Monografitë | LGBTQ+

Çka përfaqëson shkronja ‘I’ në LGBTI?

Nga - 10.10.2017

Gjithçka rreth interseksit.

Pyetja e parë që i shtrohet pjesës më të madhe të prindërve kur e lind nëna fëmijën është “A është djalë a vajzë?” Por prindërit e foshnjave interseks nuk e kanë gjithmonë lehtë të përgjigjen.

Njerëzit interseks lindin me karakteristika të seksit të cilat nuk përputhen me nocionet dysore të trupit mashkullor dhe femëror, siç i njohin shumica e njerëzve. Organet gjenitale, herdhet dhe/ose strukturat e kromozomeve janë të strukturuara në një mënyrë që prodhon një trup që nuk kategorizohet lehtë si mashkullor ose femëror.

Sipas fushatës së OKB-së, Free and Equal (Të lirë dhe të barabartë), ekspertët vlerësojnë se rreth 1.7 për qind e popullsisë së botës lindin me karakteristika interseks. Kjo do të thotë se probabiliteti për të qenë person interseks është gati sa probabiliteti për të qenë person me flokë të kuqe. Ndonjëherë këto ndryshime janë të dukshme menjëherë pas lindjes, por ndonjëherë bëhen të dukshme më vonë, gjatë pubertetit. Disa variacione në strukturën e kromozomeve mund të mos jenë fare të dukshme.

Në Kosovë, sipas Ligjit për Status Civil, prindërit duhet ta regjistrojnë lindjen e fëmijës brenda 15 ditëve të para të jetës së foshnjes, ose në rastet e jashtëzakonshme brenda 30 ditëve (ligji nuk është i qartë për atë se cilat raste merren si të jashtëzakonshme). Certifikata e lindjes duhet ta tregojë seksin e fëmijës, dhe dokumentet në Kosovë e ndjekin nocionin dysor që lejon të zgjedhësh mes dy opsioneve: femër ose mashkull. Në raste të foshnjave interseks, ligji u jep mjekëve fuqi për ta caktuar seksin e foshnjes.

Në Nenin 32.3 të Ligjit për Status Civil shkruan: “Kur ka çrregullim në organet gjenitale të fëmijës, gjinia vendoset nëpërmjet raportit mjekësor”. Dëfrim Kocinaj, kirurg pediatrik në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) shpjegon nëpërmjet postës elektronike se seksi përcaktohet nëpërmjet një vlerësimi klinik që kryhet nga një kirurg pedriatik, e më pas me analizë laboratorike dhe ekzaminime radiologjike. Ai shton se karakteristikat interseks nuk janë të zakonshme, dhe prandaj “përvojat e tilla në shtetet me numër të vogël të popullsisë (si ne) janë të pakta”.

Gjinia në ligj:

Pjesa më e madhe e ligjeve në Kosovë, nëse jo të gjitha, i përdorin termet gjini dhe seks si të njëjta dhe nuk bëjnë dallime ndërmjet tyre. Seksi lidhet me karakteristika biologjike dhe fizike që i përcaktojnë meshkujt dhe femrat, ndërsa gjinia me karakteristikat e konstruktuara nga shoqëria të cilat pastaj i atribuohen burrave dhe grave, si rolet, sjelljet dhe marrëdhëniet ndërmjet burrave dhe grave. Ligjet e Kosovës nuk e pasqyrojnë këtë si duhet.

Një mënyrë nëpërmjet së cilës QKUK-ja i është qasur kësaj çështjeje është duke përdorur ndihmën e kirurgëve të huaj, si profesori Paddy Dewan – i cili është themeluesi i Kind Cuts for Kids, OJQ e Australisë – si dhe kirurgëve të tjerë të organizatës. Këta kirurgë e vizituan Kosovën pesë herë prej vitit 2011 deri në vitin 2015, dhe në atë periudhë kryen procedura operacioni tek pesë të rinj interseks, sipas raportit të tyre për vizitën e vitit 2015.

Kocinaj thotë se këto vizita, bashkë me trajnimet që mbahen në spitale nëpër Europë dhe Turqi, u kanë ndihmuar mjekëve të Kosovës që t’i zhvillojnë aftësitë për të kryer operacione të tilla. “Në disa raste të cilat janë më të zakonshme operimin mund ta kryejmë edhe ne”, thotë ai.

Disa familje kosovare mund të zgjedhin edhe t’i kryejnë këto procedura në Beograd. Kristian Randjelovic, Drejtor Ekzekutiv i XY Spectrum, organizatë me seli në Beograd e cila punon për të përmirësuar kualitetin e jetës së personave transgjinor dhe interseks, thotë se në dekadat e fundit, një ekip mjekësor në Beograd ka operuar tetë deri në dhjetë fëmijë interseks në vit, por nuk ka statistika të qarta për origjinën e këtyre fëmijëve.

“Ata i ndjekin protokollet që bëhen në spitale për fëmijët me gjenitale hermafrodite”, shpjegon Randjelovic. Spitali ende e përdor termin “hermafrodit”, i cili u referohet kafshëve të cilat funksionojnë edhe me organe mashkullore, edhe me organe femërore. Profesionistët mjekësorë dhe aktivistët interseks e konsiderojnë përdorimin e këti termi për njerëz si stigmatizues dhe shkencërisht të pasaktë.

“Shumë foshnje interseks janë të shëndosha. Nuk kanë asnjë problem me shëndet. Por pamja e jashtme e gjenitaleve të tyre mund të jetë problematike për profesionistët mjekësorë”, thotë Randjelovic. “Nëse nuk përshtatet në konceptin dysor të sekseve mashkull e femër, nëse nuk duket si një penis apo vaginë e zakonshme, ata [mjekët] kryejnë shumë operacione për t’i ‘rregulluar’, për t’ua ndryshuar pamjen. Kjo është problematike për shumë arsye”.

Bjen brisku

Nëpër botë këto operacione zakonisht kryhen herët. I pari ndodh zakonisht kur personi intersekt është foshnje ose fëmijë i vogël. Kocinaj shpjegon se mosha kur kryhet operacioni varet nga ajo se a është përcaktuar foshnja si mashkull apo si femër.

“Operacioni plastik në gjenitale që ka për qëllim ruajtjen e organeve femërore të foshnjes dhe/ose (ri)ndërtimin e vaginës kryhet zakonisht pas lindjes, ndërsa operacioni plastik në gjenitale që ka për qëllim ruajtjen e organeve mashkullore të foshnjes dhe/ose (ri)ndërtimin e penisit zakonisht shtyhet deri kur foshnja arrin moshën 1-2 vjet”, thotë ai.

Pra personi i cili i nënshtrohet operacionit nuk ka mundësi ta japë pëlqimin e tij/saj. Mjekët zakonisht e marrin pëlqimin nga prindërit, por janë raportuar raste jashtë Kosovës në të cilat mjekët i kanë gënjyer prindërit.

Randjelovic mendon se gjuha teknike që përdoret nga mjekët për t’ua shpjeguar procedurat prindërve mund të jetë e vështirë për t’u kuptuar. Meqë nuk ka persona të tjerë të përfshirë në këtë proces, Randjelovic beson se shumë prindër u besojnë profesionistëve mjekësorë dhe nuk kanë ndonjë nocion tjetër për atë se si duhet t’u qasen situatave të tilla.

Në një intervistë të zhvilluar nëpërmjet llogarisë së Kind Cuts for Kids në Facebook, Dewan thotë se ata marrin vendime sipas nevojës për intervenim dhe llojit të operacionit duke bashkëpunuar me pediatër, kirurgë dhe me familjarët përkatës. Në raste në të cilat fëmija është më në moshë për shkak se problemi nuk është trajtuar në moshë të hershme, bashkëpunojnë drejtpërdrejt edhe me fëmijën. “Disa pacientë nuk operohen si pjesë e menaxhimit, e disa, përveç operacionit, kanë nevojë për menaxhim mjekësor gjatë tërë jetës”, thotë ai.

Personat interseks, si të gjithë personat e tjerë, mund të rriten duke u identifikuar si burrë, grua, të dyja apo asnjëra, dhe kjo nuk e pasqyron domosdoshmërisht seksin që u është përcaktuar në certifikatë të lindjes. Sipas një raporti të Këshillit të Europës: “Ka vlerësime të ndryshme për frekuencën e përcaktimit të gabuar të seksit të personave interseks të cilat dallojnë prej 8.5 deri në 40 për qind. Këta fëmijë rriten duke mos e pranuar seksin i cili u është caktuar menjëherë pas lindjes, e kjo përbën shkelje të madhe të integritetit psikologjik të tyre”.

“Të drejtat njerëzore të fëmijëve shkelen padyshim, sepse nuk e dimë se si do të ndihen ata [personat interseks] kur të rriten - grua apo burrë, apo as grua as burrë. Dikush tjetër po ua përcakton gjininë dhe seksin, jo vetë personi”.

Arbër Nuhiu, Drejtor Ekzekutiv në Qendrën për Zhvillimin e Grupeve Shoqërore

Ndonëse Dewan e thekson faktin se “operacioni nuk është i parëndësishëm”, ai beson se “vendimmarrja është pjesa më e rëndësishme e procesit të menaxhimit”. Megjithatë, me sa duket këto gjëra nuk diskutohen shumë në mesin e mjekëve të Kosovës.

Arbër Nuhiu, Drejtor Ekzekutiv i OJQ-së LGBTI në Kosovë, Qendra për Zhvillimin e Grupeve Shoqërore (CSGD), thotë se “duke biseduar me mjekë e kam vërejtur se për ta është shumë normale [kryerja e operacionit për përcaktim të seksit] nëse e kanë miratimin e prindërve; e marrin njëlloj si të gjitha ndërhyrjet tjera shëndetësore që kryhen tek fëmijët me ‘miratim’ të prindërve”.

Nuhiu shton se “të drejtat njerëzore të fëmijëve shkelen padyshim, sepse nuk e dimë se si do të ndihen ata [personat interseks] kur të rriten – grua apo burrë, apo as grua as burrë. Dikush tjetër po ua përcakton gjininë dhe seksin, jo vetë personi”.

Ta gjesh vendin

Ndërhyrjet mund të shkaktojnë edhe traumë, dhe kjo mund të jetë një arsye pse komuniteti interseks në rajon është gati i padukshëm.

“Njerëzit traumatizohen gjatë procesit të ndërhyrjeve mjekësore dhe mendoj se nuk janë të vetëdijshëm se janë interseks, ose nuk u ka folur kurrë askush për gjendjen e tyre, ose nuk kanë informata për të. Nuk ndihen të lirë për të folur haptas me dikë për këtë çështje”, thotë Randjelovic, avokuesi për të drejtat e personave interseks nga Beogradi.

Këta persona madje edhe stigmatizohen. “Njëlloj si pjesëtarët e komuniteteve tjera LGBT, as personat interseks nuk vendosin gjithmonë të jenë të zëshëm për problemet e tyre sepse shoqëria jonë këtë ua bën të pamundur. Ka shumë paragjykime që nga fillimi”, thotë Blert Morina, Drejtor Ekzekutiv i Qendrës për Barazi dhe Liri të komunitetit LGBT në Kosovë (CEL).

Në Kosovë në vitet e fundit është bërë progres modest sa i përket diskutimit për probleme me të cilat përballen personat gej dhe lezbike, si dhe adresimit të këtyre problemeve, dhe mbrojtjes së të drejtave të këtyre personave. (Personat biseksualë përmenden pak publikisht si komunitet i ndarë, e të drejtat e tyre adresohen, deri në një pikë dhe në mënyrë jo të drejtpërdrejtë, nëpërmjet punës që bëhet me komunitetet e personave gej dhe lezbike).

Në vitin e fundit janë zhvilluar më shumë diskutime publike për të drejtat e personave trans. Megjithatë shumë pak është diskutuar për personat interseks. OJQ-të që punojnë me të drejtat LGBTI në Kosovë deri më tani kanë qenë relativisht të heshtura sa i përket kësaj çështjeje.

“Ende po ngurrojmë për shkak të mungesës së njohurive”, thotë Nuhiu i CSGD-së. “Ne [OJQ-të e të drejtave LGBTI] po e përmendim si çështje me të cilën duhet të merremi, por ende nuk kemi filluar. Gjithashtu kemi pak frikë, sepse nuk është mirë të nisësh diçka, edhe nëse sheh shumë probleme, kur nuk ke kualifikime profesionale [të domosdoshme për ta trajtuar çështjen në fjalë]”.

Në vitet e fundit, Organizata e Kombeve të Bashkuara dhe Këshilli i Europës kanë bërë thirrje për shfuqizimin e ligjeve të cilat lejojnë operimin e personave interseks pa pëlqimin e tyre. Kjo kërkesë është përsëritur edhe nga avokuesit e të drejtave të personave interseks, të cilët në Deklaratën e Maltës të vitit 2013 bënë thirrje për “t’i dhënë fund gjymtimit dhe ‘normalizimit’ të praktikave si operimi i gjenitaleve dhe trajtimet tjera psikologjike e mjekësore nëpërmjet mjeteve ligjvënëse dhe mënyrave të tjera. Personat interseks duhet të fuqizohen deri në atë pikë që të mund të vetëvendosin për integritetin trupor dhe autonominë fizike”.

Deri sot, Malta është i vetmi vend i cili ka miratuar legjislacion që ndalon operacione të tilla. Një ligj i miratuar në vitin 2015 e mbron integritetin trupor dhe autonominë fizike të personave të mitur interseks duke e ndaluar zbatimin e procedurave dhe trajtimeve mjekësore deri në momentin kur personat në fjalë e arrijnë moshën kur mund të japin pëlqim të pjekur. Parlamentet, gjykatat, organet bioetike dhe/ose ministritë e disa shteteve të tjera (Australi, Zvicërr, Kolumbi, Kili dhe Gjermani) e kanë adresuar nevojën për pëlqim të pjekur dhe të plotë të individit interseks para zbatimit të trajtimeve “normalizuese”.

raportin e Këshillit të Europës janë identifikuar masa të tjera të cilat respektojnë të drejtat e njeriut të personave interseks. Në Finlandë dhe Portugali nuk imponojnë ndonjë kufizim kohor për regjistrimin e seksit të foshnjes në raste të personave interseks. Australia, Malajzia, Nepali, Zelanda e Re dhe Afrika e Jugut lejojnë që të shënohet “X” në seksionin e seksit në pasaporta. Ndërsa India i ka tri kategori gjinore në formën për aplikim për pasaportë: ‘Femër’, ‘Mashkull’ dhe ‘Tjetër’.K

Foto kryesore: Majlinda Hoxha / K2.0.

Kthehu prapa tek Monografia