Kur m’u kërkua të shkruaj se si të rinjtë e shohin procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, nuk mendova se do të ishte kaq e vështirë. Unë kam shoqëri nga të dyja vendet dhe të gjithë pajtohemi që dialogu nuk është kurrë temë diskutimi kur takojmë për herë të parë njerëz nga vendi tjetër.
Supozoj se ndihemi sikur rrezikojmë ta kemi një situatë të pakëndshme nëse diskutojmë për politikën. Kështu që, në vend të kësaj, për ta thyer akullin përpiqemi t’i shmangim pyetjet historike ose politike, duke pretenduar se as nuk e mendojmë dhe përpiqemi ta bëjmë një bisedë të thjeshtë për sportin, artin ose çkado që nuk lidhet drejtpërdrejtë me gjeopolitikën.
Edhe pse dialogu është një temë që shqetëson të gjithë dhe është e rëndësishme për qytetarët aktivë që duan të jenë të informuar rreth politikës, prapë tentojmë t’i kapërcejmë aspektet politike dhe fillimisht të përpiqemi t’i gjejmë temat me interes të përbashkët përpara se të krijojmë miqësi të besueshme. Kjo mund të jetë për shkak të përvojave të pakëndshme të së kaluarës, ose frikës nga njëri-tjetri bazuar në atë që na është thënë për kombin tjetër. Pavarësisht se kemi lindur pas luftës, pothuajse të gjithë jemi rritur në një mjedis plot urrejtje ndaj-tjetrit.
Megjithatë, mendoj se tani e kam kaluar pikën e thyerjes së akullit me disa nga miqtë e mi, kështu që përpara se të filloja ta shkruaja artikullin, hapa këtë temë dhe i ftova të më ndihmojnë t’i zgjeroj mendimet e mia se si të rinjtë e shohin dialogun. Në bisedat tona kam mundur të shoh se kemi shumë ngjashmëri në pikëpamjet tona për dialogun, ndonëse me disa dallime.
Mosinteresim urryes
Fillimisht, të rinjtë në Kosovë dhe në Serbi duket se pajtohen se të rinjtë, në përgjithësi, nuk interesohen shumë për këtë proces, edhe pse për arsye të ndryshme. Një konstatim mjaft dëshpërues nga bisedat e mia është se si duket, të rinjtë e portretizojnë dialogun si një proces të imponuar nga jashtë, dhe jo si diçka që na nevojitet vërtet dhe që duhet të vijë natyrshëm, pasi që, e dini, e patëm një luftë!
Ndjenja se dialogu është i imponuar nga jashtë bën që shumë njerëz të mendojnë se nuk luan ndonjë rol në ndërtimin e një të ardhme paqësore, por është diçka që një palë e tretë dëshiron që ta përmbushim. Me fjalë të tjera, mund të sillemi ngrohtësisht për hir të Bashkimit Evropian kurse në realitet vazhdojmë t’i mbajmë pakënaqësitë të përziera me doza të mjaftueshme ksenofobie. Në këtë kuptim, shqetësohem se pritshmëria që të rinjtë në Kosovë dhe Serbi janë disi më të hapur, më të moderuar, përparimtarë dhe të gatshëm për të bashkëpunuar me njëri-tjetrin, ndonjëherë mund të jetë e gabueshme.
As amullia e procesit nuk po na ndihmon. Mund ta shohim se, ndonëse dialogu është shpesh në media, ka qenë jashtëzakonisht i ngadalshëm dhe ka hasur në pengesa serioze. Këto shërbejnë në përhapjen e një vale pesimizmi tek të rinjtë, që është shqetësuese, duke pasur parasysh se shumica e tyre nuk është e sigurt se cilat janë qëndrimet e tyre rreth çështjeve.
Ky është një tjetër konstatim goditës nga bisedat e mia, se sa shpesh biem në grackën për t’u bërë dhoma jehuese për pikat e bisedës së elitave politike. Shpesh e shohim veten duke përcjellë mesazhet e tyre dhe rrallë herë mundohemi ta mendojmë në mënyrë kritike atë që na thuhet.
Ne, të rinjtë, duhet të jemi në gjendje të mendojmë në terma më progresivë dhe radikalë për domosdoshmërinë e paqes. Ndoshta tingëlloj naive, por kjo është për shkak se në rajonin tonë, ata që mbrojnë demokracinë liberale dhe paqen pozitive shihen si idealistë dhe të shkëputur nga realiteti.
Një tjetër arsye pse të rinjtë duket se nuk janë të interesuar rreth dialogut është se shpesh keqinformohen, ndonjëherë edhe qëllimisht. Dialogu shihet gjerësisht si një proces i vështirë për t’u kuptuar, i bërë nga lart-poshtë nga dhe për politikanët.
Problem është dhe transparenca. Marrëveshjet arrihen gjithmonë me dyer të mbyllura, ku publikut i mungon konteksti. Kjo, por edhe fakti që vendimet mbahen të mbyllura, e lë procesin të pambrojtur ndaj keqinterpretimit dhe keqkarakterizimit.
Kjo është edhe më e rëndësishme kur merret parasysh sasia e dezinformatave lidhur me anën tjetër dhe ngjarjet historike. Të gjithë pajtohemi se narrativat e përdorura për njëri-tjetrin janë shumë shqetësuese. Për mua, është shumë interesante të shoh se si gjeneratat e lindura pas luftës ende e mbajnë atë nivel të urrejtjes.
Gjatë bisedave të mia u përmend se realisht nuk mund të flasim publikisht pozitivisht për palën tjetër pa u konsideruar si jo patriotë apo tradhtarë në shoqëritë tona. Për shembull, një mik që takova gjatë një kampi të rinjësh më tha që çdoherë kur bën thirrje për paqe ose bashkëpunim mes dy vendeve, merr automatikisht një mësim historie patriotike.
Të rinjtë priren të jenë të rrethuar nga një mjedis shumë toksik duke i mbushur vazhdimisht me narrativa negative për palën tjetër. Mjafton të shikoni se çfarë ndodhi së fundmi me modelen serbe, e cila u detyrua ta braktisë një konkurs bukurie pasi bëri disa foto kontraverse me konkurrentet e saj shqiptare.
Ky mjedis fillon me familjet dhe vazhdon në shkolla dhe universitete. Prandaj edhe brezi ynë, i lindur pas luftës, po e përsërit atë urrejtje ndaj tjetrit; jemi të zënë në një vorbull rrëfimesh negative, madje edhe ekstremiste, dhe nuk dëgjojmë asgjë tjetër.
Edhe nëse dikush arrin t’i shpëtojë kësaj vorbulle që vjen nga familja, shkolla dhe miqtë, mundësia e pranimit të keqinformatave online është shumë e lartë. Aktualisht po punoj në një projekt për ta hartëzuar dezinformimin ekstremist online, në të cilin jam duke kërkuar burime dezinformimi dhe duke studiuar caqet e tyre potenciale për t’i identifikuar ata që janë të ndjeshëm ndaj radikalizmit.
Gjatë hulumtimit jam e ekspozuar çdo ditë ndaj trendit shqetësues dhe alarmues të postimeve urryese dhe po e shoh që po rritet, veçanërisht duke përkuar me ngjarjet më të tensionuara politike. Këto postime përmbajnë fjalët më të neveritshme dhe nxitje për urrejtje dhe dhunë. Shpesh ata janë ekstremisht racistë, duke mos lënë hapësirë për pajtueshmëri dhe ballafaqim me të kaluarën. Çka më bën përshtypje më shumë është se askush nuk duket se po merret me këtë si formë e racizmit.
Loje e elitave
Një pikë tjetër ku unë dhe miqtë e mi mund të pajoheshim gjatë diskutimeve tona ishte kur flisnim për elitat politike. Në këndvështrimin e miqve të mi serbë, elita politike është një nga problemet kryesore në dialog, ndërsa miqtë e mi kosovarë janë dukshëm më mbështetës për elitën aktuale.
Miqtë e mi në Serbi mendojnë se elita e tyre tenton ta përdorë dialogun për ta zhvendosur vëmendjen nga skandalet politike dhe problemet e brendshme që mund t’i dëmtojnë ata në nivel kombëtar. Gjithashtu rol negativ luajnë kur u prezantojnë njerëzve aspekte të dialogut, duke shprehur publikisht vetëm atë që votuesve u pëlqen të dëgjojnë. Kjo na sjell sërish te problemi i parë që ngrita, dezinformimi. Në këtë aspekt, ata gjithashtu refuzojnë ta trajtojnë dialogun në një mënyrë pajtuese dhe kjo retorikë është e dëmshme për vetë procesin e dialogut, si dhe për idenë e pajtimit në sytë e të rinjve.
Në Kosovë, elita aktuale ka mbështetje të fortë nga të rinjtë dhe një lidership shumë të pëlqyeshëm. Rrjedhimisht, disa sektorë të të rinjve priren të pajtohen pothuajse verbërisht me çdo vendim që marrin në çdo proces, përfshirë dialogun. E njëjta gjë vlen edhe kur nuk e pëlqejnë elitën, siç e kemi parë në të kaluarën. Niveli i kritikës nuk lidhet shumë me ndonjë vendim specifik, aq sa lidhet me personin që e merr atë vendim.
Megjithatë, duke i lënë mënjanë këto dallime, kuptova se miqtë e mi nga të dyja palët mund të pajtohen që elitat nuk i inkurajojnë të rinjtë që t’i shohin përfitimet e dialogut apo edhe të angazhohen në procesin e pajtimit. Vetëm shoqëria civile dhe organizatat ndërkombëtare ofrojnë shanse të tilla përmes ngjarjeve të ndryshme dhe pastaj numri i njerëzve të përfshirë në to është shumë i vogël në krahasim me popullsinë e re që kanë të dyja vendet.
Këto programe na ndihmojnë ta kuptojmë më mirë njëri-tjetrin, të dalim nga zona jonë e komfortit dhe t’i sfidojmë mendimet dhe mendësitë. Prandaj, këto shkëmbime dhe programe i ndihmojnë pjesëmarrësit t’i shohin përfitimet e dialogut që elitat nuk i kanë prezentuar asnjëherë siç duhet. Ideja konsiston thjesht në ofrimin e një forumi ku të rinjtë mund të takohen, t’i ndajnë mendimet e tyre, të mësojnë t’i përqafojnë ngjashmëritë e tyre dhe të lënë hapësirë për zhvillimin e pikëpamjeve të reja. Shumica e këtyre programeve përfshijnë forma të ndryshme të artit si një mënyrë për ta gjetur gjuhën e përbashkët për t’i shprehur interesat e përbashkëta dhe për të shërbyer si pikënisje për bashkëpunim.
Si përfundim, nga këto biseda, përfitova një këndvështrim krejtësisht të ri ndaj dialogut dhe dobive të tij. Siç më tha dikush që jeton afër kufirit me Kosovën, “Një mjedis paqësor dhe i qetë ku nuk kemi frikë se ngjarjet e vogla politike do ta prishin paqen do të ishte shumë i dobishëm për shëndetin tonë mendor”.
Kjo është diçka që shpesh nuk e mendojmë apo as që e konsiderojmë kur diskutojmë për dialogun: Sa i rëndësishëm është procesi për shëndetin tonë mendor si shoqëri. Jam e sigurt se shëndeti jonë mendor ndikohet sa herë që ndodh ndonjë ngjarje e vogël që shqetëson paqen dhe ngjall frikë se mund të çojë në diçka më të madhe.
Imazhi i ballinës: Arrita Katon / K2.0
Ky Bllog është shkruar për Nismën e Re Shoqërore në serinë e Op-Eds brenda Kolektivit të Kosov”s dhe është publikuar në K2.0 me marrëveshje.
Kjo seri e Bllogjeve është pjesë e një projekti të mbështetur nga Fondi Ballkanik për Demokraci i Fondit Gjerman të Marshallit në ShBA dhe USAID. Opinionet e shprehura në këtë seri nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht ato të Fondit Ballkanik për Demokraci të Fondit Gjerman të Marshallit në ShBA (BTD), të Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), ose të Qeverisë së ShBA-së.