Pa gjumë në Thumanë/Durrës - Kosovo 2.0
Blogbox | Termet

Pa gjumë në Thumanë/Durrës

Fotografimi i tragjedisë.

Nga - 04.12.2019

Prishtinë, 26 nëntor (ora 3 e mëngjesit)

Kthehem në shtëpi nga ditëlindja e një kolegeje. Jam shumë i dehur.

E pi cigaren e fundit për atë natë, si përnatë, ndërsa e lëshoj një pllakë në gramafonin tim të lirë para se të shtrihem.

Krejt papritur, gjithçka fillon të sillet rreth meje… s’është për t’u çuditur kur e ke parasysh sasinë e alkoolit që e kam konsumuar. Por kjo është ndryshe.

Zgjat pak më shumë se zakonisht, më shumë se 20 sekonda, dhe pyes veten nëse diçka më e madhe po më ndodhë. Mos është sulm në tru…? Me siguri!

Prishtinë, 26 nëntor (ora 9 e mëngjesit)

Zgjohem, ende me kokëdhimbje nga dehja, nga thirrja e një kolegu. “A po vjen? Një grup po nisemi për Shqipëri.” Ende nuk e di çka ka ndodhë, as për çka po flet. “Dost — tërmet! Ndërtesat janë shembë, është bërë shumë tollovi. Njeri… a po vjen?!

Pak më vonë, jam me atë shok në Golfin e tij, duke shkuar në Shqipëri për të dokumentuar çka është po ndodhë atje. Jemi pa gjumë, dhe po më shqetësojnë disa gjëra që i pashë në TV — më duhet të shkoj vetë atje.

E kalojmë kufirin dhe e mbërrijmë një kolonë të veturave, të gjitha me dritat e rrezikut ndezur. Iu bashkohemi, duke menduar se mund të na ndihmojë të arrijmë më shpejt. Kështu ndodhë. Ndalemi në pompë të benzinës dhe më në fund i takojmë “shoqëruesit” tanë. Është një grup djemsh nga Prizreni që kanë organizuar dhe ngarkuar mini-furgonët me rroba, batanije, dhe ujë.

Janë duke shkuar në Thumanë, ku fatkeqësia ka goditur.

Thumanë, 26 nëntor (ora 9 e mbrëmjes)

Mbërrijmë në Thumanë. Përreth është errësirë. Dal nga makina dhe e pyes personin e parë që e takoj: “Ku është?” — “Sapo erdha nga Korça,” më thotë ai. “As unë nuk e di.”

Fshati është mjaft i vogël dhe nuk duhet shumë kohë për të parë me çka je i rrethuar, edhe me dritat fikur. Por një rreze drite na drejton kah qendra e tragjedisë.

E kalojmë një kamp prej rreth 50 tendash që janë duke u ngritur për ata që janë detyruar të largohen nga shtëpitë. Është pamje e njohur për mua dhe shokun tim prej ditëve tona si refugjatë në vitin ’99. “Duket si mini Bllacë ose Stenkovec,” thotë ai, duke ma lexuar mendjen.

Furgonët e vegjël nga Prizreni e shkarkojnë malin e rrobave, ushqimeve dhe gjërave tjera në qendër të kampit.

Ngadalë vazhdojmë për në qendër të katastrofës në Thumanë.

Në ndërtesën e goditur më së keqi, e gjejmë një skuadër zjarrfikësish grekë që po e vazhdojnë kërkimin, në mes të natës, duke punuar me padurim në një pjesë të ndërtesës së shkatërruar — duke u munduar ta shpëtojnë edhe një jetë!

Ndërsa nata zgjatet pafund dhe ata bëhen gati të ndalen, e gjejnë atë.

Fatkeqësisht, është një trup.

Durrës, 26 nëntor (ora 11 e natës)

Nisemi për në qytetin e Durrësit dhe takohemi me miqtë e tjerë fotografë që tashmë janë atje duke punuar. Rrugës drejt qytetit të mbushur me hotele dhe vende të lira turistike të njohura për shumë familje kosovare nga pushimet verore, qyteti duket kryesisht i padëmtuar, përveç plasaritjeve nëpër ndërtesa, deri në katin e pestë. Pyes veten kush do të flejë aty tani.

Ndërsa kalojmë një varg ndërtesash, shohim herë pas here ndërtesa që janë shkatërruar krejtësisht — janë të rrethuara nga shumë të tjera që po qëndrojnë ende.

Takojmë fotografët e tjerë në një lokal, shumë afër pjesëve kryesore të katastrofës në Durrës. Po i dorëzojnë seritë e fundit të imazheve. Përreth tyre, lokali është plot me vendas, të cilët kanë frikë të flenë në banesat e tyre.

Durrës,  27 nëntor (ora 3 e mëngjesit )

Bashkë me fotografët e tjerë po presim si tre korba përballë vendit të shpëtimit në hotelin e shembur, për të parë nëse gërmimi mund të kthehet në imazh të shpresës — një person i shpëtuar, i gjallë… një moment frymëzues mes gjithë tragjedisë…

Por jo.

E nxjerrë prej rrënojave të një ndërtese, që para më pak se 24 orëve ka qenë në gjendje normale, ishte viktima e fundit e asaj nate.

Pronari i hotelit. Një tjetër trup.

“Ku don me flejt’?” e pyes. “Në nji tjetër hotel që mund t’na shembet mbi kokë nga tronditjet?”

Durrës, 27 nëntor (ora 3:30 e mëngjesit)

I lodhur fizikisht dhe emocionalisht, shoku im vendosë ta kryejë për atë natë dhe sugjeron ta rezervojmë një hotel për të fjetur pak. “Ku don me flejt’?” e pyes. “Në nji tjetër hotel që mund t’na shembet mbi kokë nga tronditjet?” Ai fle në veturën e tij.

Unë kthehem në lokal me vendasit e pagjumë, e presim agimin.

Një çift i martuar, të ulur pranë stufës me disa të moshuar nuk kanë ide çka do t’i presë të nesërmen… edhe më shumë pasiguri? Kthim në shtëpi? Zhvendosje?

Papritur, bën telefoni i dikujt dhe e dridh tavolinën. Ai e kap telefonin dhe përgjigjet me gjysmë buzëqeshje: “Më frikësove, mendova se ishte një tjetër tërmet!”