Çka mbeti nga e majta ime?
I rritur në një familje majtistësh, rrjedha ime ideologjike dukej se ishte paracaktuar. Por, i plaçkitur nga realiteti i Kosovës, për një kohë të gjatë kam kërkuar përgjigjet e mia.
Gjatë fëmijërisë, çdo ditë kur zbrisja shkallëve prej dhomës sime në shtëpinë dy-katëshe në pjesën e vjetër të Prishtinës, varur në murin e korridorit më binte të shihja fotografinë e madhe të vëllait të gjyshes. Poshtë fytyrës së tij buzagaz ndodhej një shënim nga prijësi komunist i Shqipërisë, Enver Hoxha, që e shpallte atë ‘Hero i Popullit’.
Sadik Stavileci, një shqiptar 27-vjeçar nga Gjakova, i shkolluar në Itali dhe pjesëtar i grupeve më të hershme komuniste shqiptare, u vra bashkë me dy shokë të idealit, në një pritë të organizuar nga fashistët italianë, në vitin 1942, afër qendrës së Tiranës. Rënia e tyre martirë zë vend të rëndësishëm në mitologjinë komuniste shqiptare. Kjo ngjarje zinte vend të rëndësishëm edhe në mitologjinë familjare, ku në mesin e më të moshuarve Sadiku e kishte statusin e një ikone.
Sipas rrëfimit (me gjasë të ekzagjeruar) familjar, Sadiku nuk ishte vetëm një martir, por edhe dikush që kishte pasur një parandjenjë të keqe për Hoxhën. Meqë kishte qenë kritik i hershëm i tij në lëvizjen komuniste, prijësi totatalitar, i njohur për dellin e tij hakmarrës, do t’ia mohonte Sadikut një vend më të spikatur në historiografinë e lëvizjes.
Shumë familje i kanë mitologjitë e veta lidhëse –– rrëfimet që sillen përreth origjinës apo përpjekjeve të anëtarëve të tyre më të shquar –– rrëfime të sojit që u japin të rinjve të familjes një të kuptuar të asaj se ‘kush jemi ne’. Disa mitologji familjare, siç janë për shembull ato të familjeve emigrante, shpesh përfundojnë duke ua formësuar njerëzve zgjedhjet që bëjnë në jetë, apo madje duke ua përcaktuar edhe identitetin dhe synimet.
Ka raste kur mitologjitë familjare kanë tension përbrenda rrëfimit: prindërit mund të jenë nga etni ose rajone apo edhe nga kampe ideologjike të kundërta. Hapësirat me shumëllojshmëri etnike dhe fetare si ato të ish-perandorisë Osmane, apo ato të ish-Jugosllavisë, janë përplot me rrëfime familjesh shumë-etnike, të cilat vuajtën nga shpërbërjet politike.
E prapë se prapë shpeshherë –– si në rastin e familjes sime –– historitë familjare janë krejtësisht një-trajtëshe dhe të ngulitura fort përbrenda një këndvështrimi të cakuar mbi botën.
Shih prapa nja dy breza dhe, përveç gjyshes sime gjysmë-boshnjake Umihana, në trungun e familjes sime e gjen të lloj të njëjtë të shqiptarëve nga qytezat shumë-etnike dhe shumë-fetare osmane të Kosovës (“Kasabali”) të cilët, si Sadik Stavileci, u bënë komunistë dhe partizanë gjatë Luftës së Dytë Botërore; dhe më vonë, kur këto Kasaba u rritën dhe u bënë qyteza të industrializuara socialiste dhe konteksti politik ndryshoi, fëmijët e tyre u bënë social-demokratë ose aktivistë të të drejtave të njeriut. Përkundër trazirave të shumta politike dhe konteksteve krejt të ndryshme nga brezi në brez, askush nga trungu im familjar nuk iu largua spektrit ideologjik të së majtës.
Mbi supet e revolucionit
Teksa po rritesha në Prishtinën e viteve të ‘80-ta dhe ‘90-ta, kur luftërat e ish-Jugosllavisë kishin shpërthyer, kjo trashëgimi familjare majtiste dhe mundimet e personazheve të saj ma ofruan një kornizë morale të gatshme, përmes së cilës do ta shihja botën.
Për mua, edhe më qendrore dhe të afërta se tregimi për Sadikun, ishin rrëfimet për rreziqet që kishin ndërmarrë mbi supe gjyshërit e mi, të cilët luftuan në anën tjetër të kufirit (që nuk ekzistonte atëbotë), përkrah partizanëve jugosllavë.
Gjyshi im nga ana e babait, Mehmeti, ishte një jetim nga Prizreni, i detyruar të punojë që nga fëmijëria. Nivelin krejt elementar të shkollimit, ai e kompensonte me zgjuarësi, intuitë dhe guxim. Jetesën e siguronte duke punuar nëpër furra buke në Prizren dhe në Shkup, ndërsa më vonë iu bashkua partizanëve, ku në një betejë kundër nazistëve, humbi njërin sy. Romanca dhe ideologjia ndeshen këtu në mitologjinë familjare kur Mehmeti, pjesë e një brigade partizane në alpet shqiptare, merr vesh se një grua që po i përkrahte njësitet partizane, gjyshja ime Remzija, është motra e heroit të tij të rënë martir, Sadik Stavilecit.
Madje edhe pyetja e madhe për zotin u zgjidh herët në terma ateistë nga pikëpamjet e gjyshit tim, Mehmetit.
Personaliteti prej një burri të fortë dhe luftëtar i Mehmetit (më vonë, ai u bë një zyrtar i lartë i sigurisë në Kosovën e periudhës së Jugosllavisë) në anën tjetër të familjes plotësohej nga rrëfimet për sakrificën e Fejzullahut, gjyshit nga ana e nënës, edhe ky një jetim i rritur nga kushërinjtë në Gjakovë.
Edhe Fejza ishte partizan, por ky i angazhuar në ‘anën e butë’ të revolucionit të pasluftës si njëri prej mësuesve të parë në gjuhën shqipe dhe promovues i arsimimit, më vonë si pioner i gazetarisë, kryesisht si redaktor për marrëdhënie ndërkombëtare në gazetën “Rilindja” dhe në Radio “Prishtina”. Më kujtohen rrëfimet frymëzuese se si, në periudhën menjëherë pas luftës, Fejza u kishte shpëtuar tri atentateve nga familjarët e zemëruar të vajzave, të cilat regjimi po i detyronte të shkonin në shkollë për herë të parë.
Gjyshërit e mi komunistë kishin qenë pjesë e një përpjekjeje për ta sjellë në jetë një botë të re, të shkëputur rrënjësisht nga e kaluara. Edhe pyetja e madhe për zotin u zgjidh herët në terma ateistë nga Mehmeti, pikëpamjet e të cilit ishin radikale për Prizrenin e kohës së tij –– qytezë kjo konservatore për nga pikëpamja e fesë, e të cilat e larguan atë nga një pjesë e familjes. Kur e kishin pyetur fëmijët e tij Mehmetin se ç’ishte zoti, legjenda familjare thotë se përgjigja materialiste dialektike e tij ishte: “Zoti është të mos vjedhësh dhe të mos bësh gjëra të këqija!”
Kur babai im u lind në ditë Bajrami, në vitin 1947, Mehmeti kishte qenë në detyrë ushtarake. Me t’u kthyer pas disa javësh në shtëpi, ai nuk ishte pajtuar me vendimin e familjes për ta ndjekur traditën dhe për t’ia vënë djalit emrin Bajram. E parapëlqente emrin Shkëlzen, që ishte emri i një mali në alpet shqiptare. “Kuku more zot, çfarë emri i katundarit është ky?”, kishte qenë reagimi i anëtarëve prizrenas Kasabali të familjes, një qytezë ku turqishtja mbetej lingua franca, apo shënjuese e statusit më të lartë shoqëror dhe ku shqiptarët supozohej të kishin emra turkë ose fetarë.
Bota e re që po ndërtohej ishte një botë ku emancipimi shoqëror shkonte dorë për dore me emancipimin kombëtar dhe sekularizimin, gjë që u reflektua përmes shqipërimit të emrave të njerëzve në brezat vijues.
Duke qenë se erdha në jetë në këtë botë të re, në ndërtimin e së cilës ndihmuan gjyshërit e mi komunistë dhe duke qenë dëshmitar i sfidave të reja të brezit të prindërve të mi –– babai im, ndër aktivistët prijës pro-demokracisë dhe një ndër themeluesit e Partisë Social-Demokrate, nëna ime Alisa, aktive në lëvizjet feministe të kohës –– unë u formësova nga disa vlera elementare dhe besime, të cilat as që viheshin në dyshim. Përgjigjet për krijimin shoqërie të drejtë gjendeshin te e majta, jo vetëm për shkak se sillnin emancipim dhe përparim, por edhe për shkak se “këta ishim ne”.
Disonanca kognitive
Ndonëse përgjigjet ideologjike tashmë ishin aty –– të gatshme për t’u zbatuar në realitet nga vullneti ynë njerëzor, kur u bëra adoleshent pak më i vetëdijshëm, shumë prej këtyre përgjigjeve nuk po përputheshin me realitetin, të cilin po mundohesha ta kuptoja me mendjen time.
Ishte ditë qershori, viti 1998. Lufta në Kosovë tashmë kishte filluar pas një dhjetë-vjeçari të aparteidit, ndërkohë që në Bosnjë një gjenocid tashmë kishte ndodhur. Shqiptarët e Kosovës po përpiqeshin të merrnin vëmendje ndërkombëtare për kauzën e tyre dhe prindërit e mi sapo ishin kthyer nga një konferencë për Ballkanin që ish mbajtur në Stokholm. “Ata të majtët evropianë në konferencë ishin të tmerrshëm!”, ishin fjalët e nënës sime që m’i kapi veshi. “Si mund të ishin të majtët të tmerrshëm?”, mendova me vete.
Kjo nuk ishte hera e parë që po më gërryhej bindja e ngulitur se e majta e kishte njëfarë të drejte të trashëguar në piedestalin moral. Si kishte mundësi që para disa vitesh, një president socialist i Francës, i quajtur Miteran (emër që në shtëpi e fyenin sa herë përmendej nëpër lajme) po e merrte me të mirë dhe po i jepte krahë Miloševič-it (një tjetër i ashtuquajtur “socialist”) teksa ky i fundit po e kthente Jugosllavinë në një kasaphane kleriko-fashiste? Për çfarë arsyesh Miloševič-i vazhdimisht mbrohej dhe racionalizohej si figurë anti-imperialiste nga intelektualë botërorë, kampionë të së majtës, si për shembull Noam Chomsky?
Si ishte e mundur që ShBA, qendra e gravitetit të ‘kapitalizmit të keq’, po u printe thirrjeve për mbrojtjen e të drejtave të njeriut në Ballkan? Shumica e zhgënjimeve me të majtën në këtë kohë shpreheshin në kontekst të dështimit të Bashkimit Sovjetik, pra buronin nga argumenti se regjimet komuniste u dëshmuan si jofunksionale. Asokohe isha i ri dhe i pavetëdijshëm për shumë prej këtyre diskutimeve, por teksa vëzhgoja shkatërrimin që iu bë Bosnjës dhe jetoja vetë nën një regjim shtypës, shqetësimi im shkonte në një drejtim tjetër: çka dreqin kishte e majta perëndimore që nuk shfaqte solidaritet me të dobëtin dhe të shtypurin?
Sa më shumë që thellohej kjo disonancë dhe sa më shumë që përpiqesha t’i zhvilloja idetë e mia, aq më shumë zhvilloja përbuzje për teoritë e majta dhe për intelektualët që sodisnin botën prej karriges.
Disa vite më vonë, konfuzioni ideologjik brenda vetes sime 16-vjeçare u thellua edhe më shumë. Ja ku isha, i sapo dalë prej një lufte në të cilën NATO-ja ‘imperialiste’ kishte shpëtuar popullin tim prej një gjenocidi, duke e kaluar gjithë ditën me një shok artist, duke e shkruar me sprej një grafiti në murin e dhomës sime që thoshte: “Bullet in the Head” (shq. “Plumb në kokë”) –– ky ishte titulli i një kënge nga bendi im i preferuar Rage Against the Machine, i njohur për qëndrime anti-kapitaliste dhe anti-imperialiste. Kur e mendoj këtë punë tash nga distanca kohore, mbase, në nënvetëdije, plumbi po i mësyhej disonancës sime kognitive.
Sa më shumë që thellohej kjo disonancë dhe sa më shumë që përpiqesha t’i zhvilloja idetë e mia, aq më shumë zhvilloja përbuzje për teoritë e majta dhe për intelektualët që sodisnin botën prej karriges. Më dukej se kish diçka tmerrësisht arrogante në idenë se dikush që ndodhej mijëra kilometra larg, apo hijet e njerëzve që kishin jetuar qindra vite më parë, mund të na shisnin moral dhe të na ofronin formula skematike se si duhej të dukej një shoqëri e drejtë dhe t’u flisnin realiteteve, të cilat nuk i kuptonin apo nuk i kishin parë kurrë me sy. Sikur jeta e njeriut dhe moraliteti të ishin gjëra, ndryshoret dhe kompleksiteti i të cilave mund të zbërtheheshin njëlloj si ligjet e fizikës.
Një mënyrë më e mirë për t’u lidhur me idenë qendrore se kapitalizmi e manipulon lojën e jetës në favor të të pasurve dhe të privilegjuarve dukej të ishte leximi i letësisë dhe eseve majtiste nga intelektualët e tipit letrar, apo nga aktivistët e të drejtave të njeriut –– pra, leximi i veprave që portretizonin sfidat dhe rezistencën e njerëzve të shtypur nga kapitalizmi, imperializmi ose racizmi.
Romanet e Jack London, si për shembull distopia “Thembra e Hekurit”, sillnin në jetë mënyrat se si sundimi i shfrenuar oligarkik shtypte punëtorët dhe ndillte rezistencë. Kurrë s’do t’i harroj rrënqethjet që pata ndierë –– e që i ndijej edhe sot –– kur pata lexuar fjalimet dhe esetë e Martin Luther King, veçanërisht esetë si “Letra nga Burgu i Birmingham-it”, ku ai shprehte trishtim të thellë me padrejtësitë, pa rënë asnjëherë në grackën e urrejtjes.
Ky lloj leximi ishte i vetmi që më ngjallte emocione dhe më bënte të ndihesha ende pjesë e së majtës, sepse reflektonte përvoja të tjera njerëzore të shtypjes dhe nuk merrej me teorizime të mëdha abstrakte. Ky lloj leximi gjithashtu i kundërvihej një trazire të brendshme emocionale që më kishte bërë të vëja në pikëpyetje gjithçka mbi të majtën –– veçanërisht idenë e majtizmit si identitet familjar. Gjithçka ndërlidhej me pasigurinë dhe dilemën e një adoleshenti: a ia vlejti çdo gjë për të cilën lufuan gjyshërit e mi, duke e marrë parasysh se si përfundoi gjithçka?
Kurrë s’kam pasur ndonjë nostaligji për Jugosllavinë (të cilën mezi e mbaj mend), por gjithnjë e më shumë më dukej se, nëse liheshin mënjanë elementet e pamohueshme emancipuese të projektit, dokrinat ekonomike dhe politike të saj qenë të bazuara mbi shumë gënjeshtra dhe kontradikta të thella të brendshme, të cilat dikur dolën në shesh.
Gjyshi im nga ana e nënës, Fejzullahu, ishte nga ata njerëzit më të dashur që mund t’i paramendosh. Një besimtar i vërtetë në parimet humaniste, nëse ka pasur të tilla dhe një njeri që nuk kishte as më të voglin kapacitet për urrejtje kombëtare. Më 2 prilll 1990, një njësi policore e Serbisë masakroi një lagje të tërë në vendlindjen e tij në Gjakovë, përfshirë këtu edhe vëllain e vetëm të Fejzës, Januz Canën dhe gjithë familjen e tij. Fejza u shkund në themel aq fort nga kjo ngjarje sa që nuk ishte më kurrë i njëjti njeri. U duk sikur e gjithë bota të cilën ai kishte ndihmuar të ndërtohej, befas u përmbys dhe u varros bashkë me familjarët e tij. I dobësuar fizikisht dhe mendërisht, edhe Fejza vdiq pas disa vitesh.
Pastaj ishte historia e gjyshit tjetër, Mehmetit, si udhëheqës me dorë të fortë në sektorin e sigurisë, përgjegjës, mes tjerash, edhe për krijimin e Mbrojtjes Territoriale të Kosovës. Ai me hezitim e kishte miratuar lutjen e Fadil Hoxhës (udhëheqësit më të lartë të Kosovës) për t’u bërë Sekretar i Punëve të Brendshme në kohën më të vështirë, duke marrë përsipër përgjegjësinë për ta drejtuar aksionin kundër protestave studentore të shqiptarëve që shpërthyen në vitin 1981. Me urdhër të tij, qindra protestues u arrestuan nën akuzat e veprimit nacionalist dhe irredentist.
Brezi i tij i komunistëve shqiptarë të Kosovës, besnik ndaj Tito-s, privatisht e arsyetonin këtë dhunë duke përmendur nevojën për ta mbrojtur autonominë e nivelit thuajse republikan të Kosovës nga nacionalizmi serb, i cili qe ringjallur pas vdekjes së Tito-s dhe po përpiqej ta ricentralizonte pushtetin në Beograd duke i përdorur protestat si pretekst. Por shumë shqiptarë atëherë (e sidomos sot) i panë veprimet e komunistëve të Kosovës si ato të kuislingëve. Cilido qoftë interpretimi, askush nuk e mohon se bëhej fjalë për shtypje të paarsyetueshme politike.
Kjo ndjenjë e fajit nga privilegji i trashëguar mbetet në tension të vazhdueshëm me përvojën time të jetuar.
Mehmeti –– një njeri, të cilin integriteti personal, karizma dhe dashuria për familjen e bënë të adhuruar në shtëpi –– vdiq në vitin 1985, kur unë isha vetëm 1-vjeçar. Por fantazma e trashëgimisë së tij publike si prijës komunist vazhdoi të jetonte, duke iu bërë pengesë në angazhim publik babait tim edhe pse ai ideologjikisht ishte rebeluar kundër natyrës autoritare të regjimit (dhe kundër vetë babait të tij) qysh nga vitet e ‘60-ta.
Në angazhimet e mia profesionale dhe publike, shpesh më rastis të përballem me njerëz të brezit tim, të cilët janë rritur pa ndonjë prind për shkak se ai apo ajo qenë arrestuar nga gjyshi im për shkak të aktivizmit të tyre politik. Disa prej tyre rregullisht ma përkujtojnë këtë fakt kur nuk pajtohen me shkrime te mia. Gjithmonë kam pasur mirëkuptim për zemërimin e tyre dhe vazhdimisht jam pajtuar me argumentin e tyre se drejtësia tranzicionale nuk do të jetë kurrë e plotë pa u adresuar edhe krimet e regjimit komunist.
Kjo ndjenjë e fajit nga privilegji i trashëguar mbetet në tension të vazhdueshëm me përvojën time të të qenit viktimë e shtypjes së Serbisë, bashkë me gjithë të tjerët. Edhe pse këtë tension e kam ndierë si barrë, ai ka qenë edhe çlirues, meqë krijoi hapësirën e nevojshme për t’u shkëputur nga zinxhirët e idesë se familja ishte burim i identitetit ideologjik.
Nëse gjyshërit e mi thyen shekuj të traditës familjare duke e zëvendësuar zotin me Marksin dhe prindërit e mi e bënë të njëjtën gjë duke iu shmangur dogmës komuniste e duke e zëvendësuar atë me demokracinë dhe të drejtat e njeriut, atëherë mbase trashëgimia më e çmuar familjare që duhej ruajtur ishte tradita jonë e vetë-krijimit.
Plaçkitësi i quajtur realitet
Rreth kohës kur nisi lufta e Irakut, në fillim të viteve 2000, unë studioja për shkenca politike dhe marrëdhënie ndërkombëtare në Universitetin Amerikan në Bullgari. Më kujtohet se në njërën prej orëve të mësimit e shikuam një dokumentar mbi neokonservatorët amerikanë që orkestruan luftën. Në këtë film, Irving Kristol dhe grupi i tij i intelektualëve të New York-ut rrëfenin se si të gjithë dikur kishin qenë socialistë dhe trockistë, por se ishin bërë konservatorë pasi ishin “plaçkitur nga realiteti”. Unë gjithsesi kisha filluar të ndihesha i plaçkitur, por më dukej e pakuptueshme se si një i majtë i vërtetë mund të bëhej konservator i çfarëdoshëm.
Sidoqoftë, më kujtohet se si vetja ime idealiste u vetëdijësua ndaj mundësisë se gjërat që unë i merrja si bindje thelbësore dhe të lidhura me identitetin tim mund të kërcënoheshin nga një plaçkitës i quajtur realitet. Në fakt, ky i fundit u bë –– si çdo gjë e rrezikshme –– edhe më tundues për t’u kuptuar. “Çfarë po fshihte prej meje jeta?”
Nëse e konsideron veten aktivist progresist –– gjë që unë e bëja asokohe –– nuk duket si gjë shumë produktive nëse si pikënisje të mendimit e ke realitetin; konsiderata e tepërt për të, ta zbutë imagjinatën dhe ndjesinë e agjencisë për t’i shtyrë përpara ndryshimet. Por nëse ke edhe kureshtje intelektuale, ekziston një tension mes besimit në mundësinë e përparimit njerëzor dhe instinkit për të mos u treguar naiv përballë kapacitetit tragjik të njerëzimit për të prodhuar mjerim.
Një pamje që më ka mbetur në mendje nga paslufta është ajo e gjyshit tim Fejzës, i ulur në tavolinën e kuzhinës, duke pirë cigare, me duart që i dridheshin lehtësisht, me kokën paksa të ulur dhe vështrimin e hedhur drejt gazetës, i paaftë për t’u përballur me nivelin e brutalitetit që ia shembi botën, kur ia masakruan familjen e vëllait. Përvoja e luftës të lë shumë shenja, por në rastin tim do ta veçoja faktin se më ka bërë më vigjilent dhe të vendosur për të mos u zënë gafil nga çnjerëzorja.
Ky zhgjënjim i hershëm, i kombinuar me përvojën time të dyfishtë si edhe i privilegjuar edhe viktimë, më zhveshi nga çfarëdo forme e mendimit romantik dhe skematik dhe më bëri krejtësisht dyshues ndaj ideologjisë. U vetëdijësova në mënyrë akute mbi rastësinë e statusit social dhe zgjedhjeve individuale, si dhe për mënyrën se si faktorët e jashtëm strukturorë i fomësonin gjykimet tona morale. Teksa i lexoja esetë dhe librat e Edward Said-it si student, arrija që njëkohësisht të mos pajtohesha me kritikat e tij të tepruara ndaj perëndimit, por edhe të kuptoja se përse dikush prej Palestinës si puna e tij mund të kishte këndvështrim moral krejtësisht të ndryshëm mbi temat botërore.
A mund të diskutoheshin çështjet si morali dhe vlerat si gjëra universale dhe jashtë perspektivave tona personale? Disa parime si ato që ishin gdhendur në Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut dukeshin moralisht të pakontestueshme si synime, por a mund të ishin ato udhëzuese në nivel praktik, duke i marrë parasysh konsideratat politike dhe shumëllojshmërinë e konteksteve në të cilat jetojnë njerëzit?
Këto lloj pyetjesh bëheshin veçanërisht të rëndësishme duke e pasur në sfond kontekstin e trazuar të Kosovës së pasluftës, ku një klasë e re e mesme po dilte në sipërfaqe dhe një elitë e re po fuqizohej. Pjesët e shoqërisë shqiptare të Kosovës, kryesisht rurale, të cilat kishin qenë të diskriminuara gjatë Jugosllavisë, lëvizën në masë drejt qyteteve dhe hapësirave publike, duke i korrur frytet e luftës çlirimtare së cilës i kishin prirë me guxim kundër një regjimi gjenocidal, si dhe duke e sjellë me vete jo vetëm një qëndrim të vendosur militant, por edhe mllefin shekullor ndaj pakicës së privilegjiuar serbe dhe sundimit kolonial.
Shqiptarët urbanë të “establishmentit” u panë –– dhe vazhdojnë të shihen –– si njëfarë klase e përhershme kuislinge (osmane ose jugosllave) edhe pse prindërit e mi luajtën rol aktiv në lëvizjen paqësore për pavarësi dhe vëllai i babait (shumë i dashtuni axhë, Gazmendi), luftoi për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
Skepticizmi im ndaj të menduarit ideologjik u rrit në mënyrë eksponenciale, teksa e pashë rrethin tim urban, përfshirë edhe majtistët e vetë-shpallur, duke e përjetuar këtë humbje të privilegjit me njëfarë indinjate morale hipokrite, që përfundonte me trajtimin e ‘fshatarëve barbarë’ si ‘tjetri’, deri në pikën e dehumanizimit të tyre. Sigurisht, diskursi publik merrej natyrën grabitqare të klasës së re në pushtet. Por, fshehur në thellësi të këtyre kritikave ndieva një zell të thellë ksenofobie dhe mungesë mirëkuptimi për perspektivën historike ose interesat e klasave të shtypura shoqërore që elita e re i përfaqësonte dhe nga të cilët ata votoheshin në pushtet. Një arrogancë e tillë miopike bënte që këta votues t’u ngjiteshin pas udhëheqësve të tyre politikë në mënyrë edhe më agresive.
U mësova të mos i besoj gjuhës moralizuese sepse nga përvoja e dija se ajo ishte shumë shpesh e njollosur nga motive të pasinqerta dhe çnjerëzore.
Shumë nga ne ‘urbanët’ nuk arrinim (ose nuk donim) të kuptonim se ajo që po ndodhte ishte ajo që ndodh rëndom në shoqëritë parademokratike që nuk i adresonin dhimbjet nga padrejtësitë dhe shtypjet historike: inatet e vazhdojnë ciklin e tyre dhe mobiliteti shoqëror bëhet i mundur vetëm duke kërcënuar me tytën e armës. Megjithatë, në vend që të merreshin me plagët e së kaluarës dhe ta kanalizonin këtë konflikt shoqëror përmes mjeteve demokratike, apo të përpiqeshin t’u flisnin bazës së votuesve të klasës së re politike, shumica zgjodhën t’i thellonin edhe më tutje këto dallime identitare.
Diku në mesin e viteve të ’00-ta, më kujtohet se më bëri përshtypje thënia e Erich Fromm-it se nuk ka “një dukuri që përmban aq shumë ndjenja shkatërruese sa ‘indinjata morale’, meqë i mundëson zilisë ose urrejtjes që të shpëfaqen me maskën e virtytit”. U mësova të mos i besoj gjuhës moralizuese sepse nga përvoja e dija se ajo ishte shumë shpesh e njollosur nga motive të pasinqerta dhe çnjerëzore –– që nxiteshin jo edhe aq shumë nga motive drejtësie dhe dashurie, por nga urrejtja dhe inati i racionalizuar.
Gjuha morale që përshkonte çdo ideologji ishte thjesht një instrument i impulseve njerëzore në kërkim të dinjitetit dhe fuqisë. Kjo ishte arsyeja pse Michael Foucault u bë i vetmi teoricien majtist, i cili më ngjante i arsyeshëm gjatë viteve të mia të vona studentore. Puna e tij zhbiroi dhe analizoi mënyrën se si funksionon dhe se si ndërtohet fuqia, duke e vënë theksin te gjërat që një shoqëri i pranon gjërësisht si ‘dije’ dhe ‘të vërteta’. Ishin elitat ato që kishin përparësi në formësimin e dijeve dhe të të vërtetave, prandaj kushdo që synonte të fitonte fuqi duhej ta kishte në shënjestër hegjemoninë e diskursit.
Në Kosovën e pasluftës, gjithçka po rimendohej nga fillimi. Përvoja e aparteidit, lufta dhe shkatërrimi i ekonomisë i kishin dhënë një goditje vendimtare koncepteve të ‘vëllazërim-bashkimit’ dhe modelit socialist të ekonomisë. Hegjemonia e re diskursive ishte ajo e çlirimit kombëtar, shtetndërtimit perëndimor, institucioneve liberale dhe e ekonomisë së tregut. Me përjashtim të elementit të çlirimit kombëtar, hegjemonia e re u imponua më shumë nga shembja e rendit të vjetër dhe nga forcat perëndimore dominuese, sesa nga dinamika burimore që erdhën prej vetë shoqërisë. Ky fakt e prodhoi edhe tensionin qendror politik të Kosovës së pasluftës.
Forca e vetme që kundërshtoi paradigmën e re hegjemonike ishte Lëvizja Vetëvendosje me diskursin e saj (fillimisht margjinal) antikolonial dhe nacionalist majtist, i cili gjithmonë më është dukur si anakronik dhe me rezultate reaksionare në kontekstin e Kosovës. Ajo jo vetëm që e zuri hapësirën edhe ashtu të kufizuar për një kritikë majtiste në Kosovën e pasluftës, por përmes diskursit të saj revolucionar dhe veprimeve të dhunshme, të cilat i delegjitimonin institucionet e zgjedhura, dukej se nuk kishte përkushtim të mjaftueshëm ndaj demokracisë (ashtu siç e kuptoja unë).
Aterim i butë liberal
Rezistenca ime ndaj ideve të mëdha ideologjike dhe morale dhe vlerësimi për ironinë, bëri që drita ime intelektuale udhërrëfyese e viteve ’00-ta të ishte George Orwell, njëri prej kritikëve më të njohur të së majtës (nga brendësia e së majtës). Përmes letërsisë dhe eseve të tij, Orwell e kishte shqyrtuar ideologjinë nga prizmi i potencialit njerëzor, por duke mos e neglizhuar edhe atë të brishtësisë. Kontributi i tij më i rëndësishëm për të majtën ishte paralajmërimi ndaj rreziqeve që buronin nga të menduarit iluziv.
Nëse pas Luftës së Ftohtë e majta do të shpëtonte nga impulset e saj më të këqija, që kishin prodhuar gjëra si Gulag-un sovjetik dhe mjerimin ekonomik i Shqipërisë, dhe vazhdonte të na prezantonte banditë mediokër si Çavez-i i Venezuelës si alternativa ndaj ‘rendit neoliberal’, ajo duhej ta gjente një gjuhë të re dhe të hiqte dorë nga vështrimet e vjetra skematike mbi botën. Në këtë gjuhë të re, ‘imperializmi amerikan’ nuk ishte më armiku i madh dhe konceptet si ‘borgjez’ nuk përdoreshin çdo të dytën fjalë për të nxitur luftën e klasave.
Pasardhësit bashkëkohorë të Orwell-it ishin njerëz si Christopher Hitchens. Ky i fundit u bë heroi im personal sepse ishte njëri nga radikalët e majtë që i kuptonte saktë luftërat në Ballkan. Ai nuk qëndroi i ulur në një karrige diku si Chomsky, duke fajësuar në mënyrë gjenerike imperializmin amerikan, por u morri mundin e shkoi në Sarajevë teksa ajo po granatohej pa mëshirë nga një ushtri gjenocidale. Shkrimet ballkanike të Hitch-it më çuan dikur te “Letra drejtuar të riut kundërshtues” –– një libër ky që ofronte udhëzime se si të mendosh, e jo çfarë të mendosh, duke i paralajmëruar në mënyrë të famshme lexuesit që “të kenë kujdes nga irracionalja, sado joshëse të jetë”.
Nëse aty nga mesi i viteve ’00 –– vitet e fundit të të ashtuquajturit “fund i historisë” –– ishe një i ri, i cili përpiqej të mendonte për të majtën, nuk ishte punë e vështirë që të zhgënjeheshe moralisht dhe të josheshe duke lexuar libra si për shembull “Pa logo” apo “Doktrina e shokut” nga Naomi Klein. Gjithsesi, mund të gjeje material të pafund për frustrim edhe teksa i përjetoje gabimet e shumta të procesit të shtetndërtimit perëndimor në Kosovë. Ndërtimi i tregjeve kapitaliste dhe institucioneve liberale u shoqërua me trazim të komuniteteve, për shkak se ato u zbatuan verbërisht dhe pa konsideratë për kontekstin, nga ‘ekspertë’ dhe ‘konsulentë’ perëndimorë. Ato po eksportoheshin me thuajse të njëjtin zell me të cilin dikur regjimet komuniste ua imponuan industrializimin socialist shoqërive fshatare dhe prodhonin rezultate të ngjashme dehumanizuese. Kosova e pasluftës ndihej disi jashtë lëkurës së saj, me një kornizë ligjore progresive, e cila i pasqyronte më pak vlerat dominuese në shoqëri dhe më shumë nocionet e të drejtave, të cilat shoqëritë perëndimore i kishin arritur pas shekujsh betejash sociale.
Por nuk mund të shpërfillej edhe fakti se globalizimi që kishte në bosht ekonominë e tregut, si dhe shpërndarja e normave perëndimore, po i largonin qindra miliona njerëz nga varfëria me një shpejtësi të paparë në histori, si dhe po e ndërtonin një klasë të mesme botërore. Kjo më dukej si një arritje, të cilën e majta duhej ta vlerësonte dhe të synonte ta pasuronte, duke synuar forcimin e institucioneve demokratike dhe mbrojtjen sociale, si një mënyrë për ta frenuar sjelljen grabitqare të elitave. Përgjigja ndaj të menduarit të ri magjik të tregjeve të pakufizuara sigurisht nuk mund të ishte antikapitalizmi i vjetër magjik, dembel dhe gjenerik – pra, iluzionet e vjetra revolucionare.
Kur gjatë studimeve, një profesor marksist na kishte prezantuar në klasë “Transformimin e Madh” të Karl Polanyi-t si dëshmi për të argumentuar se kultura mbizotëruese kapitaliste ishte një konstrukt i kohëve të fundit në Perëndim –– një konstrukt ky që mund të çmontohej, dhe jo diçka që përfaqëson një ‘fund të pashmangshëm të historisë’, unë si student u pata ndierë i lehtësuar nga ideja e përkohshmërisë së kapitalizmit. Por tani që kisha parë më shumë nga bota dhe isha paksa i plaçkitur nga ajo, nuk kuptoja se përse kapitalizmi duhej çmontuar nëse produktiviteti i tij mund të shndërrohej në mjet për arritjen e qëllimeve shoqërore. Shtetet perëndimore të mirëqenies, që ishin shembujt më të mirë të suksesit të së majtës, dëshmuan se kjo gjë ishte e mundshme.
Me kalimin e kohës, u bëra veçanërisht (dhe fuqishëm) mbështetës i demokracisë liberale si sistem politik. Mundësia që ajo u ofronte shoqërive për të korrigjuar veten dhe për të mësuar nga gabimet më dukej tërheqëse, marrë parasysh dyshimet që kisha për racionalitetin dhe motivet njerëzore. Këto dyshime u përforcuan kur zbulova psikologë si Daniel Kahneman, gjetjet e të cilit mbi “paragjykimet kognitive” –– të përmbledhura më së miri në librin “Të menduarit shpejt dhe ngadalë” –– u bënë të famshme kryesisht për shkak i zhvlerësuan idetë e ekonomistëve liberale për njeriun si “aktor racional ekonomik”. Por për mua, gjetjet e Kahneman kishin rëndësi edhe më të madhe: ato e skualifikonin njeriun nga çdo pretendim i aftësisë për t’iu përgjigjur pyetjeve të mëdha, veçanërisht atyre morale.
Gjithnjë e më shumë më dukej bindës nocioni i Isaiah Berlin për “pluralizmin e vlerave”, i cili hidhte poshtë relativizmin moral dhe absolutizmin moral, duke pranuar se kishte shumë vlera supreme konfliktuale. Ky ishte një ballkon i mirë prej të cilit mund të vështrohej çështja e rendit politik. Preferenca e Berlin-it për sistemet politike që lirinë e kuptojnë si negative (“liria nga”) dhe jo si pozitive (“liria për”) krijonte kushte për përparimin shoqëror dhe për eksperimentim, ndërkohë që paralelisht mbronte shoqëritë nga grabitqarët abuzues. Kuptimi pozitiv i lirisë si “liri për” ishte abuzuar shumë shpesh nga grupet që kërkonin të impononin në mënyrë arbitrare vullnetin e tyre të caktuar kolektiv.
Njerëzimi dukej tepër i cenueshëm ndaj grabitqarëve në mesin e tij, ndaj dhe gjëja më e rëndësishme ishte që të mbahej e hapur fusha politike për konkurrencën e ideve dhe të forcoheshin institucionet demokratike që e ruanin këtë hapësirë. Njerëzit nuk duhej të ndryshoheshin, por impulset e tyre më të këqija duhej të frenoheshin dhe ato më të mira duhej të nxiteshin. Nëse e majta, pjesë të së cilës akoma e konsideroja veten, do të dëshironte t’i arrinte synimet e saja, kjo ishte e mundur vetëm brenda kornizave të demokracisë liberale.
Prolog: qarkoret historike
Natyrisht, optimizmi i “fundit të historisë” doli të ishte i ekzagjeruar (ndonëse vetë autori, i cili e popullarizoi termin, Francis Fukuyama, u keqkuptua në masë të madhe). Gjatë dekadës së fundit, në perëndim shpërthyen ekseset e kapitalizmit, ndërkohë që paradokset e globalizimit (të paralajmëruara nga profesori i “Harvard”, Dani Rodrik) u materializuan. Rezultati ishte thellimi i pabarazive (brenda shteteve, por jo edhe në nivel botëror) dhe hyrja në këtë epokë të karakterizuar nga rritja e autoritarizmit, gara mes fuqive të mëdha dhe ndikimi shkatërrues ndaj klimës –– fenomene këto që kanë ndikim disproporcional në rajone periferike si Ballkani.
Në këtë kontekst, nëse e sheh veten si pjesë të së majtës, të bësh tifozllëk për institucionet liberale jopersonale –– pra për çështjet si sundimi i ligjit –– shpesh të duket sikur je bërë tifoz i arbitrit në një ndeshje futbolli. Thuajse në gjithë botën, skuadrat më të dobëta të grupeve të shtypura po shkelen sepse përballen me pengesa strukturore që ua bëjnë atyre të pamunudur për të garuar në lojë. Kur kriza globale financiare i nxori këto probleme në shesh, e majta u ringjall në kërkimin e strategjive për t’i baraspeshuar forcat.
Beteja të rëndësishme po fitohen sot në Perëndim, veçanërisht në dimensionin kultuor, për shembull nga gratë, të cilat po e sfidojnë hegjemoninë diskursive të patriarkatit. Por në përgjithësi, tendenca e së majtës –– si në Kosovë ashtu edhe në botë në përgjithësi –– duket se po shkon drejt përsëritjes së të njëjtave gabime historike.
Cila është dobia e të pasurit qëllime fisnike nëse konservatorët dhe reaksionarët e kuptojnë më mirë natyrën njerëzore dhe të mundin në lojën e realitetit?
Në vend që t’i dyfishojë përpjekjet për t’i zbutur pengesat strukturore brenda kornizave të papërsosura të demokracisë liberale, e majta e sotme vazhdon t’i humbasë të pakënaqurit me globalizimin ndaj të së djathtës ekstreme; të vëjë bast në revolucione që kurrë nuk arrijnë të realizohen ose, kur ndodhin, prodhojnë zhgënjime të shpejta dhe qeveri të paafta për të qeverisur. Mbase fenomenet më shqetësuese mbeten ushqimi i ndjenjës së vetëurrejtjes ndaj perëndimit, si dhe mungesa e përkushtimit të mjaftueshem ndaj demokracisë.
Kjo gjë po reflektohet më së shumti në qasjen nonshalante të së majtës ndaj kërcënimeve që vijnë prej fuqive autoritare si Kina dhe Rusia, apo në rastin më të keq, kur bëhet fjalë për të majtën anti-imperialiste, te vënia e ekuivalencës së plotë morale me këto regjime autoritare, madje edhe tifozëria për to. Ngado që kthen sytë, orkestra e majtë po luan variacione të muzikës së Jeremy Corbyn.
Shumë autorë më të kualifikuar se unë po mundohen t’i zbërthejnë shkaqet e dështimeve të përsëritura të së majtës, të cilave unë nuk po e marr guximin t’u hyj në këtë ese të kufizuar. Por një problem do ta veçoja nga të tjerët –– faktin se, përkundër faktit se e majta në përgjithësi shihet si meritore për sekularizimin, ajo kurrë nuk i braktisi mënyrat fetare të të menduarit, por u mbështoll rreth tyre.
Devotshmëria, vetëkënaqësia dhe zelli moral i të majtëve mbeten një burim i dobishëm frymëzimi për aktivizmin politik dhe për llojin e heroizmit që e çoi një njeri si Sadik Stavileci drejt martirizimit në kërkim të një bote më të mirë. Por mendimi iluziv, të cilin e majta e prodhon, e bën atë të mallkuar përgjithmonë në botën e politikës normale dhe të përditshme –– domethënë e bën atë të paaftë të funksionojë në nivelin se si njerëzit janë, sepse ajo operon në nivelin se si njerëzit duhet të jenë.
Cila është dobia e të pasurit qëllime fisnike nëse konservatorët dhe reaksionarët e kuptojnë më mirë natyrën njerëzore dhe të mundin në lojën e realitetit?
Pothuajse çdo ditë kur e dërgoj djalin tim në kopshtin e tij në Tiranë, një qytet ku sot i kaloj shumicën e ditëve, më bie të kaloj pranë monumentit, i cili e përkujton martirizimin e Sadikut dhe dy shokëve të tij komunistë, Vojo Kushi dhe Xhorxhi Martini. Monumenti ndodhet në vendin ku ata u vranë, pranë “Rrugës së Barrikadave”.
Rutina e përballjes së përditshme me Sadikun ma ka krijuar njëfarë laku historik me ato mëngjeset e fëmijërisë kur zbrisja shkallët e shtëpisë sime. Shpesh pyes veten se çfarë do të mendote një intelektual si Sadiku, i cili fliste gjashtë gjuhë, për rrjedhën e zhvillimeve në vitet pasi u vra për bindjet dhe aktivizmin e tij. Në nivel personal, gjithashtu e pyes veten se çfarë do të mendonte ai për këndvështrimin krejtësisht social liberal të nipit të tij të largët.
Teksa vështroj buzëqeshjen e madhe të Sadikut dhe e projektoj tek ai llojin e humorit dhe ironisë tipike gjakovare, më pëlqen të besoj në mitologjinë përallore se ai — ashtu si Orwell-i teksa shoqërohej me komunistët dogmatë në Luftën Civile Spanjolle — kishte nuhatur diçka domethënëse te Enver Hoxha që e bënte skeptik ndaj tij, përtej një mospëlqimi banal personal.
Më pëlqen gjithashtu të besoj se ekziston një fije e përbashkët –– nëse jo edhe një besnikëri e plotë ndaj ideve –– midis mënyrës se si ne i shohim betejat sociale dhe politike në kontekste krejtësisht të ndryshme. Siç është një thënie, “historia nuk përsëritet, por rimon”.
Nëse realiteti i kapitalizmit ma mundëson ndonjëherë që të shkruaj më shumë gjëra që kam dëshirë t’i shkruaj dhe më pak gjëra që duhet t’i shkruaj, ndoshta do të mund ta zhvilloja edhe më tutje këtë mitologji familjare në një libër bisedash imagjinare të titulluar: “Biseda me Sadikun”. Ky libër me siguri nuk do të ndryshonte asgjë në praktikë, përveç se do ta pasuronte bibliotekën e librave të vajtimit dhe librave ndihmës-psikologjik për të majtët.
Sidoqoftë, në hyrje të librit do të sigurohesha që ta shënoja si paralajmërim vëzhgimin njëkohësisht shpotitës, melankolik, por edhe shpresëdhënës të Orwell-it, se përparimi megjithatë nuk ishte një iluzion –– “Ai ndodh, por është i ngadalshëm dhe gjithmonë zhgënjyes”.
Imazhi i ballinës: Monumenti “Heronjtë e Popullit” i Sadik Stavilecit, Vojo Kushit dhe Xhorxhi Martinit në Tiranë.
Të gjitha pamjet origjinale janë nga arkivi i familjes Maliqi. Dizajni nga Majlinda Hoxha / K2.0.
Ky artikull mbështetet nga Rosa-Luxemburg-Stiftung Gesellschaftsanalyse und politische Bildung e.V. – Zyra në Bosnjë dhe Hercegovinë.
- Ky artikull fillimisht është shkruar në shqip.
Shtetet perëndimore të mirëqenies, që ishin shembujt më të mirë të suksesit të së majtës, treguan se çfarë ishte e mundshme.