Në thelb | Media

Fuqitë e rrezikshme të mbretit të clickbait

Nga - 07.09.2018

Pasurimi me lajme të rreme.

Në mesazh shkruante thjeshtë “mesditë”. Po pres në heshtje dhe siklet. Mesdita erdhi e kaloi. Kaloi edhe një orë dhe në fund një burrë i buzëqeshur e buzëhollë kalon nëpërmjet pluhurit të nxehtë e të bardhë që mbretëronte tendat e mëdha të Radio Café në Prishtinë. Ky burrë i ri e ka emrin Burim. Ai është tregtar profesional i lajmeve të rreme.

Si pronar krenar i vreshtave, Burimi na shetitë nëpër pasuritë digjitale të tij. Ai është pronar i një grupi në Facebook që i përkushtohet eksplorimit të vendeve të braktisura dhe një tjetër për mobilizimin e komuniteteve në Jugun Amerikan. Një tjetër me sa duket ishte për dieta e veganizëm dhe një tjetër për evangjelizëm religjioz.

Burimi thotë duke i zbardhur dhëmbët: “Një tip në Shqipëri e ndërtoi këtë faqe duke postuar informata autentike religjioze. Pastaj e pagova 2,000 euro dhe ai e transferoi faqen tek unë”. Grupet janë të çuditshme, por kanë audienca të mëdha: 90,000 pëlqime, 240,000 pëlqime, 26,000 pëlqime… Hapi i parë në tregtinë e Burimit është gjetja e audiencës, e kur i bënë bashkë bëhen afro miliona sy deri te të cilët ai ka qasje.

Me fytyrë pa ndjenja thotë “Nuk ma ndinë çka është përmbajtja, mua ma ndinë vetëm për trafikun”.

“Artikuj për vrasjen e njerëzve performojnë më së miri!” thotë Burimi gazmor. Njëri artikull mbante titullin “Personi Që Shkelmoi Qenin dhe ja Theu të Gjitha Brinjët Jashtë Burgut”. Një tjetër ishte “Djali Del nga Koma pas 12 Vitesh dhe i Pëshpërit një Fshehtësi të Errët Prindërve”. 1,400 shpërndarje, 11,1000 shpërndarje. Burimi i punëson shtatë njerëz për t’i mirëmbajtur përmbajtjet nëpër grupet e tij, duke vjedhur nga një numër të madh të operacioneve tjera.

Këto nuk janë me qëllim lajme të rreme, por të vërteta dhe gënjeshtrat në këso lloj clickbait që publikon Burimi nuk janë relevante. Me fytyrë pa ndjenja thotë “Nuk ma ndinë çka është përmbajtja”, më thotë ai mua, me fytyrë të ndritur nga telefoni i tij deri sa shfleton postet e pafund që i shpërndanë operacioni i tij. “Në fakt kjo është hera e parë që po e lexoj”, thotë ai. “Mua ma ndinë vetëm për trafikun”.

U njoftova me Burimin për ta kuptuar se si po zhvillohej një rend i ri. Unë mendova se bota e vjetër po kollapsonte rreth nesh. Shitës të mëdhenj të rugës si House of Fraser, BHS dhe Toys R Us, po kollapsonin. Partitë politike po shtrydheshin nga lëvizjet e reja digjitale që shpërthyen në të majtën radikale dhe të djathtën radikale. Edhe gazetaria profesionale po rrëzohej – viti 2016 u bë viti kur më shumë kishte njerëz që merren me marrëdhënie publike se me gazetari.

Për shembull, në Mbretërinë e Bashkuar, me rënien e të hyrave nga reklamat, nga 4.7 miliardë dollarë në vitin 2000 në 2.6 miliardë dollarë në vitin 2014, ra edhe numri i gazetarëve për një të tretën. Dhe 181 gazeta lokale në Mbretërinë e Bashkuar ishin mbyllur. Titujt e njohur botëror i mbijetuan kësaj, por nën ta ishte një masakër.

Klikoni cilindo artikull të Burimit dhe të çon në pjesën e operacionit të tij që bën para. Ai i drejton dhjetëra uebfaqe jashtë Facebook-ut, të cilat ndryshohen vazhdimisht për të mos u vërejtur. Secila duket si version i një gazete online. Artikujt e plotë janë të ndarë në seksione të quajtur “Shtëpi’, ‘Shëndet’, ‘Bone Vet’, ‘Kafshë’, ‘Art Ushqimor’. Burimi fiton nga 400 deri në disa mijëra euro në ditë – para të mira kudo, e le më në Kosovë.

Njerëzit që më së shumti kanë mundësi ta kapin vëmendjen tonë online - si Burimi - janë pikërisht njerëzit që nuk ja bëjnë vetës këto pyetje të vështira për atë se pse e meritojnë.

Sigurisht këtë pasuri Burimi e bëri pikërisht për shkak se e theu çdo rregull të gazetarisë. Për të, përmbajtjet nuk ishin relevante, origjina ishte e parëndësishme, artikuj të recikluar, e për të vërtetën as që ja vlen të mendosh. Por, ndonëse Burimi ishte armiku i gazetarisë, unë mësova se ai gjithashtu ishte produkti natyral i botës brenda së cilës funksiononte gazetaria.

Burimi e kuptoi se mund të bënte para në mënyrën e njejtë si gazetat e tjera: me reklamim programatik. Karakterizohet nga automatizmi i lartë. Është krejt teknologjike. Shkëmbimet e reklamave në kohë reale tani i lejojnë reklamuesit të japin oferta për hapësira të reklamimit para audiencës – jo brenda një publikimi specifik, por kudo që udhëtojnë në internet. Kur një anëtar i target audiencës përfundon në një pjesë të internetit ku shiten reklamat, reklama blehet dhe i shërbehet atyre menjëheë.

E gjithë ndërmarrja e tij tregon se të hyrat e reklamimit online nuk kanë të bëjnë me ndërtimin e një reputacioni afatgjatë për gazetari kualitative, për t’i dëgjuar lexuesit apo për të ndërtuar besimin me ta. Në këtë ekonomi të re online, klikimet janë mbreti; dhe pasuria mbetet te një aftësi e vetme: drejtimi i numrave të mëdhenj të njerëzve në uebaqet e tua, në çfarëdo mënyre.

Burimi është më i fuqishëm, jo më i dobët, duke qenë jashtë gazetarisë profesionale. I paprekur nga rregullat dhe standardet, e madje edhe nga e vërteta, ai mund ta kapë vëmendjen tënde shumë më lehtë dhe ta monetizojë atë me poaq gatishmëri. Në kërkimin për klikime, ndonjë gënjeshtër fantastike zakonisht klikohet më shumë se realiteti i çrregullt, i ndërlikuar dhe i zakonshëm. Njerëzit që vjedhin përmbajtje mund të fitojnë më shumë se entitetet mediale që duhet t’i paguajnë njerëzit për të shkruar. Njerëzit që më së shumti kanë mundësi ta kapin vëmendjen tonë online – si Burimi – janë pikërisht njerëzit që nuk ja bëjnë vetes këto pyetje të vështira për atë se pse e meritojnë.

Lehtë është të bëhemi nostalgjik për gazetarinë e së kaluarës: një kohë optimizmi kur redaktorët inteligjentë merrnin vendime profesionale për interesin publik, kur gazetarët hetues kishin kohën dhe burimet e nevojshme për t’i kryer punët si duhet dhe gazetat lokale i mbulonin rajonet e tyre lokale në mënyrë gjithëpërfshirëse. Por gazetaria para epokës digjitale nuk ishte domosdoshmërisht botë e këndshme. Edhe baronët e shtypit kishin ndikim të madh dhe ende kanë. Ne, lexuesit, nuk kemi nevojë për ndihmë nga një algoritëm për t’i aplikuar filterët dhe shtrembërimet tona tek bota. Paragjykimet kanë ekzistuar gjithmonë, siç ka ekzistuar gazetaria e dobët.

Standardet profesionale po mungojnë gjithnjë më shumë, rregullat nuk funksionojnë më, dhe etika zhduket në ekonomitë e lira të klikimeve që i ka krijuar bota online.

Por Burimi është vetëm një shembull i asaj se si nismat e ekonomisë së klikimeve sot janë në kundërshtim me llojin e gazetarisë për të cilin kemi pasur nevojë gjithmonë. Në momentet më të guximshme, Fourth Estate nuk është vetëm një burim dhe qendër e fuqisë, por edhe një kritik, kundërshtar dhe hetues i saj. Lloji i gazetarisë që është i guximshëm, i lodhshëm dhe merr kohë, në formën më të mirë të tij i konfronton abuzimet e fuqisë, i thekson të këqijat dhe e ndjekë korrupsionin. Nga profilet e Ida Tarbell për Carnegie dhe Rockefeller, dhe Watergate e Abu Ghraib; bota jonë formësohet nga lloji i gazetarisë që ndjek të vërteta të rëndësishme, që pa to bota do të mbetej e fshehur.

Burimi, në një anë, kishte fuqinë për të kapur audienca, por jo përgjegjësitë për t’ua thënë të vërtetën. Deri sa po hulumtoja për librin tim të ri, “Vdekja e Zotërve” (The Death of the Gods), e pash këtë duke ndodhur përsëri e përsëri: Rregullat që e qeverisin pushtetin nuk funksionojnë. Standardet profesionale po mungojnë gjithnjë më shumë, rregullat nuk funksionojnë më dhe etika zhduket në ekonomitë e lira të klikimeve që i ka krijuar bota online.

Gazetaria profesionale është vetëm një nga disa institucionet e shumta që janë përgjegjëse për ta kontrolluar dhe konfrontuar pushtetin. Policia përballet me vështirësi kur mundohet ta zbatojë ligjin online. Rregulluesit njëlloj, kur mundohen t’i kontrollojnë gjigantët e teknologjisë. E qoftë tek reklamimi i targetuar apo hakerët e politizuar, fushatat politike kanë kaluar jashtë rregullave në masë të madhe. Pikërisht këto institucione janë bërë më të pafuqishme para revolucionit digjital.

Kemi shumë nevojë të ndërtojmë kafazë të ri për fuqinë: një Shoqatë Mbretërore të Teknologëve, dizajne etike të koduara në çdo platformë, mësimin e qytetarisë digjitale në shkolla, programe që mësojnë për botën digjitale në bibilioteka. Struktura e rregullave, normave dhe ligjeve duhet të rifreskohet dhe këto janë disa prej gjërave që mund të na ndihmojnë ta arrijmë këtë. Por vështirë është ta dimë se si ta bëjmë me shpejtësi të mjatueshme. Mënyra se si funksionon pushteti po ndryshon shpejtë bashkë me teknologjinë. Një nga sfidat e gjeneratës tonë është të sigurohemi se rregullat, ligjet dhe normat lëvizin poaq shpejtë.

Kur doli një nga uebfaqet e Burimit, ai filloi të qeshë shumë, duke u mbështetur në karrikën e tij. “Shikoje”, tha ai duke e kthyer telefonin drejt meje. “Shiko kush po na paguan sot”. Baneri në faqe po e reklamonte Facebook-un. U ngrit për të shkuar, ende duke qeshur. Pas disa hapave, ngurroi dhe u kthye në tavolinën tonë. “Kafën e ke prej meje”, tha ai dhe ma bëri me sy.

Ky artikull u publikua fillimisht në Unheard dhe është ripublikuar këtu me leje.

Foto kryesore: Creative Commons.

  • PËR AUTORIN/EN Carl Miller
  • Shënim Pikëpamjet e shkrimtarit/ës nuk pasqyrojnë domosdo ato të Kosovo 2.0.
  • Ky artikull fillimisht është shkruar në anglisht.

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO