Isha i hutuar dhe jashtëzakonisht parehat herën e parë kur dëgjova një joshqiptar duke përdorur termin “Šiptari”. Kam qenë fëmijë në fillim të viteve 2000, menjëherë pas luftës në Kosovë dhe u trondita kur dëgjova që ky term përdorej me qëllimin për të ofenduar, në një emision të formatit reality show serb. Ky përdorim dallonte shumë nga mënyra se si ekzistonte termi “shqiptar” në kontekstin tim kulturor. Termi është një emërtim që ne shqiptarët etnikë përdorim në gjuhën tonë për t’iu referuar vetes.
Ta dëgjoje këtë term tek përdorej në këtë mënyrë, më ekspozoi ndaj shumë më shumë sesa thjesht ndaj një termi përçmues. Mësova se ky term ekzistonte në një kontekst më të gjerë historik jugosllav, ku sentimenti anti-shqiptar ishte i zakonshëm, i ngulitur në stereotipe, racializime, orientalizma dhe forma të përvetësimit kulturor.
Si studiues i çështjeve që lidhen me identitetin shqiptar dhe ish-Jugosllavinë, kam gjetur se sentimenti anti-shqiptar ka qenë i pranishëm në mënyrë të e vazhdueshme, para dhe gjatë të gjitha epokave të Jugosllavisë, që nga periudha ndërmjet luftërave deri në Jugosllavinë e Josip Broz Titos dhe natyrisht, në vitet e ’90-a, kur e gjithë ekzistenca e popullatës shqiptare të Kosovës u kërcënua. Megjithatë, ky sentiment anti-shqiptar vazhdon të mbretërojë edhe sot, duke prekur komunitetet shqiptare, si në rajonin e Ballkanit, ashtu edhe në diasporë.
Një histori e çnjerëzimit
Çnjerëzimi i shqiptarëve/eve ekziston para shtetit jugosllav, siç dëshmohet pjesërisht nga veprat e Karl May, një autor gjerman që shkroi përralla të egra, rreth egërsirave të supozuara shqiptare në fund të shekullit XIX dhe në fillim të shekullit XX. Shumë zyrtarë në shtetin e hershëm serb u bënë jehonë pikëpamjeve të tilla, duke iu referuar shqiptarëve/eve si “fis i egër” me “instinkte të liga”.
Jovan Cvijić, një gjeograf dhe etnolog serb, deklaroi në fund të shekullit XIX se “ekziston një konsensus i përgjithshëm se shqiptarët janë fiset më barbare të Evropës”. Vladan Ðorđević, kryeministër i Serbisë nga viti 1897 deri në vitin 1900, pohoi se shqiptarët ishin “trogloditë modernë” të cilët ishin “gjaktarë, të paaftë, të ngjashëm me kafshët” dhe atij i dukeshin si “para-njerëzit që flinin në pemë”.
Këto narrativa për shqiptarët janë mbi 100 vjet të vjetra, por ato ende kanë ndikim tek unë, si shqiptar i Kosovës, i lindur dhe i rritur në Londër.
Këto narrativa për shqiptarët janë mbi 100 vjet të vjetra, por ato ende kanë ndikim tek unë, si shqiptar i Kosovës, i lindur dhe i rritur në Londër. Jo vetëm që më është dashur të përballem me përshkrimet negative ndaj shqiptarëve/et në mediet e Mbretërisë së Bashkuar, por edhe anëtarët/et e gjeneratës së dytë dhe të tretë të diasporës jugosllave, me ose pa vetëdije, kanë projektuar ndaj meje shprehje historike anti-shqiptare.
Një shembull i kësaj vjen në formën se si njerëzit e vënë në dyshim saktësinë e përvojës së familjes sime. Në një rast, po kritikoja Titon në internet për lejimin e Aleksandar Ranković, kreut të policisë sekrete jugosllave, që të vendoste një regjim shtypës kundër shqiptarëve, gjë që bëri që familja ime dhe shumë të tjerë të shpërnguleshin. Një ndjekëse nga një grup tjetër i diasporës jugosllave u përgjigj me “a je i sigurt që kjo ka ndodhur në të vërtetë?” Dukej sikur ajo më shumë preferonte t’ia ulte rëndësinë historisë së familjes sime, sesa të merrte në konsideratë atë që përjetuan shqiptarët/et etnikë/e dhe komunitetet e tjera josllave në Jugosllavinë socialiste.
Doja ta dija nëse të tjerët në diasporën shqiptare kishin përjetuar një përulje të ngjashme dhe pyetje të vazhdueshme, kështu që fola me Kosovare Durakun, një grua me prejardhje kosovaro-shqiptare, e cila aktualisht jeton dhe punon në Holandë. Ajo më tha se njerëzit nga ish-Jugosllavia shpesh “ngelen të ngrirë plotësisht ose zbehen në fytyrë” kur dëgjojnë emrin e saj. Ajo përmendi raste kur u ndje si “kontrolluese e fakteve”, duke mbrojtur realitetet traumatike historike që shpesh ende mohohen ose vihen në dyshim vazhdimisht. Më tha se një herë një person me origjinë serbe në Holandë e kishte pyetur nëse ishte e vërtetë që shqiptarët/et historikisht kishin rrëmbyer fëmijë serbë dhe me ta i kishin ushqyer kafshët e kopshtit zoologjik.
Përvoja të tilla ilustrojnë natyrën shumëdimensionale të sentimentit anti-shqiptar. Narrativat anti-shqiptare të Jugosllavisë kanë ekzistuar në forma ekstreme dhe rastësore ndër breza dhe në kontekste të ndryshme gjeografike. Ato kanë mbijetuar më gjatë se Jugosllavia. Në këtë kontekst, është thelbësore të nxitet një hapësirë kulturore ballkanike, si në rajon ashtu edhe në komunitetet e diasporës, në të cilën stereotipet historike thyhen në vend që të mirëmbahen.
Jugonostalgji… për kë?
Në Jugosllavinë e para Luftës së Dytë Botërore, shumë shqiptarë në Kosovë dhe pjesë të tjera të Jugosllavisë ishin nuk donin të ishin pjesë e një shteti që nuk ua mundësonte atyre vetëvendosjen. Në një memorandum të vitit 1930 drejtuar Lidhjes së Kombeve, të titulluar “Situata e pakicës shqiptare në Jugosllavi”, priftërinjtë katolikë Gjon Bisaku, Shtjefën Kurti dhe Luigj Gashi ofruan hollësi lidhur me regjimin shtypës kundër shqiptarëve etnikë, duke thënë se qëllimi politik i qeverisë së Beogradit ishte “të ndryshonte strukturën etnike të rajoneve të banuara me shqiptarë me çdo kusht”.
Jeta ishte shumë e vështirë për komunitetet jo-sllave në Jugosllavinë e hershme, e cila në atë kohë njihej si Mbretëria e serbëve, kroatëve dhe sllovenëve. Sociologu Gëzim Krasniqi thekson se për “shqiptarët, turqit, hungarezët… identiteti i tyre dallues u mohua praktikisht gjatë dekadave midis -luftërave nga serbët dominues, në një përpjekje për ta përcaktuar komunitetin politik në terma ekskluzivë dhe homogjenë”. Kjo shoqëri ndikoi në të gjitha aspektet e jetës shqiptare në Jugosllavi, duke çuar në mungesën e përfaqësimit politik dhe duke lënë jashtë ligjit arsimimin në gjuhën shqipe.
Shteti jugosllav i para Luftës së Dytë Botërore shpronësoi tokat përmes reformave dhe nxiti një skemë të kolonializmit të kolonëve, duke nxitur serbët nga zonat e tjera të Jugosllavisë të vendoseshin në pjesë të Kosovës për të ndryshuar me forcë demografinë etnike të Kosovës. Shumë shqiptarë etnikë u përballën gjithashtu me dëbim, si përpjekje e mëtejshme për ta përjashtuar komunitetin shqiptar.
Sentimenti anti-shqiptar përshkoi politikën, kulturën dhe ekonominë gjatë kësaj periudhe. Madje disa historianë jugosllavë kërkuan publikisht dëbimin masiv të shqiptarëve. Vaso Čubrilović, një figurë akademike dhe politike serbe e Bosnjës, prezantoi një memorandum të titulluar “Dëbimi i shqiptarëve” në mars të vitit 1937, duke i bërë thirrje shtetit që të bëjë që “arnauti [shqiptari] të vuajë sa më shumë që të mundet”. Čubrilović parashihte një kornizë për ta bërë jetën e shqiptarëve në Jugosllavi të padurueshme: inkurajimin e gjobave, arrestimeve, dënimeve joproporcionale për krime të vogla dhe madje duke bërë thirrje për shpyllëzim për t’i penguar shqiptarët ta mbanin veten.
Teksa Kosova fitoi një pozitë të ngritur politike — duke u bërë ajo që quhej Rajoni Autonom i Kosovës dhe Metohisë — dhe shqiptarët u njohën si pakicë kombëtare në sistemin socialist që erdhi pas Luftës së Dytë Botërore, stereotipet, diskriminimi dhe kufizimet strukturore vazhduan. Tog-fjalëshi i Partisë Komuniste të Jugosllavisë “Bratstvo i Jedinstvo” — Vllaznim Bashkim — përfaqëson një ideal objektivisht pozitiv. Por nëse të gjithë ishin të bashkuar nën Vllaznim Bashkim, pse atëherë Kosova ishte nën kontrollin e një etno-nacionalisti radikal si Ranković, forcat e policisë sekrete të të cilit terrorizuan shqiptarët?
Teksa Jugosllavia socialiste ishte e llojllojshme në përvoja, hapësira post-jugosllave në rajonin e Ballkanit dhe në komunitetet e tyre të diasporës shpesh dominohen nga jugonostalgjia e romantizuar për shtetin socialist të Titos, e cila e shpërfill ndërlikueshmërinë e përvojës shqiptare në Jugosllavi.
Sa isha në universitet, kritikat e mia ndaj sistemit jugosllav u përçmuan nga disa kolegë të klasës me prapavijë jugosllave, të cilët më thanë se qëndrimi im ishte në thelb i njëanshëm sepse jam shqiptar.
Sa isha në universitet, kritikat e mia ndaj sistemit jugosllav u përçmuan nga disa kolegë të klasës me prapavijë jugosllave, të cilët më thanë se qëndrimi im ishte në thelb i njëanshëm sepse jam shqiptar. Qoftë përmes rrjeteve sociale, debateve në ligjëratat universitare apo edhe gjatë punës sime si njëri nga themeluesit e Kolektivit Ballkanik të Londrës, qëndrimet dhe kërkimet e mia janë hedhur poshtë; më kanë thënë se sentimenti anti-shqiptar nuk ekzistonte në Jugosllavinë socialiste ose të paktën nuk ishte aq i keq sa pretendojnë shqiptarët, sepse shqiptarët mbanin pozita në politikë dhe kulturë.
Kur fola me babain për Jugosllavinë socialiste, më tregoi për marrëdhëniet pozitive që kishte me njerëzit përtej linjave etnike, marrëdhënie të ndërtuara pjesërisht sepse vinte nga një zonë urbane, kishte udhëtuar shumë, fliste shumë gjuhë dhe kishte nofkën “Dini/Dino”. E gjithë kjo ia mundësoi atij të dukej lehtësisht sikur i takonte ndonjë etnie tjetër jugosllave.
Pjesa e përvojave të babait tim që më la përshtypje veçanërisht ishte tronditja që të tjerët e shprehnin nganjëherë kur ai tregonte se ishte shqiptar. Atyre u vinte çudi sepse ai, një shqiptar mysliman nga Kosova, nuk përputhej me stereotipet e tyre të brendësuara të “Šiptari” i cili supozohej të ishte i papastër, i paedukuar, i paqytetëruar dhe islamist. Siç më tregoi Duraku, “Ata që duan Jugosllavinë… flasin nga pozita e privilegjit: jetët e tyre s’ishin të sfiduara derisa shpërthyen luftërat e vërteta në vitet e ’90-a”.
Orientalizmi dhe përvetësimi kulturor
Brenda Jugosllavisë, shqiptarët mbanin disa pozita të rëndësishme shoqërore dhe politike. Megjithatë, kjo nuk nënkuptonte se sentimenti anti-shqiptar nuk ekzistonte. Të dyja mund të jenë të vërteta në të njëjtën kohë. Për më shumë, marrëdhëniet e shtetit jugosllav me shqiptarët etnikë ishin në thelb të pabarabarta.
Vallet, ushqimet, muzika dhe estetika shqiptare u përdorën për ta shtyrë përpara idenë se Jugosllavia ishte një utopi e supozuar e llojllojshme. Vallet nga rajoni i Rugovës së Kosovës u bënë pjesë e Ansamblit Kombëtar të Valleve Jugosllave. Këngët tradicionale shqiptare si “Hajde Shoto Mashallah”, u kënduan në serbisht. Demonizimi i shqiptarëve nga Jugosllavia, normalizimi i bastardizimit të vetë termit të përdorur për t’i përcaktuar ata si grup etnik, duke përfituar nga aspektet e kulturës shqiptare që konsiderohen pozitive, është përvetësim kulturor.
Përdorimi i aspekteve të kulturës shqiptare, por refuzimi për t’u angazhuar me dëshirat politike të shqiptarëve në Jugosllavi, shpërfaq një shoqëri të çekuilibruar që përputhet me orientalizmin dhe përvetësimin kulturor. Praktikat kulturore shqiptare të konsideruara si “tjera”, por duke i parë pozitivisht, u lejuan të ekzistojnë, pasi kjo marrëveshje i përshtatej sistemit strukturor. Megjithatë, dëshira e shqiptarëve për vetëvendosje vazhdoi të shtypej.
Sentimenti anti-shqiptar sot
Sentimenti anti-shqiptar ende vazhdon të jetë i pranishëm në të gjithë ish-Jugosllavinë, ndonëse është i përqendruar në Serbi. Mediet serbe shpesh përdorin fjalën poshtëruese “Šiptari” për t’iu referuar shqiptarëve, pavarësisht një vendimi të gjykatës në vitin 2017, që e kategorizon termin si fyes dhe politikisht jokorrekt.
Vuk Jemerić, ish-presidenti i Asamblesë së Përgjithshme të OKB, shkroi në Twitter se shqiptarët kosovarë i kujtojnë atij orkët e ligë në “The Hobbit” të autorit J.R.R. Tolkien, duke iu referuar “betejës së shtatshkurtërve të guximshëm, të vendosur për ta rimarrë tokën e tyre të vjedhur nga Orku i lig”. Reagimi në Twitter i Jemerić përdor gjithashtu të njëjtën gjuhë shtazarore të përdorur kundër shqiptarëve etnikë për më shumë se një shekull, duke u bazuar në të njëjtën përrallë në të cilën u mbështet Ðorđević, kur i quajti shqiptarët “të ngjashëm me kafshët” ose kur pretendoi se shqiptarët ishin “European redskins” (termi “redskin” është term përçmues i përdorur për amerikanët indianë në Amerikën e Veriut) që “flenë në pemë me bishtin e tyre ngjitur” në fillim të shekullit XX.
Sentimenti anti-shqiptar në një kontekst bashkëkohor u rikthye gjatë një ndeshje futbolli të burrave, mes Austrisë dhe Maqedonisë së Veriut gjatë UEFA Euro 2020. Marko Arnautović, një lojtar austriak, babai i të cilit është nga Serbia, përdori “Šiptari” kundër dy lojtarëve etnikisht shqiptarë të Maqedonisë së Veriut, duke e dëshmuar se si ndjenjat dhe ofendimet anti-shqiptare mund të vazhdojnë brez pas brezi, edhe në komunitetet e diasporës.
Një rast tjetër ndodhi në fillim të vitit 2024, kur këngëtares boshnjake me prejardhje kosovaro-shqiptare, Selma Bajrami, iu ndalua hyrja në Serbi për shkak se kishte bërë simbolin e shqiponjës dykrenare me duar gjatë një performance. Aleksandar Vulin, ish-udhëheqës i inteligjencës serbe, tha se kjo ndodhi sepse “nuk mund të bësh simbole të Shqipërisë së madhe dhe të përfitosh para nga Serbia”. Së bashku, këto raste tregojnë shkallën e sentimentit anti-shqiptar, të përdorur dhe të përjetësuar nga të gjithë, nga ata në krye e deri në fund.
Sentimenti anti-shqiptar nuk kufizohet vetëm në paragjykimet kulturore. Ai përshkon sistematikisht vendet me komunitete të konsiderueshme shqiptare dhe vazhdojnë si trashëgimi e një shteti që poshtëroi një grup të tërë, bazuar në dallimet e perceptuara.
Sentimenti anti-shqiptar nuk kufizohet vetëm në paragjykimet kulturore. Ai përshkon sistematikisht vendet me komunitete të konsiderueshme shqiptare dhe vazhdon si trashëgimi e një shteti që poshtëroi një grup të tërë, bazuar në dallimet e perceptuara. Kjo dinamikë ka vazhduar, duke bërë jehonë nëpër shtetet, komunitetet dhe diasporat e krijuara pas shpërbërjes së Jugosllavisë. Kjo e bën të domosdoshëm kultivimin e mjediseve, si në Ballkan ashtu edhe në të gjithë komunitetet e diasporës, ku identitetet tona etnike festohen, mbështeten dhe u ofrohet liria për të lulëzuar. Një përpjekje e tillë fillon me përkushtimin për analizimin e vetvetes, duke sfiduar nocionet e fiksuara dhe paragjykimet e mbajtura për njerëzit e etnive të tjera.
Imazhi i ballinës: Atdhe Mulla / K2.0
Dëshironi të mbështetni gazetarinë tonë? Anëtarësohuni në “HIVE” ose konsideroni një donacion. Mëso si këtu.