Në thelb | Drejtësi sociale

Zëra nga “Loja”

Nga - 19.11.2024

Rrëfime nga Shtegu Ballkanik.

“Jemi më mirë këtu se në Beograd”, më thotë 19-vjeçari, Abid Tasal teksa flasim në qendrën e azilit në Sjenica, në Serbinë jugore. Është i ulur në një karrocë, me këmbën e majtë të të lidhur shtrëngueshëm me fashë dhe krahun e djathtë në gips. Më tregon se këto lëndime i mori sa ishte në Beograd, në gusht të vitit 2024. Teksa po flinte në një ndërtesë të braktisur, ai dhe të tjerët dëgjuan policinë që afrohej. Nga paniku, kërcyen nga dritarja, në një përpjekje të dëshpërueshme për të ikur.

Serbia është prej vendeve kryesore  tranzit, përgjatë asaj që njihet si Shtegu Ballkanik, një rrugë e rëndësishme e njerëzve në lëvizje — refugjatëve, azilkërkuesve dhe migrantëve — që përpiqen të hyjnë në BE. Në vitin 2015, pati rritje të njerëzve në lëvizje në Shtegun Ballkanik, që iknin nga lufta civile siriane, si dhe nga shtete të tjera, që përballeshin me varfëri dhe pasiguri. Mbi një milion njerëz arritën në Evropë përmes rrugëve detare atë vit. Që atëherë, rruga ka lënë mijëra azilkërkues të bllokuar në harresë ligjore dhe fizike.

Shtegu Ballkanik është tashmë njëri nga shtigjet më të rrezikshme të migrimit në Evropë. Organizatat humanitare raportojnë dhe dokumentojnë abuzime të përhapura, duke përfshirë edhe kthime — kur individët që përpiqen të kalojnë në një vend të BE, kthehen në vendin jashtë BE prej nga kanë hyrë, shpesh pa mundësinë për të aplikuar për azil. Kthimet shkelin parimin e moskthimit të Konventës së Refugjatëve të vitit 1951, të cilën e kanë ratifikuar të gjitha shtetet e BE. Autoritetet kufitare, duke përfshirë Agjencinë e Rojës Kufitare dhe Bregdetare të BE (Frontex), zakonisht përdorin kthimet në kufijtë e jashtëm të BE.

Njerëzit që përpiqen të depërtojnë në BE bëhen gjithashtu subjekt i dhunës fizike dhe seksuale, burgosjeve të dhunshme, plaçkitjes dhe frikësimit. Në disa raste, mjekët në kampe u kanë përshkruar ilaçe psikotrope; janë zhveshur dhe gjësendet e tyre u janë djegur; janë ballafaquar me frikësimin me qen dhe hedhje të një “lëngu special” shkakton reaksione të rënda të lëkurës.

Marrëveshjet si memorandumi i vitit 2022 mes Austrisë, Hungarisë dhe Serbisë, si dhe marrëveshjet e Komisionit Evropian me Bullgarinë dhe Rumaninë për bashkëpunimin kufitar, kanë bërë që praktika të tilla të bëhen më të shpeshta. Marrëveshje të tilla synojnë t’i ashpërsojnë kontrollet kufitare në kufijtë e jashtëm të BE dhe t’i përshpejtojnë proceset e azilit dhe kthimit.

Po ashtu, Parlamenti i BE miratoi Paktin e Ri për Migrimin dhe Azilin në prill të vitit 2024, i cili më pas u miratua nga Këshilli i Bashkimit Evropian në maj 2024. Pakti ashpërson më tej kufijtë e BE, përmes mekanizmave të rinj të kontrollit kufitar dhe bashkëpunimeve me vendet fqinje dhe ato që përdoren si tranzit, duke ua lejuar po ashtu shteteve anëtare ta blejnë ikjen nga përgjegjësia e tyre proporcionale e pranimit të azilkërkuesve për në BE.

Amnesty International dhe Human Rights Watch e dënuan publikisht paktin si “fatkeqësi për migrantët dhe azilkërkuesit” dhe kjo e ka kthyer kalimin nëpër Ballkanin Perëndimor në një lojë pothuajse të pamundur që të fitohet. “Loja” është termi me të cilin njerëzit në lëvizje u referohen përpjekjeve për t’i kaluar kufijtë.

Bullgaria, vendi ku dëbimet shënojnë fillimin e “Lojës”

Me 24-vjeçarin Hamza, emri i të cilit është ndryshuar për ta mbrojtur statusin e tij administrativ, jam takuar në një vendbanim joformal, pranë kufirit serbo-kroat, një vit më parë. Iku nga Afganistani në vitin 2022, pasi u kërcënua nga talebanët, për shkak të punës së tij si gazetar dhe thotë se u dëbua 10 herë nga policia kufitare bullgare. “10 herë jam përpjekur ta kaloj dhe 10 herë më kthyen përsëri në Turqi”, kujtonte ai.

Serbia është vend kryesor tranzit për njerëzit në lëvizje, përfshirë edhe ata nga Afganistani. Fotografia: Marta Moreno Guerrero.

Rrëfimin e Hamza e dokumentova sa isha vullnetare në “No Name Kitchen (NNK)” në vitin 2023. NNK është organizatë joqeveritare aktive në rajon që nga viti 2017. Ka mbledhur mijëra dëshmi, të ngjashme me të Hamzas, për ta dokumentuar dhe dënuar dhunën në kufi, duke iu ofruar njerëzve në lëvizje mbështetje ligjore, kujdes mjekësor, ushqim dhe veshje, si dhe për t’i denoncuar abuzimet në kufi.

Sipas të dhënave nga Komiteti bullgar i Helsinkit, në vitin 2022, në kufirin e Bullgarisë me Turqinë kanë ndodhur 5,270 dëbime, që përfshijnë 87,650 persona. Hyrja e Bullgarisë në Zonën Shengen më 31 mars 2024, e përkeqësoi situatën, pasi kontrollet kufitare u ashpërsuan për t’iu përshtatur kërkesave të Shengen.

Këto veprime janë pjesë e Kornizës për Bashkëpunim për Menaxhimin e Kufirit dhe Migrimit, për të cilat u dakorduan në mars të vitit 2024. Kjo marrëveshje, e cila përfshin përkushtimin e Bullgarisë dhe Rumanisë për migrimin, ishte kusht për pranimin e tyre të pjesshëm në Shengen. Bullgaria merr 85 milionë euro nga Instrumenti i Menaxhimit të Kufijve dhe Vizave të BE përmes kësaj kornize.

Policia kufitare bullgare regjistroi tri herë e gjysmë më pak përpjekje për ta kaluar kufirin në vitin 2024, krahasuar me vitin 2023. Aktivistët/et nga Medical Volunteers International (MVI), më thanë se kjo erdhi si rezultat i rritjes së investimeve të BE në forcimin e kufirit bullgar. Mes janarit dhe majit të vitit 2024, 15,000 kalime u “parandaluan”, krahasuar me 55,000 gjatë së njëjtës periudhë në vitin 2023. Kur raportet zyrtare përdorin termin “parandalim”, zakonisht përdoret si eufemizëm për kthimet, të cilat shkelin parimin e moskthimit.

“Na zhveshën lakuriq, na i vodhën gjësendet dhe na rrahën me shufra gome sa s’mund të lëviznim më”, thotë ai.

Hamza përshkroi se si policia i gjeti tri ditë pasi kishin kaluar kufirin turko-bullgar, me 25 të tjerë nga Afganistani. “Na zhveshën lakuriq, na i vodhën gjësendet dhe na rrahën me shufra gome sa s’mund të lëviznim më”, thotë ai. “Na i lëshuan qentë dhe qeshnin teksa qentë na sulmonin”, duke treguar fotografi të plagëve. Pas sulmit, i ngarkuan në vetura dhe i kthyen në Turqi, pa pasur asnjë mundësi të kërkonin azil, një shkelje e parimit të moskthimit.

Pasi ia doli ta kalonte Bullgarinë, Hamza u gjend në Serbi, pikërisht në kohën kur Serbia pranoi ta niste një operacion të përbashkët policor me Hungarinë, që synonte “luftimin e krimit të organizuar dhe migrimit të parregullt”. Më 23 gusht të vitit 2023, ai ia dërgoi një paralajmërim një ekipi të NNK përmes Whatsapp, që të mos vinin në vendin ku ndodhej.

“Mos ejani sot, policia ka shkatërruar gjithçka”, thuhej në mesazhin e tij. Kur ekipi mbërriti, vendbanimi ishte i shkatërruar plotësisht dhe dhjetëra njerëz ishin dëbuar. Hamza pati fati dhe ia doli të fshihej nga policia. Dy ditë më vonë, e “vazhdoi lojën” dhe disa javë më vonë, mbërriti në Gjermani, ku ende pret zgjidhjen e dosjes së tij të azilit.

Mesazhi i tij ishte simbol i valës së re të dhunës ndaj njerëzve në lëvizje në Serbi.

Serbia po kthehet në një burg

Saad Ahmed, një 25-vjeçar kurd nga Iraku, e shmangu Bullgarinë, megjithatë përjetoi rrugëtim të ngjashëm të rrezikshëm: “Kaluam Greqinë dhe Maqedoninë, dhe nga aty ecëm në këmbë për në Serbi. Për tri ditë, ishim të humbur nëpër male, para se të arrinim përfundimisht në Serbi”, më tha ai.

Ahmed dhe grupi i tij mbërritën fillimisht në Beograd, ku u takuan me Ahmad Nashat, një biolog 20-vjeçar, i cili është po ashtu kurd nga Iraku. Të dy iu bashkuan një grupi më të madh kurdësh në Serbi. Disa anëtarë të grupit u takuan në një park në Beograd për të pushuar, ndërsa të tjerët iu bashkuan këtu, në kampin tranzit në Sjenica. Në vitin 2023, në Serbi funksiononin 21 kampe — qendra pritëse/transitore apo qendra azili. Numri i kampeve që funksionojnë në çdo kohë ndryshon për shkak të zhvendosjeve të shpejta përgjatë Shtegut Ballkanik.

Njerëzit në lëvizje në Shtegun Ballkanik shpesh duhet të udhëtojnë nëpër zona të largëta për ta shmangur ndalimin. Fotografia: Marta Moreno Guerrero

“Ishim në një park [në Beograd], papritmas u shfaq policia dhe, pa asnjë shpjegim, na vuri prangat, na pyeti çka kishim me vete dhe na i mori paratë. M’i kanë vjedhur 200 euro. Saad pati më shumë fat, polici që ia vuri prangat e paralajmëroi t’i fshihte gjërat e tij”, shpjegoi biologu Nashat.

“Më duket se pata fat. Jo si shoku im”, shtoi Ahmed, duke bërë me gisht kah një anëtar tjetër të grupit. “Policët e panë teksa buzëqeshte dhe i bërtitën duke e pyetur, ‘Pse po buzëqesh?’ E goditën me shuplakë që të ndalej”.

Mëngjesin e nesërm, i sollën para gjykatës dhe secili u gjobit me nga 100 euro. Pa ofruar asnjë shpjegim, faturë apo dokument.

I gjithë grupi u dërgua në një stacion policor në Beograd, ku kaluan natën. Mëngjesin e nesërm, i sollën para gjykatës dhe secili u gjobit me nga 100 euro. Pa ofruar asnjë shpjegim, faturë apo dokument. “Thjesht e paguam gjobën për t’i shmangur problemet e tjera”, shpjegoi Nashat. Pastaj ata u liruan pa iu dhënë hollësi të tjera dhe mbërritën në Sjenica të nesërmen. “Ky është vakti i parë që po e hamë qe tre ditë”, thotë Ahmad, teksa kthen shikimin kah një kuti me pulë që e morën nga kampi.

Abid Tasal, i ulur në karrocën e tij, dëgjoi bisedën. “Në Bullgari s’kishte probleme, por sapo arritëm në Serbi…”, shtoi ai duke tundur kokën. Tasal ka qenë bashkë me shokun e tij prej kur janë larguar nga Afganistani dy vjet më parë. Të dy punuan në Iran dhe Turqi, për të kursyer para për udhëtimin e tyre.

Pavarësisht vështirësive, Tasal nuk e kishte humbur buzëqeshjen. “Do të shkoj në Zvicër për të studiuar inxhinierinë”, tha ai i ngazëllyer, duke e tërhequr shokun për ta përqafuar. “Ky po vjen me mua”. E shikuan njëri-tjetrin dhe buzëqeshën. “Për 15 ditë, do të largohemi”, thotë ai dhe shpalosi një letër që tregonte se duhet të largohet nga vendi në më pak se 20 ditë.

“E këmba?” e pyeta.

Tasal lëviz krahun tjetër të palidhur, duke zbutur seriozitetin e lëndimeve të tij. “S’është i thyer, thjesht një ndrydhje”, më siguroi ai, pavarësisht se gipsi rreth kyçit të këmbës tregonte të kundërtën. Në letër paralajmërohej se nëse nuk largohej brenda afatit të caktuar, mund të burgosej.

BE ka qenë donatori më i madh në menaxhimin e migrimit në Serbi, duke kontribuuar me mbi 130 milionë euro që nga viti 2015, për ta mbështetur ndihmën humanitare dhe për t’i përmirësuar kushtet në këto qendra. Megjithatë, operacioni i përbashkët policor mes Serbisë dhe Hungarisë në vitin 2023, bëri që kampet pranë kufijve të Serbisë me Hungarinë dhe Kroacinë të mbylleshin. Individët në ato objekte u dëbuan për në qendrat në Serbinë jugore, më afër kufijve me Maqedoninë e Veriut dhe Bullgarinë.

Në fund të vitit 2023, rreth 7,000 njerëz u zhvendosën nga Serbia veriore në kampe pranë kufirit mes Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut. Operacione të tilla përfshinin disa qindra pjesëtarë të personelit administrativ nga njësi të ndryshme, përfshirë Njësinë Speciale Anti-Terroriste të Serbisë dhe xhandarmërinë, forcat policore serbe dhe hungareze, Administratën e Policisë Kufitare dhe Policinë e Hetimit Kriminal të Serbisë (UKP).

Gjithashtu, janë vendosur kufizime të rrepta të lëvizjes, duke ngritur shqetësime për shkelje të mundshme të nenit 5 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, që garanton të drejtën për liri dhe siguri. NNK vëren se operacioni i përbashkët hungarez-serb “u paraqit si strategji për t’i luftuar rrjetet e trafikimit të njerëzve. Megjithatë, ngritja e këtyre kampeve shpërfaq strategji të menaxhimit të popullsisë, që bazohen në segregim dhe dhunë”. Prandaj, argumenton NNK, ngritja e kampeve “është shembull i ushtrimit të ‘pushtetit absolut’ për t’i mbyllur individët brenda një sistemi hapësinor të kontrolluar, duke menaxhuar në mënyrë të rreptë lëvizjen e tyre dhe duke kufizuar ashpër autonominë e tyre”.

Njerëzit në lëvizje të mbajtur në kampe në Serbinë veriore u zhvendosën në objektet pranë kufirit të Serbisë me Maqedoninë e Veriut në vitin 2023. Fotografia: Marta Moreno Guerrero

Në dhjetor të vitit 2020, vendimi i Gjykatës së Drejtësisë të Bashkimit Evropian kundër Hungarisë i vendosi Hungarisë gjobë prej 200 milionë eurosh për mospërputhje me ligjin e BE. Kjo mospërputhje — kthimet për në Serbi — shkeli parimin e moskthimit. Hungaria tani duket se po provon t’i shmangë pasojat e vendimit, duke i penguar njerëzit ta arrijnë kufirin hungarez përmes presionit të shtuar të policisë në Serbi.

Operacioni i përbashkët i policisë hungareze dhe serbe që ende po zhvillohet, ka kufizuar ashpër lëvizjen e njerëzve në Serbi dhe ka penguar punën e organizatave që ofrojnë ndihmë. Organizata MVI theksoi se “militarizimi i shtuar në kufirin serbo-hungarez” i ka “bërë vendbanimet të paarritshme për ndihmat humanitare”. Raportet e MVI tregojnë rënie të ndjeshme të numrit të pacientëve, nga 1,395 në shtator të vitit 2023 në 811 në tetor të vitit 2023, dhe asnjë në dhjetor në dhjetor të 2023, duke bërë që organizata t’i ndërpresë kontrollet mjekësore dhe të tërhiqet nga Serbia.

Numri i individëve të regjistruar në qendrat e pritjes dhe azilit të udhëhequra nga qeveria ra për 73% krahasuar me vitin paraprak — nga 24,640 në pesë muajt e parë të 2023, në vetëm 6,705 në të njëjtën periudhë të vitit 2024.

Në maj të vitit 2024, Nataša Sranisavljević, komisionere e Komisariatit Serb për Refugjatët dhe Migrimin (SCRM), zyra e qeverisë serbe përgjegjëse për menaxhimin e migrimit, publikoi statistika që tregojnë rënie të dukshme të numrit të njerëzve në lëvizje që kalojnë nëpër Serbi. Numri i individëve të regjistruar në qendrat e pritjes dhe azilit të udhëhequra nga qeveria ra për 73% krahasuar me vitin paraprak — nga 24,640 në pesë muajt e parë të 2023, në vetëm 6,705 në të njëjtën periudhë të vitit 2024.

Sipas Alice Pezzutt, aktiviste në NNK, kjo rënie erdhi për shkak të mbylljes së shumicës së qendrave dhe evakuimit të detyruar të banorëve. “Mbylljet ishin strategji për ta parandaluar hyrjen e njerëzve në Serbi”, thotë Pezzutt. Sipas gjetjeve të Rrjetit të Monitorimit të Dhunës Kufitare (BVMN), një grup i organizatave joqeveritare në rajon që mbledhin dhe publikojnë dëshmi të dhunës në kufi, rënia e numrit në Serbi përkon me rritjen e kapacitetit të kampeve në Bosnjë e Hercegovinë.

Një lojë që s’e di askush

Realiteti i ashpër i migrimit përgjatë Shtegut Ballkanik i ka shtyrë njerëzit në lëvizje drejt skajeve të shoqërisë. Ata që e përshkojnë këtë rrugë të rrezikshme shpesh e gjejnë veten duke jetuar në periferitë e qyteteve, ose të zhvendosur me forcë nga policia apo duke u fshehur që të mos hasin në ballafaqimet e dhunshme me forcat e rendit.

Shumë nga qendrat e mbetura të tranzitit në rajon ndodhen larg zonave urbane, duke kufizuar rëndë lëvizjen. Për shembull, kampi tranzit ”Adaševci” në Serbinë perëndimore ndodhet në autostradën E-70, gati 30 kilometra nga qyteti më i afërt, Šid, që ka dalje të qasshme vetëm përmes taksisë — s’ka asnjë mënyrë për ta arritur përmes transportit publik.

Raporti i NNK thekson përkeqësimin në rritje të situatës dhe “logjikën karcerale/qasjen ndëshkuese” të presionit dhe pengimin sistemik të jetës së përditshme të migrantëve.

Vuajtjet e atyre që vijnë në Ballkan mbesin kryesisht të padukshme për banorët vendas. Kjo shpërfillje duket në varrezat e Šid, ku varret janë të rregulluara me gur të ngjashëm mermeri. Por afër varrezave, ku nuk ka mirëmbajtje, disa tabela druri — shumica e emrave janë shlyer ose mbuluar nga bari — shpërfaqin dallimin e madh.

Në mesin e tyre është një gur varri prej mermeri i vetmuar, që ka të gdhendur emrin Madina Hosseini. Hosseini, një vajzë gjashtë-vjeçare nga Afganistani, u përplas për vdekje nga një tren pas një kthimi nga policia kufitare kroate. Varri i saj, së bashku me viktimat e tjera të Shtegut Ballkanik, mbetet i harruar, pa asnjë vizitor për ta nderuar kujtimin e saj. Deri vonë, Hosseini ishte viktima më e re që njihej e “Lojës”.

Varret përgjatë Shtegut Ballkanik, si ai i gjashtë-vjeçares, Madina Hosseini jashtë qytetit të Šid në Serbi, janë kujtime fizike të pasojave vdekjeprurëse të “Lojës”. Fotografia: Marta Moreno Guerrero

Që nga fillimi i vitit 2022, 155 trupa të paidentifikuar që supozohet se janë njerëz në lëvizje, janë gjetur nëpër morgje pranë kufijve në Bosnjë e Hercegovinë, Bullgari dhe Serbi. Organizata Ndërkombëtare për Migrim vlerëson se 389 njerëz janë zhdukur në përpjekje për të arritur në BE, përmes rrugëve të Ballkanit Perëndimor që nga viti 2014.

Më 22 gusht të vitit 2024, 12 persona u fundosën teksa tentonin ta kalonin lumin Drina nga Serbia për në Bosnjë e Hercegovinë. Njëri nga ta ishte një foshnjë nëntë-muajshe. Viktimat e tjera përfshijnë 15-vjeçarin Mustafa Abdulmajid Mohammad dhe 20-vjeçarin Abdulwahed Hasan Ammar, që të dy sirianë, të cilët janë varrosur në varrezat e Saraj në Tuzla të Bosnjë e Hercegovinës. Një person i mbytur ende nuk është identifikuar.

Vdekje të tilla rrallëherë marrin vëmendjen e medies. Në grupin në Facebook “Të vdekurit dhe të zhdukurit në Ballkan”, në të cilin ndiqen gjurmët e atyre që janë zhdukur përgjatë rrugës, familjet e Mohammad dhe Anmar postuan një deklaratë ku thuhet: “Rrugëtimi që ata e nisën me shumë shpresë, doli të ishte më i vështirë sesa mund ta kenë imagjinuar. Jeta e tyre u ndal përpara se të mund t’i jetësonin ëndrrat e tyre, duke lënë pas një kujtim të dhimbshëm dhe shpresë të parealizuar”.

Në një vendbanim të braktisur përgjatë Shtegut Ballkanik, në një mbishkrim shënohet: “Jam lodhur së qeni viktimë e urrejtjes”. Ky mesazh humbet kur askush s’e kupton që ai i reflekton pasojat vdekjeprurëse të politikave migruese të BE, të cilat e kanë kthyer Shtegun Ballkanik në një lojë vdekjeprurëse.

 

Imazhi i ballinës: Marta Moreno Guerrero.

Dëshironi të mbështetni gazetarinë tonë? Anëtarësohuni në “HIVE” ose konsideroni një donacion. Mëso si këtu.