Gjatë njëzet e tri viteve të saj në Muzeun Historik të Bosnjë e Hercegovinës, Elma Hašimbegović, drejtore qe njëmbëdhjetë vjet, e ka kthyer muzeun nga një institucion në prag të mbylljes dhe shpërfilljes së tërësishme, në një vend dialogu dhe nderimi për qëndrueshmërinë dhe përshtatshmërinë njerëzore.
Që nga viti 1963, muzeu — tani institucion shtetëror që nuk pranon asnjë financim shtetëror — është vendosur në një ndërtesë moderniste, skajet e mprehta të së cilës i rezistuan rrethimit 1,425 ditësh të Sarajevës, ndërsa pas vitit 1995, shpërfilljes shtetërore. Me të hyrë në ndërtesë, vizitorët/et hasin në një mural me xhama, ku shkruhet “Smrt fašizmu, Sloboda narodu” (Vdekje fashizmit, Liri popullit). Parulla rikthen të kaluarën e muzeut si një institucion jugosllav që përkujton “betejën e drejtë të të gjithë popujve të Bosnjë e Hercegovinës dhe Jugosllavisë kundër fashizmit”.
Fillimisht i themeluar në vitin 1945 si Muzeu Historik i Bosnjë e Hercegovinës, muzeu u riemërua në Muzeu i Revolucionit Kombëtar të Bosnjë e Hercegovinës në vitin 1949 përpara se të riemërohej sërish në vitin 1967, këtë herë në Muzeu i Revolucionit të Bosnjë e Hercegovinës. Përfundimisht, emrin e tanishëm e mori në vitin 1993, një vit pas referendumit të pavarësisë së Bosnjë e Hercegovinës dhe në mes të rrethimit të Sarajevës.
Zyra e Hašimbegović është më thellë në ndërtesë, mbrapa muralit. Në derën e saj ka të ngjitur një shenjë që thotë “DIREKTOR” me shkronja të dukshme, të argjendta, bashkë me një copë letre ku shkruhet “ICA” me shkronja të zeza e të trasha, për ta formuar gjininë femërore të titullit. Titulli DIREKTOR u vendos kur zyrat u mobiluan në fillim dhe s’ishte konsideruar se këtë zyrë do të vendosej një grua.
Vite më vonë, dikush — Hašimbegović nuk e di se kush — mori punët në duar të veta dhe shtoi një copë letre me “ICA” të shkruar me shkronja të zeza, për ta formuar gjininë femërore të emrit. Dera është tregues i disa prej ndryshimeve që ka pësuar Muzeu Historik i Bosnjë e Hercegovinës që kur u zhvendos në ndërtesën e tij të tanishme në vitin 1963, pas ndalesave të mëparshme në hapësirat e Muzeut Kombëtar të Bosnjë e Hercegovinës dhe ndërtesës së komunës së Sarajevës.
Që nga rikthimi i tij si muze historik kombëtar i një shteti të pavarur të Bosnjës e Hezegovinës, muzeu është përballur me braktisjen nga shteti, prezantimin publik të historisë së fundit dhe të kundërshtuar, si dhe mjedisin mospërkrahës politik. Megjithatë, ai vazhdon të shërbejë si forum për reflektim dhe angazhim kritik me të kaluarën, duke treguar histori të qëndrueshmërisë njerëzore në rrethana ekstreme, siç është rrethimi i Sarajevës dhe duke i dhënë rëndësi njerëzores përballë narrativave të forta nacionaliste të përforcuara nga struktura politike e Bosnje e Hercegovinës.
K2.0 u takua me Hašimbegović pas udhëtimit të saj së fundmi në Muzeun e Luftës Perandorake në Londër për të diskutuar për shenjën DIREKTOR(ICA), përvojat e saj në drejtimin e një institucioni shtetëror që nuk merr fonde shtetërore, si dhe privilegjet dhe përgjegjësitë që bart kurimi i historisë.
Fotografia: Haris Adzem
K2.0: A e dini historinë lidhur e mbishkrimit DIREKTOR? Kur u vendos fillimisht dhe cili është prapavija e shtimit të ICA?
Elma Hašimbegović: Ky mbishkrim i vogël në derë tregon shumë për të kaluarën dhe të tashmen e këtij institucioni. Kur hyn në muze, sheh shumë gjëra të ruajtura dhe të ngrira në kohë, përfshirë edhe zyrën e drejtorit/es dhe mbishkrimin në derë. Kjo hapësirë me gjasë është ndërtuar në vitet e ’60-a. Orenditë nuk kanë ndryshuar për shumë vite.
Mbishkrimi të tregon se si korrektësia gjinore s’ishte e pranishme në atë kohë. Të gjitha këto profesione, veçanërisht pozita e drejtorit/es, ishin kryesisht profesione burrash. “Zyra e drejtorit” shkruhej në gjininë mashkullore dhe askush s’i kushtonte vëmendje. Tani, kjo është një shenjë historike. Ndoshta, ndonjërit/ës nga kolegëve/eve të mi/ja ose ndonjërit mysafir/e të muzeut — as që mbaj mend se kush ishte — i pengoi mbishkrimi dhe e bëri këtë ndryshim. Mund ta ndryshojmë mbishkrimin e plotë dhe ta vendosim një të ri siç duhet. Por mendoj se kjo ndërhyrje e ruan historinë ashtu siç ka qenë, duke ia shtuar mënyrën artistike.
E kemi hapur muzeun ndaj ndërhyrjeve të reja, duke lejuar disa hulumutues/e dhe kryesisht artistë/e të ndërhyjnë me koleksionet tona. Ky është një shembull i kësaj. Ishte ndërhyrje e drejtpërdrejtë në orendi dhe histori të muzeut. Mund ta shohim si një instalacion arti apo një ndërhyrje artistike në hapësirë.
Kur e pashë më la shumë përshtypje, prandaj isha kurreshtar për historinë prapa kësaj ndërhyrjeje.
U bë si shaka, por mund ta shohësh si protestë. Nuk ka pasur shumë drejtore në historinë e muzeut.
Kështu që, muzetë dhe disa institucione të tjera kulturore nuk janë përbrenda interesit të llojeve të biznesit të burrave. Ditëve të sotme në Bosnjë muzetë kanë gratë në pozitat e drejtores. Kam një kolege në Muzeun e Letërsisë dhe Arteve Skenike. Këto pozita si drejtore në institucionet më pak të paguara janë më të zëna nga drejtore gra. Biznesi ende rezervohet për burrat.
Gjatë karrierës suaj, a keni vërejtur një rritje të drejtoreve/direktoricave?
Arti, kultura — bizneset dhe industritë që nuk kanë shumë fonde dhe para — mund t’u jepen grave në ditët e sotme. E shoh këtë ndryshim në industritë krijuese, por institucionet që ndërlidhen me biznesin ende rezervohen për burrat. Kultura është parë si diçka për të cilën burrat nuk janë aq të interesuar.
Jeni rritur në Sarajevë. E mbani mend vizitën tuaj të parë në Muze?
Kam vetëm kujtime të turbullta kur erdha në këtë muze si fëmijë. Ishte Muzeu i Revolucionit atëherë. Ishte një institucion i fortë politik me shumë histori ushtarake, që ndoshta ka qenë më interesant dhe është ruajtur më mirë në kujtimet e djemve dhe vizitorëve burra.
Më kujtohen fqinjët tanë, Muzeu Kombëtar — Zemaljski Muzej — shumë më shumë gjatë fëmijërisë. Ne si fëmijë të lagjes vendosëm ta vizitonim muzeun një ditë dhe kështu shkuam 10 veta. Muzeu Kombëtar ishte më i gjallë dhe kishte gjëra të tilla si kafshë që ishin më interesante për brezat e rinj.
Ndoshta dy-tre vite para se t’ia filloja punës në Muzeun Historik, erdha në njërën nga ekspozitat. Nuk kam ëndërruar kurrë ta filloj një karrierë të gjatë këtu, por më kujtohet që mund ta imagjinoja veten duke punuar në një muze. Gjithmonë e kam menduar si punë të bukur.
Kur u ndërtua për herë të parë, ndërtesa e frymëzuar nga Mies van der Rohe, ishte një nga shembujt kryesorë të arkitekturës moderniste në Jugosllavi.
Fotografia nga Muzeu Historik i Bosnjë dhe Hercegovinës
Pra, edhe nëse nuk e keni parë veten specifikisht në këtë muze, ideja për të punuar në një muze ju është dukur tërheqëse?
Sigurisht. E dija që kur isha shumë i vogël se do të studioja histori sepse historia ishte lënda ime e preferuar. Muzetë ishin gjithmonë vende ku mund ta imagjinoja një punë interesante dhe dinamike, duke ndërvepruar me koleksionet dhe duke u lidhur me historinë. Muzeu mendohet zakonisht si vend me një atmosferë te ë caktuar, si një mjedis i bukur në thelbin e tij. Por s’ka qenë i tillë kur erdha të punoja këtu.
Keni përfunduar studimet Master në Central European University (CEU) në Hungari. Keni planifikuar gjithmonë të ktheheni në Bosnje dhe Hercegovinë, apo keni parashikuar të punonit jashtë vendit?
E dija që do të kthehesha. E pata mundësinë të studioja jashtë vendit, në të njëjtën kohë kur u punësova në muze. Isha me fat që m’u mundësua të kthehesha në punë pas studimeve.
Studimet mesjetare ishin kërkimi im akademik, por ideja për të studiuar jashtë vendit dhe për të shkuar përtej komunitetit dhe arsimit vendor, ishte shumë më e rëndësishme sesa të studioja mesjetën. Më shtynte dëshira për të studiuar në një mjedis tjetër, larg zonës së rehatisë së shtëpisë.
Pas luftës, njerëzit kishin shumë më shumë shpresë dhe optimizëm për t’i ndryshuar gjërat.
Në vitin 2015, New York Times shkroi se “Për qëndrueshmërinë e tij, muzeu i detyrohet përpjekjeve mbinjerëzore të drejtores së tij përjetësisht optimiste, Elma Hašimbegović”. Prej nga buron ky optimizëm?
Epo, kanë kaluar më shumë se tetë vjet dhe ende nuk e kam humbur atë entuziazëm. Erdha në muze në vitin 2001, kështu që kam punuar për muzeun për më shumë se 20 vjet tani. Secili kemi uljet dhe ngritjet tona, por unë kam një vizion dhe mision mjaft të fortë. Kjo më shtyn përpara, edhe kur e shoh shoqërinë tek dorëzohet, si dhe brezi që filloi ta rindërtojë shoqërinë pas luftës është lodhur. Ai brez është pak më i vjetër se unë. Brezi im i takon periudhës së pasluftës së ndryshimeve dhe ndërtimit të një shoqërie të re.
Pas luftës, njerëzit kishin shumë më shumë shpresë dhe optimizëm për t’i ndryshuar gjërat në një shoqëri të pasluftës. Sidomos kur pashë ekonominë jofunksionale, pashë potencialin në art dhe kulturë, si bartës të ndryshimit dhe që sjellin një klimë të shëndetshme në shoqërinë dhe qytetin ku jam rritur.
Kur erdha në muze, tashmë ishte në krizë. Kjo krizë filloi në muze dhe në institucione të tjera kulturore menjëherë në vitin 1995. Askush s’erdhi dhe të thoshte: “Ne marrim përgjegjësi për institucionin”. Erdha gjashtë vjet më vonë, në vitin 2001. Askush nuk e financonte. E shihje gjendjen e ndërtesës duke u përkeqësuar, koleksionet në rrezik. Në çdo hap shihje poshtërim të kulturës dhe trashëgimisë.
Të tregova për ëndrrat për të punuar në një muze. Ishte një pozitë e thellë; E shihja si një punë shumë të bukur dhe unike. Dhe pastaj erdha në muze, i cili ishte i vdekur. Po flasim për histori të shpërfillur dhe të fshirë nga kujtesa publike. Disi e gjeta veten në një pozicion për ta parë atë. Pashë një institucion të cenueshëm, që nuk njihej apo pranohej nga shoqëria me gjithë potencialin, kapacitetin dhe vlerën e vet.
Është e pabesueshme që muzeu është në këtë ndërtesë të bukur moderniste të viteve të ’60-a. Ndërtesa po shembet dhe askujt nuk i bëhet vonë. Kemi koleksione unike, të bukura dhe të rëndësishme dhe askujt nuk i bëhet vonë. Muzeu mund të shembet ose të dëmtohet ose të shkatërrohet me kalimin e kohës. Një lloj energjie vërtet e brendshme, apo fuqi ose forcë më shtyn të mendoj se nuk do të përfundojë kështu.
Ia dolëm ta shpëtonim institucionin nga mbyllja. Me trashëgiminë dhe historinë e muzeut si një ish-Muze i Revolucionit, një muze që trajton historinë e Luftës së Dytë Botërore i krijuar në periudhën komuniste, veç është problematike. Para 15 vitesh, askush nuk e vlerësonte ndërtesën. Ishte thjesht një ndërtesë e vjetër socialiste. E merrja me mend lehtësisht se do të mund të rrënohej një ditë dhe vendi të përdorej për një qendër të re tregtare.
Kjo ishte e mundur atëherë; gjithçka është e mundur. Edhe gjërat që në ditët e sotme duken të pamundura mund të ndodhin lehtësisht, sepse realiteti është mizor dhe i paparashikueshëm.
Kam punuar si kuratore deri në vitin 2013, kur mora detyrën e drejtores. Në 12 vite si kuratore, kisha shumë më pak kapacitet për të ndërmarrë diçka. Dëshiron ta bësh punën tënde siç duhet, por duart i ke të lidhura. Nuk ke fonde ose mbështetje menaxheriale. Nuk ke mirëkuptim nga ata që punojnë rreth teje.
Unë ia dola t’i zbatoja vizionet dhe idetë e mia se si duhet të duket muzeu. Ky është frymëzimi dhe optimizmi që më shtyn përpara. E shoh teksa mundi dhe energjia e investuar po shpërblehen. Një projekt çon te një tjetër dhe e sheh procesin hap pas hapi të ndryshimit. Është një ndjenjë si “po, ne mund ta bëjmë këtë”.
Ideja se po shpëton diçka nuk është fetare, por e ke një lloj force shtytëse përpara. E ke aftësinë dhe disa metoda dhe mjete për të ndërmarrë diçka, ndaj i përdorë këto burime sa më shumë që të jetë e mundur për ta mbajtur institucionin funksional dhe të dallueshëm nga gjithçka që na rrethon.
Ne promovojmë muzeun si vend që u përket të gjithëve.
E ke një shoqëri të ndarë, politikë të ndarë. Kemi pikëpamje të ndryshme për historinë. Prandaj, ne njëmend po përpiqemi të prodhojmë diçka ndryshe nga ajo çfarë ka ndodhur rreth nesh, që vetëm po përkeqësohet gjithnjë e më shumë teksa kalon koha. Jo për mirë, fatkeqësisht, por shumë më keq. Gjërat në shumë çështje nuk po përmirësohen, por po shkojnë në drejtimin tjetër.
Pra, nga këtu vjen optimizmi dhe frymëzimi. Rezultatet e vogla të dërgojnë drejt të tjerave. Kjo është një forcë shtytëse që më mban në lëvizje dhe entuziaste. Besoj në atë që po bëjmë.
Kur flet me njerëzit për situatën politike, ekonomike dhe kulturore në Bosnjë, njerëzit zhgënjehen dhe ia dalin, sepse janë realistë, gjë që është mjaft dëshpëruese. Flas me kolegë në institucione të ngjashme, si Galeria Kombëtare. I sheh njerëzit që s’marrin fonde dhe s’marrin rroga dhe që s’kanë kurrfarë optimizmi. Atëherë mendon, “a jam shumë naive, apo e kam gabim?” Por unë nuk shoh asnjë alternativë tjetër, sinqerisht.
Jam kureshtar se si e baraspeshoni udhëheqjen e një muzeu që përqendrohet në kultivimin e shkencave humane, duke e bërë historinë publike të qasshme dhe të kuptueshme për shoqërinë e sotme, me sfidat financiare dhe institucionale të përfshira në kornizën aktuale institucionale të vendit.
Këto dy gjëra janë të lidhura. Sfidat dhe pengesat tona financiare janë motiv. Ndoshta po të kishim financim të rregullt, motivimi nuk do të ishte i njëjtë. Është e vështirë t’i motivosh njerëzit të luftojnë më shumë, të punojnë më shumë, nëse iu ke siguruar gjithçka.
Ndonjëherë them se janë telashet apo nevoja ajo që i shtyn njerëzit të ndryshojnë gjërat. Nuk dua të them se varfëria është mjedisi më i dobishëm për të qenë krijues/e, sepse do të ishte gabim të flasim dhe të mendojmë nga ai këndvështrim, por mendoj se motivimi ynë ka ardhur nga sfidat. Motivimi ynë ishte ta ndryshonim pozicionin tonë dhe të ndryshonim klimën shoqërore.
Vetëm muzeu ynë nuk mundet ta ndryshojë botën apo shoqërinë. Por frymëzimi dhe motivimi ynë është t’i shërbejmë publikut dhe të jemi një e mirë publike. Jam përgjegjëse për muzeun, por nuk është prona ime private. Është një e mirë publike. U përket të gjithëve, jo vetëm fizikisht, si koleksionet dhe objekti, por edhe për nga trashëgimia.
Kjo ishte pikënisja jonë kur iu afruam publikut në kërkim të mbështetjes së komunitetit. Kjo s’është e imja sepse unë punoj këtu. Nuk është ekskluzivisht përgjegjësia dhe barra ime, vetëm sepse jam e angazhuar ose jam përgjegjëse për të. I takon gjithë shoqërisë. Besoj njëmend në idenë e një muzeu komunitar dhe trashëgimisë dhe historisë që u përket të gjithëve, përfshirë edhe këtë ndërtesë. Kështu që unë iu them “ju lutem ejani dhe shijojeni hapësirën. Ju lutem ndihuni si në shtëpinë tuaj këtu, se ndodheni në një zonë të sigurt për çdo gjë që dëshironi ta bëni, si artist/e, vizitor/e, i/e ri/e”.
E promovojmë muzeun si vend që u përket të gjithëve. Trashëgimia për të cilën kujdesemi është një e mirë publike në një shoqëri ku ka gjithnjë e më pak hapësira publike dhe të mira publike. Ne nuk do të ishim në të njëjtën pozitë po të mos i kishim këto probleme financiare dhe politike. Nëse do të organizoheshim dhe do të financoheshim si institucion i rregulluar administrativisht dhe politikisht, në fakt, nuk do të mendonim për përparimin apo misionin tonë. Në vend të kësaj, jemi njerëz që, në bazë të nevojës, jemi të detyruar dhe të motivuar të mendojmë për përparimin dhe ndryshimin dhe kemi misionin në thelb të asaj që bëjmë.
Për çdo projekt që bëjmë, mendojmë nga i njëjti pozicion: “Cili është misioni i muzeut? Çka duam të arrijmë? Cili është mesazhi që duam ta komunikojmë?”
A ke ndonjë artefakt të veçantë që e preferon në muze? A ka ndonjë gjë nga arkivi që shpreson se një ditë do të mund të jetë baza e një projekti më të madh, apo diçka e ngjashme?
Është shumë e vështirë të mendosh për një artefakt të preferuar. Ne mbledhim historinë këtu; kjo është bukuria dhe privilegji i punës.
Kur dikush sjell një artefakt sepse mendon se i përket muzeut, unë zakonisht bëj hapin e parë për ta shtuar në koleksion. Është një privilegj ta ndjekësh artefaktin prej kur hyn në ndërtesën e muzeut. E di se kush e sjell atë. Ai ose ajo e ndan një rrëfim me mua ose me kolegët/et. Rrëfimi dhe ndjenjat me të cilin tregohet janë të gjitha pjesë e historisë — nuk është thjesht një objekt fizik.
Nganjëherë personi ende s’është gati të shkëputet fizikisht me një objekt dhe t’ia dhurojë muzeut. Nuk janë gati të ndajnë diçka me një vlerë të tillë emocionale. Jemi dëshmitarë të këtyre proceseve. Nuk do të jem në gjendje t’ua komunikoj se ku do të përfundojë objekti, në cilin koleksion do të jetë përfundimisht. Ndoshta do ta përdorim një ditë dhe do ta tregojmë një rrëfim historik krejtësisht ndryshe rreth tij.
Në vend që të shpjegoj objekte të veçanta, mund të tregoj një histori për pankartën “Don’t Let Them Kill Us” [Mos i lini të na vrasin] që arritëm ta sjellim në koleksionin tonë pas 20 vjetësh. Pankartën origjinale nga ky konkurs bukurie. [Kjo pankartë e madhe, në të cilën lexohet “Don’t Let Them Kill Us”, u mbajt në skenë nga konkurrentet e konkursit të bukurisë “Miss Sieged Sarajevo” (Miss Sarajeva e Rrethuar), i mbajtur në vitin 1993].
Ua, origjinalen!
E dinim se ku ndodhej, por personi s’ishte ende gati ta ndante me ne për 25 vitet e fundit. Ishte në bodrumin e dikujt që kishte një lidhje shumë emocionale me të. Nuk ishin gati ta jepnin. Në këto negociata emocionale, nuk mund të ofroj asgjë me vlerë financiare. Ndoshta [pankarta] ka ndonjë vlerë [financiare], por ka më shumë vlerë emocionale sesa vlerë tregtare.
Ka disa gjëra që mund t’i vlerësosh në para. Por për disa nga objektet e vogla, që grumbullon muzeu, të gjitha këto objekte kreative, të punuara me dorë, që tregojnë qëndrueshmëri njerëzore gjatë rrethimit, nuk e di se cili do të mund ishte çmimi i tyre. Bëhet fjalë për vlerën emocionale.
Pankarta ““Don’t Let Them Kill Us” [Mos i lini të na vrasin] nga konkursi i bukurisë “Miss Sieged Sarajevo” [Miss Sarajeva e Rrethuar] është tani në posedim të muzeut. Një pamje e tij u shfaq në ekspozitën “Wake Up, Europe!” [Zgjohu, Evropë]. Fotografia nga HMBIH.
Ka bukuri dhe privilegj në ndjekjen e procesit të mbledhjes dhe ruajtjes së historisë.
Diçka tjetër që më duket interesante është një letër e shkruar nga Miljenko Cvitković, një vullnetar jugosllav në Luftën Civile Spanjolle. Ai shkoi në Spanjë dhe pastaj u kthye në Jugosllavi, iu bashkua partizanëve në fillim të luftës në Jugosllavi dhe u vra. E kemi një letër nga ai për dashurinë e tij. Duke shkruar nga Parisi, ai shpjegon arsyet pse iu bashkua, pse po shkon në Spanjë, pse i duhej ta bëjë këtë sepse duhet ta bëjë secili, duke dhënë arsyet e tij personale në një letër shumë personale, por ekziston një histori e tërë përtej kësaj.
Kjo është një pjesë e koleksionit tonë që s’gjeti kurrë një vend për t’u ekspozuar. Çdoherë jam në kërkim të një mundësie për ta shfrytëzuar atë. Është një ndërlidhje emocionale për mua, jo vetëm sepse po lexoj letrën e dashurisë së dikujt. Lidhja ime personale është se rruga ku jam rritur mban emrin e Miljenko Cvitković, por s’e dija kush ishte ai.
S’është thjesht një histori e lezetshme dhe e ëmbël; është historia e vërtetë e një figure të vërtetë historike përtej ngjarjeve vendore. Po flasim për ndërkombëtarët që i bashkohen brigadave ndërkombëtare në Spanjë, në përgjigje ndaj ngritjes së fashizmit. Është shumë më shumë sesa thjesht një letër dashurie.
Detyra jonë në muze është që t’i vendosim në kontekst gjërat e tilla për audiencën. Por është gjithashtu detyra jonë të shtrojmë pyetje të solidaritetit, motivimeve, rezistencës, fashizmit, antifashizmit. Ka shumë nivele që duhen parë përmes artefakteve dhe objekteve të tilla. Ka bukuri dhe privilegj në ndjekjen e procesit të mbledhjes dhe ruajtjes së historisë. Je ti përgjegjës si person muzeor, si kurator/e.
Vizitorët/et e muzeut i pret një mural me xham, që përfshin tog-fjalësh partizan dhe antifashist nga epoka e Luftës së Dytë Botërore. Fotografia nga HMBIH.
Si vendos se çka është apo jo e rëndësishme? Ne i adresohemi një publiku shumë të përgjithshëm dhe duam t’iu shpjegojmë atyre se çka ishte rrethimi i Sarajevës. Të lexosh për këtë në një libër është një gjë; shfaqja e tij në një ekspozitë është diçka tjetër. Gjithashtu, t’i ballafaqosh të gjitha këto pengesa dhe ndjeshmëri rreth temave që trajtojmë është përgjegjësi e madhe. Dhe prapë, motivimi dhe optimizmi dhe entuziazmi i qëndrueshëm vijnë pjesërisht nga kjo.
A ka muze tjerë në Sarajevë, diku tjetër në Bosnjë Hercegovinë, apo jashtë vendit, që i shihni si model për atë se çka mund të jetë një muze për një komunitet? A ka muze të tjerë nga të cilët frymëzoheni?
Jo [qeshet]. Nuk vizitoj më muzetë thjesht si një vizitore e pastër. Kjo është ana negative e kësaj pune. Hyn në një muze dhe shikon si është vendosur recepsioni, çfarë programesh kanë. Menjëherë përpiqesh t’i shohësh gjëra prej të cilave mund të mësosh.
Jemi të lidhur me muzetë që angazhohen me konfliktet, luftërat, Luftën e Dytë Botërore, Holokaustin. Këta janë partnerët/et tanë/ona në shumë projekte, muze nga të cilët përpiqemi të mësojmë sepse nuk jemi një galeri me lule dhe vepra të bukura artistike. Jemi një muze që trajtojmë çështje shumë të ndjeshme dhe serioze në një shoqëri të cenueshme dhe të helmuar, ku çdo lëvizje e gabuar mund të ndezë probleme apo keqkuptime dhe të shkaktojë shumë dëme.
Është mjaft e vështirë ta kërkosh këtë në muzetë diku tjetër. Ne mund të shohim se si muzetë e tjerë trajtojnë historinë e Luftës së Dytë Botërore. Ne mund të shohim se si ata e trajtojnë Holokaustin. Por kemi të bëjmë me një konflikt shumë më bashkëkohor.
Ne angazhohemi me historinë që nuk është ende histori. Kjo është njëra nga sfidat në të cilën nuk mund të mësojmë shumë nga muzetë e tjerë. Mund të mësoj si ta vendos një vitrinë të bukur nga muzetë e tjerë, ose ndonjë skenografi. Por gjërat që na duhen, nuk mund t’i mësojmë aq sa mundemi, në fakt, t’i ofrojmë.
Mund të jemi model për Ukrainën apo shoqëritë tjera që i qasen periudhës së pasluftës. Mund të ofrojmë shumë për trajtimin e historisë së ndjeshme.
Kur isha në Londër, pashë që Muzeu i Luftës Perandorake ndërmori diçka për Problemet [Troubles] dhe Irlandën e Veriut për herë të parë. A mund ta imagjinosh që një muze, i cili mbulon luftën dhe konfliktin — emri i tij është Muzeu i Luftës Perandorake — nuk i ka trajtuar Problemet?
Muzeu trajton luftërat në të cilat ishte përfshirë Britania. Ata shfaqin armë nga Lufta e Dytë Botërore. Janë krenarë që tregojnë aeroplanë nga Lufta e Parë Botërore, por ata s’i kishin trajtuar Problemet, një konflikt pothuajse bashkëkohor. Në anën tjetër, ne filluam ta bëjmë historinë e rrethimit shtatë vjet pas përfundimit të luftës, në një mjedis shumë të ndjeshëm ku çdo fjalë e gabuar mund të jetë njëmend problematike.
Rinia tashmë janë të helmuar nga politika dhe nacionalizmi dhe të indoktrinuar përmes edukimit. Ata/o nuk kanë mundësi të mësojnë asgjë tjetër. Nuk them se muzeu mund t’i bëjë të gjitha këto përmirësime, por të paktën mund të provojë.
Ne marrim shumë energji dhe frymëzim nga rrethimi derisa trajtojmë situatën, pasi na mungojnë shumë burime. Përpiqemi të jemi të gjindshëm në përdorimin e të gjitha burimeve që kemi kur përballemi me pengesat e përditshme në punën e muzeut.
Njerëzit nga Lufta e Dytë Botërore nuk ishin gati dhe nuk do ta mendonin kurrë shkallën e Holokaustit. Njerëzit në Sarajevë, as në ëndrrat e tyre më të këqija, nuk do të thoshin se rrethimi do të ndodhte, se do të zgjaste katër vjet dhe se do t’u duhej ta ndryshonin plotësisht jetën e tyre.
Kur flasim për rrethimin e Sarajevës, flasim për krijimtarinë njerëzore në rrethana të pazakonta. Granatat nuk kërkohet të kenë rrethana të pazakonta. E përjetuam COVID-19 tri vjet më parë. Bota ndryshoi në një sekondë dhe u desh të mësonim aftësi të reja dhe aktivitete të reja. Pra, ekspozita [për rrethimin e Sarajevës] ka të bëjë më shumë me vlerat dhe pyetjet universale sesa me si të bësh një armë nga asgjëja. Nuk po promovojmë luftën, por njëmend po përpiqemi ta promovojmë paqen dhe njerëzinë, idenë se njerëzimi mund të durojë shumë pa u përgatitur për të.
Ky artikull është redaktuar për gjatësi dhe qartësi. Intervista u zhvillua në gjuhën angleze.
Imazhi i ballinës: Nicholas Kulawiak / K2.0.
Dëshironi të mbështetni gazetarinë tonë? Anëtarësohuni në “HIVE” ose konsideroni një donacion. Mëso si këtu.