E hanë, 3 shtator 1990, dita e parë e shkollës, asnji njeri në rrugë, pazari shprazët, dyqanet mshelë. Prishtina dukej si qytet i fantazmave. Në fakt, krejt Kosova ishte në grevë atë ditë.
Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), që ishte formu disa muj ma parë, u kishte ba thirrje punëtorëve, që me nji gjest simbolik të grevës së përgjithshme nji-ditore, me protestu kundër largimit të paligjshëm nga puna të mbi 15,000 punëtorëve shqiptarë, si dhe me ia ba me dije regjimit të Slobodan Miloševićit, president i Serbisë, se pa frytin e punës së punëtorëve shqiptarë, përkundër që ata ishin shtresë e hollë e shoqnisë, shumë aspekte të jetës në Kosovë do të paralizoheshin. Grevës i ishin bashku edhe zanatlijtë, tregtarët, bujqit, si dhe pothujse krejt qytetarët.
Prej rreth 1.9 milion banorëve sa kishte Kosova në atë kohë, të punësum në sektorin publik ishin rreth 230,000 shqiptarë, ndërsa të moshës së punës rreth 1 milion. Në sektorin privat, që sapo kishte fillu me marrë hov, kishte vetëm rreth 7,000 të punësum, së paku simbas statistikave zyrtare të Jugosllavisë.
Greva shpesh asht armë shumë e fuqishme e rezistencës sepse mundet me i shkaktu dam të madh ekonomik regjimit, por, siç e kuptojmë ndërkohë, ky regjim nuk e kishte mendjen as te ekonomia, as te fryti i punës.
Qysh në fund të viteve të ‘70-a, krejt blloku lindor po përjetonte nji degradim galopant të ekonomisë së planifikume socialiste që në tanë dekadën e të ‘80-ave shkonte tu u ba ma i randë. Fjala krizë ishte ba floskula ma e mbërtypun nga kuadrat e Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë, që diskutonin ditë e natë për zgjidhjet e mundshme të problemeve, shumë prej të cilave krejt fiktive.
Njani prej problemeve fiktive ma të diskutume në vitet e ‘80-a në Kosovë dhe në Serbi ishte rasti i Đorđe Martinovićit. Me 1 maj 1985, Martinović, 65-vjeçar nga Gjilani, kishte mbërri në spitalin e qytetit me nji shishe të thyme brenda në anus. Fillimisht, ai kishte deklaru se dy shqiptarë e kishin sulmu, derisa po punonte në arën e vet. Mbas disa ditëve, me 7 maj, Sekretariati i Punëve të Brendshme, i njohun si SUP, kishte lëshu nji deklaratë ku thuhej se Martinović kishte dëshmu se plagët i kishte shkaktu vetë. Mandej u organizun ekipe të ndryshme për me e vlerësu rrjedhën e ngjarjeve. Qysh e dokumenton autorja amerikane, Julie Mertus, në librin e saj “Kosovo: How Myths and Truths Started a War” (Kosova: Si e nisën një luftë mitet dhe të vërtetat), kishte të paktën katër opinione të ndryshme rreth ngjarjes, disa që thonin se plagët janë shkaktu prej tjetërkujt, disa vetë. Opinioni i katërt, në nandor, ishte që plaga ose ka mujtë me u shkaktu vetë, ose prej tjerëve, pra, pa dhanë përfundim që i bante shqiptarët përgjegjës.
Përkundër kësaj, në shtypin serb, rasti Martinović u mbulu me nji vërshim të raportimeve e interpretimeve nacionaliste dhe antishqiptare. Svetislav Spasojević, gazetar i të përjavshmes NIN (Nedeljne Informativne Novine, Gazeta Informative Javore), i cili e udhëhoqi fushatën e këtij rasti, në vitin 1986, botoi nji libër, me titullin “Slučaj Martinović” (Rasti Martinović). Libri ishte përmbledhje e të gjitha deklaratave dhe mbledhjeve të strukturave politike, letrare e publicistike, që ishin mbajtë për me i dhanë zjarr këtij rasti — gjithçka përveç fakteve. Veç ideja me shtypë nji libër 485 faqesh, me tirazh fillestar prej 50,000 ekzemplarësh tregon për histerinë e përgjithshme që ishte kriju rreth këtij rasti.
Tema të ngjashme rreth krimeve të pretendume të shqiptarëve ndaj serbëve ishin jo vetëm diskutime të shtypit të verdhë, por trajtoheshin edhe në qarqet ma të nalta të politikës. Kryetari i atëhershëm i Serbisë, Ivan Stambolić, më vonë, në vitin 1995, e botoi nji libër “Put u Bespuće” (Drejt udhës pa krye). Në atë libër ai e pranoi se raportimet gjatë të ‘80-ave për krime të shqiptarëve ishin të fabrikume. Stambolić, si i pari i shtetit, sigurisht i ka ditë krejt këto, por ka zgjedhë me heshtë.
Përveç propagandës dhe degradimit ekonomik, Kosovën, në ato vite, e kishte pllakosë edhe nji zullum i madh policor. Në nandor 1988, kryepolici i Kosovës, Rrahman Morina, në nji mbledhje të Lidhjes së Komunistave, e kishte përmbledhë në nji fjali zellin e organeve të rendit në luftimin e “nacionalizmit shqiptar”. Çdo shprehje a veprim në drejtim të afirmimit të pozitës së shqiptarëve, t’cilit i veshej si qëllim përfundimtar tendenca për separatizëm dhe armiqësi ndaj Jugosllavisë, konsiderohej nacionalizëm.
Ai kishte raportu se, nga viti 1981, ishin ngritë kallëzime penale kundër 72,223 personave, padi për kundërvajtje kundër 95,030 personave, ndërsa kundër 314,120 personave ishin marrë masa tjera, si burgosje, arrestim, ndalim, heqje lirie. Me nji fjalë, gati gjysa e popullatës së rritun të Kosovës në trajtim policor.
Ishte kjo, në fakt, pasojë e nji fushate të orkestrume në Beograd për zgjidhjen e çashtjes serbe nëpërmjet nxitjes së nacionalizmit serb.
Politikanja liberale dhe historianja e famshme serbe, Latinka Perović, në nji intervistë për Peščanik, në vitin 2016, kujtoi nji bisedë që e kishte pasë në vitin 1987 me Antonije Isaković, nënkryetarin e atëhershëm të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Serbisë (SANU). Aty, Isaković kishte shpjegu se ma në fund kishte ardhë koha “që Serbia me zgjidhë çashtjen e vet, sllovenët dhe kroatët nuk e duan Jugosllavinë”.
“Prit, ju pra po doni luftë?”, e kishte ndërpre Perović.
“Po”, kishte pohu ai, “por nuk do të ketë luftë në Serbi. Do të vriten 80,000 njerëz dhe…”
“Cilët 80,000 njerëz? Për kokat e kujt po flisni?”
Asht interesant se, pothujse njikohësisht me këtë çaraveshje nacionaliste, nji rrymë tjetër politikanësh që besonin në demokratizimin e Jugosllavisë në nivel të federatës, po merrej intenzivisht me tejkalimin e krizës ekonomike, madje me nji sukses të dukshëm.
Në dhjetor të vitit 1988, kjo rrymë ia doli me i aprovu nji sërë amandamentesh në Kushtetutën e Jugosllavisë, që i hapën rrugë ekonomisë së tregut, mbas së cilave u mundësu themelimi i shoqnive me pronë private, po edhe prumja e kapitalit të huj. Ky ishte nji ndërrim radikal për shoqninë komuniste jugosllave, ku të gjitha ndërmarrjet, deri atëherë, kishin qenë shtetnore.
Madje, kur Ante Marković, kishte ardhë në krye të shtetit, e kishte stabilizu inflacionin marramendës të atyne viteve. Marković ishte emnu kryeministër i Jugosllavisë në mars të vitit 1989, pothujse njikohësisht me marrjen e autonomisë së Kosovës.
Në retrospektivë, këto dy rryma duket sikur kanë vepru tu e injoru njana-tjetrën, sikur me pasë jetu në univerze paralele, pa qenë të vetëdijshme për pasojat e veprimeve të rrymës tjetër. Por në vazhdim, rryma destruktive e Serbisë del ma e fortë, teksa reformat e Markovićit treten në univerzin paralel, si të kishin qenë nji andërr vere.
Artikulimi politik i punëtorëve
Në dogmën komuniste, së paku në teori, punëtorët ishin të shejtë. Ata ishin forca progresive e shoqnisë, e sidomos ata që punonin në industri, meqë industrializimi shihej si caku kryesor i progresit. Kur Kushtetuta e vitit 1974 po rrezikohej, e bashkë me të edhe autonomia e Kosovës, prej të parëve që u mobilizun në mbrojtje të saj ishin minatorët e Trepçës, të cilët vlenin si shejtorët e industrializimit.
Në shkurt 1989, rreth 1,300 minatorë u futën në grevë urie në horizontet e fella të minierës. Kërkesat kryesore të tyne ishin: Të garantohen themelet e Kushtetutës së vitit 1974 dhe të japin dorëheqje Rrahman Morina, Ali Shukrija dhe Hysamedin Azemi, të cilët konsideroheshin si politikanë të nënshtrum ndaj Serbisë. Përveç këtyne, minatorët kërkonin që të mos persekutoheshin inidividë, të cilët regjimi i konsideronte si organizatorë të marsheve të para, të nandorit të vitit 1988: “Nuk ka organizatorë të veçantë, të gjithë jemi organizatorë”, thonin. Ata kërkonin edhe që të ndërpritej politika e gabume ndaj popullit shqiptar dhe të njoftohen përfaqësusit e krahinave dhe republikave për gjendjen në Kosovë.
Kjo pati jehonë të madhe.
Nga ky epizod, në Serbi u kriju legjenda e komandantit të policisë, Radovan Stojičić “Badža”, i cili, thuhet se ishte ba gati me u lëshu, bashkë me njësitin antiterrorist të policisë së Serbisë, në horizontet e fella të minierës me i nxjerrë apo edhe me i ekzekutu minatorët që nuk donin me dalë pa u plotësu tana kërkesat e tyne.
Morina, që vetes i thoshte komunist, jep dorëheqje, dukshëm i prekun që minatorët po ia kërkojnë këtë punë. Letra e dorëheqjes, që Morina ua çon minatorëve tingëllon e sinqertë dhe mbase edhe dorëheqja nuk ka qenë vetëm farsë, por si duket, për Miloševićin nuk ka qenë momenti për me pranu dorëheqjen e Morinës. Ai u kthye prapë në postin e tij.
Krejt këto ngjarje e kishin pasë fillin te nji varg veprimesh në përgatitje për anulimin e autonomisë së Kosovës. Njani prej këtyne veprimeve ishte kur udhëheqësia krahinore e Lidhjes së Komunistëve kishte nisë me e folë shkarkimin e Azem Vllasit dhe Kaqusha Jasharit, që në atë kohë kishin qenë kuadrat më të shquar të Partisë Komuniste dhe njerëz të afërt me Stambolićin, të cilët Miloševići i konsideronte pengesë për planet e veta.
Mbledhja për këtë çashtje ishte pas caktu për mbramjen e 17 nandorit 1988. Fjala kishte mbërri te minatorët në Stantërg. Në mëngjez të asaj dite, 3,000 minatorë lanë zgafellat dhe u nisën me marshu rreth 45 kilometra, prej Stantërgut drejt Prishtinës. Rreshti i parë i marshit, në mënyrë pllakative, mbante fotografi të udhëheqësit shumë-vjeçar të Jugosllavisë, Josip Broz Tito, flamurin jugosllav dhe atë shqiptar të lidhun bashkë, flamuj të minatorëve, si dhe flamuj të kombësive tjera. Nga mbarë Kosova, u nisën marshe tjera të qytetarëve drejt Prishtinës për t’iu bashku minatorëve. Në mbramje, në Prishtinë ishin tubu rreth 300,000 njerëz.
Karakteri i padhunshëm i marsheve ishte po ashtu nji prumje krejtësisht e re. Howard Clark, autori i veprës më të thukët mbi rezistencën kosovare, “Civil Resistance in Kosovo” (në shqip: Rezistenca civile në Kosovë), e botume në vitin 2000, konstatoi që spontaniteti i mirëfilltë i këtyne marsheve ishte në kontrast të theksum me “mitingjet e së vërtetës” të Miloševićit, në të cilat masën e përbanin punëtorët që silleshin aty me autobusa të fabrikave.
Këto mitingje ishin tubimet e organizume fillimisht prej serbëve të Kosovës, të cilët shprehnin zemërimin e tyne për, siç thonin ata, gjendjen e randë të serbëve në Kosovë. Ky zemërim buronte kryesisht nga pakënaqësia e humbjes graduale të pozitës së privilegjume për serbët, që kishte fillu prej shkarkimit të Aleksandar Rankovićit, shefit të shërbimit sekret të Jugosllavisë (UDB), në vitin 1966. Ranković e kishte vu Kosovën nën diktaturë të UDB-ës prej mbas përfundimit të Luftës së Dytë Botnore. Me anë të kontrollit të rreptë policor, Ranković shfrytëzonte çdo mundësi që i vinte për me burgos e torturu shqiptarë.
Në fakt, në vitet e ‘70-a dhe fillimvitet e ‘80-a, raste të dhunës e hakmarrjes të shqiptarëve kundër serbëve, për shtypjen gjatë kohës së Ranković në Kosovë kishte pasë, por jo në formë të organizume apo në përmasat që i trumbetonte propaganda serbe.
Mandej, këto mitingje u instrumentalizun prej Miloševićit dhe organizoheshin kudo që ai ia mësynte me ndërru pushtetin.
Ndër mitingjet ma të mëdha dhe me pasoja ishin: mitingu në Novi Sad, Vojvodinë me 5 tetor 1988, i cili e mori nofkën “Revolucioni i jogurtit”, për shkak se demonstrusit serbë, të mbledhun prej Miloševićit, kishin hedhë tasa të jogurtit në drejtim të ndërtesës së qeverisë krahinore, mbas të cilit Qeveria e Vojvodinës dha dorëheqje dhe u zavendësu me njerëz të Miloševićit. Mandej, është mitingu në Titograd (sot Podgoricë) në Mal të Zi, në janar të vitit 1989, ku gjithashtu dha dorëheqje qeveria republikane dhe pushtetin e morën njerëzit e Miloševićit. Me këtë, Miloševićit i mungonte vetëm edhe Kosova për me i ba katër vota nga gjithsej tetë për me mbajtë në shah Kryesinë e Jugosllavisë.
Kështu, përkundër marshit të vitit 1988, e mandej grevës së minatorëve, në vitin 1989, plani i Miloševićit po e mbërrinte finalen e vet të ndërrimit të dhunshëm të kushtetutës. Kosova, për pjesën tjetër të Jugosllavisë ishte njollë e zezë krejtësisht e panjohun. Zhurma propaganduse që vinte nga Beogradi buçiste ma shumë se çfarëdo zani që dilte prej Kosovës. Asgjamangut, greva e minatorëve për nji moment sikur e çau këtë barrierë.
Me 27 shkurt 1989, në Republikën e largët të Sllovenisë, udhëheqësi i partisë, Milan Kučan, doli për herë të parë në përkrahje të hapun për kërkesat e shqiptarëve të Kosovës. Në qendrën më të madhe të kongreseve në Cankarjev Dom në Lubjanë, Kučan deklaroi se në Stantërg nuk po mbroheshin vetëm të drejtat e shqiptarëve, por po mbrohej Jugosllavia e AVNOJit, Këshillit Antifashist për Çlirimin Kombëtar të Jugosllavisë (KAÇKJ). Ky Këshill kishte mbajtë mbledhjen e famshme, që vlente si ngjarje e shejtë në Jugosllavi, me 29 nandor 1943, ku ishte vu gurthemeli i Jugosllavisë Federative në baza të së drejtës së popujve në vetëvendosje.
Mbas dramës së minatorëve, më 23 mars pasoi drama e votimit për heqjen e autonomisë në Kuvendin e Kosovës. Ndërtesa e Kuvendit ishte nën rrethim, me tanke e autoblinda e polici të armatosun gjer në dhamb. Kësaj i shtoheshin mysafirt e paftum — funksionarë e punëtorë të shërbimit të sigurimit — që kishin hy edhe brenda sallës së Kuvendit. Në sallë gjendeshin rreth 300 vetë, anipse ajo legjislaturë numronte 190 delegatë, shumica prej tyne shqiptarë. Në këto kushte të rrethimit e kërcënimit, veç 10 prej delegatëve shqiptarë votun kundër. Ishte nji grushtet par excellence.
Mbas kësaj pune, kjo legjislaturë u shpërnda dhe nji e re u zgjodh. Pritjet e kosovarëve ishin që garnitura e re e delegatëve, shumica prej të cilëve ishin shqiptarë, kishte me qenë edhe ma e nënshtrume ndaj kërkesave të Serbisë. Mirëpo, ajo do t’i befasojë të gjithë më 2 korrik të vitit vijus.
Pluralizëm, e edhe aparteid
Deri atëherë, në jetën politike e shoqnore të Kosovës vepronin shumë pak organizata. Kuadrat udhëheqëse të këtyne organizatave kishin heshtë ndaj dhunës serbe, prandaj nuk gëzonin ma ndoj respekt të veçantë.
Por tashma nji elitë e re, që përbahej prej intelektualëve të angazhum kundër nacionalizmit serb kishte nisë me dalë në sipërfaqe. Këta intelektualë po bashkoheshin në shoqata e parti të reja që po themeloheshin, të cilat së bashku quheshin “Alternativa”. Besimi dhe shpresa te këta intelektualë ishte i jashtëzakonshëm. Ndër ta shquheshin sidomos aktivistët e Shoqatës së Shkrimtarëve, të cilët kishin polemizu me shkrimtarët serbë gjatë tanë viteve të ‘80-a, me kritika të guximshme në adresë të nacionalizmit serb.
Po ashtu, nga mesi i dhjetorit të vitit 1989, u themelu Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ), që dokumentonte dhunën e regjimit serb ndaj qytetarëve. Pak ditë ma vonë, u themelu Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me kryetar Ibrahim Rugovën, e cila mbas nji muji numëroi 100,000 antarë dhe, deri në fund të vitit vijus, thuhet se kishte mbërri në 700,000 antarë. Në fillim të vitit 1990, u themelu edhe Parlamenti Rinor, i cili më pas u shndërru në partinë politike, Partia Parlamentare e Kosovës, si dhe nji varg partish tjera. Çdo aktivitet i tyne pritej me entuziazëm të pashoq.
Buletini statistikor i Jugosllavisë për Kosovën i jep organizatat vijuse, bashkë me antarësinë e tyne:
Lidhja Komuniste e Kosovës me 110,000 antarë;
Lidhja Socialiste e Popullit Punonjës me 930,000,
Lidhja e Sindikatave me 220,000,
Lidhja e Rinisë Socialiste me 320,000,
Lidhja e Luftëtarëve të Luftës Nacional-Çlirimtare me 80,000
Kryqi i Kuq me 500,000 antarë
Njikohësisht, ngjarje t’randsishme, që po shënonin fundin e Jugosllavisë nisën me u shpalosë. Më 20 janar të vitit 1990, në Beograd u mbajt kongresi i katërmbdhjetë dhe i fundit i Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë. Në nji skenar të përgatitun mirë, delegatët serbë i mbivotuan delegatët sllovenë e kroatë në të gjitha çashtjet, të cilat kishin të banin kryesisht me pluralizëm dhe demokratizim. Të frustrum nga ky demonstrim i fuqisë serbe, delegatët sllovenë dhe kroatë e braktisën kongresin. Me këtë përfundoi ekzistenca e Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë dhe fillon shpërbamja e Jugosllavisë.
Pak para kësaj ngjarje, policia maqedonase e kishte vra Nuredin Nuredinin, nji qytetar nga Haraçina e Shkupit, gjatë nji përpjekjeje me ia rrëzu murin e shpisë me bulldozer. Kjo ngjarje e kishte ndezë fitilin e protestave në mbarë Kosovën. Simbas mostrës së zakonshme, protesta paqësore ishte shpërnda dhunshëm prej policisë dhe kjo kishte provoku protesta hala ma të mëdha.
Përkundër dhunës së shfrenume të policisë dhe disa viktimave, protestat vazhdun me ditë të tana. Në shtypin e Beogradit protestuesit u qujtën terroristë, ndërsa vrasjet e demonstrusve nga policia shpjegoheshin si vrasje të demonstrusve mes vete për gjakmarrje. Në këto protesta u vranë të paktën 30 persona, u plagosën qindra e u burgosën mbi 1,000. Në veçanti, bujë të madhe kishte ba vrasja e 16-vjeçares, Ylfete Humolli, me 1 shkurt 1990 në Lupç të Poshtëm të Podujevës. Në disa lokalitete të Kosovës, si në Malishevë, autoblindat e policisë kishin shkrepë rafale automatikësh në drejtim të dyqaneve, gjykatës së qytetit, të ambulancës, shkollës fillore, si dhe shtëpive private.
Era vinte luftë në Kosovë.
Njikohësisht me shpërthimin e kësaj revolte, Shoqata e Sociologëve dhe Filozofëve të Kosovës nisi nji aksion të mbledhjes së nënshkrimeve për peticionin e qujtun “Për Demokraci, Kundër Dhunës”. Peticioni kishte fillu me nji apel, që e kishte shkru Isuf Berisha, kryetar i Shoqatës, duke kërku ndaljen e dhunës ndaj shqiptarëve. Apelit iu bashku edhe KMDLNJ, si dhe Shoqata për Iniciativën Demokratike Jugosllave (SHIDJ).
LDK, fillimisht nuk e nënshkroi apelin, por në vazhdim e përkrahi atë. LDK i mobilizoi aktivistët, me ndihmën e të cilëve, peticioni për nji kohë shumë të shkurtë i mblodhi 400,000 nënshkrime. Këto nënshkrime me emër, mbiemër dhe adresë, ishin sheja e parë publike e mobilizimit qytetar në Kosovë.
Organizata antare të Alternativës u angazhun me zell të madh për ndaljen e ballafaqimit të qytetarëve me policinë e dhunshme serbe në rrugë, por ajo nuk u ndal, derisa në fillim të shkurtit 1990, thirrjes iu bashku edhe LDK. Rugova u apeloi qytetarëve nëpërmjet një thirrjeje të botuar në të përditshem “Rilindja” me 2 shkurt, të cilën e drejtoi në emër të LDK-ës, SHIDJ-it, Shoqatës së Shkrimtarëve dhe KMDLNJ-s për me i ndërpre protestat.
Megjithatë, punëtorët vazhdun me qenë thellësisht të përfshim në përkrahje të protestave. Ndër ta ishin edhe mbi 1,000 punëtorët e Fabrikës së Tubave në Ferizaj, të cilët kishin hy në grevë, e e cila shpejt u ndëshku. Kur këta punëtorë ishin kthy në punë mbas tri javësh, e kishin gjetë portën e fabrikës të mbyllun. Mbas minatorëve, të cilët ishin pushu nga puna mbas grevës, punëtorët e Ferizajit u banë të dytët që u pushun në numër të madh. Në numër gjithashtu të madh, në këtë kohë, u pushun edhe shumë policë shqiptarë, me arsyetim të ristrukturimit të njësiteve, gjatë të cilit policët shqiptarë zavendësoheshin me serbë.
Si reagim ndaj propagandës serbe që protestuesit shqiptarët po vriteshin mes vete për gjakmarrje, po atëherë, në shkurt, filloi aksioni i faljes së gjaqeve. Aksionin e kishin fillu dy studente të persekutume të Universitetit të Prishtinës, Hava Shala dhe Myrvete Dreshaj, por shumë shpejt ai u përhap në mbarë Kosovën.
Përkundër thirrjeve për paqe e mosdhunë, regjimi serb shfrytëzonte rrëmujën për me vendosë masa të jashtëzakonshme dhe orë policore në Kosovë. Si reagim, Parlamenti Rinor organizoi protesta me çelësa nëpër ballkona të banesave, në orën kur fillonte ora policore, tu dashtë me simbolizu që qytetarët i kanë çelësat e zgjidhjes së problemit. Në krejt ballkonat e Kosovës kërcisnin çelësat në fillim të orës policore, por meqenëse çelësat nuk banin shumë zhurmë, atyne iu shtun edhe tenxheret.
Provokimet nga regjimi serb nuk u ndalën. Në fillim të marsit 1990, erdhi ai i radhës: helmimet e nxanësave shqiptarë. Rreth 4,000 nxanës shqiptarë në 13 komuna u helmun me gazin ushtarak sarin. Helmimi ndodhi kryesisht në shkolla ku vijonin mësimin fëmijët shqiptarë, po edhe në ato ku shkonin edhe fëmijët serbë, por që për shkak të segregimit, që kishte fillu në shtator të vitit paraprak, ishte krejt e lehtë me përdorë helm vetëm te fëmijët shqiptarë. Nxanësat serbë nuk kishin kontakt me nxanësat shqiptarë as në të njejtat hapësina, as në të njejtën kohë të mësimit. Për rastin, regjimi serb pohoi se bahej fjalë për histeri kolektive.
Rasti i helmimeve ishte me gjasë provokimi ma i randë që vuni në sprovë reagimin kryengritës të kosovarëve. Në disa komuna kishte pasë edhe reagime, ku qytetarë të indinjum kishin tentu me ushtru dhunë ndaj serbëve që dyshoheshin se kishin marrë pjesë në helmime, por aktivistët e Alternativës i kishin ndalu. Ky ishte ashiqare provokim për me nxitë revoltë që kish me arsyetu nji luftë në Kosovë, por shoqnia kosovare tashma ishte përcaktu për rezistencë paqësore.
Tashma ishte ba zakon që secili akt i dhunës nga regjimi serb me u dokumentu nëpërmjet aktivistëve të LDK-ës dhe KMDLNJ-ës dhe me njoftu botën për çka ndodhte në Kosovë. Akti i dokumentimit të dhunës e shndërroi ndjenjën e maparshme të nënshtrimit në ndjenjë të rezistencës dhe qëndresës. Mbas çdo akti të dhunës nga policia serbe, viktima lajmërohej zakonisht te dega ma e afërt e LDK-së, të cilët ia organizonin mjekun që i atestonte pasojat dhe fotografin që e fotografonte, dosja dorëzohej në KMDLNJ, ndërsa kronika e dhunës publikohej në informatorin ditor të Qendrës për Informim të Kosovës, si dhe në raportet periodike të KMDLNJ-së.
Në këtë sfond edhe Sindikatat e Pavarura provun përkrahjen me aksione simbolike dhe i ftun punëtorët me dalë me shetitë në korzo prej orës 10:00 deri në 10:30 nga dy vetë, meqë regjimi serb i kishte ndalu tubimet e tre e ma shumë personave. Në ora 10:00 korzo ishte plot me njerëz dhe jo vetëm punëtorë, që shetisnin në rresht për dy, ndonëse më pas shiheshin edhe nga tre e katër në rresht.
Midis gjithë dhunës, kontrollit e presionit të vazhdushëm për me mbështetet agjendën e Serbisë, delegatët e ri të Kuvendit të Kosovës dëshmojnë mosbindjen e vet. Ndryshe nga ç’pritej prej tyne, me 2 korrik 1990, ata miratun Deklaratën Kushtetuese, me të cilën shpallën Kosovën pjesë të barabartë të Federatës Jugosllave, me nji fjalë — Republikë. Regjimi serb reagoi me shpërndamjen e paligjshme të Kuvendit dhe me masa të dhunshme ndaj mjeteve të informimit. Policia, me 5 korrik 1990, hyni me dhunë në Radiotelevizionin e Prishtinës dhe në gazetën e vetme ditore në gjuhën shqipe “Rilindja” duke nxjerrë jashtë gazetarët dhe punëtorët shqiptarë. “Rilindja” u ndalu me ligj. Nga aty mori hov largimi masiv nga puna i të gjithë shqiptarëve nga të gjitha ndërmarrjet dhe institucionet shoqnore.
Të gjithë u banë të varfun
Në rrjedhën e goditjes së institucioneve dhe ndërmarrjeve kosovare sikur mundet me u vërejtë nji mostër. Fillimisht u goditën mjetet e informimit, ndërmarrjet e mëdha dhe sidomos, me shpejtësi e zell të madh, institucionet shëndetësore dhe, në fund, institucionet e arsimit.
Në mars të vitit 1990, Kuvendi i Serbisë miratoi nji pako ligjore me emën sikur të kishte dalë nga shkrimtari anglez, George Orwell: “Programi për sendërtimin e paqes, lirisë, barazisë, demokracisë dhe prosperitetit në Krahinën Autonome të Kosovës”, ku mes tjerash, përcaktohej se do të shkarkoheshin urgjentisht të gjithë kuadrat udhëheqës të ndërmarrjeve dhe institucioneve publike, që kishin marrë pjesë në demonstrata apo i kishin përkrahë ato.
Mandej, në qershor u miratu “Ligji mbi veprimin e organeve republikane në rrethana të posaçme”, ku përcaktohej se Kuvendi i Serbisë, në rrethana të posaçme, mundet me i marrë tana kompetencat e organeve të krahinave dhe me pru vendime për to. Natyrisht, në Kosovë vlenin rrethanat e posaçme dhe, në korrik, u miratu “Ligji i Marrëdhanieve të Punës në rrethana të posaçme”. Ky ligj përcaktonte që drejtori apo zyrtari udhëheqës i nji organizate a ndërmarrjeje, vendoste për përgjegjësinë e punëtorit dhe ia komunikonte masat disiplinore, të cilat sanksionoheshin me ligji.
Simbas kësaj, drejtori i dhunshëm nuk kishte nevojë për kurrfarë komisioni apo procedure të komplikume për me përjashtu nji punëtor nga puna. Pasoi nji valë e ligjeve të veçanta, me të cilat u ndërrun drejtuesit e ndërmarrjeve shoqnore gjithandej Kosovës, u shkarkun drejtuesit shqiptarë dhe u emnun serbë në vend të tyne.
Këta drejtorë përdorshin pretekste të ndryshme me i përjashtu punëtorët shqiptarë nga puna, si për shembull: për shkak se nuk i mirëpritën organet; nuk i pranun masat e përkohshme apo nuk bashkëpunun me organet e përkohshme; nuk i nënshkrun deklaratat mbi lojalitetin ndaj organeve, ligjeve dhe shtetit të Serbisë; për shkak të aktivitetit në Sindikatën e Pavarur; për shkak se shkrujnë dhe flasin shqip dhe nuk pranojnë të flasin e të shkrujnë serbisht dhe me alfabetin qirilik.
Njikohësisht, propaganda serbe kishte gjetë edhe nji cak të veçantë në sulmet kundër mjekëve shqiptarë. Shembull i kësaj ishte libri “Kosovo: kontrarevolucija koja teče” (Kundërrevolucioni që vazhdon), i shtypun në vitin 1989, i gazetarit serb, Vuksan Cerović. Aty, Cerović përhapi akuza monstruoze se mjekët shqiptarë po i sterilizonin, madje edhe vrisnin, foshnjat dhe nanat serbe e malazeze. Kjo lloj propagande, në publikun kosovar rezononte si paralajmërim që kjo ishte pikërisht çka kishin ndërmend me ba mjekët serbë, sapo t’i merrnin klinikat në dorë.
Mbas futjes së masave të dhunshme në spitale pothujse asnji qytetar shqiptar nuk kishte kërku ma ndihmë mjekësore në to. Ç’asht e vërteta, tashma ishin hapë edhe klinika private, ndonëse pakkush kishte mundësi me i përballu shpenzimet e trajtimit në to.
Pos varfnisë, nji pasojë tjetër e dhimbshme të largimit nga puna ishte mbetja pa banesa e 650 familjeve, meqenëse kishin qenë të vendosun në banesa të kolektiveve, ku kishin punu. Shumë ndërmarrje shoqnore në Kosovë kishin banesa për punëtorët, të cilat punëtorët kishin mundësi me i ble mbas nji kohe. Në rastin e këtyne 650 familjeve, kjo mundësi nuk vlente ma.
Kështu, nji efekt imediat që e shkaktoi ky pushim i shpejtë e masiv i shqiptarëve nga puna ishte që shumica e familjeve mbetën pa të ardhuna dhe diferencat sociale e ekonomike mbrenda shoqënisë shqiptare u zhdukën përkohësisht — të gjithë ishin të varfën. Kjo i bani të gjithë qytetarët shqiptarë të Kosovës të jenë në gjendje të njejtë dhe të jenë solidarë mes vete.
Midis kësaj gjendjeje, solidariteti mbarëpopullor përditë merrte formë ma të fuqishme. U themelun shoqata bamirëse “Nëna Terezë” e nisma humanitare “Familja ndihmon familjen”. Shumë shpejt, gjithandej u lajmërun mija individë e familje që ndihmonin nga nji familje kosovare në nevojë.
Shoqata “Nëna Terezë” në vitin 1991 ka evidentu shpërndamje të ndihmave për 26,000 familje në nevojë me rreth 160,000 antarë. Për çdo vit kjo ndihmë rritej me gati dyfishim, mesatarisht gjatë tanë viteve të ‘90-a nga “Nëna Terezë” ndihmoheshin rreth 60,000 familje me rreth 350,000 antarë.
Në kuadër të shoqatës “Nëna Terezë” u themelu edhe shërbimi shëndetësor, që mbase ishte projekti ma emblematik i solidaritetit të viteve të ‘90-a. Ky shërbim nisi punën në mars të vitit 1992 me iniciativën dhe angazhimin titanik të doktorit Gani Demolli, me hapjen e poliklinikës së parë në Vranjevc të Prishtinës. Për shumë pak kohë, ky shërbim kishte çelë klinika në mbarë Kosovën dhe ofronte shërbime mjekësore falas për shtresën e popullsisë që nuk kishte mundësi me i marrë këto shërbime tjetërkund — kjo shtresë e popullsisë sa vinte e rritej.
Njejtë rriteshin edhe goditjet e regjimit — në vitin 1991, radha i kishte ardhë arsimit. Nga janari, iu ndalën rrogat mësuesve të klasave të para, arsimtarëve të klasave të pesta dhe profesorëve të viteve të para të shkollave të mesme. Nga kjo u prekën rreth 3,200 mësimdhënës, 400 drejtorë dhe 80,000 nxanës. Ndërsa, në prill, regjimi serb mori vendim me jau ndalë pagesën e rrogave të gjithë mësimdhënësve shqiptarë të të gjitha niveleve.
Vazhdun masat për me e zvogëlu numrin e nxanësve shqiptarë në shkolla. Në konkursin e shpallun në qershor të atij viti për pranim të nxansëve në shkolla të mesme, parashihej me u regjistru ma pak se nji e treta e nxanësve shqiptarë që e mbaronin shkollën fillore. Në anën tjetër, numri i vendeve për mësimin serbisht parashihej me u rritë.
Kur nisi viti i ri shkollor, në shtator 1991, u ba e qartë se nuk bahej fjalë thjesht për zvogëlim të numrit të nxansëve shqiptarë, po për mohim të tansishëm të së drejtës në shkollim. Me 2 shtator 1991, nxanësit e shkollave të mesme nuk u lejun me hy në shkollë. Drejtorët serbë ua kishin mbyllë dyert e, në disa shkolla, madje kishte edhe policë. Edhe në plot shkolla fillore u ndalu mbajtja e mësimit për shqiptarët. Që nga ai vit, në fillim të shtatorit, përsëriteshin skena të njejta.
Derisa pushimi masiv nga puna e mobilizoi solidaritetin e shqiptarëve, goditja në arsim i homogjenizoi në rezistencë të përbashkët. Menjiherë, në qershor 1991, ishte organizu Këshilli Qendror për Financim (KQF), i cili u institucionalizu në fillim të vitit 1992, me vendim të Qeverisë së Kosovës. Ishte kjo qeveria e drejtume prej kryeministrit Bujar Bukoshi, e njohun si Qeveria Bukoshi, e formume mbas referendumit, në shtator 1991. Kjo qeveri funksionoi në ekzil, në pamundësi me operu nën masat shtypëse në Kosovë.
KQF ishte kriju si institucion për vetëfinancimin e arsimit, por më pas u ba institucioni kryesor i financimit të rezistencës, por edhe i mbledhjes së kontributeve. Kontributet që mblidheshin brenda Kosovës nga KQF i mbulonin rreth 65% të nevojave, ndërsa pjesën e mbetun prej 35% e mbulonte Ministria e Financave në ekzil, nëpërmjet Fondit të 3%.
Në të njejtën kohë, ankesa prej të pushumve nga puna kishte, por ato heshteshin. Kryetari i Kuvendit të BSPK, Agim Hajrizi, në vitin 1997, kishte evidentu se, prej 150,000 shqiptarëve që ishin largu nga puna, rreth 70,000 kishin parashtru ankesa në gjykata.
“Ka pasë raste që nuk janë thirrë fare në seancë, që don me thanë se për ta afatet ligjore as që janë nisë. Ka pasë raste që ftesat janë gjetë në kontejnera të bërllogut apo në rrugë. Drejtoria e postës, si duket, ose nuk ka dashtë, ose ka pasë direktivë mos me kry obligimin”, kishte thënë Hajrizi në nji intervistë, në tetor të vitit 1997.
Të tjerët, që i kishin marrë ftesat, në të shumtën e rasteve ishin ftu me i ndjekë procedurat gjyqësore në Nish, Kralevë, Suboticë apo në ndonji gjykatë tjetër të largët në Serbi, gja që praktikisht ua pamundësonte shumë prej tyne ndjekjen e matejshme të rastit. Edhe në rastet e ralla, kur individët ia kishin dalë me i ndjekë procedurat gjyqësore deri në fund dhe gjykata kishte vendosë në favor tynin, drejtori i ri me veto kishte refuzu me i pranu prapë në punë.
Ndërkohë, Trepça kishte të hapun konkurs të vazhdushëm për 2,000 punëtorë, por askush nuk lajmërohej në punë, meqë sindikata apelonte që mos me i zanë vendet e punës së punëtorëve të përjashtum paligjshëm.
Midis moskoordinimit dhe solidaritetit
Mendimi i sindikatës se tërhjekja e frytit të punës nëpërmjet grevës së 3 shtatorit 1990 kish me ia dridhë themelet Serbisë rezononte edhe te shumë punëtorë e qytetarë — pjesëmarrja në të ishte me të vërtetë mbreslanëse.
Mirëpo, për mbajtjen e grevës, nuk asht që kishte pasë pajtim të gjithmbarshëm. Ajo ishte kontestu qysh para mbajtjes e mandej, edhe ma shumë pasi u mbajt. Mospajtimet ishin sidomos midis LDK-së edhe BSPK-së. Por, përkundër insistimit të LDK dhe shumë udhëheqësve të Alternativës, si dhe paralajmërimit të organeve të regjimit që do të ndërmarrin masa kundër të gjithë grevistëve, sindikata kishte kambëngulë me mbajtë grevën, gja që edhe ndodhi.
Atë ditë krejt Kosova ishte paralizu. Në masivitetin e grevës kishte ndiku edhe rrethana e presionit social që ndihej gjithkund — kushdo që refuzonte me marrë pjesë konsiderohej tradhëtar.
Greva u mbajt, po edhe dami që u shkaktu ishte i madh. Qysh kishte raportu gazeta “Bujku”,në vitin 1991, në nji shkresë të ministrit të atëhershëm të arsimit, Muhamet Bicaj, drejtu ndër tjerë, Parlamentit Evropian, në Kosovë përmbi 600 dyqane private ishin gjobit dhe nuk ishin leju me punu mbas grevës, ndërsa ndaj 9,000 zejtarëve ishin hapë procedura gjyqësore. Shumë prej tyne kishin falimentu dhe i kishin humbë dyqanet. Po ashtu, mbas grevës shumë prej drejtorëve të dhunshëm serbë nëpër organizata të punës kishin kërku prej punëtorëve shqiptarë me nënshkru deklarata të lojalitetit ndaj Serbisë. Pothujse të gjithë punëtorët kishin refuzu dhe këtë drejtorët e kishin marrë si pretekst të mjaftushëm me i largu nga puna.
Tërhekja e punëtorëve nuk e prodhoi rezultatin e dëshirum. Clark në librin e tij e përmbledhë fatin e BSPK në vitet e ‘90-a, në konstatimin se: “larg nga të qenit në gjendje me kërcënu me tërheqjen e frytit të punës, roli i sindikatave u reduktu në numrimin e punëtorëve të largum nga puna dhe në organizimin e fondeve të solidaritetit”.
Sidokjoftë, sindikata e kishte korrë nji sukses të jashtëzakonshëm ndërkombëtar, ndonëse të parealizum për shkaqe formale juridike dhe kësisoji shpesh edhe të panjohun për publikun, si atëherë, njashtu edhe sot.
Me angazhimin e sekretarit të BSPK, Adil Fetahu, Konfederata Ndërkombëtare e Sindikatave të Lira të Punëtorëve e kishte kërku vlerësimin e veprimeve të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë nga Organizata Botnore e Punës. Çashtja ishte shqyrtu në qershor të vitit 1992 dhe komitetit shqyrtus kishte ardhë në përfundim se masat e ndërmarra nga regjimi përbanin diskriminim në baza të përkatësisë etnike dhe të bindjes politike. Ky përfundim, anipse nuk pati pasoja për regjimin, meqenëse në atë kohë nuk ishte e kjartë se kush ishte trashigimtari i Jugosllavisë, ishte sukses në ndërkombtarizimin e çashtjes së shqiptarëve të Kosovës.
Në të vërtetë, pozita ndërkombëtare e Kosovës ishte shumë e dobët. Pak kush merrej me problemin e Kosovës në botë. Këtë ma së miri si duket e kishte kuptu Rugova, i cili në vitet e ‘90-a ia kushtoi vëmendjen ma të madhe ndërkombëtarizimit të çashtjes së Kosovës. Besimi që qytetarët kosovarë e kishin te Rugova në momente dukej gati religjioz. Rugova ishte shndërru në simbol të rezistencës dhe shpresës. Por edhe partia e tij LDK që kishte shtrimjen ma të gjanë në tanë Kosovën, me nëndegë në çdo katund dhe aktive në çdo lagje, përbante hallkën kryesore të mbijetesës.
Përkundër moskoordinimeve fillestare, rezistenca civile e kosovarëve shumë shpejt ia doli me u unifiku rreth qëllimit të përbashkët, që në vazhdim u ba arma ma e fortë përballë strategjisë e përpjekjes të dhunshme serbe me e ulë numrin e shqiptarëve në Kosovë e me e mbërri kontrollin e plotë të Kosovës.
Nga nji anë, veprimet e regjimit serb për me e mbërri të veten duken që kanë qenë të planifikume mirë dhe çkado që kishin ndërmarrë akterët shqiptarë nuk do të kishte pasë ndikim të madh në zbutjen e tyne. Nga ana tjetër, përbrenda akterëve shqiptarë në atë kohë kishte mospajtime për veprimet e ngutshme dhe ofrimit vullnetar të preteksteve, që regjimi serb kish mundësi me i përdorë për me e arsyetu ndërhymjet e dhunshme.
Shiku në retrospektivë sidomos prej perspektivës së zhvillimeve të sotshme gjeopolitike, nji vend si Kosova do të kishte zero gjasa për me fitu pamvarësinë. Gjetja e momentit për me realizu nji kësi ideje, që nuk kishte kurrfarë baze në realitetin e politikës ndërkombëtare asht thjesht e mahnitshme.
Imazhi i ballinës: Enver Bylykbashi.
Bibliografi:
Abrashi, A., & Kavaja, B. (1996). Epopeja e minatorëve. Prishtinë: Koha.
Cerović, V. (1989). Kosovo: Kontrarevolucija koja teče. Beograd.
Clark, H. (2000). Civil Resistance in Kosovo. London: Pluto Press.
Demolli, G. (2007). Një luftë më ndryshe. Prishtinë.
Fetahu, A. (1992). Masat e përkohshme. Prishtinë.
Gazeta Bujku. (1991, March 12). Gazeta Bujku.
Gazeta Jedinstvo. (1988, November 25). Gazeta Jedinstvo.
Gazeta Politika. (1990, February 1). Gazeta Politika.
Hall, B. (1994). The impossible country. London.
Hajrizi, M., et al. (2007). Këshilli qendror për financim i Kosovës. Prishtinë.
Kostovicova, D. (2005). Kosovo: The Politics of Identity and Space. London: Routledge.
Krasniqi, S. (2020). Siguria dhe sigurimi në Kosovë. Pejë: Qendra për Shkencë, Kërkime Akademike dhe Arte.
Kučan, M. (1989, February 27). Speech at Cankarjev dom, Ljubljana. Së fundmi qasur më 13 mars 2025. https://www.bivsi-predsednik.si/up-rs/1992-2002/mk-ang.nsf/4f0e6b3d16bb4c8dc125678c003a80ab/23a4685ed1fde9efc1256792005053d3?OpenDocument
Maliqi, S. (1993). Self-understanding of the Albanians in nonviolence. Journal of Area Studies, 1(3), 120-128.Së fundmi qasur më 13 mars 2025. https://doi.org/10.1080/02613539308455692
Mehmeti, A. (2015). Rezistenca shqiptare në Ferizaj me rrethinë 1988-1998. Ferizaj.
Milosavljević, O. (2003). Antibirokratska revolucija 1987-1989 godine. Beograd.
Nikčević, T. (2016, January 24). Intervistë me Latinka Perović. Peščanik. Së fundmi qasur më 13 mars 2025.https://pescanik.net/latinka-perovic-intervju-1/
Popović, D. M. (2024). Rat sećanja u Srbiji 1980-1990. Beograd.
Radio Evropa e Lirë. (2001, March 8). Srbija: Svedok koji je uznemirio Beograd. Së fundmi qasur më 13 mars 2025. https://iwpr.net/sr/global-voices/srbija-svedok-koji-je-uznemirio-beograd
Rexhepi, I. (1997, October 28). Sedmogodišnji štrajk. AIM-Press. Së fundmi qasur më 13 mars 2025. https://aimpress.forumcivique.org/article/71028-002-pubs-pri/
Schwartz, S. (2000). Kosovo: Background to a War. London: Anthem Press.
Shaqiri, N. (2022). Shtegu im. Prizren.
Shatri, B. (2010). Arsimi shqip në Kosovë, 1990-1999: shtëpitë shkolla: sfidat, arritjet
dhe aspiratat. Prishtinë.
Silber, L., & Little, A. (1997). Yugoslavia: Death of a nation. New York.
Spasojević, S. (1986). Slučaj Martinović. Beograd.
Stambolić, I. (1995). Put u bespuće. Beograd.
Surroi, V. (2024). Viti i qirinjve: Si e filluam rezistencën paqësore. Prishtinë: Koha.
Statistical Office of Yugoslavia. (1990). Statistički godišnjak Jugoslavije 1989 & Statistički godišnjak SR Srbije 1990, 1991. Së fundmi qasur më 13 mars 2025. https://www.stat.gov.rs/publikacije/
Uvalić, M. (1992). Investment and property rights in Yugoslavia: The long transition to a market economy. Cambridge.
Schmitt, O. J. (2012). Kosova: Histori e shkurtër e një treve qendrore ballkanike. Prishtinë.
Radio Evropa e Lirë. (2001, March 8). Srbija: Svedok koji je uznemirio Beograd. Së fundmi qasur më 13 mars 2025. https://iwpr.net/sr/global-voices/srbija-svedok-koji-je-uznemirio-beograd.
Dëshironi të mbështetni gazetarinë tonë?
Në Kosovo 2.0, përpiqemi të jemi shtyllë e gazetarisë së pavarur e me cilësi të lartë, në një epokë ku është gjithnjë e më sfiduese t’i mbash këto standarde dhe ta ndjekësh të vërtetën dhe llogaridhënien pa u frikësuar. Për ta siguruar pavarësinë tonë të vazhdueshme, po prezantojmë HIVE, modelin tonë të ri të anëtarësimit, i cili u ofron atyre që e vlerësojnë gazetarinë tonë, mundësinë të kontribuojnë e bëhen pjesë e misionit tonë.
Anëtarësohuni në “HIVE” ose konsideroni një donacion.