Biseda | Ndërmarrësi

Linda Shala: Tregu në Kosovë është i ngulfatur, por tregjet e jashtme ofrojnë mundësi për të rinjtë

Nga - 30.12.2017

Pas gati 30 vjet në botën e biznesit, Linda Shala flet për mundësitë dhe sfidat e reja në treg, si dhe për pasionin e saj për gazetari.

Kur punonte si gazetare e Radio Televizionit të Prishtinës (RTP), redaktorët e Linda Shalës shpeshherë e dënuan duke mos ia dhënë rrogën e plotë.

Në vitet e ‘80-ta, Shala doli para kamerës në Mitrovicë me gasmaskë për të dhënë mesazh për nivelin e lartë të ndotjes në këtë qytet. Në një rast tjetër, ajo iu drejtua policëve me pyetjen “Sa është ora?”, duke iu referuar orës policore që ishte imponuar nga viti 1989 deri në fillim të vitit 1990. Në atë kohë, paraqitjet e saj në ekran u konsideruan si ‘provokative’ për sistemin e atëhershëm.

Në fund të viteve të ‘80-ta, Shala dhe pjesa dërmuese e kolegëve të saj shqiptarë të Kosovës u shkarkuan nga pozitat e tyre në botën e televizionit. Ëndrra e saj për t’u bërë gazetare u shua, por përpjekjet për ta mbështetur veten dhe familjen i shtruan rrugën për angazhim në ndërmarrësi.

Sot ajo është veterane e biznesit. Ajo po i afrohet dekadës së katërt në këtë profesion.

“Ishte thjesht instinkti i ekzistencës ai që na drejtoi ta hapim një dyqan të vogël të kozmetikës dhe gradualisht ta ndërtojmë biznesin gjatë viteve, dhe si rrjedhojë e kësaj, sot, pas 30 viteve, të jem menaxhere e një kompanisë tregtare dhe të bëhem veterane e biznesit”, thotë Shala.

Në karrierën e gjatë të saj si tregtare ajo ishte bashkëpronare e një dyqani të kozmetikës me vëllaun e saj, bashkëpronare e një butiku me një mik, pronare e një lulishteje dhe organizatore e edicioneve të para të Miss Kosova dhe ceremonisë së çmimeve muzikore Video Fest. Që nga gjysma e parë e viteve 2000, ajo e ka menaxhuar ndërmarrjen Data Project Electronics, lider në tregun e elektronikës dhe pajisjeve shtëpiake. Ajo ka krijuar gjithashtu markën e tregtisë me pakicë, Technomarket, e cila mbulon tërë tregun e Kosovës.

Shala e sheh si kontribut për procesin e shtetndërtimit të Kosovës përfshirjen e saj si producente ekzekutive në Radio Televizionin e Kosovës (RTK), në kohën kur transmetuesi publik ishte në themelim e sipër pas luftës së vitit 1999, si dhe pozitat e saj si anëtare e bordit të ekipit të basketbollit Trepça dhe e Federatës së Basketbollit.

Ajo e kalon pjesën më të madhe të ditës në zyrën e kompanisë së saj “Technomarket” në Zonën Industriale në Fushë Kosovë, e rrethuar me mirënjohje për kontributet e saj si lidere në biznes dhe bamirësi, me piktura të cilat i ka blerë prej artistëve të rinj, fotografi të më të dashurve të saj, si dhe nga takimet me figura të famshme, duke përfshirë Hillary Clinton dhe Ismail Kadarenë.

K2.0 u takua me Shalën në zyrën e saj për të diskutuar mundësitë në media dhe biznes, si dhe për kontributin e saj për shoqërinë.

Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.

K2.0: Sot jeni grua e sukseshme në biznes. Kur ktheheni shume vite mbrapa, cila ka qenë ëndrra juaj?

Linda Shala: Unë si e re jam marrë me gazetari. Si fëmijë kam filluar të bashkëpunoj me programin e fëmijëve në Radio Kosovë dhe të lidhem me mediumin. Mandej kam vazhduar të shkruaj, dhe në moshën 18-vjeçare kam filluar të punoj në televizionin e atëhershëm të Prishtinës (RTP), në programin për fëmijë.

Aty është krijuar lidhja ime me gazetarinë dhe definitivisht kam menduar se ai do të jetë profesioni i im në të ardhmen. Në atë kohë kur nuk ka pasur Fakultet të Gazetarisë në Prishtinë, njëherë kam menduar të studioj gazetarinë diku jashtë. Por vendosa të studioj në Prishtinë dhe kam studiuar ekonominë, gjithmonë duke menduar që në të ardhmen do të vazhdoj me gazetarinë, të jem gazetare për ekonominë.

Ndoshta për faktin se jam rritur në një familje, ku babain e kam pasur ekonomist të njohur në Kosovë dhe e kam kuptuar se sa është e rëndësishme ekonomia për një vend, për shoqërinë, për emancipim, për gjithçka. Kështu ka qenë ideja ime, e cila ka ndryshuar me faktin që në vitet e ‘90-t e kam humbë punën nën regjimin e Millosheviqit, kur Televizioni i Prishtinës është mbyllur. Dhe deshëm apo nuk deshëm, kushtet dhe rrethanat më kanë çuar në ujëra krejt të tjera.

Më kanë çuar në ndërmarrësi, e cila ka qenë një iniciativë normale e imja dhe e vëllait tim për ta siguruar ekzistencën tonë, sepse në atë kohë na e kanë arrestuar babain, derisa nëna ka mbetur pa punë. Unë vet kam mbetur pa punë. Thjesht ka qenë një instinkt i ekzistencës, i cili ne na ka orientuar në punët të cilat …  hajt të themi në ndërmarrësi për të filluar me një dyqan të vogël të kozmetikës dhe gradualisht duke e ndërtuar biznesin për vite të tëra, ashtu që sot pas 30 e sa viteve të punës të menaxhoj një kompani tregtare edhe të gjindem në ambientin e biznesit. Të jem sot një veterane e të bërit biznes në Kosovë.

Në një artikull për ju është shkruar që temat të cilat i keni trajtuar në RTP kanë qenë tabu për atë kohë. Për çfarë temash është fjala?

Po unë kam filluar të punoj në programin dokumentaro-aktual dhe në kuadër të atij programi e kemi startuar një emision për të rinj, emisionin “Ritme Rinore”. Emisioni ka qenë shumë avangard për atë kohë. Aty janë trajtuar tema pak më ndryshe, me një qasje pak më ndryshe e cila e ka bërë këtë emision të dallohet prej koncepteve ideologjike të cilat kanë qenë në atë kohë.

Edhe pse ka pasur një lloj cenzure, kontrolli dhe fokusi ka qenë kryesisht në programin informativ, lajmet, programin politik, e këto programet e të rinjve [janë konsideruar] “të rinj ma, nuk dinë, nuk marrin vesh”. Por ne e patëm shfrytëzuar atë hapësirë medialë goxha, që të merremi me disa tema tabu të shoqërisë.

"Një dënim tjetër, normal sipas redakatorëve, [ka qenë] kur e kemi bërë një storie për orën policore në Kosovë. Storien e kemi filluar me një anketë që ia kemi bërë një polici në rrugë dhe e kemi pyetur “Sa është ora?”. U vlerësua se ne kemi dashur të ilustrojmë orën policore".

Linda Shala

Unë me Lekë Zherkën [gazetar dhe ish-drejtor i Kohavisionit] kemi qenë autorë të emisionit dhe më besoni që për vite të tëra sa kam punuar në televizion dhe e kam bërë atë emision, kurrë nuk kam e kam marrë rrogën tamam sepse gjithmonë na dënonin. Atëherë kanë qenë dënimet në paga, varësisht se si redaktorët e vlerësonin gabimin që e kemi bërë. E ato gabime kanë qenë shumë të çuditshme për kohën e sotme, duke filluar nganjë dënim të cilin e kam marrë pse e kam bërë një storie për Mitrovicën. E pata filluar storien me gasmaskë në kokë. Unë e kam vënë gasmaskën për faktin se Mitrovica ka qenë qyteti më i ndotur në Europë dhe unë kam dashur të tregoj që kemi problem. Por ata krejt i shikonin me konotacione të tjera.

Një dënim tjetër që e kam marrë ka qenë sepse jam ulur këmbëkryq në shkallë të komitetit. Komiteti i Partisë atëherë ka qenë institucioni më i lartë shtetëror dhe ata e kanë vleresuar me njëfarë forme se disi e kam cënuar atë objekt dhe qasja ime nuk ka qenë serioze. Do të thotë, ne atëherë me atë storie paralajmëronim klimën e re të plularizlimit politik në ish-Jugosllavi. Ose një dënim tjetër, normal sipas redakatorëve, [ka qenë] kur e kemi bërë një storie për orën policore në Kosovë. Storien e kemi filluar me një anketë që ia kemi bërë një polici në rrugë dhe e kemi pyetur “Sa është ora?”. U vlerësua se ne kemi dashur të ilustrojmë orën policore.

Ka qenë një emison që është shikuar shumë, është komentuar shumë. Kemi provuar si të rinj që në televizion të bëjmë disa inovacione që kemi mundur t’i shohim në botë sepse në atë kohë kur ke punuar në televizion ke pasë një përparësi, sepse ka qenë ajo dhoma e këmbimeve të materialeve dhe ne kemi pasur mundësinë të përcjellim se çka po transmeton BBC-ja, programet si ZDF-i i Gjermanisë dhe jemi munduar të sjellim atë frymë europiane. Edhe prej pikave muzikore që kemi përzgjedhur ose prej mënyrës se si e kemi prezentuar emisionim, prej grafikave edhe prej ilustrimeve, prej qasjes. Normal ka qenë një fazë interesante. Unë mendoj se aty goxha e kam perfeksionuar punën e një gazetareje televizive, dhe pastaj ndodhën vitet e ‘90-a.

Megjithatë, përsëri i jeni kthyer televizionit, menjëherë pas luftës, duke u angazhuar në RTK?

Pas luftës unë kam pasur ftesë të kthehem në televizonin e Kosovës edhe t’i bashkangjitem ekipit të ri, ku një grupi të caktuar të ish punëtorëve të RTP-së i është bërë thirje t’i bashkangjiten punëtorëve të rinj të Televizonit të Kosovës dhe të fillojmë ndërtimin e Televizionit të ri (RTK). Unë kam vendosur të shkoj sepse e kam ndier njëfarë obligimi moral që, pavarësisht se në atë kohë i kisha punët dhe bizneset e mia, të jap kontributin tim në ndërtimin e shtetit. Kam punuar në televizon, kam filluar si reportere në fillim, nën menaxhimin e ndërkombëtarëve dhe gradualisht duke e pasur përvojën time pas vetes më zgjedhin si producente ekzekutive e programit të RTK-së. Është një fazë e jashtëzakonshme e jetës sime sepse jam angazhuar shumë në ndërtimin e një televizoni.

Projekti i Televizioni të Kosovës në fillim të viteve 2000 ka qenë një projekt emergjent i bashkësisë ndërkombëtare për të informuar për popullatën në kohën e pasluftës në Kosovë. Mendoj se edhe sot Kosovës i duhet një televizion publik, edhe pse ka dyshime, dilema, edhe debate rreth kësaj. Dhe ka qenë një përvojë e jashtëzakonshme.

Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.

Keni qenë një prej personave kyçë në ndërtimin e RTK-së. Si e shihni RTK-në sot?

Nuk jam e kënaqur sot me Radio Televizionin e Kosovës. Më beso që në shumicën e rasteve shmangem ta përcjell, sepse shqetësohem kur e shoh nivelin e joprofesionalizmit në shumë aspekte: si në aspektin teknik, gazetaresk, redaktorial e vizuel, sepse nuk mund të jem indifirente.

Qytetari i Kosovës e ka merituar një televizion të mirëfilltë publik, një televizion profesional, i cili promovon vlerat e mitëfillta, i cili ka një politikë redaktoriale të paanshme, i cili në rend të parë e ka prioritet të vërtetën, dhe mirëqenien e qytetarëve dhe jo interesat e grupeve të caktuara, ose të grupeve të ndryshme politike.

Televizioni publik e ka humbur një rast të jashtëzakonshëm të jetë lider në media, sepse gjithmonë ekziston nevoja të ekzistojë një medium profesional, i cili jep udhëzime edhe për televizonet e tjera. Jam shumë e interesuar për një treg plural edhe të mediave, por nuk mund të presim ndonjë kualitet të jashtëzakonshëm prej mediave të tjera kur ne e kemi televizonin publik në nivel shumë të ulët. Sepse në rend të parë ai ka mision të informojë, të edukojë, të ketë programe arsimore, edukative, shkollore.

Nuk pajtohem me ata që pohojnë se nuk ka nevojë për televizion publik, [për shembull] britanikët me BBC-në, edhe pse janë përpara me demokratizim, me zhvillim ekonomik e të gjitha të tjera. Misioni i televizonit publik dhe misioni i televizioneve të tjera komerciale duhet të ndryshojë. Po shpresoj se do të pres që ky televizon për të cilin kam shumë emocione pozitive do të ndryshojë dhe do të jetë me të vërtetë në shërbim të qytetarit.

Kemi pasur rastin ta bëjmë televizonin më të mirin në regjion. E kemi humbur atë rast për shkak të joprofesionalizmit, për shkak të zgjidhjeve të momentit, për shkak të interesave partiake, për shkak të interesave të ngushta meskine dhe disi e kemi humbur hapësirën e një mediumi, i cili do të kishte qenë në shfrytëzim të secilit prej nesh pavarësisht orientimeve tona politike, statusit ekonomik, dhe ai televizion ishte dashur të na bashkojë të gjithëve dhe kjo nuk është duke ndodhur. Dhe kjo është për të ardhur keq.

Përmendet censurën në vitet e ‘80-a, e cila në atë kohë ka qenë në kontekstin e ish-Jugosllavisë. A shihni censurë sot në media?

Unë mendoj se nëse atëherë ka qenë censurë e diktuar, edhe pse kam punuar kur ka qenë një ambient pak më liberal në ish-Jugosllavi, kësaj sot nuk do t’i kisha thënë as censurë. Më duket se po i bëj komplimente mediumit [nëse e kritkojmë për censurë]. Unë mendoj se tani kemi të bëjmë me injorancë. Një injorancë e bazuar në joprofesionalizëm, padituri dhe servilizëm. Censura po më duket diçka shumë madhore për nivelin e disa mediumeve në Kosovë. Më shumë është injorancë.

Në biografi ju shkruan se jeni promovuese e barazisë gjinore. Si angazhoheni për këtë?

Gjithmonë e kam ndier të rëndësishëm trajtimin e barabartë të dy gjinive. Unë kam pasur fatin që në familjen time unë jam rritur me një vëlla dhe jemi trajtuar njësoj nga prindërit. Por kam vërejtur në rrethin tim, në shoqërinë time, në familjen time, kam vërejtur që ka dallime në trajtim.

Kur e vëren qysh herët bëhesh e ndjeshme ndaj asaj dukurie dhe pastaj … punon në aspektin e promovimit të barazisë gjinore dhe eliminimit të këtyre ndasive në trajtimin e vajzave dhe djemve të ndryshëm dhe në krijimin e kushteve për mundësi të barabarta.

Do të thotë, unë e kam shfrytëzuar këtë mundësi nëpërmjet aktivitetit tim jashtë biznesit, e që prezenca ime aktive në media, prezenca ime në aktivitete të shumta, por edhe në shoqërinë time, por edhe me vet modelin tim të një gruaje e cila e ka punën, biznesin e vet, familjen, ka fëmijët, ka obligime, që në njëfarë mënyre të jem si një model i cili mund të shërbejë që edhe mund të jesh grua e suksesshme, e angazhuar në biznes, por në të njëjën kohë je edhe një nënë, edhe një bashkëshorte, edhe një vajzë, edhe një grua e komunitetit. Gjithmonë insistoj në krijimin e mundësive për zgjedhje, për gratë dhe vajzat dhe sidomos duke u bazuar në fuqizimin ekonomik.

"Jam promotore e fuqizimit ekonomik të gruas sepse nëse fuqizohet gruaja, atëherë edhe problemi i dhunës në familje, edhe problemi i diskrimimineve të ndryshme që paraqiten në shoqërinë tonë është shumë më lehtë i tejkalueshëm".

Linda Shala

Si për shoqërinë, si për vajzat, si për djemtë, unë besoj shumë në fuqizimin ekonomik, në këtë rast të grave, të cilat janë në një situatë më të pavolitshme në shoqërinë tonë. Është fuqizimi ekonomik ai i cili do të eliminonte edhe këto probleme që paraqiten për shkak të diskriminimit në punësim, për shkak të diskriminimit në familje, për shkak të diskriminimit në qasje. Unë gjithmonë them se nuk ka babë, vëlla, ose bashkëshort më tradicional, i cili nuk do t’i kishte tejkaluar ato perceptime tradicionale nëse një motër, vajzë, grua, ka mundësi të gjejë punë dhe të marrë rrogën 1,000 euro.

Për 150 euro sot, sa është një rrogë minimale, të gjithë bëhen tradicionalë. Do të thotë jam promotore e fuqizimit ekonomik të gruas sepse nëse fuqizohet gruaja, atëherë edhe problemi i dhunës në familje, edhe problemi i diskrimimineve të ndryshme që paraqiten në shoqërinë tonë është shumë më lehtë i tejkalueshëm.

Si grua me karrierë të gjatë në ndërmarrësi a ka pasur raste të jesh përballur me tendenca patrinozuese prej partnerëve burra?

Ka pasur raste, sidomos në fillimet e mia. Por kam pasur një qasje pak më ndryshe. Nuk i kam luftuar direkt. E kam gjetur njëfarë forme indirekte t’i balancoj, t’i bind se ato perceptime dhe qasje të gabueshme. Edhe nuk kam hezituar të punoj edhe më shumë, të jap edhe më shumë prej vetes që t’i demantoj në qasjet e tyre duke paragjykuar sepse jam grua.

Gjithçka ka qenë më e lehtë kur kam arritur sukseset e mia, e sidomos gjithçka ka qenë më e lehtë kur jam fuqizuar materialisht. Atëherë edhe këto patronizime të ndryshme kanë qenë gjithnjë më të pakta sepse, siç duket, ata patronizojnë edhe diskriminojnë aty ku munden.

Kur je në biznes, prej momentit kur je në një sallë me krejt burra dhe ti je vetmja grua, normal që trajtimin e ke të veçantë. Prej momentit kur ulesh, mënyrës se di do të të drejtohen…

Për shembull, në një takim të distributërve më të njohur të një kompanie që unë e përfaqësoj në Kosovë ka qenë një ngjarje ku janë ftuar kompanitë më të suksesshme të Europës. Jam ftuar edhe unë. Kosova është e vogël dhe unë jam distributore shumë e vogël e asaj kompanie. Jam ftuar vetëm pse jam grua, dhe për ata është shumë interesant që në këtë regjion ekzison një grua që menaxhon një kompani dhe e cila është distributore. Unë kam qenë pjesë e asaj ngjarjeje vetëm pse kam qenë grua.

Mendoj se edhe trajtimi që kanë pasur bankat me mua [e dëshmon këtë], sepse statistikat tregojnë që gratë ndërmarrin më pak rreziqe financiare. Mendoj që edhe ajo ka ndikuar. E kam pasur goxha një mbeshtetje të mirë në biznesit tem nga banka. Kështu që të qënit grua ka pasur edhe përparësi në të bërit biznes.

Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.

Si e shihni faktin që në Kosovë ka pak gra që janë në pozita ndërmarrëse?

Në Kosovë ka pak pozita vendimmarrëse. Ka pak vende. Dhe kur ka pak vende, lufta për ato vende është shumë e madhe. E në atë luftë për ato vende burrat janë më të fuqishëm sepse ata në moment të caktuar luftojnë edhe me bërrylla. Këtu është problemi, sepse mundësitë janë të limituara dhe mundësitë nuk janë të barabarta edhe për gra dhe për burra. Kur janë mundësitë e limituara lufta bëhet më e ashpër e në ashpërsi gratë tërhiqen. Këtu është problemi.

Si ka ndërruar klima e të bërit biznes përgjatë viteve? Cilat janë përparësitë dhe pengesat sot në krahasim me kohën kur ju jeni përfshirë në ndërmarrësi?

Mendoj që kam pasur fatin të nis një biznes në një periudhë tranzitore prej sistemit socialist në ekonomi liberale. Por, vështirësitë e mëdha të kohës kanë qenë për faktin që situata politike ka qenë jashtëzakonisht e rëndë. Kemi jetuar në një okupim goxha agresiv dhe mandej e kemi përjetuar edhe luftën.

Por sot është një problem që mundësitë ekonomike në Kosovë janë shumë të limituara, është problemi i globalizimit, edhe i hapjes së tregut dhe i ndryshimit të të bërit biznes në mënyrë galopante. Sot kemi… faza ekonomike e Kosovës dhe koncentrimi i shumicës së kompanive në treg është shumë i limituar. Je në konkurencë me tregun e Kosovës, je në konkurencë me tregun e regjionit, je në konkurencë me tregun global dhe kjo e bën goxha të vështirë. Por ajo që mendoj që është përparësi sot është se derisa unë kam qenë e limituar të bëj biznesin vetëm në Kosovë, të rinjtë e kanë tregun global para vetes.

Sot interneti i bën qytetarë të botës edhe pa viza miliarda shfytëzues të internetit në botë. Ideja është që potenciali dhe mundësia e të rinjve në Kosovë duhet të fokusohet në tregun e jashtëm, sepse mendoj se tregu në Kosovë është i ngulfatur edhe mundësitë janë të limituara, shumë të limituara.

Por për të depërtuar në tregun e madh, sidomos në tregun shumë të kërkuar të teknologjisë informative nevojitet të kesh një kompetencë profesionale, një njohuri të mirë të kësaj lëmie dhe normal të njohësh gjuhën e huaj. Derisa njohja e gjuhës së huaj përpara ka qenë një avantazh, një përparësi, sot mendoj se është një domosdoshmëri. Dhe duhet të shfrytëzohen këto mundësi që po i jep interneti. E kur ka vullnet, ka edhe mundësi edhe pa pagesë. Sot në internet ti mund t’i gjesh mentorët më të mirë në botë për profesione të ndryshme, të cilët japin këshilla, sugjerime, motivime dhe udhëzime pa pagesë. Dhe kur në fillimet e mia për një informatë të caktuar më është dashur të porosis libra që të m’i sjellë dikush prej Zagrebit apo Anglisë, sot të rinjtë me nje klik e kanë botën në shtëpi.

"Edhe pse jemi të izoluar trendi i të bërit biznes, komunikimi, interneti janë pjesë e jetës sonë dhe deshëm apo nuk deshëm ato do ta ndryshojnë radikalisht ambientin e të bërit biznes".

Linda Shala

Ne po kalojmë nëpër një fazë shumë interesante të zhvillimit të botës në përgjithësi dhe trendet botërore, ndoshta jo menjëherë, por shumë shpejt do të fillojnë të vinë edhe te ne. Duhet të kuptojmë se shumë profesione brenda natës po zhduken, dhe të rinjtë tanë duhen të informohen. Duhen të dinë që një bankë, njëra nga bankat më të mëdha në Kosovë, e ka zvogëluar numrin e punëtorëve prej 900 në 300. Edhe sistemi bankar po digjitalizohet e ne ende vazhdojmë t’i shkollojmë të rinjtë tanë për banka dhe financa në numër jashtëzakonisht të madh. Pra, duhet të reagojë sistemi arsimor në bazë të nevojave të kohës dhe trendeve të cilat po ndodhin në botë. Është një zhvillim i hatashëm i ndryshimit të madh të të bërit biznes.

Sot kompanitë më të mëdha janë kompanitë virtuele. Është kompania Airbnb, e cila nuk ka asnjë objekt të vetin, është Amazon-i, kompania më e madhe tregtare në botë dhe nuk ka asnjë dyqan. Është Facebook-u që nuk ka asnjë përmbajtje të vetën dhe është platforma më profitabile, e si medium nuk prodhon asgjë. Pra, po ndryshon komplet koncepti. Është e rëndësishme që të rinjtë të adaptohen në këtë, dhe të kuptojnë filozofinë e bërjes biznes nesër a pasnesër, se çfarë është biznesi në botë e çfarë do të jetë në të ardhmen. Sepse edhe pse jemi të izoluar trendi i të bërit biznes, komunikimi, interneti janë pjesë e jetës sonë dhe deshëm apo nuk deshëm ato do ta ndryshojnë radikalisht ambientin e të bërit biznes.

Si e shihni ju ambientin e biznesit në Kosovë?

Biznesi dhe ekonomia e një vendi duhet të sjellin mirëqenie për qytetarët e atij vendi. Nëse i kemi statistikat për njerëzit që jetojnë me minimumin social, për nivelin kaq të ulët të pagave për të ardhura për kokë banori, ne jemi vend i varfër. Kur je vend i varfër ti edhe ekonominë e ke të varfër. Kemi problem që nuk kemi strategji të zhvillimit ekonomik. Nuk e dimë se ku jemi nisur. Si vend i vogël ne duhet të dimë të fokusohemi diku, dhe atë nuk jemi duke e bërë.

Si shoqëri sot e kemi problemin bazik, i cili është zgjidhur në shekullin XIX, çështjen e energjisë. Si mund të kesh ambient të të bërit biznes kur ke ndërprerje të rrymës. Unë më s’kam koment këtu më tepër. Mos të flas për probleme të tjera si pasiguria politike, mosfunskionimi i mirëfilltë i sistemit të gjyqësisë … tregu i zi. Një vend i cili është fiskalizuar shumë herët, në të cilin industria e naftës nuk është e fiskalizuar; aty ku është profiti dhe është një nga industritë më profitabile të një vendi dhe nuk kemi arritur ta fiskalizojmë atë. Këta tregues flasin se ambienti në Kosovë është shumë, shumë i rëndë. Por fati është që e ke tregun global para vetes dhe të rinjtë duhet të fokusohen në tregun global, i cili është perspektiva më e madhe për Kosovën. Koha është sendi më i vlefshëm dhe të rinjtë nuk kanë kohë për të humbur. Kështu që unë do të kisha udhëzuar tregun global.

Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.

Ju keni qenë e përfshirë në Federatën e Basketbollit për shumë vite. Çfarë roli ka sporti në procesin e shtetndërtimit?

Një pjesë të angazhimit tim në Federatë e kam kaluar në punën që e kemi bërë në ndërkombëtarazimin e këtij sporti, për pranimin e Federatës së Basketbollit dhe sportit në përgjithësi në institutucionet ndërkombëtare. Dhe puna e një sporti si promotor i një vendi nuk është diçka që e kemi zbuluar ne. Ky është send që funksionon në krejt botën.

Sporti është ambasador, një mundësi, hapësirë goxha e fuqishme mediale e promovimit të një vendi dhe mendoj që ia kemi huqë që nuk e kemi shfrytëzuar këtë adut në provomovimin e Kosovës si shtet që ka nevojë të promovohet shumë. Të vazhdojmë ta promovojmë, të sigurojmë njohjet e nevojshme që Kosova të njihet edhe në Kombet e Bashkuara.

Unë besoj që një kualifikim i Kosovës në një Kampionat Europian a Botëror në baskeboll apo futboll është një promovim shumë i rëndësishëm për vendin. Por është e rëndësishme edhe për njerëzit e vendit. Besoj se nuk ka mbetur qytetar, i cili nuk është ndier mirë dhe krenar kur Majlinda Kelmendi ka fituar medaljen e artë. Pra, ti ke nevojë të bësh promovim përmes sportit dhe po ashtu ke nevojë t’u dhurosh qytetarëve momente kur ata do të ndihen krenarë dhe mirë që i takojnë një vendi të caktuar. E sporti është mënyra më e mirë e mundshme që ti atë ndjesi të përkatësisë ta ndërtosh te secili qytetar, dhe duhet të gjenden mënyra për t’i dhënë hapësirë sportit dhe për t’u mbështetur sporti në Kosovë.

U bëtë pjesë e FER-it (Fryma e Re), në vitin 2010 kur u themelua si parti politike. Si person publik që jeni, mund të pritet se keni pasur edhe oferta të tjera. Pse nuk jeni përfshirë asnjëherë në partitë e mëdha politike në Kosovë?

I jam bashkëngjitur FER-it për t’u dhënë përkrahje vajzave dhe djemve sepse kam qenë e bindur dhe vazhdoj të mendoj se duhet të ndryshojë mendësia e politkëbërjes në Kosovë. Ka qenë një përvojë e jashtëzakonshme, shumë e mirë. Dikush më ka pyetur “a i ke ra pishman?” dhe kam thënë “kurrë, në asnjë moment”. Sepse ka qenë një përvojë e jashtëzakonshme të jem pjesë e FER-it, pjesë e atij rrugëtimi tonë politik, me një fushatë poltike e cila dihet që ka pëfunduar pa sukses.

Ne nuk kemi arritur të jemi pjesë e Parlamentit të Kosovës, por kam mësuar shumë. Kam mësuar qysh funksionon një parti politike, kam mësuar për faktin se sa është e rëndësishme që secili individ që hyn në parti poltike ta shkrijë një pjesë të vetes në parti, që për individualistë si unë ka qenë goxha sfiduese. Kam njohur shumë të rinj që nuk i kam njohur më herët dhe me të cilët mbaj kontakte edhe sot. Dhe i gëzohem shumë, për shembull, suksesit të Shpendit [Ahmetit], Dardanit [Sejdiut], Fisit [Fisnik Ismalilit], Puhijes [Demakut], kolegëve të mi të partisë të cilët kanë arritur ta vazhdojnë rrugëtimin e tyre politik, edhe sot të jenë deputetë të Parlamentit të Kosovës dhe Shpendi të jetë kryetar i komunës. Por nuk kam pasur ambicie të merrem profesionalisht me politikë. Nuk e shoh veten aty.

Ka qenë faza interesante kur e kam lëshuar televizonin, atëherë kam pasur oferta prej të gjitha partive të mëdha që të angazhohem. Sepse gjithmonë ka nevojë për gra të njohura në publik, të cilat janë elokuente, dhe ato oferta që kam pasur më kanë gëzuar shumë se më kanë dëshmuar që gjatë kohës sa kam punuar në televizonin kam qenë profesioniste. Sepse unë i kam pasur preferencat e mia politike se çdokush i ka preferencat e veta poltike. Por kam arritur tq ruaj, të mos e shpërfaq preferencën time ndaj njërës apo partisë tjetër. Dhe kjo ka krijuar përshtypje që jam e të gjithëve dhe s’jam e asnjërit. Ka qenë një dëshmi që me të vërtetë puna që e kam kryer në televizion ka qenë profesionale, pa ngjyrime politike, pa anime poltike dhe në shërbim të qytetarëve dhe të Kosovës, e jo të partive të caktuara.K

Foto kryesore: Majlinda Hoxha / K2.0.

Kjo bisedë është redaktuar për gjatësi dhe qartësi. Intervista është bërë në gjuhën shqipe.

Ky publikim është prodhuar me ndihmën e Bashkimit Europian, si pjesë e një projekti të zbatuar nga Kosovo 2.0 dhe të mbështetur nga Qendra Kosovare për Studime Gjinore dhe Dora Dorës. Përmbajtjet e këtij publikimi janë përgjegjësi e Kosovo 2.0 dhe në asnjë mënyrë nuk mund të merren si pasqyrim i pikëpamjeve të Bashkimit Europian, Qendrës Kosovare për Studime Gjinore dhe Dora Dorës.