S`fundmi | Ambienti

Po afron ajo koha e vitit kur s’mund të marrim frymë lirshëm!

Nga - 10.12.2021

21 Dhjetor 2021, ora 17:30

Jemi pothuajse në atë pjesë të vitit përsëri! Dhe, nuk është fjala për ardhjen e Vitit të Ri, me të gjitha dhuratat dhe festat që i sjell. Po flasim për rikthimin e ajrit të tmerrshëm që vjen për çdo dimër, posaçërisht në Prishtinë, ku ndotja e ajrit shpesh mund të krahasohet me atë të megalopoleve si Pekini, Mumbai dhe New Delhi.

Deri tani, e dimë se kush është shkaktari kryesor i problemit: djegia e lëndëve djegëse të ngurta (drurit dhe qymyrit) për t’i ngrohur shtëpitë dhe për të siguruar energji për sektorin e tregut.

Për qytetarët e Kosovës, energjia dhe ngrohja kanë çmim të lartë, me rreth 760 njerëz që vdesin para kohe çdo vit si pasojë e infeksioneve të frymëmarrjes, sëmundjeve pulmonare, llojeve të ndryshme të kancerit, sëmundjeve të zemrës dhe sulmeve në tru të shkaktuara nga ndotja e ajrit (sipas një hulumtimit analitik të vitit 2019 të Bankës Botërore). Në ditët e sotme këto rreziqe po rëndohen nga COVID-19, i cili ndërvepron me sëmundjet e tjera për të prodhuar efekte dobësuese, shpesh herë edhe fatale.

Përpos tjerash, ndotja e ajrit vjen me një kosto të madhe ekonomike si rezultat i shpenzimeve shëndetësore dhe humbjes së produktivitetit në punë. Kostoja e vlerësuar lidhur me dëmin shëndetësor nga ndotja e ajrit në Kosovë është mesatarisht 207 milionë euro, ekuivalente me 3.6% të BPV në vitin 2016.

Me dimrin që po vije si test për qeverinë e re që u formua në shkurt, kjo pjesë e vitit paraqet ballafaqimin e saj për të parën herë me problemin e kahmotshëm, që shqetëson prej kohësh qytetarët e Kosovës.

Një projektligj kundër ndotjes së ajrit është miratuar tre muaj më parë në Kuvend duke marrë mbështetjen e të gjitha grupeve parlamentare. Çfarë përfshin ky ligj? A do t’i vendosë themelet për ta zgjidhur përfundimisht, ose të paktën për ta zbutur problemin? Apo një zgjidhje efektive është veç një ëndërr gjersa e kalojmë edhe një tjetër sezon të vështirë ngulfatjeje? Çfarë ka në plan Ministria e Mjedisit? Dhe çfarë mendojnë ekspertët e fushës për këto plane?

Për të diskutuar kemi ftuar:

– Letafete Latifi, Kryeshefe e Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës

– Besfort Kosova, hulumtues në Balkan Green Foundation

– Granit Gashi, kontakt për Kosovë i Heinrich Böll Foundation

Biseda do të moderohet nga redaktorja e K2.0, Aulonë Kadriu.

Diskutimi do të mbahet në Hub 2.0 më 21 dhjetor prej orës 17:30. Do të ketë përkthim në gjuhën angleze dhe serbe.

Të ftuarit duhet të mbajnë maska ​​dhe ta respektojnë distancimin social gjatë ngjarjes.

Kjo ngjarje mbështetet nga National Endowment for Democracy.