Shpenzimet publike janë tregues i rëndësishëm i performancës së qeverisë, transparencës dhe llogaridhënies ndaj qytetarëve të vet. Ato zbatohen kryesisht përmes prokurimit publik, proces me të cilin institucionet qeveritare bëjnë blerjen e mallrave ose shërbimeve.
Prokurimi publik është qenësor për proceset si kontraktimi i kompanive për ndërtimin dhe riparimin e rrugëve, blerja e furnizimeve mjekësore për spitalet dhe qendrat e emergjencës, si dhe shumë të tjera. Ky proces ndërvepron me një gamë të gjerë fushash, përfshirë arsimin, shëndetësinë, bujqësinë, transportin, financat dhe më shumë. Në këtë kontekst, qeveritë kanë zgjedhur prokurimin publik për t’i përmirësuar rezultatet e blerjeve të tyre, përtej efikasitetit ekonomik.
Qeveritë janë blerëset më të mëdha në tregjet ekonomike, duke e bërë prokurimin publik mjet të fuqishëm, që mund t’i ndryshojë modelet ekzistuese të tregut. Vlerësohet se çdo vit, autoritetet publike në BE shpenzojnë rreth 14% të Bruto Produktit Vendor (BPV) për prokurimin publik. Në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor (BP6) — Shqipëri, Bosnjë e Hercegovinë, Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni të Veriut dhe Serbi — prokurimi publik për vitin 2023 arriti në 9.5% të BPV.
Prokurimi publik me përgjegjësi shoqërore (PPPSh) merr në konsideratë ndikimin më të gjerë të blerjeve publike në shoqëri. Gjersa, historikisht, synimi i prokurimit publik ka qenë blerja e produktit më të mirë për nga vlera, me çmimin më të lirë, PPPSh përpiqet të bëjë kontraktime publike, që krijojnë mundësi për vende të denja pune, përfshirje sociale dhe profesionale, si dhe kushte më të mira për personat me aftësi të kufizuara dhe ata/o në pozita të pafavorshme. Kësisoj, synon të promovojë politika sociale dhe të punës, gjatë ekzekutimit të një kontrate publike.
Në nivel të BE, prokurimi publik rregullohet përmes Direktivave të BE për Prokurimin Publik, të cilat synojnë të sigurojnë përdorim efikas dhe transparent të fondeve publike. Korniza ligjore e vendosur nga Direktiva 2014/24/BE për prokurimin publik vë theksin në blerjen sociale, që do të thotë se qeveritë duhet t’i përdorin fuqinë e tyre blerëse, për t’i çuar përpara qëllimet shoqërore dhe objektivat e tjera.
Një aspekt i rëndësishëm i direktivave të BE janë kontratat e rezervuara. Përmes tyre, shtetet anëtare kufizojnë pjesëmarrjen në procedurat e prokurimit publik në dy kategori të veçanta ofertuesish: punëtoritë strehuese dhe operatorë ekonomikë, qëllimi kryesor i të cilëve është integrimi social dhe profesional i personave me aftësi të kufizuara ose atyre në pozitë të pafavorshme. Kjo nënkupton më pak konkurrencë dhe shanse më të larta që kontratat publike t’i përfitojnë këta operatorë ekonomikë, misioni kryesor i të cilëve është integrimi profesional i punëtorëve/eve në pozita të pafavorshme.
Kjo direktivë e zvogëloi përqindjen e kërkuar të punësimit të personave me aftësi të kufizuara ose atyre në pozita të pafavorshme nga 50% në 30%, duke rritur numrin e operatorëve të mundshëm ekonomikë që mund të shtynë përpara reforma të tilla. Dispozita të tjera synojnë t’i plotësojnë nevojat e personave me aftësi të kufizuara, duke vendosur si obligime referenca specifike për qasjen e personave me aftësi të kufizuara dhe punësimin e tyre, në kuadër të tenderëve, si kusht për fitimin e kontratës.
Ndikimi i direktivës solli rezultat në vitin 2017, kur Bashkia e Korfuzit në Greqi hapi një tender të rezervuar për ndërmarrjet sociale të integrimit në punë, për ofrimin e shërbimeve të pijeve dhe ushqimit. Teksa kriter kryesor ishte çmimi më i lirë, tenderi ishte i hapur për aplikim vetëm për ndërmarrjet sociale të integrimit në punë, ku të paktën 30% e të punësuarve/ave ishin persona me aftësi të kufizuara ose punëtorë/e në pozita të pafavorshme.
Që atëherë, nisma të tilla janë shtuar, pjesërisht për shkak të ndikimit të Covid-19 në grupet e ndjeshme. Politikat e BE e vënë theksin në ofrimin e mundësive për grupet e margjinalizuara në shoqëri, përmes përdorimit të prokurimit publik për partneritet me furnitorët vendas dhe përfshirjen e nevojave sociale në procesin e tyre të tenderimit.
Si është situata në Kosovë aktualisht?
Prokurimi publik është kapitull i rëndësishëm në procesin e integrimit në BE. Në Kosovë, shumica e zhvillimeve në prokurimin publik ndodhën si pjesë e procesit të integrimit, njësoj si në të gjithë rajonin.
Në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, shumica e reformave në këtë fushë ndërlidhen me investimin në prokurimin elektronik, digjitalizimin e sektorit dhe rritjen e transparencës publike në shpenzimet publike. Sektori i prokurimit publik të Kosovës dhe legjislacioni që e rregullon atë, kanë pësuar transformim të konsiderueshëm, me synimin që të integrojë inovacionin dhe efikasitetin në fushën që shpeshherë ka qenë vendburim i korrupsionit.
Së fundmi, për shkak të disa nismave të nivelit të lartë, si Agjenda e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor dhe rregullorja e Mekanizmit të rregullimit të kufirit të karbonit e BE (CBAM), e cila së shpejti do të zbatohet nga bizneset në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, prokurimet publike po shërbejnë si formë për t’i shtyrë përpara qëllimet e gjelbra.
Marko Mandić, përfaqësues i Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA), me specializim në prokurimet publike, konfirmon se trendet e tregtisë rajonale për momentin i kanë në plan të parë qëllimet e gjelbra, si pjesë e tranzicionit të gjelbër. Qëllimet tjera shoqërore përmenden rrallë nga palët nënshkruese në nismat aktuale lidhur me tregtinë dhe prokurimin, shton Mandić.
Në Kosovë, prirjet e tilla pasqyrohen si mungesë e vëmendjes dhe potencialit të pashfrytëzuar në përdorimin e prokurimit publik për arritjen e qëllimeve shoqërore. Agron Ibishi nga Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik (KRPP) në Kosovë theksoi sfidat e integrimit të objektivave sociale në prokurimin publik, duke pohuar se aktualisht qëllimeve të gjelbra po u jepet më shumë prioritet sesa atyre shoqërore. Kjo pasqyron prirjet rajonale.
“Edhe pse legjislacioni aktual parasheh zbatimin e qëllimeve sociale, në praktikë po dëshmojmë zbatimit shumë të ulët të tyre”, thotë Ibishi. “Në shumë raste e vërejmë se autoritetet kontraktuese përdorin pagën minimale si kriter social,” shton ai, duke shpjeguar vështirësitë e përparimit të objektivave sociale përmes prokurimit publik.
Legjislacion i qëndrueshëm për të ardhmen
Përpjekjet për të shtyrë përpara objektivat sociale janë të shpërndara përmes legjislacionit aktual të prokurimit publik në Kosovë. Megjithatë, problemet dalin në sipërfaqe sapo t’u hedhim një vështrim nga afër.
Së fundmi, janë bërë përpjekje për hartimin e Ligjit të ri të Prokurimit Publik në Kosovë, diçka që është kërkuar dhe përmendur prej disa vitesh në raportet e progresit të BE. Si nismë e sponsoruar nga Ministria e Financave, u krijua një grup punues për ta hartuar projektligjin e ri. Megjithatë, deri më tani, asnjë draft nuk është publikuar apo ofruar për konsultim publik. Politikat si kontratat e rezervuara, kërkojnë shumë punë para se të bëhen pjesë e këtij legjislacioni.
Neni 31 i Ligjit Nr. 04/L-042 për Prokurimin Publik në Republikën e Kosovës, i plotësuar nga neni 17 i Ligjit Nr. 05/L-068, pjesë e legjislacionit aktual që rregullon prokurimin publik, përcakton se autoriteti kontraktues mund të kërkojë nga operatori ekonomik që, ndër të tjera, të punësojë persona me aftësi të kufizuara gjatë kohëzgjatjes së zbatimit të kontratës. Kjo ndryshon me nenin e kontratave të rezervuara të Direktivës së BE për Prokurimin Publik, që synon inkurajimin e mëtejshëm të operatorëve ekonomikë që veçse punësojnë persona me aftësi të kufizuara ose në pozita të pafavorshme.
Deklarimi se autoriteti kontraktues mund të kërkojë punësimin e personave me aftësi të kufizuara nuk është aq efektiv sa një ligj, që do të kërkonte nga operatori që të punësojë persona me aftësi të kufizuara. Për më tepër, përtej sfidave të zbatimit që përmend Ibishi, siç janë kapacitetet e kufizuara në monitorimin dhe zbatimin e dispozitave të tilla, nisma të tilla si ajo e Kosovës, janë të paqëndrueshme dhe mund ta rrisin më shumë ndjenjën e diskriminimit dhe uljen e besimit në punë, pasi punësimi i personave me aftësi të kufizuar mund të përfundojë atëherë kur përfundon kontrata.
Po ashtu, paragjykimet dhe perceptimet nënçmuese duket se luajnë rol të madh, sidomos kur bëhet fjalë për qëndrimet e bizneseve ndaj punësimit të personave me aftësi të kufizuara. Në anketën e Save the Children për vitin 2021 lidhur me nivelin e punësimit të të rinjve me aftësi të kufizuara në Kosovë, 73% e 66 bizneseve të anketuara deklaruan se nuk punësojnë persona me aftësi të kufizuara. Bizneset cituan reagimet dhe paragjykimet e klientëve/eve lidhur me efikasitetin e punës, për t’u arsyetuar pse nuk punësojnë persona me aftësi të kufizuara, duke iu kushtuar më shumë rëndësi kufizimeve të punëtorëve të mundshëm, sesa aftësive të tyre.
Për Egzona Hoxhajn, gruan e parë me aftësi të kufizuara që u bë asambliste në nivel lokal në Kosovë, kjo temë sjell përvoja të dhimbshme, të rrëfyera nga personat me aftësi të kufizuara në mbarë Kosovën. “Në shumë raste, edhe në projekte që janë subvencionuar nga institucionet publike, nga kompania u është thënë se do ta marrin rrogën, por s’kanë nevojë të shkojnë në punë. Kjo ka ndikuar shumë keq në gjendjen e tyre emocionale dhe besimin për punën e ardhshme”, thotë Hoxhaj.
Fatkeqësisht, për Hoxhajn, rrëfime të tilla s’janë diçka e re, pavarësisht se legjislacioni aktual detyron çdo punëdhënës/e ta punësojë një person me aftësi të kufizuara për çdo 50 të punësuar. Hoxhaj thotë se mungesa e mundësive për arsim të lartë dhe mungesa e qasshmërisë mbeten pengesat më të mëdha për punësim të barabartë dhe çojnë në zbatimin e dobët të ligjit dhe shkallën e lartë të papunësisë mes personave me aftësi të kufizuara në Kosovë.
Personat me aftësi të kufizuara, në të shumtën e raste, nuk shihen si anëtarë/e të mundshëm/me të fuqisë punëtore në Kosovë dhe sipas të dhënave të fundit, vetëm 15% e personave me aftësi të kufizuara janë të punësuar. Kjo shifër nuk merr në konsideratë aspektet tjera të situatës së papunësisë, si diskriminimi ndër-sektorial dhe diskriminimi bazuar në formën dhe shkallën e aftësisë së kufizuar.
Pengesat gjatë rrugës
Aktualisht, pengesa kryesore për përparimin e PPPSh është natyra vullnetare e zbatimit të saj, si në BE, ashtu edhe në Kosovë. Në nivel të BE, autoritetet kontraktuale nuk janë të detyruara ta zbatojnë PPPSh dhe janë të pavarura të vendosin se kur ta përdorin atë si instrument, ndaras detyrimit të respektimit të ligjeve mjedisore, sociale dhe të punës. Ky aspekt vullnetar pengon integrimin e PPPSh në blerjet publike dhe nënvlerëson urgjencën e trajtimit të prokurimit publik si sektor që mund t’i çojë përpara qëllimet sociale.
Procesi i integrimit të Kosovës në BE nuk ka kërkesa konkrete të prokurimit publik, që synojnë arritjen e qëllimeve sociale. Aktualisht, kërkesat kryesore në prokurimin publik në Kosovë përqendrohen në kapacitetet institucionale dhe ndërveprimin e prokurimit elektronik, pa përmendur aspektet sociale që mund të shtyhen përpara përmes këtij mjeti.
Edhe pse janë bërë përpjekje për më shumë se dy vite për hartimin e ligjit të ri për prokurimin publik, qasja e kufizuar në përmbajtjen e tij, e bën vështirë të besueshme se ky ligj do t’i trajtojë në mënyrën e duhur çështjet sociale, që mund të sjellin ndryshim për personat me aftësi të kufizuara.
Marrë parasysh zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme në Kosovë, pritshmëria e formimit të një qeverie të re mund ta shtyjë edhe më tutje çdo ndryshim të mundshëm që korniza e re legjislative mund ta sjellë. Nga ana tjetër, mund të krijohet një dritare mundësie, për t’u siguruar që grupi hartues për ligjin e ri të jetë më i llojllojshëm dhe gjithëpërfshirës, duke i lejuar organizatat e shoqërisë civile, që përfaqësojnë personat me aftësi të kufizuara, t’i përparojnë interesat e tyre dhe ta ngritin zërin për më shumë mundësi.
Përfundimisht, pavarësisht ndryshimeve në kornizën ligjore, gjithçka varet nga vullneti i autoriteteve kontraktuese për ta shtyrë përpara PPPSh dhe për të investuar në burimet njerëzore dhe aftësitë për ta zbatuar atë. Një numër i madh i autoriteteve kontraktuese kanë probleme me përgjegjshmërinë e pamjaftueshme menaxheriale, kontrollin e pamjaftueshëm të cilësisë dhe kapacitetin e kufizuar të menaxhimit të kontratave.
Në Kosovë, KRPP mbetet organi kryesor që ofron trajnime dhe punëtori për adresimin e çështjeve të kapaciteteve të tilla. Disa instrumente financiare të mbështetura nga BE, siç është Plani i Rritjes për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, janë në dispozicion për institucionet publike, të cilat mund të rivlerësohen dhe të përqendrohen, që t’u jepet sa më shumë rëndësi përdorimit të prokurimit publik për qëllime sociale. Rritja e ndërgjegjësimit brenda institucioneve dhe angazhimi për ofrimin e trajnimeve të duhura dhe ngritjen e kapaciteteve për stafin institucional, që përfshihen drejtpërdrejtë në hartimin e proceseve të prokurimit, janë shtyllat mbi të cilat varet çdo nismë tjetër lidhur me këtë temë.
Imazhi i ballinës: Atdhe Mulla / K2.0.