Para pak ditësh, një sensacion i mediave sociale depërtoi në psikikën tonë shoqërore duke na i vënë në pah mendimet dhe paragjykimet e padukshme. Videot e TikTok-ut duke vallëzuar të Lulzim Pacit, një profesor i biologjisë në një shkollë të mesme, vërshuan rrjetet sociale pasi deputetja nga radhët e Vetëvendosjes Fjolla Ujkani bëri një postim në Facebook përmes së cilit u bëri thirrje zyrtarëve të arsimit në Vushtrri që të ndërmarrin masa ndaj atyre që ajo i quajti veprime të pahijshme dhe degjeneruese nga profesori.
Nuk i përcjell lajmet gjithë kohën, prandaj nuk isha menjëherë në dijeni për atë që po ndodhte. Përmes Instagram-it dhe Facebook-ut dëgjova se një profesor kishte publikuar video të pahijshme. Duke e ditur sa të shpeshta janë rastet e ngacmimeve seksuale nga profesorët e që nuk raportohen, mendova se edhe ky ishte një rast i ngjashëm, por që këtë herë kishte dalë në sipërfaqe.
Lajmi nisi të përhapej dhe tashmë ishte e qartë se profesori ishte në shënjestër të abuzimit online. Në një intervistë për KTV-në, teksa fliste për të gjitha komentet negative që i ka marrë, ai shpërtheu në lot. Mes këtij konfuzioni moral dhe emocional, gjatë intervistës, profesori tregoi se i kishte thënë vëllait të tij që –– siç la të kuptohej, në rast se turpërohej nga ai –– mund t’u thotë të tjerëve se Lulzim Pacin e ka veç të afërm e jo vëlla.
Nuk isha ende e sigurt se bash çfarë po ndodhte. E dija që njerëzit po i viheshin pas profesorit, por shumë shpejt, në rrjete sociale, fillova të shihja video të njerëzve që vallëzonin në shenjë solidarizimi me profesorin. Menjëherë pas kësaj, Fjolla Ujkani bëri një tjetër postim në Facebook, këtë herë duke kërkuar falje. Por në fakt ishte më shumë si një gjysmë kërkimfalje vetëmbrojtëse, gjë që krijoi edhe më shumë debat në mediat sociale.
Vendosa t’i shikoja videot “e turpshme dhe degjeneruese” të profesorit në TikTok. I shikova disa herë, pastaj i rilexova postimet e Ujkanit në Facebook dhe më pas i shikova prapë videot e Pacit. Videot ishin të këndshme, më pëlqyen. Hapat e tij të gëzueshëm të vallëzimit, qielli i gjallë i kaltër dhe retë e pikturuara në tavanin e dhomës së ndejës, hareja që Pacit qartazi ia jep muzika e gjallë tradicionale.
Isha shumë e hutuar. Mendova se e kisha parë videon e gabuar dhe se me siguri deputetja Ujkani po fliste për diçka tjetër. Nuk arrija t’ia gjeja fijen. Dhe pastaj fijen ia gjeta ashtu si ia gjej gjithçkaje: duke shkruar.
Përtej dikotomive
Të menduarit binar për të drejtën dhe të gabuarën dhe për atë që bën dhe atë që nuk bën, prodhon realitete të vrazhda, që janë të mprehta e të ftohta. Njerëzit zgjedhin një anë. Edhe nëse ndodhen në mes të një argumenti, në mendjet e tyre, ata prapë se prapë e lënë njërën atë të fitojë, sepse zgjedhja e një ane është më mirë sesa të mos pasurit asnjë anë. Në momentin që zgjidhet njëra anë, mekanizmat mbrojtës lidhen për një çështje kolektive dhe përmes avokimit për një kauzë të caktuar publike, ne i pasqyrojmë dhe mbrojmë çështjet tona personale.
Jetojmë në një shoqëri të traumatizuar. Megjithatë, simptomat e traumës në nivel të vetëdijes kolektive nuk shfaqen gjithmonë në formën se si sugjerojnë tekstet psikologjike, rastet e studimit apo edhe doracakët diagnostik. Këto simptoma, dalin në sipërfaqe në forma shumë të çuditshme dhe pothuajse të pavërejshme. Njëra prej këtyre formave është kur profesioni apo jeta merren tepër seriozisht dhe kur loja shihet si akt fëmijëror, për të cilin nuk ka vend në botën e të rriturve. ‘Të rriturit nuk luajnë’ është njëjtë si ‘burrat e rritur nuk qajnë. Disa të rritur gjejnë rehati në ngurtësi sepse është tepër e dhimbshme të jesh i hapur ndaj ndryshimit në një jetë që të zhgënjen.
Por loja është qenësore. Është një nga mekanizmat e paktë ku përfshihen imagjinata, trupi, mendimi, shqisat, kreativiteti, kurreshtja, njohuritë dhe kujtimet. I hapë udhë vetë-aktualizimit dhe rritë disponimin tonë. Dhe në fakt, puna serioze lind nga loja serioze.
Vallëzimi, përhapja e gëzimit, argëtimi dhe rrezatimi i dashurisë janë të drejta që u takojnë të gjithëve, pavarësisht prejardhjes së tyre demografike. Është parim themelor i jetës. Jo vetëm njerëzit, të gjitha speciet përfshihen në akte loje. Si rezultat, nuk shoh se si ndonjë profesion mund ta pengojë aktin e shprehjes së gëzimit. Nëse e lejojmë këtë, jemi duke e marrë jetën shumë seriozisht dhe jemi duke iu nënshtruar roleve të asaj se çka na lejon apo nuk na lejon një profesion.
Për më tepër, po i sublimojmë dhe projektojmë traumat tona, frikën, dëshirat e paplotësuara, versionet ideale për veten dhe po e mbyllim veten ndaj mundësisë së shprehjes njerëzore. Po e përdorim rehatinë e një profesioni për t’u izoluar nga rikujtimi se nuk mund të jemi ata që duam të jemi. Prandaj besoj se ne shpesh i kurojmë në mënyrë të obsesionuar llogaritë tona të mediave sociale dhe madje edhe jetën tonë ashtu që ta pasqyrojmë profesionin tonë, pasiqë nuk mund ta pasqyrojmë se kush jemi në të vërtetë, jashtë atij profesioni.
Nëse ndonjëherë shfaqet dikush që guxon të jetë i lirë, veçanërisht nëse shfaqet aty ku përfshihen dinamikat e pushtetit (një koktej mekanizmash mbrojtës dhe kompleksesh inferioriteti), gëzimi dhe liria e atij personi mund të shërbejnë si kujtim i dhimbshëm, pothuajse i padurueshëm, i dëshirave të sublimuara të të tjerëve që dëshirojnë të çlirohen, por nuk munden. Tallja e këtij personi që zgjedh të sillet ndryshe, bëhet e vetmja rrugëdalje për personalitetin e vetështypur. Për mua, Paci është njeri i sinqertë dhe i vetë-aktualizuar, i cili ra pre e një mendësie shtypëse dhe të pa shëndetshme.
Kështu që, është shumë e lehtë të bëhemi bashkë për ta mbrojtur dikë, vetëm që ta kuptojmë më vonë se po e përdorim të njëjtën gjuhë kundër së cilës po luftojmë. Mos t’i neutralizojmë tallësit. Mos ta urrejmë Fjolla Ujkanin. Le të na shërbejë ky rast si pasqyrim i trishtë, por i saktë i mekanizmave tanë kolektivë të ballafaqimit.
Le të na ndihmojë ky rast të mësojmë se si mund të shërohemi së bashku. Përmes urrejtjes dhe drejtimit të gishtit, po ngremë vetëm mburojat mbrojtëse të personit tjetër. Dëshirojmë që njerëzit të mësojnë prej gabimeve dhe të rriten prej tyre, jo të gjejnë mënyra për ta mbrojtur veten e tyre edhe më shumë.
Vetë jam pjesë e akademisë dhe këtë nuk e shoh kurrë si kufizim për atë që bëj. Përkundrazi, akademinë e shoh si vend që avokon për hapjen e botëve dhe mendjeve dhe vend që i ndihmon të tjerët të vetëaktualizohen. Është vend ku dija prodhohet dhe ndërtohet me qëllimin që ajo dije të qarkullojë. Mësimi më i madh që mund ta japim është t’i frymëzojmë të tjerët që ta kërkojnë atë që janë dhe ta ndjekin atë që mund të jenë.
Mos t’i lejojmë profesionet të na e diktojnë personalitetin. Mos ta përdorim një rol apo një profesion si justifikim për të mos i ndjekur ëndrrat që aq shumë frikësohemi t’i mendojmë. Por më e rëndësishmja, mos të frikësohemi nga njerëzit që guxojnë të jenë vetvetja: le të frymëzohemi dhe t’i shohim ata si njerëzit që i hapën dyert që ne ta bëjmë të njëjtën gjë.
Le të luajmë.
Le të vallëzojmë.
Imazhi i ballinës: Arrita Katona / K2.0