Para pak muajve, ju pyetëm: Qysh ka qenë hera e parë në aeroplan? Pranuam disa përgjigje që na kthyen te një kohë jo shumë e largët, kur udhëtimet nëpër shtetet në zonën Shengen, ishin të rralla, të vështira e për shumë kosovarë, të pamundura.
Regjimi izolues i vizave, që zgjati për mbi dekada, bëri që plot fëmijë të rriten pa udhëtuar me aeroplan e njëherit, që edhe plot të rritur të mos ia mësyjnë fare procesit të lodhshëm, të gjatë e të shtrenjtë të aplikimit për vizë.
Në janar të vitit 2024, më në fund regjimi i vizave u hoq, për t’u lënë vend udhëtimeve — për disa, udhëtimeve të ëndrrave të kahershme, për të tjerë, udhëtimeve për t’i vizituar familjarët, për të ndjekur mundësi zhvillimi në karrierë, për të shkuar në shkollë, e edhe thjesht, për qejf.
Folëm me disa prej atyre që u përgjigjën, për përjetimet e tyre kur udhëtuan me aeroplan për herë të parë. Disa kishin udhëtuar para liberalizimit e na e tregojnë mundimin e marrjes së vizës dhe emocionin e çastit kur rrotat e aeroplanit s’e prekin më tokën. Disa kishin udhëtuar vetëm pas liberalizimit e na tregojnë për pasiguritë, çastet e gëzuara, përvojat e reja, e edhe se si i ka ndikuar regjimi i vizave.
Shihni e dëgjoni përgjigjet e plota të tyre, e lexoni edhe artikujt që i shkruajtën për K2.0.