Blogbox | Rinia

Jeta mund të jetë më e mirë

Nga - 27.12.2024

Udhëtimi i parë jashtë Ballkanit më bëri të kuptoj sa e rëndësishme është liria për të eksploruar.

Është e pamundur të flas për udhëtimin e parë me avion para vitit 2024 pa e përmendur stresin dhe torturat që vinin me procesin e aplikimit për vizë. Dokumente e procedura pa mbarim, pritje të stërgjata, ankth të pritjes për përgjigje, shqetësim nëse i ke kompletuar dokumentet si duhet dhe nuk ke harruar diçka.

Sa herë kujtoj udhëtimin tim të parë me avion, kujtesa ime rikthehet në shkurtin e vitit 2020, një të premte kur kisha mbetur 30 orë pa gjumë. Isha ende në vitin e parë të studimeve në arkitekturë në Universitetin për Biznes dhe Teknologji (UBT) në Prishtinë. Pavarësisht se të nesërmen kisha termin në ambasadën e Suedisë në Prishtinë për dorëzimin e dokumenteve për vizë, u detyrova të rri natën pa gjumë, për të dorëzuar një detyrë në fakultet në orën 9:30 të mëngjesit.

Gati dy orë pas dorëzimit të detyrës, i shoqëruar nga babi im, i dorëzova dokumentet në ambasadë dhe u ktheva në vendlindjen time, në Rahovec, për ta bërë një sy gjumë pas një dite të stërmundimshme. Pa pritë e pa kujtu, në pjesën ma të mirë të gjumit, u zgjova me urgjencë nga familjarët që më treguan se ambasada kishte telefonuar për të më njoftu se duhet të shkonim edhe një herë në ambasadë pasi shenjat e gishtave të mi nuk ishin marrë në formën e duhur.

Pas dy javësh plot ankth e pyetje në kokë, erdhi përgjigja pozitive për vizë dhe pak ditë më vonë edhe udhëtimi, ku destinacion ishte Suedia, shtet në të cilin po interesohesha të vazhdoja studimet për arkitekturë duke synuar që t’i nisja komplet nga fillimi studimet themelore atje.

Përvoja e parë në avion ka qenë e shoqëruar edhe me habi e gjëra që nuk i kisha ditur më parë. Vajtja në aeroport ishte pjesa më interesante e udhëtimit. Gjithçka ishte e re. Fillimisht mendova se menjëherë pas kalimit të kontrollit të sigurisë, ku duhej të paraqisja biletën dhe dokumentet e udhëtimit, do të vazhdonim për në avion, pa e ditë se na prisnin edhe plot procedura të tjera. Ajo që ende mbaj mend se më ka habitur dhe mërzitur njëkohësisht është fakti se në mesin e produkteve të lëngshme nuk lejohej as kalimi në anën tjetër të aeroportit me deodorant në çantë. S’më erdhi mirë tek shihja agjentin e sigurisë që hidhte në plehra deodorantin që sapo kisha blerë. 

Kur u ulëm në avion, fillova të shihja përreth me kureshtje. Babi, i cili një vit ose dy para meje kishte udhëtuar për herë të parë jashtë rajonit të Ballkanit, më tregoi se duhet ta kërkonim numrin e ulëses tonë, por ngaqë nuk e kisha bërë kurrë një gjë të tillë nuk e dija se ku ishin të vendosur numrat e ulëseve. Kureshtja ime i ra në sy edhe babit, i cili kishte ulësen nga dritarja, por duke e ditur që ishte hera ime e parë në avion, më ofroi që t’i ndërronim vendet.

Një qetësi që përhapej kudo

Pas mbi dy orësh fluturim, mbërritëm në aeroportin e Växjö, një qytet i vogël në Suedinë qendrore, i vendosur në rajonin e Småland. Çka më la përshtypje ishte madhësia e këtij aeroporti në Suedi, që ishte dukshëm më i vogël krahasuar me Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, si në aspektin e madhësisë fizike, ashtu edhe të kapacitetit të pasagjerëve dhe fluturimeve.

Pastaj shkuam në qytet. Kur hidhja sytë kudo nëpër të, vëmendjen ma tërhiqnin rrugët e pastra, ku njerëzit nuk pinin duhan e që as se bëhej fjalë t’i hidhnin cigaret e shuara nëpër trotuare. Megjithatë, Växjö nuk ishte qyteti i vetëm që vizitova në Suedi, sepse për të parë universitetet e këtij vendi, vizitova vende të tjera përfshirë, Huskvarna dhe Nässjö

Nëpër universitetet që i vizitova, më lanë përshtypje ambientet e ngrohta e të rehatshme për studentë, studentët që gjendeshin të shpërndarë në çdo cep të fakulteteve, makineritë për kafe, pije e ushqim për studentët, kompjuterët, bibliotekat plot libra fizikë e të digjitalizuar.

Më së shumti përshtypje më la plani urbanistik i qytetit, i cili ishte i organizuar në mënyrë të përsosur e i menduar deri në hollësitë më të vogla. Për herë të parë pashë diçka që nuk e kisha përjetuar asnjëherë në Kosovë apo në vendet tjera të Ballkanit si Shqipëria apo Maqedonia e Veriut – ku kisha udhëtuar pa pasur nevojë për vizë: në Växjö nuk dalloheshin ndërtesa më të larta se ato pesëkatëshe.

Njerëzit shëtisnin të qetë edhe natën vonë sepse ndriçimi në rrugë nuk mungonte.

Gjithashtu, gjelbërimi mbizotëronte me pemë të larta, lisa dhe shkurre që zbukuronin rrugët. Lagjet ishin aq mirë të organizuara sa ishte e pamundur të mos vërehej privatësia që gëzonin banorët, ngaqë shtëpitë e tyre gjendeshin larg njëra-tjetrës dhe të rrethuara nga gardhe natyrale të mbushura me gjelbërim. Që në pamje të parë kjo gjë krijonte një ndjesi qetësie dhe rregulli, që përhapeshin kudo.

Njerëzit shëtisnin të qetë edhe natën vonë sepse ndriçimi në rrugë nuk mungonte. Ishte e vështirë të mos admiroje kalimtarët, sidomos të moshuarit, të cilët i shihja shpesh të angazhuar në aktivitete fizike. Ata dukeshin plot energj. Këto detaje të thjeshta të bindnin se jeta mund të jetë shumë më e mirë dhe e qetë nëse kombinohet një mendësi e duhur, një planifikim i kujdesshëm, vullnet për përmirësim dhe respektim të rregullave për ta mbajtur një shoqëri të qëndrueshme.

Megjithatë, më duhet ta pranoj se, megjithëse njerëzit ishin shumë të sjellshëm, e ndieja njëfarë ftohtësie. Pas disa ditësh, filloi të më mungonte ajo afërsia që kishim për njëri-tjetrin. 

Kuptova se shumë nga këto vende ofrojnë mundësi dhe mënyra jetese që përderisa ishim të mbyllur pas një periudhe të gjatë, neve ende na dukeshin të paprekshme.

Sot kur kthehem në kohë e ndiej se sa paradoksal e asburd ishte fakti që vetëm katër vite më parë udhëtimi jashtë Kosovës, pos që ishte një mundësi e kufizuar, ishte gjithashtu një përvojë që shpesh shikohej si një privilegj i jashtëzakonshëm. Para se të mund të udhëtoje lirisht, marrja e një vize ishte një proces që kërkonte përpjekje të mëdha, gjersa udhëtimi jashtë kufijve ishte një arritje që të bënte të ndiheshe më i privilegjuar, ndoshta më i suksesshëm, duke e krahasuar veten me ata që nuk kishin mundësi të lëviznin pa pengesa. Ishte një lloj ndjesie e superioritetit që vinte nga mundësia e lëvizjes që shumë njerëz ende nuk e kishin. 

Kjo ndjesi që për shumë vite ishte pjesë e një realiteti të pashpjegueshëm filloi të ndryshojë kur pata mundësinë të udhëtoja dhe të përjetoja nga afër botën që kisha dëgjuar vetëm në rrjete sociale, histori dhe përshkrime të njerëzve.

Përvoja ime në Suedi, për shembull, ishte një ndryshim i papritur dhe i thellë. Ajo që kisha dëgjuar për shumë vite si një “ideal”, tani ishte realiteti që e jetova dhe që më dha një këndvështrim tjetër për jetën. Kuptova se shumë nga këto vende ofrojnë mundësi dhe mënyra jetese që përderisa ishim të mbyllur pas një periudhe të gjatë, neve ende na dukeshin të paprekshme. Kjo përvojë më ka ndihmuar të vlerësoj ndryshe mundësitë që kam dhe të kuptoj më mirë se sa e rëndësishme është të kemi liri për të vepruar dhe për të eksploruar.

 

Imazhi i ballinës: Atdhe Mulla / K2.0

Dëshironi të mbështetni gazetarinë tonë? Anëtarësohuni në “HIVE” ose konsideroni një donacion. Mëso si këtu.

Ky blog u botua me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian në kuadër të projektit “Diversifikimi i zërave në gazetari”. Përmbajtja e artikullit është përgjegjësi vetëm e Kosovo 2.0 dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian.