Blogbox | Dhunë Seksuale

Lufta kundër stigmatizimit nëpërmjet filmit

Nga - 21.10.2017

Filmi i fundit i Kosovës i propozuar për çmimin Oskar trajton pasojat e dhunës seksuale të kohës së luftës.

Dhuna seksuale që ndodhi gjatë luftës së vitit 1999 në Kosovë i ka lënë shoqërisë kosovare plagë të thella dhe të patrajtuara, qoftë në formën e traumës fizike dhe psikologjike, e qoftë nëpërmjet stigmatizimit të viktimave të pas luftës.

Para disa javëve, Qendra Kinematografike e Kosovës e zgjedhi filmin e parë të metrazhit të gjatë të Edon Rizvanollit, T’Padashtun, për ta propozuar për kategorinë Filmi më i Mirë në Gjuhë të Huaj në Ceremoninë e 90 të Çmimeve Oskar. Në po atë javë, ky film u shfaq nëpër kinema në Prishtinë, Prizren, Gjakovë dhe Pejë.

Naracioni i filmit është mjaft i drejtpërdrejtë. Nis me skenën e rrahjes të disa adoleshentëve në shkollë, ku në fokus është një i ri i dhunshëm që godet një adoleshent tjetër të shtrirë në tokë. E ëma e tij, Zana (Adriana Matoshi), punon në një lulishte për të fituar bukën e gojës dhe për ta mbështetur fëmiun e saj adoleshent dhe problematik, Albanin (Jason De Ridder). Ajo disi arrin t’i gjejë punë të birit të saj në një dyqan ku rregullojnë biçikleta, e aty ai njoftohet me Anën (Niki Verkaar).

Albani dhe Ana e nisin një aferë dashurie plot ngazëllim tipik për adoleshentë. Prindërit e të dyve janë kundër lidhjes së tyre për shkak të përkatësive etnike të tyre. Të dy prindërit janë nga Kosova: Zana është shqiptare e babai i Anës, rolin e të cilit e luan Edon Rizvanolli, është serb nga Kosova. Sekuencat e fundit të filmit i zbulojnë fshehtësitë e errëta të Zanës dhe rrëfimin që ajo ja tregon Albanit, rrëfim ky që ndikon tek djali i saj, dhe të kthen te fillimi i filmit dhe te sjelljet e dhunshme të Albanit.

Foto nga “T’Padashtun.”

Rizvanolli i kaloi tre vite duke bërë hulumtime për këtë film. U frymëzua nga ngjarjet që ndodhën gjatë luftës në Kosovë. Veçanërisht u frymëzua nga fakti se stigmatizimi dhe statusi i të mbijetuarve të përdhunimit gjatë luftës nuk është prioritizuar. Kjo bëri që ai t’i qaset temës, me shpresë që “do të gjejmë fuqi brenda vetës që të fillojmë ta trajtojmë këtë problem”.

Ky film nuk është tipik për Holandën, e as për Kosovën. Ndonëse është filmi i parë i metrazhit të gjatë i Rizvanollit, regjia dhe struktura e një historisë kaq të sikletshme dhe delikate zbulohet me mendjehollësi. Në vend se të bie në grackën e shëndrrimit të tregimit në një melodramë patetike, filmi i tij shërben si kujtesë për pasojat e pasluftës si dhe stigmatizimin dhe izolimin e vazhdueshëm të viktimave.

Konteksti i filmit është relevant në Ballkan, meqë hulumtimet e Rizvanollit nuk ishin të kufizuara vetëm te viktimat kosovare të dhunës seksuale. Ai dëgjoi tregime të ngjashme në Bosnje dhe Hercegovinë. Rizvanolli aspiron të nis një diskutim në shoqërinë tonë në lidhje me këtë temë. “T’padashtun” mund të ndihmojë me nisjen e këti diskutimin në një kontekst më të gjërë gjeografik, ku shoqëritë kanë dështuar të punojnë për riintegrimin dhe destigmatizmin e viktimave.

Fatkeqësisht, dhuna seksuale është fenomen i zakonshëm në shumicën e konflikteve moderne, e kjo prodhon pasoja të dëmshme për të gjithë viktimat, dhe për shoqërinë në tërësi. Të mbijetuarit e dhunës seksuale të kohës së luftës janë ende të stigmatizuar në Ballkanin Perendimor. Këtë çështje e rrethon një kulturë e turpit dhe heshtjes. Filmi i Rizvanollit është vazhdimësi e dalluar e përpjekjes së filmbërësve të rajonit për ta thyer heshtjen dhe për ta nisur procesin e pranimit.

Foto kryesore nga “T’Padashtun.”

  • PËR AUTORIN/EN Eroll Bilibani
  • Shënim Pikëpamjet e shkrimtarit/es nuk pasqyrojnë domosdo ato të Kosovo 2.0.
  • Ky artikull fillimisht është shkruar në anglisht.

KOMENTO