Blogbox | Arsimi

Xhevdet Doda: Gjimnazi me rrota

Nga - 22.08.2024

Gjimnazi ikonik i Prishtinës po zhvendoset sërish.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, në fund të qershorit të vitit 2024, në një video-incizim ku shihet duke shpërndarë tabelat digjitale për klasa, tha se përpos pajisjes së shkollave me këto tabela, po nis edhe qëndrimi tërëditor nëpër shkolla. Në video, i pari i Prishtinës theksoi që edhe nxënësve që janë në shtëpi, të sëmurë, po u mundësohet qasja në shkollë dhe se kësisoji mbërrihet niveli ndërkombëtar i arsimit. Dhe kështu, sipas tij, Prishtina po transformohet.

Mësimi tërëditor në Prishtinë është paraparë praktikohet nga shtatori 2024, në pesë shkolla: “Faik Konica”, “Xhemail Mustafa”, “Model”, “Shkolla e Gjelbër” dhe “Nazim Gafurri”. Ky model do të praktikohet vetëm për nxënësit e ciklit të ulët, pra nga klasa e parë deri në të pestën dhe një prej arsyeve bazë pas këtij vendimi janë rezultatet e dobëta të nxënësve në testin PISA.  

Sipas drejtores për arsim në Prishtinë, Jehona Lushaku Sadriu, arsyeja kryesore për këto rezultate negative ka qenë qëndrimi i shkurtër në shkolla. Po planifikohet që nxënësit të qëndrojnë në shkolla për shtatë orë, pa e ndryshuar kurrikulën bazë, por vetëm duke shtuar hapësirë për aktivitetet ekstrakurrikulare që kryesisht përbëjnë rekreacione për fëmijët varësisht nga hobi i tyre. Pra, arti, kodimi, sporti dhe disa orë shtesë në shkollë me tabelë të mençur, sipas tyre, premtuakan ta rrisin performancën e nxënësve, që dolën keq në PISA. 

Pra, vërejtje nuk ka për faktin që profesorët/et e kimisë, fizikës e biologjisë nuk kanë kabinete a laboratore, profesorët/et e gjeografisë e historisë nuk kanë buxhet për udhëtime e ekskurzione, të muzikës për koncerte, të artit për vizita në galeri e realizim të ekspozitave. 

Profesorët/et e gjuhës nuk po i përmendi hiç. Nga ata/o nuk e dimë as çka pritet sepse mënyra se si flitet për arsimin në përgjithësi urdhëron që gjuhësia e gjithçka rreth saj qenka edhe jo aq e nevojshme për të arritur diçka a diku e për t’u bërë i suksesshëm. Këtë gjë e arsyeton edhe fakti që statistikat e PISA të vitit 2022 tregojnë që rezultatet e të lexuarit të nxënësve janë nga më të ultat nga të gjitha vendet që marrin pjesë në testimet e PISA.

“Xhevdet Doda” — gjimnazi në lëvizje

A kanë këto rezultate të bëjnë pra me faktin që nxënësit nuk po rrinë në shkollë, apo me faktin që një sistem i tërë i arsimit paraqitet si i mirë e në realitet është bosh?

Një pilot-projekt për qëndrimin tërëditor në shkolla kishte filluar të aplikohet në vitin 2015 në disa shkolla në kryeqytet dhe dështoi për shkak të mungesës së kushteve si numri i vogël i shkollave dhe stafit. Sot, zgjidhja po shihet te zhvendosja e disa shkollave, përfshirë gjimnazin “Xhevdet Doda” dhe disa shkolla tjera. Plani për zhvendosje është përcjellë me dixhitalizimin e disa shkollave përmes së cilës është bërë shpërndarja e 175 tabelave të mençura në shkollat e Prishtinës, sikur ky të jetë kushti i vetëm që mjafton për t’u plotësuar për t’u realizuar qëndrimi tërëditor.

Gjimnazi i shkencave natyrore do të lëvizet sërish. “Xhevdet Doda” është vend ikonik në kryeqytet. Ky gjimnaz, i themeluar në vitin 1971, ishte i vendosur në zonë qendrore, më saktësisht, në hapësirën ku është Katedralja e Nënës Terezë sot. Kjo vendndodhje e dikurshme gjimnazit, përpos pozitës së mirë në raport me vendbanimet e populluara në kryeqytet atëkohë si lagjet “Ulpianë”, “Dardani”, “Breg i Diellit” dhe ajo që njihet si  “Te qafa”, kishte edhe një aspekt tjetër pozitiv. 

Në rrethinën e tij përqendrohej edhe jeta e të rinjëve e të rejave të Prishtinës, që bënin që “Xhevdet Doda” të gumëzhinte jo vetëm në mësim e dije, por edhe në aspektin kulturor të një kryeqyteti të vogël në ish-federatën jugosllave. 

Policia serbe, në prag të fillimit të shpërndarjes së federatës në fund të  të ‘80-a, përndiqte, patrullonte e gjithmonë bënte që të ekzistonte një frikë që diçka nuk ishte krejt në rregull, por prishtinalit e shkollave të mesme pinin ndonjë kafe në Papillon që atëherë ishte “Te kurrizi”, hanin ndonjë banjalluqki aty afër duke lëvizur kokat nën tingujt e rokut klasik. 

Më pas, kur në vitin 1989, me heqjen e autonomisë së garantuar me kushtetutën e vitin 1974, arsimimi në shqip u ndalua,  nxënësit e gjimnazit bashkë me nxënësit tjerë shqiptarë, u detyruan të ndiqnin mësimet në hapësira private, në shtëpitë-shkolla. Në mes të pasigurisë e të masave të dhunshme në vitet e ‘90-a, profesorët/et dhe nxënësit/et e gjimnazit “Xhevdet Doda” thyejnë derën e gjimnazit dhe futen brenda, për ta rikthyer aty ku përkiste. 

Kthimi në shtëpi i gjimnazit nuk zgjati përgjithmonë. Në vitin shkollor 2002/2003 u vendos që hapësirat e gjimnazit të lirohen për ndërtimin e Katedrales “Nënë Tereza”. Me këtë rast, nxënësit e gjimnazit “Xhevdet Doda” u zhvendosën edhe njëherë. Këtë radhë në hapësirat e Shkollës së Mesme të Mjekësisë “Ali Sokoli” ku ndanë bankat, karriget, banjot, korridoret e muret bashkë me nxënësit e profesorët e mjekësisë.

Në vitin 2005 filloi ndërtimi i katedrales teksa objekti i shkollës u rrënua në vitin 2008, objekt me rëndësi simbolike për kujtesën e qytetarëve të kryeqytetit dhe u ndërtua katedralja e re. Mes polemikave të shumta atë kohë rreth rrënimit të shkollës, katedralja e re u shugurua me 5 shtator 2017 — ditën e 20-vjetorit të vdekjes së Nënës Terezë dhe në ditën e një-vjetorit të shugurimit të saj nga Papa Françesku. 

Objekti i ri në lagjen “Lakrishte” për nxënësit e profesorët e “Xhevdet Dodës” u gatit në vitin 2010 dhe po, tash krejt xhevdetdodasit u pajtuan që ky do të jetë fillimi i ri, i fundit. Nga viti 2011 e deri tash, nxënësit, profesorët e shërbyesit teknikë të gjimnazit natyror të kryeqytetit punuan bashkë që ambienti i shkollës në Lakrishte të ishte shtëpia e dytë e secilit prej tyre. Bashkë ata rimëkëmbën identitetin e Xhevdet Dodës dhe shkolla e tyre përsëri mori epitetin e shkollës më të kërkuar në kryeqytet, ku radhës për t’u pranuar e për të dorëzuar dokumentet çdo fillimvit nuk i shihej fundi.

E njëjta gjë po pritet të ndodhë edhe këtë vit shkollor. E njëjta radhë. Por një çështje tjetër ka zënë vendin e rëndësisë së madhe.

Më 10 korrik 2024, nxënësit e ardhshëm të “Xhevdet Dodës” janë ftuar nga llogaria zyrtare e gjimnazit në Facebook, që për të aplikuar për regjistrim paraqitjen e dokumenteve duhet ta bëjnë “në lokalet e objektit të ri të Gjimnazit “Xhevdet Doda”, në lagjen Kalabri, në hapësirat e “Gjimnazit të Specializuar Matematikor”. 

Zëdhënës/e, drejtorë e delegatë të drejtorisë së arsimit në komunën e Prishtinës kanë shkuar në gjimnaz për të biseduar rreth zhvendosjes së objektit dhe kanë hasur në refuzimin e kësaj ideje nga profesorët e shkollës. Në fund të qershorit, mbi 45 profesorë/e kanë paraqitur në komunë nënshkrimet që kundërshtojnë zhvendosjen e lokacionit të shkollës. Profesorët, ditën refuzonin idetë e në mbrëmje u vinin postime në rrjete sociale të punonjësve të komunës se kinse kishin mbështetur zhvillimet. 

Mbledhja e nënshkrimeve ankesat të drejtuara në Komunë nga profesorët/et ishte e vetmja protestë që mund të bënin. Sa i lexon e sa i vëren dikush, s’e dimë. Në anën tjetër, në këtë periudhë delikate për shkollën, “Xhevdet Doda” ka për drejtor një ushtrues detyre, pra ende zyrtarisht nuk ka drejtor. Pa drejtor që nga muaji shkurt. Drejtori në detyrë nuk ka komentuar rreth zhvillimeve nëpër medie por në faqen zyrtare shkolla fton nxënësit të paraqesin dokumentet në lagjen Kalabri, në hapësirat e “Gjimnazit të Specializuar Matematikor”, në kohën kur profesorët/et, bashkëpunëtorët e parë të tij po apelojnë të bëhet e kundërta. 

Pra, drejtoria e arsimit e komunës së Prishtinës, gjimnazin “Xhevdet Doda” me rrota, po e transporton në Kalabri, me pretekstin që hapësirat e saj i duhen shkollave të ciklit të ulët për të përmirësuar arsimin në kryeqytet. Gjatë këtij transportimi e për shkak të këtij transportimi, “Xhevdet Doda” do të dëmtohet në numër të nxënësve e në cilësinë e atyre që do t’i pranojë pasi edhe afërsia e objektit të shkollës luan rol në atë se a do të përzgjidhet nga nxënësit. Në dekadën e fundit, ky gjimnaz ka qenë ndër më të mirët në kryeqytet, si nga struktura e nxënësve si nga cilësia e mësimdhënies. Për shkak të udhëtimit në kohë e udhëtimit me rrota, ky vit po e gjen gjimnazin “Xhevdet Doda” po e gjen të lodhur nga udhëtimi. 

Rrota konsiderohet si njëra ndër shpikjet më të rëndësishme në krejt historinë e njerëzimit. Ndoshta edhe më e rëndësishmja. Rrota bëhet pjesë e një mekanizmi të caktuar për të vënë në lëvizje atë, gjë që çoi në zhvillimin të hovshëm të transportit në botë dhe bëri të mundur që ne sot të mendojmë që mund të transportojmë gjithçka, mirë e lehtë.

Kur piktografi sumerian e zbuloi rrotën në mijëvjeçarin e katërt para Krishtit, nuk e ka paramenduar se mijëra vjet më vonë do të përdorej për të transportuar bash gjithçka. Ai pati menduar se do t’ua lehtësonte punën bujqve e puntorëve fizikë që deri në këtë zbulim e kishin pasur jetën e vështirë. Por që Kosova në vitin 2024 do t’i përdorte rrotat për të transportuar gjimnaz, lehtë e mirë, pa e vërejtur askush, se qashtu bëhet mirë për arsimin, nuk besoj që do t’ia kishte marrë mendja. E ndoshta bash për këtë shkak. s’do ta zbulonte rrotën hiç.



Imazhi i ballines: Majlinda Hoxha / K2.0

Dëshironi të mbështetni gazetarinë tonë? Anëtarësohuni në “HIVE” ose konsideroni një donacion. Mëso si këtu.

Ky blog u botua me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian në kuadër të projektit “Diversifikimi i zërave në gazetari”. Përmbajtja e artikullit është përgjegjësi vetëm e Kosovo 2.0 dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian.