Biseda | Arte dhe kulturë

Nikola Ležaić: Kujtesa e shtrembëron realitetin

Nga - 17.07.2025

K2.0 bisedoi me regjisorin serb rreth filmit të tij të dytë të metrazh të gjatë,

një rrëfim tejet personal që shtjellon atësinë, kujtimet familjare dhe kalimin e kohës.

Pesëmbëdhjetë vjet pas suksesit të madh të filmit “Tilva Roš”, që shpaloste shpirtin rebel të rinisë në Serbinë post-industriale, regjisori i lindur në Bor, Nikola Ležaić rikthehet me filmin e tij të dytë artistik të shumëpritur, me titull “How Come It’s All Green Out Here?”, (në shqip “Si ka mundësi që gjithçka është kaq e gjelbër këtu?”).

Filmi, që premierën botërore e pati në konkursin “Proxima” në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në qytetin Karlovy Vary gjatë këtij viti, i cili u mbajt nga data 4 deri më 12 korrik, është një film rrugëtimi i llojit të qetë, reflektues dhe thellësisht autobiografik, që zhvillohet përgjatë një udhëtimi fundjave drejt Dalmacisë. Rrëfimi ndjek një regjisor rreth të tridhjetave, me emër si vetë Ležaić, personazh që luhet nga Filip Đurić, i cili shoqëron babanë e tij, Izudin Bajrović, dhe familjen e gjerë për t’i rivarrosur eshtrat e gjyshes së tij në fshatin e saj. Në dukje, nuk ndodhin shumë gjëra, por ndjenjat dhe emocionet që përjetohen gjatë rrugës janë shumë të thella.

Më shumë se një narrativë e thjeshtë për detyrimin familjar, filmi i Ležaić bëhet reflektim lidhur me atësinë dhe identitetin. Fuqia e tij qëndron në tensionin mes asaj që thuhet dhe asaj që lihet pa u thënë. Duke përdorur pak dialog, shprehjeve të kujdesshme ironike, performancave shumështresore dhe vëmendjes së madhe ndaj asaj që ndodh jashtë ekranit, regjisori krijon një botë ku koha zgjatet dhe kujtimet shpalosen vetvetiu.

“How Come It’s All Green Out Here?” është një vepër që lehtësisht nxjerr në pah traumën personale dhe kolektive, në një peizazh që karakterizohet nga trazirat e së kaluarës. Me një stil të thjeshtë poetik dhe humor të papritur, filmi heshtazi e zhvesh shikuesin dhe e bën të mendojë për pyetjet e mëdha rreth pajtimit, përkatësisë dhe jetës.

Në këtë bisedë të sinqertë, Ležaić diskuton origjinën e filmit, strategjitë stilistike dhe nevojën për të vërtetën emocionale në rrëfim. Ai gjithashtu reflekton rreth marrëdhënies së tij në ndryshim me kinemanë dhe mënyrën se si humbja personale formësoi veprën në mënyra që ai nuk i kishte parashikuar plotësisht.

K2.0: Thjesht për t’i informuar lexuesit tanë rreth filmit, si lindi ideja për ta realizuar “How Come It’s All Green Out Here?” Duke qenë një film kaq personal, si ndërthuret jeta juaj në të?

Ležaić: Pak a shumë, filmi është një lloj transkripti i një situate reale në jetën time. Gjithçka nis para 10 vitesh, kur familja ime vendosi t’i rikthejë eshtrat e gjyshes time të ndjerë në fshatin e saj në Kroaci. Ajo ishte refugjate mes viteve 1990, kur po përfundonte lufta dhe vdiq në fillim të viteve 2000 në Serbi. Në atë kohë, ta kthenim atë ishte proces shumë i freskët, shumë i komplikuar, madje vetë dokumentacioni na shkurajonte.

Pas disa vitesh, një djalë që ia kishte dalë t’i rikthente eshtrat e nënës së tij, na ndihmoi me gjithë procesin. Kur prindërit më thanë se donin ta bënin këtë, menjëherë ndieva se kjo histori mund të kishte strukturë filmi, si një film rrugëtimi, me prindërit që ktheheshin në Kroaci pas 25 vitesh, për t’i “rikthyer” eshtrat e gjyshes. Gjithçka rreth kësaj plotësonte kushtet kinematografike, por në fillim nuk doja ta bëja një film për këtë. Më dukej si film lamtumire me babanë tim, që ishte tashmë në të shtatëdhjetat dhe nuk gëzonte shëndet të plotë. Po ashtu, po punoja në një rrëfim tjetër për marrëdhënien mes babait dhe djalit në atë kohë, që në fund dështoi pas disa vitesh financimi të pasuksesshëm.

Pastaj, në vitin 2020, goditi pandemia COVID, babai im u infektua sa ishte në spital. Dy javë më pas, vdiq. Në ditën që vdiq, unë rezultova pozitiv. Nuk mund të isha i pranishëm në funeralin e tij. Ai, njësoj si gjyshja pas zhvarrosjes, u varros në një arkivol prej plumbi. Unë ndodhesha në shtëpi, i dëshpëruar dhe fillova t’i lidhja pikat. Kisha një “funeral shtesë”, e ke parasysh? Kisha nevojë për pak lehtësim, kështu që fillova të shkruaj gjithçka që më kujtohej nga ai udhëtim. Dhjetë ditë më vonë, e finalizova draftin e parë të skenarit. Shkrimi ishte e vetmja mënyrë për ta përpunuar.

Pra, shkrimi i skenarit filloi në fakt në dhjetor të vitit 2020?

Saktësisht. Në 2021 aplikova për financim në Qendrën e Filmit të Serbisë. Doja ta xhiroja filmin atë vit, në stilin punk-rock: ta shkruaja dhe ta xhiroja. Mora financimin, por nuk ishte i mjaftueshëm, kështu që u detyrova të kërkoja sërish bashkëprodhues. Kjo, natyrisht, zgjati me vite, prandaj tek tani, në viti 2025, përfundoi. Është qesharake, përpiqesh ta përshpejtosh procesin, por sërish të merr pesë vjet.

Pata një rregull të rreptë: gjithçka në skenar duhej të kishte ndodhur me të vërtetë.

Ishte proces i vetëm, apo ndikuan edhe zëra të tjerë në shkrimin e skenarit?

Kryesisht ishte një proces i vetëm. Ua dhashë versionet e para disa shokëve dhe më thanë çfarë mendonin, se ishte shumë e gjatë, shumë o shkurtër dhe gjëra të tilla. Por pata një rregull të rreptë: gjithçka në skenar duhej të kishte ndodhur me të vërtetë. Nuk më pëlqejnë filmat që janë “bazuar në ngjarje të vërteta”, si një dredhi marketingu për t’i bërë gjërat të duken më të rëndësishme se që janë. Për mua, gjithçka në art buron nga ndjenjat e vërteta, qoftë “2001: A Space Odyssey”, (në shqip: “2001: Një odise e hapësirës”) apo një dokumentar.

Kështu që gjithë dialogu dhe ngjarjet në skenar janë të vërteta, ose të paktën më kanë ndodhur dikur në një periudhë të jetës. Ndoshta jo në të njëjtën kohë, ndoshta të riorganizuara, por gjithsesi të vërteta. Kjo u bë pjesë e konceptit gjithashtu, se si kujtesa e shtrembëron realitetin, se si vetë kujtimi mund të jetë akt krijues. Vija ndarëse mes faktit dhe trillimit mjegullohet, por thelbi emocional mbetet i vërtetë. Kjo ishte e panegociueshme.

Filmi prek atësinë në mënyra të tërthorta, por të fuqishme. Çfarë doje të shprehje lidhur me përvojën për t’u bërë baba dhe për atësinë në përgjithësi?

Kjo është e ndërlikuar. Kur bëmë atë udhëtim, po bëhesha edhe vetë baba. Në mesin e të tridhjetave e mia, teksa ndihesha ende si në të njëzetat, apo nuk iu ndodh të gjithëve kjo? Flokët më ishin zbardhur dhe shikimi ishte dobësuar, por me mendje, ende ndihesha si student. Babai ishte një njeri i qetë, i ndershëm. Një lloj Gandi, nuk i interesonin kurrë gjërat materiale. Mendova se si doja ta transmetoja këtë te vajza ime.

Por në të njëjtën kohë, po bëja reklama, gjëra që kishin të bënin vetëm me blerjen e shitjen. Është si të jesh shpërndarës droge dhe të mos duash që fëmija yt të bëhet i varur. Kështu që, po, kisha shumë ndjenja të përziera. Nuk jam i sigurt çka doja të shprehja për atësinë, për të qenë i sinqertë. Ndoshta thjesht që të gjithë përpiqemi ta bëjmë më të mirën me ato mundësi që kemi, disa njerëz janë më të përqendruar te vetja, por neve që na intereson, ne përpiqemi. Mendoj se këtë e thotë edhe filmi: është në rregull të mos i kesh të gjitha përgjigjet.

Të flasim për formën. Si ndihmuan zgjedhjet e tua në kinematografi, montazh dhe zërim për t’i shprehur këto ide, veçanërisht kujtimet?

Bashkë me drejtorin tim të fotografisë, Aleksandar Pavlović, kemi punuar për 15 vjet, kryesisht në reklama. E njohim shumë mirë njëri-tjetrin. Donim të shmangnim pamjen e zbukuruar dhe në formë kartoline që shpesh e hasim në filmat e krijuar në Mesdhe. Në vend të kësaj, e vendosëm personazhin kryesor në qendër të kornizës dhe ndërtuam një botë përreth tij. Ajo çfarë hyn dhe del nga korniza — përmes dritës, zërit, koreografisë — krijon ndjesinë e një bote të gjallë.

Pamje nga filmi “How Come It’s All Green Out Here?”

Shpesh përdorëm vetëm një ose dy pamje për çdo skenë. Edhe skenat në veturë u xhiruan kryesisht me xhirim të pandërprerë. Kjo u dha aktorëve hapësirë për të lëvizur lirshëm dhe për ta përvetësuar skenën. Gjithçka ishte e pajisur dhe ndriçuar me kujdes në 360 gradë, kështu që mund të duket e thjeshtë, por teknikisht ishte jashtëzakonisht e ndërlikuar.

Në montazh, në skenarin origjinal parashihej që rrugëtimi të fillonte në gjysmën e filmit. Doja që shikuesit të vuanin pak me personazhin tek bënte jetën e tij të mërzitshme urbane. Por montazheri im, Jan Klemsche, sugjeroi të dilnim drejt e në rrugëtim, menjëherë pas vetëm 15 minutash, duke ia lënë publikut mundësinë t’i mësojë gjërat gjatë rrugës. Doli shumë më mirë. Në fillim, nuk i di të gjitha, por e mbledh kuptimin përgjatë rrugës — si në jetë. Ai besim që publiku do të arrijë t’i kapë gjërat ishte qenësor.

Zërimi ishte po ashtu vendimtar. I dua skenat ku njerëzit flasin njëkohësisht, ku gjërat e rëndësishme nuk janë gjithmonë në qendër të skenës. Krijon atë energji të rrëmujshme të jetës reale. Ndonjëherë dialogu duket krejtësisht i parëndësishëm, por në fund të bisedës e kupton pse është pjesë e saj. Ky ishte ritmi që po ndiqja. Qëllimi ishte të rikrijoja teksturën e një bisede të vërtetë, jo një bisede filmi.

Projekti ishte bashkëprodhim mes Serbisë, Kroacisë dhe Bullgarisë. Si erdhi ky bashkëpunim? A ndikoi në tonin e filmit dhe, ndoshta, në mënyrën si do të pritet?

Siniša Juričić nga “Nukleus Film”, kompania për prodhimin e filmave në Kroaci është njëri nga bashkëprodhuesit. E takova 10 vjet më parë, kur ende po punoja në projektin tjetër që e përmenda. Ai ishte pjesë e jurisë në një ngjarje për projekt propozime dhe e fituam atë konkurs. Atë natë, sa ishim duke pirë diçka, ia tregova historinë e çuditshme që më kishte ndodhur, dhe më tha: “Nëse ndonjëherë e bën film, më telefono”. Kur fitova financimin nga Serbia në vitin 2021, e telefonova. Ai ishte pjesë që nga fillimi, më ndihmoi me aktorët, logjistikën, gjithçka. Kishim aktorë nga katër prej gjashtë vendeve të rajonit të ish-Jugosllavisë.

Pastaj na prezantoi me producentin e “PREMIERstudio” nga Bullgaria, Nikolay Mutafchiev, i cili u angazhua me stafin e kamerës dhe zërimit. Ishte një përpjekje njëmendtë rajonale dhe ndihmoi në formësimin e filmit pa e ndryshuar tonin e tij. Të gjithë e kuptuan që rrëfimi buronte nga një vend personal dhe e respektuan këtë fakt. Dhe ndoshta, heshtazi, fakti që ky bashkëpunim ndërkufitar ndodhi, është një lloj deklarate në vetvete.

Një pyetje të fundit, si të lindi titulli “How Come It’s All Green Out Here?”

Titulli punues ishte “Mama”. Të gjitha aplikimet tona për financim i dorëzuam me këtë titull. Ishte një kundërvënie për temën e atësisë, sepse në të vërtetë, të gjithë personazhet që e shtyjnë historinë përpara janë nëna: bashkëshortja ime, nëna e babait tim, hallat e mia, nëna ime. Ato janë forca që veprojnë prapa skenës në një mjedis shumë patriarkal.

Por e mësuam se çdo vit publikohen të paktën dy filma me titullin “Mama”. Në IMDb do të titullohej si “Mama” (2025/II) apo diçka qesharake. Prandaj kërkova diçka më të çuditshme dhe më domethënëse. M’u kujtua një fjali nga filmi im i parë, “Tilva Roš”, që thuhet nga njëri personazh me emrin Filip diku kah fundi: “How come it’s all green out here, even though all around is bare rock?” [“Si ka mundësi që gjithçka është kaq e gjelbër këtu edhe pse përreth ka vetëm shkëmb?”] — kjo ishte fjalia e plotë që doja për titullin, por në fund e shkurtuam.

Ideja është kjo: përreth këtyre shtëpive të braktisura në Dalmaci, gjithçka është e harlisur dhe e gjelbër. Kjo ndodh sepse dikur aty kanë jetuar njerëz — kanë mbajtur bagëti, kanë punuar tokën, kanë lënë pas energjinë e tyre. Kështu që, edhe pse ata nuk janë më, jeta mbetet. Kjo është ideja. Njerëzit mund të mos jenë më aty, por diçka prej tyre end mbetet.

 

Ky artikull është redaktuar për gjatësi dhe qartësi. Biseda u zhvillua në gjuhën angleze.

Shënim i redaksisë: Përkthimi i titujve të filmave nuk është përkthim zyrtar.

Imazhi i ballinës: Arkivi i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Karlovy Vary/KVIFF

Dëshironi të mbështetni gazetarinë tonë? Anëtarësohuni në “HIVE” ose konsideroni një donacion. Mëso si këtu.