Libri im për luftën dhe atë që vjen pas.
Që prej fillimit të vitit 2020, kur u shfaq pandemia COVID-19, çmimet e produkteve të konsumit në Kosovë kanë shkuar gjithmonë duke u rritur. Së pari, kufizimet që erdhën si rezultat i pandemisë ngatërruan zinxhirin e furnizimit prej një ane të botës në tjetrën, duke shtuar koston e produkteve të konsumit. Pastaj, kësaj kostoje iu shtua edhe kriza e energjisë në vitin 2021, e më pas edhe çrregullimi i mëtejmë i zinxhirit të furnizimit, si pasojë e pushtimit në shkallë të plotë rus i Ukrainës, në vitin 2022.
Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), norma mesatare e inflacionit për vitin 2024 ka qenë 1.6%. Por, teksa kjo rritje ngjan e ulët, ajo i shtohet ngritjes inflacionare të viteve paraprake. Në vitin 2023 norma mesatare e inflacionit ishte 4.9%, ndërsa në vitin 2022 ishte 11.6%.
Kështu, çmimet e produkteve esenciale sot janë dukshëm më të larta sesa në vitin 2020.
Me gjithë rritjen e vazhdueshme të çmimeve në katër vitet e fundit, pos ankesave të qytetarëve nëpër medie sociale e nëpër kronika televizive, nuk ka pasur ndonjë mobilizim të strukturuar, as nga ta e, që është më e rëndësishmja, as nga qeveria. Por, kjo ndërroi në shkurt të vitit 2025. Një grup qytetarësh u mobilizuan përmes lëvizjes “Kosova Bojkoton”, që thërret për t’i bojkotuar zinxhirët e supermarketeve dhe për të ushtruar presion për uljen e çmimeve.
Kjo nismë u frymëzua nga Kroacia, ku së pari nisi ky mobilizm. Si qytetarët në Kosovë e Kroaci, edhe ata të vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor, e ndien rritjen e çmimeve në xhepin e tyre.
Në fund të janarit të këtij viti, në Kroaci nisi një mobilizim masiv i udhëhequr nga një grup për mbrojtjen e konsumatorëve, i njohur si “Hallo, inspektore” (në shqip: Hej, inspektorë). Ky grup bëri thirrje për bojkotimin e supermarketeve dhe shitësve të tjerë me pakicë, për të protestuar ndaj rritjes së çmimeve. “Njerëzit luten të mos blejnë asgjë atë ditë”, thuhej ndër tjera, në mesazhin e nismës.
Sipas zyrës së statistikave të Bashkimit Evropian, Eurostat, në muajin shkurt, norma mesatare e inflacionit në Kroaci ishte 4.7%, më e larta në Eurozonë. Inflacioni në Kroaci u kishte rënë në sy jo vetëm vendasve, por edhe turistëve. Videot e turistëve që shpreheshin të habitur me rritjen e çmimeve bënë xhiro nëpër medie sociale.
Mobilizimi për bojkotim mori mbështetje të madhe, me qytetarë që reduktuan blerjet e tyre në artikujt thelbësorë dhe shmangën shpenzimet për produkte jothelbësore. Kjo nismë kolektive çoi në një rënie të dukshme të shitjeve tek shitësit me pakicë — qarkullimi i tyre ra për 44%, teksa vlera totale e shitjeve ra me 53% në të premten e parë të bojkotit, më 24 janar. Fotografitë e supermarketeve bosh, që u shpërndanë atë ditë, prodhuan një efekt të madh te qytetarët dhe frymëzuan mobilizim të mëtutjeshëm për disa javë.
Në përgjigje ndaj bojkotit, Qeveria e Kroacisë ndërmori masa për të trajtuar shqetësimet e qytetarëve. Më 30 janar, Ministria e Ekonomisë në Kroaci njoftoi se lista e produkteve që ishin me çmim të ngrirë, do të zgjerohej nga 30 në 40 produkte, me qëllim që të ndihmohen grupet më të ndjeshme të shoqërisë.
Ngrirja e çmimeve është një prej mënyrave përmes të cilave qeveritë apo organet rregullatore të tregut mund të ndërhyjnë përkohësisht në rregullimin e tregut në ekonomi të lira. Kjo masë vendos një kufi mbi çmimin që një kompani mund t’ia vendosë një shërbimi a produkti. Këto kufizime zakonisht përdoren për të mbrojtur konsumatorët nga kostot e fryra dhe të tepërta, veçanërisht për mallrat dhe shërbimet thelbësore si energjia, ushqimi ose qiraja, sidomos në rastet e dështimeve të tregut, krizave ose sjelljeve monopolistike.
Suksesi i lëvizjes në Kroaci frymëzoi veprime të ngjashme nëpër Ballkan, me qytetarë në shtete si Serbia, Mali i Zi, Maqedoni e Veriut dhe Bosnjë e Hercegovina që organizuan bojkote të ngjashme për të protestuar kundër çmimeve të larta.
Në Maqedoni të Veriut, bojkoti i parë më 31 janar, pothuajse përgjysmoi qarkullimin ditor, që shënoi një rënie prej 46.29% në tetë rrjetet kryesore të supermarketeve, krahasuar me ditën paraprake.
Edhe Qeveria e Maqedonisë së Veriut reagoi. Me 18 shkurt, mori vendim që të vendosë çmim tavan, duke caktuar marzhën e fitimit për më shumë se 102 grupe produktesh, ku përfshihen më shumë se 1,000 produkte ushqimore e jo ushqimore.
Sipas vendimit, për produkte bazë si buka, mielli, vaji, vezët, marzha e fitimit nuk mund të kalojë mbi 5%. Për 55 produkte të tjera, si mishi dhe produktet e konservuara, marzha është 10%, ndërsa për 39 produkte të tjera si fruta, perime dhe artikuj higjienikë, marzha e fitimit lejohet deri në 15%.
Me bojkotet që po vazhdojnë, Kroacia shkaktoi një efekt domino edhe në Kosovë.
Kosova bojkoton
Në mes të fushatës zgjedhore për zgjedhjet e përgjithshme, që u mbajtën më 9 shkurt, sfera online në vend u mbush me fotografi të produkteve me çmime të larta. Bojkoti që po zhvillohej në Kroaci sa erdhi e u bë më i njohur dhe në fund, thirrja për bojkot u formalizua edhe në Kosovë nga një grup qytetarësh, përmes nismës “Kosova Bojkoton”.
Redon Kuçi, 20-vjeçar, student për ueb dhe aplikacione mobile, i cili punon edhe si menaxher në një kompani tekstili, është një nga nëntë nismëtarët e kësaj lëvizjeje. Kuçi tregon se nisma u frymëzua nga iniciativat e ngjashme në Kroaci dhe Serbi, ku bojkotimet sollën ulje të dukshme të çmimeve.
“Ne pamë se në vendet fqinje, bojkotimi ka pasur sukses, dhe menduam pse të mos provojmë edhe ne,” thotë ai.
Për të mobilizuar qytetarët, nisma ka përdorur një kombinim të platformave sociale dhe fushatave fizike. Një grup në Facebook me mbi 9,200 anëtarë është bërë platforma kryesore për shkëmbimin e ideve dhe informatave. Aty nisën shpejt njerëzit të dërgojnë dëshmi të mashtrimeve me kuazi-zbritje të çmimeve të rrjeteve të supermarketeve, si dhe filluan të bënin krahasime çmimesh në Kosovë me vendet tjera në Evropë, që shquhen për kosto më të lartë të jetesës.
“Kemi angazhuar vullnetarë që kanë ndihmuar në vendosjen e posterve dhe stikerave nëpër qytete dhe kjo ka ndihmuar që mesazhi të arrijë në më shumë njerëz,” thotë Kuçi.




Nisma ka gjetur gjithashtu mbështetje nga organizata joqeveritare “Mbrojtësit e Konsumatorëve”, organizatë e cila synon mbrojtjen e konsumatorëve. Përkrahje patën edhe nga biznese të vogla lokale, të cilat e shohin këtë lëvizje si një mundësi për të forcuar ekonominë lokale. Nisma ndërkohë u sugjeron qytetarëve të furnizohen nga dyqanet e vogla dhe shitësit e produkteve vendore.
Bojkoti i parë u organizua më 10 shkurt, një ditë pas zgjedhjeve parlamentare. Duke qenë se gjithë diskursi publik ishte i drejtuar në debatet rreth zgjedhjeve, bojkoti mbeti në rend te dytë. Sipas të dhënave të Agjencisë Tatimore të Kosovës (ATK), qarkullimi në supermarketet e mëdha u ul për mbi 100,000 euro në krahasim me javën e mëparshme.
“Kjo është një tregues i rëndësishëm i ndikimit të bojkotit,” thotë Kuçi, duke shtuar se pjesëmarrja mund të kishte qenë më e madhe nëse nuk do të ishin zgjedhjet një ditë më parë. Megjithatë, një rënie qarkullimi prej 100,000 eurosh për bizneset që, në baza ditore kanë qarkullim prej mbi 13 milionësh, mund të kategorizohet si një efekt shumë i vogël i thirrjes Për shembull, më 3 shkurt, dyqanet realizuan mbi 13,496,000 euro qarkullim, kurse në ditën e bojkotit rreth 13,393,000 euro.
Nëse tërhiqet paralele me Kroacinë, ku bojkoti ka shkaktuar 44% ulje të qarkullimit dhe me Maqedoninë e Veriut me 46%, në Kosovë ulja nuk mbërriti as 1%.

Duke e parë që mobilizimi nga qytetarët nuk është shumë i gjerë, nisma “Kosova Bojkoton” ka nisur një strategji të re. Nga fundi i shkurtit, ata po përqendrohn në thirrjet për bojkotimin e një rrjeti specifik të supermarketeve për disa ditë. Thirrjet për bojkotim pastaj do të vazhdojnë në mars për rrjetin e radhës të supermarketeve. Qytetarët, të cilët janë pjesë e grupit “Kosova Bojkoton” zgjedhin rrjetin e radhës të supermarketeve, përmes një pyetësori në Facebook.
Ndërkohë, organizatorët po bëhen gati për një bojkotim më të gjerë pas dy javësh. Ata kanë treguar se janë koordinuar me grupet tjera në vendet e rajonit për të organizuar një ditë të madhe rajonale të bojkotit, pikërisht në Ditën Ndërkombëtare të Konsumatorit, më 15 mars.
Konsumi mbush buxhetin shtetëror
Ndikimi i konsumit në ekonominë e Kosovës është i madh. Konsumi përbën një prej të hyrave kryesore në buxhetin shtetëror përmes Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH), e cila gjendet në të gjitha produktet bazë. Kjo pos që tregon rëndësinë e konsumit në ekonominë e vendit, tregon edhe ndikimin që mund ta kishte një bojkotim më i gjerë nga qytetarët.
Blendi Hasaj, drejtor ekzekutiv i Institutit GAP, thotë se konsumi në produktet ushqimore është pusi ku derdhen mbi gjysma e të ardhurave vjetore të ekonomive familjare, para të cilat i fitojnë me punë dhe përmes remitencave nga diaspora. Por sipas tij, pavarësisht rritjes së çmimit të produkteve, qytetarët kanë vazhduar të blejnë njëjtë.
“Krahas 3.1 miliardë eurove të paguara si paga në ekonominë tonë në vitin 2024, edhe mbi 1.35 miliardë euro tjera ishin pranuar si remitenca nga familjet në Kosovë”, thotë Hasaj. “Në preferenca jo-fleksibile [që nuk ndryshojnë pavarësisht çmimit], ka ndikuar besoj edhe një rritje e çmimeve me një trend normal në shumicën e viteve para pandemisë”.
Ai tregon se në bazë të hulumtimeve që kanë bërë në Institutin GAP, del që edhe te produkte tjera, sikur nafta, ka një konsum jo-elastik, pra që pavarësisht rritjes së çmimit, nuk ulet kërkesa. Sipas Hasajt, kjo ndodh edhe me cigaret dhe pijet e gazuara.
Në kombinim me këto produkte, hyjnë edhe produktet bazë të ushqimit si mielli, vaji, produktet e qumshtit, vezët, kafeja, pemët e perimet. Duke qenë se blerja e tyre është e pashmangshme, rritja e çmimeve nuk e ka ndaluar blerjen e tyre. E pikërisht këto produkte bazë kanë pësuar rritje në çmim.
Ndërkaq, sipas Kuçit nga “Kosova Bojkoton”, u vërejtën edhe disa zbritje të përkohshme të çmimeve dhe oferta afatshkurtra në supermarkete, lëvizje që mund të konsiderohen si reagim ndaj presionit të bojkotit.
“Qëllimi ynë është të ushtrojmë presion ekonomik mbi supermarketet për t’i detyruar të ulin çmimet në mënyrë të qëndrueshme, jo vetëm për periudha të shkurtra si reagim ndaj bojkotit,” thotë Kuçi.
Çmimi i produkteve përcaktohet nga shitësit në bazë të një kombinimi të kostos së blerjes, kostove të operimit, tatimeve dhe marzhës së fitimit. Meqë produktet e importuara nga rajoni dhe pjesa tjetër e Evropës përbëjnë shumicën e shportës mujore të konsumatorit, ekspozimi ndaj çmimeve të larta pritet të vazhdojë.
Sa u rritën çmimet prej vitit 2020?
- Domatja 117.6%,
- Derivatet 34%,
- Drutë e zjarrit 38.8%,
- Patatja 27.7%,
- Qumështi 41.4%,
- Fasulja 44.9%,
- Fuka e bardhë 45.7%,
- Specat 54%,
- Mishi i pulës 56.3%,
- Mielli i grurit 62%,
- Sheqeri 72.9%
Importimi i një produkti nga një vend në tjetrin krijon kosto shtesë për shitësit, pasi përfshihen shpenzimet e transportit dhe doganave — gjë që në fund e rritë çmimin me të cilin paguajnë konsumatorët. E sipas shumë raportimeve të qytetarëve në grupin “Kosova bojkoton” dhe nëpër rrjete sociale, konsumatori në Kosovë, për produkte të ngjashme, paguan më shumë sesa konsumatori në Gjermani, ku paga mesatare bruto është mbi 4,000 euro. Në Kosovë, sipas ASK, në vitin 2023, paga mesatare bruto ishte 570 euro.
Situata të tilla, sidomos varësia kaq e lartë prej importit, nxjerrin në pah rëndësinë e zhvillimit të kapaciteteve prodhuese brenda vendit. Por, importi nuk është faktori i vetëm — prodhuesit vendorë, në raste të caktuara, kanë rritur çmimet edhe kur në mungesë të produkteve të importuara, kanë marrë përparësi produktet vendore. Një shembull i tillë është rasti i një lloji të biskotave, të cilët nuk mund të importoheshin nga Serbia, kur Qeveria e Kosovës vendosi një masë ndaluese ndaj mallrave nga Serbia në vitin 2022. Si rezultat, çmimi i një produkti të ngjashëm të prodhuar në Kosovë u rrit automatikisht.
Ky është një shembull tipik i mënyrës se si çmimet rregullohen bazuar në parimin e kërkesës dhe ofertës. Në rastin e biskotave të importuara nga Serbia, heqja e këtij produkti nga oferta, çoi në rritjen e çmimit të produktit tjetër vendor, që fillimisht kishte çmimin më të ulët. Ndryshimi në ofertë, teksa kërkesa mbeti e njëjtë, ndryshoi çmimin në treg.
Reagimi shtetëror
Ndryshe nga qeveritë në Kroaci e Maqedoni të Veriut, që ndërvepruan me nismën për bojkotim, qoftë duke vendosur çmime tavan, qoftë duke ngrirë çmimet, në Kosovë, qeveria e Kosovës nuk ka nxjerrë zë.
Përkundër kësaj, organizatorët janë të vendosur të vazhdojnë përpjekjen dhe po shqyrtojnë mundësinë e organizimit të protestave dhe bojkoteve të tjera për të rritur presionin.
Si një grup që po konsolidohet dita-ditës, ata kanë një listë kërkesash. Sipas Kuçit, ata kërkojnë që të zbatohet ligji për çmimin tavan. Përpos kësaj mase, ata kërkojnë ulje afatgjatë dhe të qëndrueshme të çmimeve nga supermarketet, një prezencë më të madhe të medieve dhe organeve shtetërore në demaskimin e mashtrimit me çmime, transparencë për prejardhje të produkteve, duke veçuar pemët, perimet dhe mishin. Pos këtyre sipas Kuçit, kërkojnë që të rritet mbështetje për prodhuesit vendorë që të reduktohet varësia nga importet.
Qeveria e Kosovës kishte tentuar që ta bëjë një veprim të tillë, të vënies së çmimeve tavan qysh në vitin 2022, duke miratuar një ligj lidhur me këtë çështje, përkatësisht Ligjin për masat e përkohëshme të produkteve themelore në rastet e veçanta të destabilizimit. Ligji i konsideronte produkte themelore drithërat, bukën, miellin, orizin, pastat, vajin ushqimor të lulediellit, qumështin, kripën e kuzhinës, vezët e pulës, mishin e pulës, sheqerin kristalor, produktet e higjienës personale dhe lëndët e drurit për djegie. Por, Lidhja Demokratike e Kosovës e dërgoi këtë ligj në Gjykatë Kushtetuese, në nëntor të 2022 për shkak se, sipas tyre, krijonte mundësi për ndërhyrje në tregun e lirë.
Në nëntor 2023, Gjykata Kushtetuese shpalli jokushtetues disa nene të këtij ligji. Por, ndryshe nga ç’u interpretua publikisht se Gjykata Kushtetuese shpalli ligjin në tërësi antikushtetues, kjo Gjykatë argumentoi se është kushtetuese që shteti të ndërhyjë që ta mbrojë konsumatorin nga efekti i rritjes së çmimeve në raste të veçanta të destabilizimit të tregut, po jo në formën sesi kjo synohej të bëhej përmes këtij ligji.
Ish-kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Gresa Caka-Nimani, në një intervistë të mëvonshme televizive në emisionin “Rubikon” në Klan Kosova, shpjegoi se ligji u rrëzua ngaqë u jepte kompetencë ministrit dhe kryeministrit për ndërhyrje në çmime dhe treg të lirë. Kështu, Gjykata Kushtetuese udhëzoi që kjo kompetencë t’i delegohet një organi apo autoriteti të pavarur.

Mirëpo, sipas Hasajt nga Instituti GAP, ndërhyrjet duhet të jenë me afat të shkurtër.
“Ndërhyrjet e përkohshme me vendosjen e çmimeve tavan, porporcionale dhe me vendime transparente, mund të jenë një zgjedhje e tillë në raste të thellimit të problemit. Mirëpo, assesi të jenë afatgjate meqë bartin rreziqe të numërta për ekonominë”, thotë ai.
Rreziqet e vendosjes së çmimeve tavan për një periudhë të gjatë mund të çojnë në çrregullime të tregut. Ekuilibri mes kërkesës dhe ofertës mund të prishet, pasi një çmim i rregulluar shpesh nxit rritjen e kërkesës, ndërsa furnizimi mund të mos jetë i mjaftueshëm për ta përballuar atë. Si pasojë, kjo mund të çojë në ndërprerjen e prodhimit të produktit për aq kohë sa çmimi mbetet i fiksuar. Një tjetër efekt negativ mund të jetë ulja e cilësisë së produktit, pasi disa prodhues mund të kërkojnë të kompensojnë kufizimet e çmimit duke rritur padrejtësisht marzhën e fitimit.
Ngjashëm, ndërhyrjet e mëdha, sikur propozohen kryesisht nga politikanët në periudha parazgjedhore, që të ketë reduktim të normave tatimore, sikur ulja e TVSH-së për një numër të madh të produkteve, sipas Hasajt, mund të japin një efekt negativ në ekonomi për shkak se buxheti shtetëror ka burim kryesor konsumin.
“E rëndojnë buxhetin publik dhe shteti ka vështirësi pastaj që t’i mbulojë shpenzimet për pensione, skemat sociale, pagat në sektorin publik”, thotë Hasaj. Ndërkohë, Hasaj shton se grupet më të cenueshme në shoqëri preken më ndjeshëm nga rritja e çmimeve, andaj nëse qeveria reagon me masa tjera, ato duhet t’i targetojnë këto grupe dhe mos të jenë uniforme.
Bojkotimi i supermarketeve bazohet në parimet themelore të ekonomisë së tregut të lirë: duke ulur kërkesën, synon të ushtrojë presion mbi çmimet e produkteve, me pritjen që ato të bien. Në teori, një treg me më pak blerës duhet ta pasqyrojë këtë ndryshim në çmime.
Megjithatë, kjo strategji mbart një rrezik — nëse kërkesa rritet përsëri pas një periudhe bojkoti, çmimet mund të rikthehen në nivelet e mëparshme ose madje të rriten.
Nëse, nga ana tjetër, bojkoti arrin të vendosë një standard të ri çmimesh më të ulëta ose të ndikojë në sjelljen e konsumatorëve, për shembull, duke i orientuar ata drejt dyqaneve të vogla vendore, atëherë efekti mund të jetë më i qëndrueshëm. Gjithçka varet nga mënyra se si do të formohet dhe ruhet dinamika e tregut pas bojkotit.
Imazhi i ballinës: Lum Hajrullahu / K2.0
Dëshironi të mbështetni gazetarinë tonë?
Në Kosovo 2.0, përpiqemi të jemi shtyllë e gazetarisë së pavarur e me cilësi të lartë, në një epokë ku është gjithnjë e më sfiduese t’i mbash këto standarde dhe ta ndjekësh të vërtetën dhe llogaridhënien pa u frikësuar. Për ta siguruar pavarësinë tonë të vazhdueshme, po prezantojmë HIVE, modelin tonë të ri të anëtarësimit, i cili u ofron atyre që e vlerësojnë gazetarinë tonë, mundësinë të kontribuojnë e bëhen pjesë e misionit tonë.
Anëtarësohuni në “HIVE” ose konsideroni një donacion.
- Ky artikull fillimisht është shkruar në shqip.