “thirrjes” m’u sikur Ujkani.
Ndarjet mes dy palëve po bëheshin më të qarta çdo ditë, me lojtarët që filluan të deklaronin besnikërinë për njërin apo tjetrin ekip në këtë performansë publike të keqmenaxhuar.
Prapë se prapë ata ishin konsideruar si tradhëtarë nga të dyja anët e kufirit. Kur Rashica e pati shprehur dëshirën e tij për të luajtur për Kosovën, duke deklaruar në një letër të hapur që kjo “nuk ishte zgjedhje kundër Shqipërisë, por për Kosovën ku ai kishte lindur dhe ishte rritur”, ai dhe shokët e ekipit të tij u bënë pre e keqtrajtimeve të pafundme. Përderisa fansat e Kosovës i mirëpritën lojtarët e rinj, duke e parë kështu një fillim të mbarë për ekipin në raundin e tij të parë, mbështetësit e ekipit të Shqipërisë nuk ishin kaq miqësor.
Kur Milot Rashica e deklaroi në Facebook vendimin e tij për të luajtur për ekipin nacional të Kosovës, ai pranoi një mori keqtrajtimesh, me komentues që e etiketonin atë si mosmirënjohës, tradhëtar, madje një komentues, duke e sulmuar edhe në nivel personal, e pati sharë kështu: “te qifsha ropt, këlysh kurve”.
Kosovarët që e mbështesnin vendimin e tij u përgjigjën me mllef kundër këtyre komenteve, duke e nisur kështu një luftë fjalësh në internet dhe një rrjedhë të paprecedent të urrejtjes dhe ndasisë mes shqiptarëve.
Lufta për të ardhmen e lojtarëve
Përderisa situata me fansat po dilte jashtë kontrollit, dy federatat e futbollit u përpoqën të sillen sikur gjithçka ishte normale, edhe pse ishte e qartë që Federata e Futbollit Shqiptar (FFSh) nuk i kishte pritur “transferet” e Rashicës dhe Rrahmanit.
Përderisa zyrtarët dhe lojtarët deklaruan që zgjedhjet janë individuale dhe se askush në asnjërën anë nuk është i pazëvëndësueshëm, shqetësimi për rritjen e ekzodit nga ana e Shqipërisë po rritej. Jo-zyrtarisht, shumë nga anëtarët e ekipit të Shqipërisë në Euro 2016, e që ishin me origjinë kosovare, kishin deklaruar që zyrtarët e Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) iu kishin afruar disa herë, duke dashur të marrin vesh se a janë të interesuar për kalim.
Deri në fund të gushtit, kur FIFA e bëri të qartë që ata që morën pjesë në Euro 2016 nuk do të mund të ndërrojnë ekipe, ekzistonte një dyshim që ekipi i Shqipërisë do të varfërohej dhe do të humbte shumë më shumë se sa të rinjtë që kishin pasur rol të vogël në rrugëtimin për në Francë 2016.
Për më tepër, ndarjet mes dy palëve po bëheshin më të qarta çdo ditë, me lojtarët që filluan të deklaronin besnikërinë për njërin apo tjetrin ekip në këtë performansë publike të keqmenaxhuar. Dy menaxherët poashtu nuk kishin qenë të butë me deklaratat e tyre, duke e ndezur kështu edhe më shumë mospajtueshmërinë e palëve.
De Biasi deklaroi që ata që shkuan e bënë këtë sepse nuk ishin ftuar për në Euro 2016. “Zgjedhja e tyre më ka dëshpëruar,” tha ai për kanalin televiziv Super Sport, në fund të vitit 2016. “Fakti që i kisha marrë në kampin e trajnimit me ne nënkuptonte që i kishim planifikuar për të ardhmen. Por ata e bënë zgjedhjen e tyre, dhe ne nuk humbën asgjë nga lojtarët që nuk kishin dhënë asnjë kontribut për ekipin kombëtar.”
Menaxheri italian i Shqipërisë, Gianni De Biasi, i cili ka bërë çdo përpjekje ta shfrytëzojë talentin potencial në dispozicion të kombëtares shqiptare të futbollit. Foto: imago/Eibner Europa.
Traneri kosovar, Albert Bunjaki, poashtu kishte bërë kritika për De Biasin, pasi italiani e kishte kontaktuar secilin anëtar të ekipit të Shqipërisë personalisht, duke i pyetur t’i qartësonin qëllimet e tyre. “I ka vënë lojtarët në një situatë shumë të keqe,” i tha Bunjaki Koha Ditore në korrik 2016.
Bunjaki po ashtu kishte deklaruar vazhdimisht që lojtarët ishin të gatshëm ta braktisnin ekipin e Shqipërisë dhe e kishin kontaktuar atë për këtë punë, duke argumentaru që, në të ardhmen, lojtarët më të mirë të Kosovës nuk do ta zgjedhnin më fanellën kuq e zi. “I kemi deri në 50 lojtarë në listë,” i tha ai Zërit në gusht 2016-ës.
Reagimi i pamenduar i De Biasit ndaj këtij lajmi ishte caktimi i Azdren Llullakut, Eros Grezdës dhe Liridon Latifit për ndeshjen e parë zyrtare për kualifikimet e Botërorit 2018, të gjithë këta lojtarë potencialë për kalim në ekipin e Kosovës. Kjo i shtyri zyrtarët e FFK-së të argumentojnë se ai po përpiqej ta pengonte Kosovën që të mos i ftonte ata. Mendime të ngjashme kishte edhe në anën e Shqipërisë.
"Tensionet kanë vazhduar me ftesat në trajnimë që janë bërë nga ana e të rinjëve të Shqipërisë për të rinjët e Kosovës gjithandej nëpër Evropë."
Astrit Hafizi ishte menaxher i ekipit të Shqipërisë mes viteve 1992 dhe 1999 dhe është një prej figurave më të shquara të futbollit shqiptar. Ai beson se ndasitë ishin bërë të dukshme për të gjithë. “Para anëtarësimit të Kosovës në UEFA dhe FIFA, marrëdhëniet i kishim të mira,” Hafizi i tha Panorama Sportit në tetor 2016, pak ditë para ndeshjes së Kosovës me Kroacinë në Shkodër. “Por besoj që ndasitë do të rriten. De Biasi po nxitohet. Ai po e sheh që lojtarët si Grezda dhe Latifi po luajnë mirë në kampionatet respektive, dhe po i cakton në ekip, në vend të mbledhjes së talentëve nga Evropa. Ai i cakton këta të dy, edhe pse janë nga Kosova. Trajneri dhe Federata e Kosovës kanë të drejtë që janë të shqetësuar me këtë situatë, sepse këta nuk janë lojtarë të Shqipërisë.”
Tensionet kanë vazhduar me ftesat në trajnimë që janë bërë nga ana e të rinjëve të Shqipërisë për të rinjët e Kosovës gjithandej nëpër Evropë, shpesh duke potencuar emra të njëjtë që edhe FFK-ja po i kërkon. Disa nga lojtarët më të shquar të trajnimit të fundit nën 21 vjeç të Shqipërisë, ishin me origjinë nga Kosova. E njëjta vlen edhe për ekipet e moshave nën 17 dhe 19 që morën pjesë kualifikimet për Evropianin, në fund të vitit 2016.
Shqipëria me Kosovën: jo më miqësore
Situata mund të përkeqësohet. Shqipëria dhe Kosova janë shndërruar në rivale jo vetëm për talentet e njëjta, por edhe për objektivat e njëjta ndërkombëtare. Tirana kundër Pejës në Ligën Ballkanike Ndërkombëtare të Basketbollit, ishte vetëm një provë e vogël e konkurrencës së klubeve nga të dyja shtetet.
Në prill, dy ekipet kombëtare të përfaqësuesve të grave do të takohen në Tiranë, jo në ndeshje miqësore si kanë vepruar shpesh këtyre viteve të fundit, por për të fituar të drejtën për t’u kualifikuar për fazat e ardhme të Kupës Botërore tër grave. Lojtaret nga Kosova deri vonë kanë luajtur për Shqipërinë në gara zyratre, por disa prej tyre po mendojnë të kalojnë në ekip të Kosovës dhe të ballafaqohen me kuqezinjtë si kundërshtare.
Ekipi kombëtar i përfaqësuesve të grave të Kosovës në stërvitje në vitin 2017, duke u bërë gati për ndeshjet e para kualifikuese për kampionatin botëror në historinë e këtij ekipi — kundër Shqipërisë. Foto: Federata e Futbollit e Kosovës.
“Vajzat do të zgjedhin vetë. Nuk do të bëhet presion mbi to. Por as nuk do t’u mohohet e drejta për t’u kthyer. Moralisht, ne duhet t’i ofrojmë zgjidhje dëshirës dhe vullnetit të lojtareve,” i tha Aferdita Fazlija, menaxhere e përfaqësueses së grave të Kosovës, Kohës Ditore.
Fansat e të dyja palëve kanë delaruar që secili sukses i futbollit shqiptar varet nga talentët e lindur në Kosovë. Nëse Kosova e fiton ndonjë ndeshje zyrtare kundër Shqipërisë, këto deklarime do të bëhen edhe më të zëshme.
Armend Dallku ka lindur në Vushtrri, Kosovë, dhe e ka përfaqësuar Shqipërinë në ndeshje 64 herë. Ai po ashtu është kapiten i KF Prishtinës, dhe shpreson në të ardhmen ta udhëheqë klubin e tij në pjesëmarrjen e parë të Kosovës në Ligën e Kampionëve. Besnikëria e tij anash, ai nuk i gëzohet një ndeshjeje të mundshme mes ekipeve të meshkujve, të Kosovës dhe Shqipërisë. “Shpresoj që kjo të mos ndodhë kurrë. Por edhe nëse ndodhë, shpresoj që fansat e Shqipërisë do ta marrin këtë si festë futbolli, ashtu si bënë me Kampionatin Evropian,” i tha ai K2.0-së.
Dallku ende mendon që duhet të ekzistojë një ekip i fuqishëm që do t’i përfaqësonte të gjithë shqiptarët, sepse ndarja do t’i pakësonte shanset për pjesëmarrje të ardhshme në gara. “Gjithmonë kam menduar që ne duhet ta kemi një ekip të fortë kombëtar që do të na përfaqësonte në nivelet më të larta,” i tha ai K2.0-së. “Por tani duhet të ballafaqohemi me këtë realitet të ri ku Kosova me të drejtë, pas aq shumë vitesh vuajtje, e ka fituar të drejtën ta përfaqësojë veten ndërkombëtarisht.” Mbrojtësi poashtu beson që Kosova dhe Shqipëria kanë mjaft lojtarë për të dyja ekipet kombëtare, por ka rezerva që të dyja ekipet do të arrijnë ta mirëmbajnë cilësinë që aktualisht e kanë.
Me ndasitë dhe dyshimet që po vazhdojnë të rriten, të vetmet koka të qeta duket të jenë ato të figurave udhëheqëse të dy trupave qeverisëse, Armand Dukës dhe Fadil Vokrrit. Pasi kishin deklaruar për vite të tëra që një turnir i përbashkët i klubeve ishte i pamundur, është raportuar që Duka dhe Vokrri kanë nisur bisedimet për zhvillimin e një gare që do të përfshinte klube nga Shqipëria dhe Kosova. Kjo nuk do të jetë një ligë mbarëshqiptare që shumë fansa e kanë kërkuar për vite të tëra, por një turnir ku klube nga Kosova dhe nga Shqipëria do të ndeshen mes vete.
A do të shërbejë kjo ide që ta ribashkuar sportin e Kosovës me atë të Shqipërisë? Apo do të krijojë edhe më shumë ndasi përmes rivalitetit mes grupeve të fansave? Koha do të tregojë nëse sllogani “Jemi një” sërish do të shpaloset me krenari në ngjarjet sportive shqiptare.K
Foto kryesore: Atdhe Mulla / K2.0.
Kthehu prapa tek Monografia e Sportit