Alketa Xhafa Mripa është e ulur në pjesën e pasme të një kamioni të hapur e të parkuar para një prej ndërtesave më ikonike në Londër. Me një gotë çaj në dorë, ajo bisedon me ngrohtësi me një prej shumë vizitorëve të instalacionit të saj të fundit, “Refugees Welcome” (refugjatët e mirëpritur). Është pjesë e një serie më të gjërë që titullohet “Kush jemi ne?”, që reflekton mbi tema si identiteti, përkatësia dhe migrimi.
Instalacioni i zonjës Xhafa Mripa dallohet sepse nuk është i vendosur në qosh të një dhome, por qëndron me krenari, edhe pse në pjesën e prapme të një automjeti, para hyrjes së muzeut. Fytyra të pafundme shikojnë brenda kamionit me kurreshtje, e kur ta shohin shkrimin e ndritshëm “Refugees Welcome” dhe “Hope” (shpresë), pranë porcelanit të bukur që e stolis tavolinën e vjetër cilësore që gjindet në qendër, ato fytyra të hutuara shndërrohen në fytyra të buzëqeshura.
Artistja e ka krijuar një hapësirë që i fton njerëzit që të ulen me të e t’i ndajnë mendimet, opinionet dhe historitë personale të tyre për temën e refugjatëve. Atmosfera është e ngrohtë dhe mikëpritëse, pikërisht ashtu si dëshiron ta përshkruaj Xhafa Mripa. Këtë ngrohtësi ajo e lidh me Britaninë kur kujton kohën kur ajo kishte shkuar në Mbretërinë e Bashkuar (MB) si studente e artit në vitin 1997. Pak kohë pas udhëtimit të saj, ajo nuk kishte më mundësi që të kthehej në vendlindjen e saj, në Kosovë, meqë atje po shpërthente lufta dhe njerëzit dëshpërimisht po mundoheshin që të iknin.
Tema e refugjatëve mbetet ende çështje e rëndë dhe shumë e diskutueshme sa i përket adresimit të saj, por nuk është hera e parë që Xhafa Mripa e përdorë artin e saj për të ngritur nivelin e ndërgjegjësimit për çështje të rëndësishme sociale. Kjo ndërgjegje sociale dhe ky aktivizëm u mbështet edhe nga ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, e cila ndihmoi që të sjellte në Kosovë instalacionin për të cilën ajo njihet më së shumti: “Thinking of You” (mendoj për ty/juve).
Në vitin 2015, Xhafa Mripa e përdori stadionin futbollistik të Prishtinës si kanavacë, duke e stolisur me funde e fustane si përkujtim të dhunës seksuale të kohës së luftës që e vuajtën me mijëra njerëz. Ishte instalacion që mori kritika pozitive nga shumë njerëz; punimi i saj ishte vepra e parë që e sfidoi një temë kaq tabu në Kosovë – dhunën seksuale gjatë luftës. Ajo e detyroi vendin, si dhe gjithë botën, që të përballen me një padrejtësi për të cilën shumë njerëz u turpëruan e u ndjenë të izoluar e të përjashtuar nga shoqëria.
K2.0 diskutoi me artisten për aktivizmin e saj, mënyrën se si aktivizmi ia formëson artin, dhe për atë se sa shumë identiteti dhe përvojat e saja luajnë rol në punën që ajo e prodhon.
K2.0: Meqë dikur ke qenë refugjate, ndoshta më së miri pyetja e parë të jetë: çfarë të frymëzoi që ta krijosh këtë instalacion? Ose, cili ishte frymëzimi që rezultoi në këtë qasje?
Alketa Xhafa Mripa: Kur erdha këtu para 20 viteve si studente e artit, pas 2 viteve, nuk mund të kthehesha më në vendin tim sepse kishte nisur lufta. Punoja me Kryqin e Kuq kështu që e shihja solidaritetin e njerëzve britanez; ishin shumë mikpritës dhe kështu e asociova Britaninë me këtë qëndrim – meqë ata i hapën zemrat e shtëpitë e tyre për shumë njerëz që kishin nevojë. Kështu që fillova të pyesja vetën se çfarë ndodhi me atë qëndrim mikpritës që e përjetova unë. Dinamika kishte ndryshuar në mënyrë drastike gjatë viteve të fundit.
Ky instalacion debutoi në Muzeun Britanez, dhe tani jemi të ulur në pjesën e prapme të një kamioni të hapur – çfarë kuptimi ka kjo dhe nga çfarë frymëzimi rrjedh?
Para dy viteve isha në pushim në Francë, dhe deri sa po kaloja kah Calais për të ardhur në MB pashë refugjatë anash rrugës që dëshpërimisht po mundoheshin që të hipin në një kamion. E shihja se si ai kamion simbolizonte lirinë për ata njerëz, sepse erdhi me shpresë dhe mundësi për të shkuar në një vend tjetër që mund ta ofrojë sigurinë që ata nuk e kanë. Por në anën tjetër, kamioni e ka elementin e të qenit varrë, sepse shumë njerëz kanë vdekur në këtë mënyrë. Mendova se si mund ta kapi këtë që po e shoh – vizualisht? Kështu më erdhi ai kontrast, dhe një ftesë për njerëzit për të ardhë e për t’i ndarë historitë e tyre.
Secili punim që e ke krijuar të ka çuar nëpër një udhëtim në një mënyrë apo tjetër. Para se ta filloje këtë, çfarë shpresa dhe synime kishe me këtë instalacion?
Më kujtohet kur isha vajzë e vogël, 5-6 vjeçare; shikoja TV dhe shihja shkolla në Kosovë duke u mbyllur, e studentë që po helmoheshin, e i thoja vetës , o Zot, qysh mundet e gjithë bota me ndejt duke shiku deri sa ndodh kjo? Pra për mua, brenda meje, këto çështje si dhuna seksuale, të drejtat e njeriut etj, kishin rrënjë të thella, për shkak të mënyrës se si jam rritur dhe ambientit politik që më ka rrethuar. Dhe tani po e shoh duke ndodhur rreth meje, njerëz në situata të skajshme, dhe ky zë brenda meje po del, kjo nevojë për të qenë zëri i atyve që nuk kanë zë. Është thjeshtë kontributi im si njeri, si dhe si artiste, kapja e gjithë këtyre gjërave në mënyrë vizuale.
Kjo nuk është hera e parë që ke krijuar një vepër që frymëzon dhe nis një dialog për një çështje të kontestuara…
Sot Kosova ende është shoqëri shumë patriarkale, por duke u rritur në familjen dhe mjedisin tim, unë nuk e kam parë këtë – nuk jam rritur ashtu. Tek kur u rrita fillova të shoh pabarazitë në shoqëri, dhe pozitën tonë si gra. Pra si rezultat, gjithmonë jam munduar që ta paraqes bukurinë e grave. Jo bukurinë estetike, por bukurinë e fuqisë sonë, dhe në një farë mënyre, këtë doja ta bëja me “Thinking of You”. Por edhe para kësaj, jam munduar që të ballafaqohem me çështje të cilave u shmangen shumë njerëz – ekspozita ime këtu në Londër në vitin 2015 kishte disa pjesë për krenarinë që e ndjejë kur u jap gji fëmijëve të mi, e tjetra ishte për kur e laj babain tim. Të gjitha këto tabu që nuk folen; dhe pikërisht për këtë e kam quajtur ekspozitën “You Just Don’t Talk About It” (Thjeshtë Nuk Folni Për To).