Në thelb | Zgjedhje

Premtimet zgjedhore: Analizë e fakteve

Nga - 30.09.2017

Shqyrtojmë disa prej pretendimeve më të guximshme të javës.

Tash kur Kosova përsëri po bëhet gati për zgjedhje – këtë herë zgjedhje lokale, të cilat planifikohet të mbahen me 22 tetor – kanë filluar të shtohen edhe premtimet e politikanëve. Miliona euro po premtohen për lloj-lloj projektesh, prej sistemit të trenave nëntokësorë në Prishtinë, e deri te spitalet e shkollat e reja, dhe tërheqja e investitorëve të huaj.

Çdo javë gjatë fushatës zgjedhore, K2.0 do t’i analizojë disa prej pretendimeve më të guximshme të kandidatëve për kryetarë të komunave, për të parë se sa janë të arritshme kur marrim parasysh buxhetin, afatet kohore, kompetencat zyrtare dhe faktorë të tjerë.

Këtë javë po e nisim me pretendimet e fushatave në dy prej qyteteve më të mëdha.

Komuna: Prishtinë

Pretendimet: Shtatë shkolla të reja (Arban Abrashi, LDK) / Pesë shkolla të reja (Shpend Ahmeti, Vetëvendosje)

E pashmangshme ishte që debati në Prishtinë të ishte në qendër të vëmendjes për pjesën më të madhe të javës. Shpend Ahmeti i Lëvizjes Vetëvendosje dhe Arban Abrashi i LDK-së – dy kandidatët që kanë më së shumti gjasa për fitore në këtë komunë – të dy i shpjeguan vizionet e tyre përkatëse për kryeqytetin. Ndonëse kishte dallime të dukshme në idetë e dy kandidatëve optimistë, në disa aspekte ata u treguan edhe të ngjashëm. Të dytë i qëndruan besnikë traditës së kahmotshme të kandidatëve për kryetarë të komunave: premtuan se do të ndërtojnë shkolla ët reja.

Numri i nxënësve në klasat e shkollave të kryeqytetit raportohet se rregullisht tejkalon 40-shin, dhe në disa shkolla mësimi po mbahet të paktën me dy ndërrime në mënyrë që të gjithë fëmijëve t’u ofrojnë arsimim; problem mbetet mungesa e hapësirës, laboratorëve dhe pajisjeve tjera të domosdoshme për të garantuar një sistem kualitativ të arsimit.

Si pjesë e 100 premtimeve të reja të cilat u publikuan këtë javë në programin zgjedhor “Jepi Krahë Prishtinës”, kryetari në detyrë, Ahmeti, premtoi se do të ndërtojë pesë shkolla të reja – secila me nga një bibliotekë – ndërsa rivali më i madh i tij për karrigen kryesore në kryeqytet, Abrashi, premtoi se do t’i ndërtojë shtatë.

Sa janë të realizueshme këto premtime zgjedhore për shkolla të reja?

Nëse marrim mesataren e kostove të shkollave të reja që janë ndërtuar kohëve të fundit në Kosovë del se kostoja totale për një shkollë me gjasë do të ishte 2.5 – 3 milionë euro, por kjo natyrisht dallon varësisht nga faktorët siç është madhësia e shkollës dhe lokacioni. Javën e kaluar Ahmeti tha se ndërtimi i një shoklle në Prishtinë kushton prej 3 deri në 5 milionë euro.

Po ta marrim shifrën 3 milionë si shembull ilustrues, pesë shkollat e reja të Ahmetit do të kushtonin 15 milionë euro, ndërsa ato të Abrashit, 21 milionë euro.

Për ta financuar këtë zotim do të duhej të ricaktohej buxheti, apo të merreshin fonde nga jashtë.

Megjithatë, në buxhet parashihet që në tri vitet e ardhshme të gjitha investimet kapitale në kryeqytet të kryhen me rreth 90 milionë euro, dhe se kjo shumë duhet t’i paguajë të gjitha investimet kapitale në komunë, siç është ndërtimi i rrugëve (20 milionë euro), ndërtimi i tregut të ri (4.5 milionë euro) dhe ndërtimi i katër parqeve të reja nëpër lagje të ndryshme (3 milionë euro).

Pra pavarësisht nevojës për shkolla të reja, premtimi për të ndërtuar shtatë, madje edhe pesë shkolla të reja me buxhetin ekzistues të Prishtinës po tingëllon si detyrë e vështirë.

Për më tepër, buxheti 2018-2020 për investime kapitale nuk parasheh investim në shkolla të reja në Prishtinë; për ta financuar këtë zotim do të duhej të ricaktohej buxheti, apo të merreshin fonde nga jashtë.

Një burim i mundshëm i të hyrave që do të ndihmonte për financimin e shkollave të reja mund jetë investimi kapital nga qeveria qendrore, por sipas Ahmetit, në katër vitet e fundit asnjë cent nuk është shpenzuar në investime kapitale në sektorin e arsimit në Prishtinë. Megjithatë, Vetëvendosja e Ahmetit dhe LDK-ja e Abrashit nuk janë në qeverinë qendrore të sapoformuar, dhe me këtë atmosferë të antipatisë së madhe ndërmjet partive politike, nuk pritet që këta kandidatë do të mund të varen nga fondet e qeverisë qendrore për t’i përmbushur zotimet e tyre.

Albulena Nrecaj – drejtoresha ekzekutive e OJQ-së për qytetari aktive, Iniciativa për Progres (INPO), që e monitoron gjerësisht Komunën e Prishtinës – thotë se premtimet e kandidatëve për shkolla të reja janë “të diskutueshme”, por në parim, të arritshme.

Ndërtimi i një shkollës së re në lagjen Arbëria nisi para shtatë viteve dhe ende nuk është përfunduar.

“Premtimet e kandidatëve për ndërtim të shkollave janë premtime të realizueshme, pasi të hyrat vetanake si burime të financimit për tri vitet e ardhshme vlerësohen të jenë mesatarisht rreth 30 milionë euro dhe mbetet në diskrecionin e kryetarit të ardhshëm të komunës për të vlerësuar prioritetet e investimit”, tha Nrecaj për paratë e gjeneruara nëpërmjet masave si lejet dhe taksat komunale. Megjithatë, këto 30 milionë tashmë janë ndarë në buxhetin 2018-2020, pra për t’i përdorur duhet fillimisht të tërhiqen nga një sektor tjetër.

 

Përveç kostos, vlen të ceket se projektet e mëdha infrastrukturore njihen si projekte që vështirë përfundohen dhe shpeshherë ka vonesa ose anulime gjatë procesit. Ndërtimi i një shkolle të re në lagjen Arbëria nisi para shtatë viteve nën administratën e liderit të partisë së Abrashit, Isa Mustafës së LDK-së, dhe ende nuk ka përfunduar.

Nrecaj gjithashtu thekson faktin se kryetari në detyrë ende nuk i ka përmbushur përkushtimet e tij në buxhetin e vitit 2017 sa i përket investimeve kapitale në shkolla. Sipas buxhetit të Komunës së Prishtinës për vitin 2017, ndërtimi i tri shkollave të reja duhej të niste më 2017, por asnjëri prej këtyre tri projekteve nuk ka nisur.

Komuna: Prizren

Pretendimet: Furnizim me ujë 24/7 – brenda gjashtë muajve (Hatim Baxhaku, LDK) / brenda katër viteve (Mytaher Haskuka, Vetëvendosje)

Një çështje që është zgjidhur në këtë mandat në Prishtinë është furnizimi me ujë 24/7, por në qytetin e dytë më të madh ende nuk ka ndodhur një gjë e tillë. Për shkak të infrastrukturës së vjetër dhe të papërshtatshme e cila i furnizon me ujë lagjet Kurillë, Bazhderhane dhe Dardani, si dhe fshatrat që e rrethojnë qytetin, banorët e këtyre anëve ende përballen me ndërprerje çdo ditë, me orë të tëra.

Në debatin e së mërkurës në programin Debat Përnime në RTV 21, kandidati i LDK-së për kryetar të komunës së Prizrenit, Hatim Baxhaku, e dha një zotim ambicioz. Baxhaku premtoi se do ta zgjidhte problemin e kahmotshëm të furnizimit me ujë në këto tri lagje – të cilat janë disa prej lagjeve më të mëdha në qytet – brenda gjashtë muajve.

Baxhaku është njëri prej tri kandidatëve të cilët mendohet se kanë mundësi reale për të fituar në Prizren. Mendohet se rivalët kryesorë të tij janë Mytaher Haskuka i Vetëvendosjes dhe Shaqir Totaj i PDK-së; kryetari në detyrë, Ramadan Muja i PDK-së, ka vendosur të mos garojë përsëri pasi ka përfunduar një mandat të diskutueshëm.

"Thjesht, premtimet e tyre janë "bullet points", pa analizë të realizimit, kohës, buxhetit, kapaciteteve teknike dhe prioritetit."

Hajrullah Çeku, Ec Ma Ndryshe

Haskuka, i cili ka thënë se çështja e furnizimit me ujë është një prej prioriteteve të tij, reagoi me më shumë maturi kur u pyet për afate kohore. Ai tha se zgjidhja e problemit të furnizimit me ujë kërkon shumë më shumë kohë, dhe garantoi se do ta kryente atë brenda mandatit katërvjeçar.

Hajrullah Çeku i OJQ-së për qytetari aktive, Ec Ma Ndryshe, që ka bashkëpunuar me komunitetin lokal për ta zgjidhur këtë çështje tash e disa vite, thotë se premtimi i Baxhakut është thjesht “joreal”.

Ai thekson se problemet me furnizm me ujë në Prizren janë të kahmotshme, dhe se nuk ka zgjidhje të shpejtë për to. “Qe 20 vjet kemi problem me ujë në lagjen Bazhderhane”, thotë ai. “Nuk është gjetur zgjidhje, pavarësisht përpjekjeve të Komunës dhe kompanisë rajonale [të ujësjellësit]”.

Kur u pyet se sa do të kushtonte projekti i propozuar, Baxhaku tha: “rreth 7 milion euro”. Kjo i bie gati gjysma e buxhetit total për investime kapitale për vitin 2017 në Prizren, që është 15 milionë euro. Asnjë pjesë e këtij buxheti nuk është caktuar për përmirësimin e infrastrukturës së furnizimit me ujë në lagjet e prekura nga ky problem.

Çeku beson se premtimet e kandidatëve për kryetarë të Prizrenit sa i përket kësaj çështjeje nuk përputhen me buxhetin dhe nuk janë marrë parasysh në mënyrë serioze. “Thjesht, premtimet e tyre janë “bullet points”, pa analizë të realizimit, kohës, buxhetit, kapaciteteve teknike dhe prioritetit”, thotë ai.K

Foto kryesore: Matko Bulent / K2.0.