Litiumi është qenësor për prodhimin e baterive që rimbushen, të ngjashme me ato që përdoren për veturat elektrike. Kjo e bën atë një burim shumë të kërkuar, teksa vendet më të zhvilluara në botë po përpiqen të largohen nga karburantet fosile.
Në Ballkan, vëmendja që ka të bëjë me litiumin është përqendruar kryesisht në Serbi, ku gjiganti britaniko-australian i minierave, “Rio Tinto”, ka vënë në shënjestër Luginën e Jadarit për rezervat e saj të litiumit. Lugina e Jadarit raportohet se ka mjaftueshëm litium për t’i plotësuar 90% të nevojave të Evropës.
Më 19 korrik 2024, presidenti serb, Aleksandar Vučić, kancelari gjerman, Olaf Scholz dhe ish-komisioneri i BE për energjinë, Maroš Šefčović, nënshkruan një marrëveshje që i lejon shtetet e BE të kenë qasje në litiumin që nxirret në Serbi, duke e çuar përpara projektin, pavarësisht protestave masive në Serbi për dëmet e mëdha mjedisore që shkakton nxjerrja e litiumit.
Ngjarje të ngjashme po ndodhin edhe në Bosnjë e Hercegovinë. Në tetor 2023, kompania zvicerane e minierave “Arcore”, e cila operon përmes një filiali vendas, njoftoi se kërkimet e saj konfirmuan sasi të mëdha të lëndëve të para të papërpunuara, përfshirë litiumin, në zonën përreth Lopare, në pjesën verilindore të vendit. “Arcore” ka kontratë furnizimi me një fabrikë kanadeze në Gjermani, e cila prodhon litium të përshtatshëm për bateri.
Tranzicioni i gjelbër shpesh mbështetet tek lëndët e para që nxirren përmes metodave shumë të dëmshme për mjedisin.
Bosnja e Hercegovina është e ndarë në Republika Srpska, Federatën e Bosnjë e Hercegovinës, si dhe distriktin Brčko. Ndonëse minierat dhe kërkimet gjeologjike rregullohen në nivel entiteti dhe Lopare gjendet në Republika Srpska, legjislacioni përkatës është në duart e autoriteteve të Republikës Srpska. Pak pas njoftimit të “Arcore”, Republika Srpska ndërmori hapa për ta ndryshuar Ligjin për Kërkimet Gjeologjike, duke lejuar nxjerrje shumë më të gjera dhe të dëmshme. Një projektligj për ndryshimin e ligjit aktual lidhur me kërkimet gjeologjike u miratua më 22 dhjetor 2023.
Tranzicioni i gjelbër shpesh mbështetet tek lëndët e para që nxirren përmes metodave shumë të dëmshme për mjedisin. Nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina te Republika Demokratike e Kongos dhe SHBA, është shfaqur tension themelor. Sfida e dyfishtë e largimit nga karburantet fosile, përcjellur njëkohësisht me furnizimin me energji për ekonomitë moderne, bie në kundërshti me faktin se nxjerrja e mineraleve të nevojshme mund ta shkatërrojë tokën dhe komunitetet përreth.
Mungesa e mbajtjes së debatit publik
Ndryshimet ligjore të propozuara nga Asambleja Kombëtare e Republika Srpska ia lehtësojnë rrugën “Arcore” që të vazhdojë dhe zgjerojë shfrytëzimin e vet gjeologjik. Ato lejojnë rritje prej 50-fish të sasisë së burimeve minerale metalike që mund të nxirren, madje para se të kryhet një vlerësim rreth ndikimit në mjedis. Ndryshimet ligjore gjithashtu mundësojnë marrjen e lejeve për kërkim para se të zgjidhen të gjitha të drejtat pronësore dhe mundësojnë fillimin e kërkimeve pa miratimin e komunave, qyteteve dhe komuniteteve që preken drejtpërdrejt nga këto projekte.
Në terma të përgjithshëm, komunitetet vendase janë përjashtuar nga procesi vendimmarrës lidhur me kërkimet gjeologjike dhe kornizën ligjore për eksplorimin mineral në Republikën Srpska. Pavarësisht kësaj, Asambleja i dorëzoi këto amendamente për diskutim publik në janar 2024.
Rreth 500 persona, si individë dhe si pjesë e grupeve mjedisore, morën pjesë në diskutimet publike, të cilat u mbajtën në Prijedor, Banja Luka, Zvornik dhe Gacko. Disa theksuan rëndësinë e përfshirjes së njësive të vetëqeverisjes lokale në procesin e miratimit të planeve të hollësishme të kërkimeve gjeologjike. Disa të tjerë kërkuan që të ruhet detyrimi për një vlerësim të ndikimit në mjedis para se të fillojnë kërkimet gjeologjike, si dhe nevojën për përkufizime të qarta për atë që konsiderohet “kërkim invaziv” dhe “kërkim jo-invaziv”, terma që janë përfshirë në amendamentet e propozuara, por që nuk janë të përkufizuar në mënyrë të qartë.
Gjatë diskutimit publik në Prijedor më 25 janar 2024, Vladimir Malbašić, profesor në Fakultetin e Minierave në Prijedor, argumentoi se komunitetet lokale duhet të konsultohen për vendndodhjen e këkrimeve gjeologjike dhe ndikimin e tyre të mundshëm në zonën përreth. Ai po ashtu sugjeroi një nivel më të ulët për sasinë e lejuar të testimit të burimeve minerale, duke u përqendruar në cilësinë dhe vetitë kimiko-teknologjike të tyre.
Malbašić propozoi që përjashtime të bëhen vetëm për sasi më të mëdha — deri në 3,000 metra kub — nëse ai që gëzon të drejtat ofron arsyetime shtesë, një përshkrim të hollësishëm dhe një raport mbi vendndodhjet, objektet, sasitë dhe afatet kohore për testet industriale dhe rezultatet e tyre. As shqetësimet e Malbašićit, as të qytetarëve të tjerë, që morën pjesë në këto takime, nuk u morën parasysh dhe të gjitha sugjerimet u shpërfillën.
Protestat lokale
Në shkurt 2024, shoqatat mjedisore, deputetë/e dhe përfaqësues/e të qeverisjes lokale dorëzuan një deklaratë në Asamblenë Kombëtare të Republikës Srpska. Deklarata kundërshtonte hapjen e minierave të litiumit, borit, natriumit, strontiumit, kaliumit dhe elementeve të tjera të ngjashme në komunën e Lopares.
Shumë banorë kundërshtojnë kërkimet e reja gjeologjike, pasi ato do të kryhen pranë zonave të banuara, në afërsi të pellgjeve ujëmbledhëse të lumenjve Gnjica, Janja, Drina dhe Sava. Gjithashtu, kërkimet po zhvillohen pranë ujërave nëntokësore, duke rrezikuar ndotjen e puseve dhe sistemeve të furnizimit me ujë. Mes shqetësimeve tjera përfshihen edhe rrëshqitjet e dheut në Majevica dhe afërsia e zonës së shfrytëzimit pranë qendrës turistike Busija.
Asambleja e Republika Srpska nuk e miratoi këtë deklaratë, duke i hapur rrugë Ministrisë së Energjisë dhe Minierave që të ofrojë koncesione të ardhshme për shfrytëzimin e burimeve minerale në komunën e Lopares.

Komunitetet lokale, të përjashtuara nga procesi vendimmarrës lidhur me kërkimet gjeologjike, kanë organizuar fushata publike për të shprehur kundërshtinë e tyre. Fotografia nga arkivi i organizatës “Guardians of Majevica”.
Kjo e shtyu shoqatën mjedisore “Eko Put” në Bijeljina ta nisë një fushatë në Facebook, duke publikuar kundërshtinë e banorëve/eve vendas/e ndaj minierave në Majevicë dhe Ozren. Shoqata postoi video të shkurtra ku banorë/e të moshave dhe profesioneve të ndryshme shpjegojnë pse kundërshtojnë projektin minerar dhe theksojnë se ndihen të kërcënuar nga degradimi mjedisor, jo vetëm nga Republika Srpska, por edhe nga Serbia, marrë parasysh që Bijeljina ndodhet pranë kufirit.
Në një nga videot, Slavica, një profesore e pensionuar e gjuhës ruse, thekson se teksa “zona është e pasur me biodiversitet dhe është rajon bujqësor i rëndësishëm, që ushqen të gjithë vendin”, banorët/et vendas/e “janë nën presion të jashtëzakonshëm, për dallim nga vendet më të zhvilluara dhe më të përgjegjshme ndaj mjedisit, të cilat nuk lejojnë aktivitete të tilla në territorin e tyre”.
Në një tjetër video, Jana, nxënëse e shkollës së mesme, thotë se Ugljeviku, që ndodhet afër një termocentrali me qymyr, e di mirë se çka do të thotë ndotja. “A duhet që edhe pjesa tjetër e Majevicës të zgjohet nën ndotjen e një miniere?” pyet ajo. Një video tjetër shfaq Rosën, juriste e pensionuar nga Bijeljina, e cila parashikon se “Do të përfitojnë vetëm ata që po e imponojnë krejt këtë”.
Ndërkohë, Slobodan ndan përvojën e tij në një tjetër video, ku thotë se shpimet, vetëm 300 metra larg shtëpisë së tij në Lopare, bënë që bunari i tij të thahej. Zdenka, e cila siguron jetesën duke rritur bagëti, kultivuar fruta dhe mbajtur bletë, ka mesazh të ngjashëm me të tjerët. “Tani këto janë produkte të shëndetshme, por sapo të hapet miniera e litiumit, s’do të mbetet asgjë”, thotë ajo. “Asnjëri prej nesh nuk do një minierë litiumi”.
Banorët e Majevica dhe grupet mjedisore vazhdojnë të përsërisin mesazhe të ngjashme.
Banorët e zonës përreth Majevicës janë ballafaquar prej vitesh me ndotjen e shkaktuar nga minierat.
“Gjatë kërkimeve gjeologjike, në disa pika shpimi doli ujë. Kontraktorët nuk e raportuan këtë tek autoritetet dhe nuk thirrën inspektorët e ujit, ndonëse ishin të detyruar ta bënin këtë, sipas Ligjit për Ujërat të Republikës Srpska”, thotë për K2.0, Andrijana Pekić, nga organizata “Guardians of Majevica” (Mbrojtësit e Majavicës). “Disa muaj më vonë, në afërsi të atyre pikave të shpimit, dy familje mbetën pa burime të ujit nga puset që kishin përdorur prej dekadash. Njërës prej familjeve, pusi iu kontaminua: pas analizave u zbuluan metale të rënda. Deri më sot, nga ato puse rrjedh ujë i papërdorshëm, që vyshk bimët dhe pemët përreth”.
Banorët e zonës përreth Majevicës janë ballafaquar prej vitesh me ndotjen e shkaktuar nga minierat. “Popullsia vendase nuk ka nevojë për minierë të re, që nuk ekziston askund tjetër në botë pranë zonave të banuara dhe është e dëshmuar se shkatërron natyrën kudo që vendoset”, thotë Pekić.
Zoran Poljašević, inxhinier i mbrojtjes së mjedisit nga Ozren, thotë se njëri nga problemet kryesore të legjislacionit është shpërfillja e dëmeve mjedisore që mund të vijnë si pasojë e kërkimeve gjeologjike. Ai paralajmëron se ndryshimet në ligjin për kërkimet gjeologjike eliminojnë mundësinë e pjesëmarrjes së qytetarëve/eve në vendimmarrjen mjedisore, gjë që përbën shkelje të Konventës së Aarhusit. Kjo konventë, e ratifikuar nga Bosnjë e Hercegovina në vitin 2008, garanton “demokracinë mjedisore” dhe të drejtën për të jetuar në një mjedis të shëndetshëm.
“Pavarësisht ndryshimeve ligjore të përmendura, të cilat e ndërlikojnë situatën tonë në Ozren, do të vazhdojmë të paraqesim këto fakte, si për institucionet ashtu edhe për popullatën”, thotë Poljašević për K2.0. “Përqendrimi te dëmet e mundshme afatgjate për mjedisin nga kërkimet gjeologjike për vendndodhjen e nikelit dhe kobaltit, si dhe metaleve të rënda kancerogjene, do të çojë, herët apo vonë, në ndalimin e këtyre projekteve”.
Për Poljašević, ndalimi i projektit në Ozren është e vetmja zgjidhje logjike.
Në korrik 2024, Qendra për Mjedis në Banja Luka — një organizatë jofitimprurëse e angazhuar në mbrojtjen e mjedisit — kundërshtoi dispozitat kundërthënëse të ligjit, të hartuar nga Ministria e Energjisë dhe Minierave, duke argumentuar se këto dispozita bien ndesh me parimet dhe të drejtat themelore të garantuara nga Kushtetuta e Republikës Srpska.
Qendra argumenton se vazhdimi i kërkimeve gjeologjike, pa respektuar parimet bazë të demokracisë lokale, pa vlerësime paraprake të ndikimit për shumicën e këtyre kërkimeve dhe pa përcaktime të qarta mbi sasinë e përgjithshme të burimeve minerale metalike që mund të përjashtohen gjatë procesit, është antikushtetues.
“[Amendamentet] shkelin parimet themelore të rendit juridik kushtetues dhe të drejtat e garantuara, përfshirë parimin e demokracisë lokale, të drejtën e çdo individi në një mjedis të shëndetshëm dhe detyrën për ta mbrojtur dhe përmirësuar cilësinë e tij”, thotë Redžib Skomorac, këshilltar ligjor në Qendrën për Mjedis, përmes një komunikate për shtyp. “Vendimet për çështje që në thelb janë lokale, tani janë përcaktuar në një ministri të vetme. Problemi bëhet edhe më i madh pasi kjo ministri ka kompetencën të marrë vendimin përfundimtar lidhur me miratimin e kërkimeve gjeologjike, pavarësisht kufizimeve ekzistuese në rregulloret për mbrojtjen e mjedisit, zbatimi i të cilave është përgjegjësi e një ministrie tjetër”.
Në njërën nga videot e fushatës të organizatës “Eko Put” në Facebook, Dragana, rrobaqepëse nga Ugljevik, thotë: "Asnjë person me mendje të shëndoshë s’do ta pranonte minierën".
Më 20 janar 2025, një peticion me 6,057 nënshkrime nga qytetarët e Bijeljinës, Lopares, Ugljevikut dhe Zvornikut u dorëzua në Asamblenë Kombëtare të Republika Srpska. Peticioni kërkonte ndalimin e dhënies së koncesioneve për eksplorimet gjeologjike në zonën e Majevicas dhe shpalljen e saj park natyror. Njëri nga organizatorët e peticionit i bëri thirrje Asamblesë që të sigurojë që kjo zonë “të mos shndërrohet kurrë në minierë litiumi në duart e të huajve”.
Në njërën nga videot e fushatës të organizatës “Eko Put” në Facebook, Dragana, rrobaqepëse nga Ugljevik, thotë: “Asnjë person me mendje të shëndoshë s’do ta pranonte minierën”. Qëndrime të ngjashme po shprehen në vende të ndryshme të botës, ndërsa presioni global për të nxjerrë materiale të nevojshme për tranzicionin e gjelbër po rrezikon jetët e atyre që janë më së paku përgjegjës për krizën klimatike. Siç tha Dragana: “Nuk kemi vend tjetër ku të shkojmë. Është detyra jonë të luftojmë, të qëndrojmë këtu dhe ta mbrojmë këtë bukuri që na e ka dhuruar Zoti. Jo minierave dhe asnjë diskutim më shumë për këtë çështje”.
Imazhi i ballinës: K2.0.
Dëshironi të mbështetni gazetarinë tonë? Anëtarësohuni në “HIVE” ose konsideroni një donacion. Mëso si këtu.