“Edhe sa gra të vrara?” - Kosovo 2.0
Në thelb | Të Drejtat e Grave

“Edhe sa gra të vrara?”

Edhe sivjet, udhëve të Prishtinës kumboi thirrja buçitëse për drejtësi gjinore

Nga - 08.03.2022

Takimi i thirrur për mesditën e së shtunës ishte gati të fillonte. Njëri prej vullnetarëve që kishte mbërritur më herët, po ia hiqte pluhurin dyshemesë së madhe të hapësirës së Termokiss. Po e gatiste për ardhjen e të tjerëve. Teksa minutat kalonin e pluhuri bëhej bashkë me filtrat e cigareve, në hyrje vinin vullnetaret e vullnetarët, një nga një.

Shpejt filluan t’i montonin tavolinat e mëdha të punës dhe hapësira u mbizotërua prej së kuqes dhe së zezës. Copa e materialit e kuqe, ngjyra e shkrimit e zezë. Gjithkund vendosën letra, ngjyra dhe mjete të tjera pune. 

Nën tinguj të muzikës, që sa e shtonte ritmin e koordinuar të vullnetareve e vullnetarëve, nisi puna për t’i shkruar parullat për marshin e 8 marsit. Tash e sa vjet, 8 marsi shënohet me marshe, të cilat prej vitit në vit, kanë në qendër aspekte të ndryshme të përpjekjes për drejtësi gjinore. 

Aktiviste e aktivistë, në baza vullnetare, çdo vit mblidhen javë përpara marshit për t’u përgatitur e mobilizuar që thirrjet për drejtësi të dëgjohen gjithkund. Edhe këtë vit, puna për marshin që sivjet përqendrohet në vrasjet e grave –– femicidin, nën thirrjen “Marshojmë kundër vrasjes së grave”, filloi qysh prej fundit të janarit.

Përpara se ta vendosnin të zezën në të kuqe, parullat i shkruanin në një tabelë të madhe të bardhë, e cila ish vendosur në mes të Termokiss. Secili vullnetar dhe secila vullnetare zgjidhte parullën që donte ta ngjyroste në pankartën e vet dhe kështu shpërndaheshin punët te secila e secili.

Pankartat me mbishkrime si “Liri grave”, “Gruaja s’o rob i burrit” i vendosnin një nga një mbi altoparlantët në skenën e Termokiss për t’iu tharë ngjyra, që të jenë gati për t’u çuar lart në marshin e 8 marsit, rrugëve të Prishtinës.

Marshueset e marshuesit filluan të mblidhen herët në mëngjes. Marshi nisi në ora 10.00, që prej Hajvalisë, ku ndodhet Pallati i Drejtësisë, vazhdoi te ai që njihet si “Rrethi i Flamurit” e në ora 12.00 arriti në sheshin “Zahir Pajaziti” ku u bashkuan edhe të tjera e të tjerë.

Parullat tanimë i kishin mësuar përmendësh. Me sa kishin zë e të përbashkuar, nëpër rrugët e Prishtinës marshueset e marshuesit i thanë emrat e disa grave të vrara, që përcilleshin me thirrje buçitëse: “Drejtësi për gratë e vrara!”, “Poshtë patriarkati”, “Edhe sa thirrje të humbura?”.

 

Gra e burra marshuan e nuk festuan, duke kërkuar drejtësi në vend të luleve. Te ndërtesa e Qeverisë edhe një herë kumbuan thirrje që drejtësia gjinore të bëhet prioritet shtetëror. “Marshojmë s’festojmë” thirrnin njerëzit teksa shpërndaheshin, me shpresën që shpejt do të vijë një 8 mars, ku do të ketë arsye për festë e deri sa, siç tha Liridona Sijarina, një prej aktivisteve në marsh: “çdo vajzë e grua të jetë e lirë dhe e barabartë”.

 

Ky artikull është prodhuar me mbështetjen financiare të “Balkan Trust for Democracy”, projekt i Fondit Gjerman Marshall të Shteteve të Bashkuara dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme të Norvegjisë. Opinionet e shprehura në këtë artikull nuk paraqesin domosdoshmërisht ato të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Norvegjisë, Balkan Trust for Democracy, Fondit Gjerman Marshall të Shteteve të Bashkuara, apo partnerëve.

Pse kjo klauzolë?

 

Imazhi i ballinës: Ferdi Limani / K2.0