Pikëpamje | Aktivizmi

Fetishizmi mbi numrin e demonstruesve

Nga - 17.10.2016

Obsesioni për të gjykuar nismat për nga numri i njerëzve në rrugë është duke dëmtuar aktivizmin qytetar të Kosovës.

Të gjithë ata që kanë provuar së paku një herë të ftojnë një demonstratë në rrugë e njohin shumë mirë ndjenjën e dështimit të supozuar në rast se thirrjes së tyre i përgjigjen “pak” njerëz. Në ditët dhe orët e fundit para demonstratës i gjithë diskutimi sillet rreth numrave. A do të dalin, sa do të dalin? A do të mbushet sheshi? Çfarë do të deklarojmë për mediat nëse numri i demonstruesve është i “vogël”? Ky është presioni më brutal dhe i padrejtë që u bëhet nismëtarëve të aktivizmit qytetar në Kosovë, që e redukton gjithë idenë e mobilizimit dhe veprimit në numra. Ky presion ushtrohet nga njerëz të ndryshëm, jo vetëm brenda pushtetit, të cilët shndërrohen në kujdestarë për t’i shpallur nismat qytetare të dështuara, bazuar vetëm në numrin e atyre që janë shfaqur fizikisht në demonstratë.

Shumë nisma të mira qytetare në Kosovë përgjatë viteve të fundit janë ndeshur me këta kujdestarë të legjitimitetit, të cilët me plot sukses kanë arritur t’i mbysin këto nisma qysh në zanafillën e tyre. Pyetja që duhet t’ia bëjmë vetes është kjo: a delegjitimohen kërkesat e një nisme qytetare nëse në demonstratën e thirrur dalin “pak” njerëz? Dhe pyetja tjetër që ndërlidhet me të parën është kjo: sa është ai numër i duhur i demonstruesve për ta konsideruar të sukseshsëm organizimin? Pesëmijë, pesëdhjetë mijë? Sa është tamam? Dhe mbi të gjitha, a duhet të ketë një kuantifikim të këtillë për t’i vlerësuar organizimet qytetare, e për më shumë, për t’i shpalluar ato të dështuara ose jo, varësisht nga sa njerëz dalin në rrugë?

Për numrat

Numrat natyrisht që janë të rëndësishëm, por asesi faktor përcaktues për suksesin e një nisme qytetare. Numri i atyre që dalin në demonstratën e thirrur nuk është treguesi kryesor e as përcaktues i suksesit të nismës në raport me realizimin e kërkesave. Dhe për këtë ka edhe dëshmi empirike. Nga analizat e lëvizjeve qytetare nëpër botë del se faktor përcaktues në suksesin e nismave është konsistenca e veprimeve, shumë më tepër se numri i demonstruesve në rrugë. Shkurt, rruga më e sigurt drejt suksesit është vazhdimësia, pa marrë parasysh sa njerëz u përgjigjen demonstratës. Për më shumë, demonstrata në rrugë është vetëm një metodë e artikulimit të kërkesave dhe jo veprim eksklusiv. Shumë nisma të aktivizmit qytetar nuk përdorin metodën e demonstratës në rrugë.

Prirja për ta reduktuar një nismë qytetare në numrin e demonstruesve në rrugë është njëjtësim i nismës me demonstratën. Dhe ky reduktim ka dekurajuar një numër të konsiderueshëm nismash në Kosovë. Për fat të keq, një pjesë e mirë e këtyre kujdestarëve të legjitimitetit të nismave kanë promovuar narrativën e pushtetit. Është taktikë tipike e çdo pushteti që rezistencën qytetare ta kuantifikojë në numra të demonstruesve dhe në këtë mënyrë t’i shtypë pakënaqësitë. Dhe në këtë taktikë, shërbyes shumë besnikë të pushtetit janë mediat, që në mënyrën më perfide të mundshme e mirëmbajnë narrativën e numrave. Vetëm kujtoni deklarata të famshme e të vazhdueshme të pushtetit në Kosovë të tipit “demonstrata është mjet demokratik dhe ne e respektojmë edhe vullnetin e atyre 200-300 qytetarëve që ishin sot në rrugë”.

Dëshmitë praktike

Përkundër shumë vështirësive strukturore në Kosovë dhe këtij presioni brutal të kujdestarëve për t’i shpallur nismat të dështuara, janë disa raste të aktivizmit qytetar në Kosovë, që dëshmojnë se numrat nuk janë gjithçka. Ja disa prej tyre.

001

Foto: K2.0.

Kino Lumbardhi – e nisur në vitin 2008, pas përpjekjeve të komunës së Prizrenit për ta rrënuar objektin e kinemasë, rezistenca për ta shpëtuar kinemanë vazhdon edhe sot. Gjatë tetë viteve të rezistencës janë përdorur shumë metoda të veprimit, dhe ndër to nuk është demonstrata në rrugë. Nga metodat e aktivizmit kulturor (koncert muzikor, performansë artistike) deri te veprimet ligjore, e deri te rrjetëzimi lokal dhe ndërkombëtar, nisma për shpëtimin e kinemasë ka prodhuar shumë efekte pozitive. Sot, kjo hapësirë menaxhohet nga komuniteti kulturor i qytetit dhe më gjerë, ndërsa beteja për ta nxjerrë nga lista e privatizimit është në fazën përfundimtare. Kinemaja nga shteti i Kosovës, bazuar në statusin pronësor të trashëguar nga ligji i Jugosllavisë, konsiderohej si ndërmarrje shoqërore, që me ligjin e privatizimit të Kosovës trajtohet njëlloj si të gjitha ndërmarrjet tjera ekonomike. Hapësirat kulturore, siç janë kinematë, nuk duhet të trajtohen si ndërmarrje tipike ekonomike brenda politikës së privatizimit, pasi që ekonomia e tregut rrezikon prodhimtarinë artistike në rast se ajo matet eksklusivisht dhe vetëm në terma të profitit financiar.

Rektori Ibrahim Gashi – pas publikimit të dëshmive se rektori kishte publikuar në revista të rreme shkencore për nevoja të avancimit akademik brenda UP, reagime kishte nga të gjitha anët. Por, ajo që më vonë prodhoi dorëheqjen e rekotorit, nisi nga një grup shumë i vogël studentësh. Gjithçka kishte filluar me okupimin e oborrit të Rektoratit nga rreth pesëmbëdhjetë studentë, të cilët pjesën më të madhe të kohës aty e kalonin duke kënduar. Veprimi i mençur i tyre për të qëndruar aty me ditë të tëra, pa marrë parasysh numrin e demonstruesve ishte çelësi i suksesit. Dhe ajo çfarë pasoi ishte një rritje graduale dhe e lehtë e rezistencës, e cila në fund arriti ta detyrojë rektorin Gashi në dorëheqje. Numri i demonstruesve në asnjë moment nuk ishte i madh (sipas përkufizimit të kujdestarëve mbi madhësinë e demonstratës bazuar në numër), por vetëm konsistenca ishte faktor përcaktues në realizimin e kërkesës për largimin e një rektori që ishte shërbyer me plagjiaturë për avancime akademike brenda universitetit. Dorëheqja e rektorit Gashi ishte akt i fillimit të çlirimit të Universitetit të Prishtinës nga ndikimi politik dhe dëshmi se rezistenca e studentëve është rruga më e mirë për të siguruar autonomi dhe cilësi të arsimit të lartë në Kosovë.

img_2911

Foto: EC Ma Ndryshe

Xheneta – vdekja e tre vjeçares Xheneta Gashi në qershor të këtij viti si pasojë e shembjes së një shtëpie të vjetër monument ishte momenti më tragjik i dështimit të shtetit të Kosovës për të mbrojtur trashëgiminë kulturore. Edhe pse Xheneta e kishte paguar me jetë çmimin e papërgjegjësisë institucionale, në demonstratën e thirrur për këtë rast dolën rreth 100 persona. Dhe pas kësaj, të gjithë nxituan për të shpallur të dështuar nismën qytetarë për të kërkuar përgjegjësi penale dhe morale. Megjithatë, rezistenca vazhdoi tutje me metoda tjera dhe disa muaj pas tragjedisë gjërat kanë ndryshuar. Prokuroria është në përgatitje të aktakuzës për zyrtarë të lartë të shtetit, ndërsa gjashtë drejtorë komunalë të Prizrenit janë shkarkuar nga detyra. Në anën tjetër, pjesë e nismës është edhe padia civile e familjes, për ç’gjë ata janë përkrahur nga një firmë e avokatisë në mënyrë vullnetare. Dhe e fundit, jo më pak e rëndësishme, qytetarët janë solidarizuar me familjen duke grumbulluar afër 20 mijë Euro dhe para pak kohësh ka pëfunduar ndërtimi i shtëpisë së re ku tani e tutje do të jetojnë nëna dhe vëllai i Xhenetës.

img_3159

Foto: EC Ma Ndryshe.

Lagjja Dardania – kur në vitin 2010 komuna e Prizrenit kishte nisur ndërtimin e banesave kolektive në parkun e lagjes Dardania, banorët kishin kundërshtuar këtë veprim duke konstatuar shkelje të obligimeve ligjore të komunës për konsultim publik. E gjithë rezistenca e banorëve ishte zhvilluar përmes rrugëve ligjore, duke i shfrytëzuar të gjitha instancat administrative dhe gjyqësore. Rasti kishte mbërritur deri në Gjykatën Kushtetuese dhe përfundimi ishte pozitiv, me një aktgjykim që e obligonte komunën që të kthente hapësirën përkatëse në gjendjen e mëparshme, pasi kishte konstatuar shkelje ligjore. Ky ishte edhe një rast tipik i suksesit të një nisme qytetare, pa asnjë demonstratë ose forme tjetër të daljes në rrugë.

Konsistenca, jo numrat

Në fillim të vitit 2016, opozita politike në Kosovë organizoi dy demonstrata të mëdha në rrugë, duke e mbushur sheshin qendror të Prishtinës në kapacitetin e plotë të tij me qytetarë. Kjo nismë kundërshtonte Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe Demarkacionin me shtetin e Malit të Zi. Realisht, në Kosovë vështirë të gjendet një shesh më i madh dhe mbushja e sheshit në Prishtinë përplotë me demonstrues nënkuptonte se ky është maksimumi i njerëzve që mund të tubohen në rrugë.

Megjithatë, reflektimi i qeverisë ishte afër zeros, e për më keq, udhëheqësit e shtetit përdorën edhe gjuhë banale dhe konflikt-nxitëse si përgjigje ndaj demonstratës. Megjithatë, sot kemi mbërritur në pikën kur të dy proceset janë në prag të dështimit total. Dhe e gjithë kjo është arritur falë konsistencës së veprimeve që kanë ndodhur në periudhën pas demonstratave. Sikur opozita politike të tregohej e vetëkënaqur me numrin e demonstruesve të fillimvitit, vështirë se Asociacioni dhe Demarkacioni do të arrinin në këtë nivel të delegjitimimit si projekte politike të qeverisë së Kosovës.

Dua të besoj që këta kujdestarë të legjitimitetit të nismave, në të shumtën e rasteve, revoltën ndaj numrit të “vogël” të demonstruesve në rrugë, së pari, e kanë të mirëfilltë, dhe së dyti, e shprehin sepse ia duan vetëm të mirën këtyre nismave. Por, ndoshta edhe pavetëdijshëm dhe nën ndikimin e një impulsi momental, përfundojnë në cilësime të rënda dhe dekurajuese për nismat. Prandaj, një kontribut shumë i madh për suksesin e nismave qytetare në Kosovë do të ishte nëse ky lloj i revoltës shndërrohet në nevojë për veprim dhe i nxit këta kujdestarë në veprime konkrete për t’i ndihmuar nismat qytetare. Sepse, edhe ashtu mjaftueshëm ballafaqohemi me tiraninë e pushtetit që manipulon me numrat si taktikë për t’i shtypur pakënaqësitë e nismat qytetare.

  • 08 Jan 2017 - 23:49 | A wish for activism – My Blog:

    […] by the number of participants. Rather, I completely agree with Ceku Hajrula when he says that “the obsession to judge initiatives for the number of people on the street is harming Kosovo c…Sometimes it only takes one voice to promote […]

KOMENTO