Trashëgimia e Patriarkisë Toksike

  • Rreth kësaj bisede
  • Kosovo 2.0 sjell filmin “Ajo” për të nisur diskutimin e dytë në kuadër të Programit Lokomotiva 2.0. Përmes Lokomotivës, me anë të mjeteve artistike synojmë të përfshijmë të rinjtë e të rejat në diskutim kuptimplotë rreth gjinisë, etnisë, fesë dhe racës.

    Diskutimin tonë lidhur me temën e gjinisë do ta nisim me shfaqjen e filmit “Ajo”. Fabula e filmit të shkurtër në regji të More Raçës është e vendosur në një zonë rurale të Kosovës dhe shtjellon rrjedhojën e dinamikave të dhunës në një familje, ku veprimet e dy protagonistëve burra, babë e bir, tregojnë se si trashëgohet patriarkalizmi dhe mashkullia toksike duke u normalizuar dhuna me bazë gjinore si “punë e familjes” me të cilën nuk i përket askujt tjetër të merret.

    Kjo trashëgimi e hidhur që dallohet në film përkon me realitetin e trishtë kosovar ku çdo vit po shënohet rritje shqetësuese e numrit të rasteve të dhunës në familje të raportuara në polici —- dhe kjo vlen për të gjitha grupet etnike. Për më tepër, ndonëse qindra persona arrestohen për ushtrim të dhunës, shpeshherë dënimet ndaj tyre janë dorëshlira, duke kontribuar në një kulturë të pandëshkueshmërisë që vetëm e përkeqëson problemin.

    Dhuna ndaj grave shpesh është pasojë e pushtetit të pabarabartë mes burrave dhe grave, i paracaktuar nga vetë strukturat patriarkale. Por, mediumi i filmit gjithnjë ka sfiduar dhe vënë në pikëpyetje pabarazitë e tilla. Prandaj edhe kemi vendosur që projektimi i filmit të shërbejë si pikënisje për diskutimin rreth ndikimit të artit/filmit në luftimin e pabarazisë gjinore, si dhe atë se çfarë mund të bëjmë që të mos trashëgohet mashkullia toksike që përjetësohet nga shoqëria patriarkale dhe rrjedhimisht përjetëson dhunën me bazë gjinore, dhunën seksuale, problemet e shëndetit mendor, e deri te pritjet dhe teknikat negative të prindërimit. 

    Diskutimit tonë do t’i bashkohen:

    • More Raça, shkrimtare dhe regjisore e filmit “Ajo” 
    • Eli Krasniqi, antropologe, Universiteti i Grazit, Austri

    Ky diskutim do të moderohet nga Aulonë Kadriu, Menaxhere e Programit në K2.0.

    Ju ftojmë të merrni pjesë në ngjarjen tonë më 29 janar 2021, online në faqen e Kosovo 2.0 në Facebook. Filmi do të shfaqet në 17:30, kurse diskutimi vazhdon prej orës 17:45.

    Nëse keni nevojë për përkthim në gjuhën angleze ose serbe, na shkruani që t’jua mundësojmë qasjen në audio kanalet e përkthimit në platformën Zoom.

    Kjo ngjarje mundësohet me mbështetjen e Prince Claus Fund.

    Imazhi i ballinës: Arrita Katona / K2.0.

  • Shikojeni këtë edicion tani
  • Rreth folësve/eve
  • Time:

    5:30 pm

    Place:

    Facebook LIVE

    Date:

    29/01/2021