Veten e konsideroj person të fortë dhe të qëndrueshëm. Si një burrë 27-vjeçar, kur kthehem prapa në kohë dhe reflektoj rreth vështirësive të shëndetit mendor që kam përjetuar gjatë adoleshencës dhe në fillim të të njëzetave, ndihem krenar që arrita t’i tejkaloj ato që, në atë periudhë, ishin disa nga momentet më të errëta të jetës sime.
Nuk e mbaj mend saktësisht momentin kur e kuptova se po përballesha me probleme të shëndetit mendor. Nganjëherë më duket sikur kam lindur me ankth. Ekzistojnë teori që sugjerojnë se pasardhësit e njerëzve të zhvendosur, janë më të ndjeshëm ndaj çrregullimeve të shëndetit mendor. Prindërit e mi ishin refugjatë, që erdhën në Mbretërinë e Bashkuar nga Kosova, dhe e di që paraardhësit e mi kanë përjetuar dhunë koloniale, shtypje sistemike dhe zhvendosje të njëpasnjëshme. Kështu që, hulumtimet tregojnë se trauma ndërbreznore është reale dhe mund të ndikojë në komunitete përtej hapësirës dhe kohës.
Në familjen time kosovare në Londër nuk u fol asnjëherë haptazi për shëndeti mendor, thjesht përmendej tërthorazi përmes rasteve të pabaza dhe shpesh të mjegullta të atyre që po përjetonin vështirësi. Qoftë rasti i mikut të familjes që kishte vdekur papritur, i cili kishte bërë vetëvrasje, apo rasti i bashkëshortes së dajës, e cila ishte në depresion, e për të cilën të gjithë pëshpërisnin se e mallkoi “syni i keq”, mallkim që besohet se bëhet përmes një shikimi të ligë, që i shkakton dëme ose fatkeqësi personit që e shënjestron, si të ishte magjia e zezë shkaktari i problemeve të saj. Njerëzit ishin të vetëdijshëm se përjetonin vështirësi të shëndetit mendor, por, për të qenë i sinqertë, të gjithë kishin shumë frikë, turpëroheshin dhe ishin të painformuar për të folur haptazi për atë që po përjetonin.
Kjo bëhej edhe më e vështirë për shkak të pritshmërive kulturore dhe gjinore që m’u imponuan që në moshë të re. Duke qenë burrë shqiptar, pritej që të ndiqja disa standarde të caktuara, besime tradicionale për fuqinë dhe atë se çka e bën një “burrë të vërtetë”, që karakterizoheshin nga mosshprehja e emocioneve, qëndrimi burrëror dhe mirëmbajtja e këtyre pritshmërive, që për mua ishin të panatyrshme. Këto përfaqësime të maskulinitetit shqiptar më janë imponuar si në komunitetin shqiptar në Londër, ashtu edhe gjatë vizitave në Kosovë. E dija se po të flisja hapur për shëndetin mendor do ta merrnin si dobësi, si dështim për ta mirëmbajtur pamjen e fortë, siç pritet nga burrat shqiptarë.
Në kulturën tonë, të folurit hapur për emocionet dhe diskutimet rreth shëndetin mendor tek burrat pothuajse nuk ekzistojnë fare. Por unë nuk dua të hesht më. Ky është një diskutim që shumë prej nesh në komunitetin shqiptar, ende duhet ta bëjmë.
Bota ime u përmbys
Ekzistonin një sërë faktorësh që kontribuuan në përkeqësimin e gjendjes sime mendore — përvoja për të cilat ende nuk ndjehem rehat t’i ndaj me komunitetin shqiptar, ndonëse janë përvoja që prekin shumë prej nesh.
Me kalimin e kohës, fillova të vërej ndryshime të caktuara në trupin tim dhe në mënyrën se si reagonte ndaj situatave që më parë nuk kisha asnjë problem. Shpërthime të herëpashershme paniku, ankthi dhe dhimbje të tmerrshme emocionale, që fillonin të më kaplonin, por nuk kisha as fjalët dhe as mjetet e duhura, për ta shpjeguar atë që më ndodhte. Mostrajtimi i këtyre problemeve në fazat e hershme, bëri që ato të më pushtonin në heshtje dhe fshehurazi. Dhe e kujtoj qartazi ditën kur gjithçka shpërtheu me krejt fuqinë që pati. Isha 14 vjeç, rreth orës 13:45 në shkollën time në Londrën lindore, kur papritur, në mes të bisedës me mësuesin, përceptimi im ndryshoi krejtësisht. U ndieva sikur një krijesë më mori nën kontroll, një frikë e pakontrollueshme më kaploi dhe gjithë realiteti u përmbys. Zemra më rrihte shpejt, shikimi m’u turbullua, dhoma u kthye mbrapsht dhe çdo pjesë e trupit tim ishte në djersë.
Ky episod i parë ishte fillimi i një beteje të gjatë me Çrregullimin e Depersonalizimit-Derealizimit (DPDR), një gjendje disociative, që karakterizohet nga ndjenja të vazhdueshme shkëputjeje nga vetvetja — depersonalizim — dhe nga bota përreth — derealizim. M’u desh pothuajse një dekadë për ta marrë nën kontroll këtë gjendje që ma ndryshoi jetën. Asokohe nuk kisha fjalët për ta shpjeguar saktësisht se çka po përjetoja. U thosha njerëzve se “po më merreshin mendtë”, sepse ky ishte përshkrimi më i afërt që mund të jepja atëherë. Por në të vërtetë, DPDR kishte marrë nën kontroll pothuajse çdo aspekt të jetës sime, përfshirë edhe marrëdhënien time me botën e jashtme.
Nuk ishte thjesht një ndjenjë shkëputjeje. Kishte raste kur e shihja nënën në fytyrë dhe ndieja boshllëk të thellë, zbrazëti, sikur po shikoja një të huaj. Edhe sot që jam shkrimtar, ende nuk arrij të gjej fjalët që përshkruajnë plotësisht se çfarë ndikimi pati ky çrregullim në jetën time dhe në marrëdhëniet që i zbehu me njerëzit që i kam më përzemër. Kjo gjendje disociative çoi më pas në zhvillimin e një çrregullimi të panikut, një gjendje e shëndetit mendor e karakterizuar nga sulme të papritura dhe të forta paniku, të shoqëruara me ndjenja të përsëritura frike ekstreme. Po ashtu m’u zhvillua agorafobia, që përkufizohet nga frika ekstreme për të hyrë në hapësira të hapura apo të mbushura me njerëz, duke bërë që edhe detyrat më të thjeshta, si dalja nga shtëpia, të ktheheshin në sfidë për mua. E përjetova një ferr personal për katër vjet, para se familjarët e mi ta merrnin seriozisht, ose të paktën kështu m’u duk mua.
Fakti që isha në mes apo diku në fund të adoleshencës, dukej se mjaftonte që secili i rritur që takoja, t’i nënvlerësonte problemet e mia duke më thënë: “S’ke asgjë për t’u shqetësuar, je i ri!” Dhe fakti që isha adoleshent shqiptar, i gjatë pothuajse dy metra, me trup të ndërtuar, vetëm sa e shtonte mosbesimin, sikur pamja ime fizike e zhvlerësonte kaosin që përjetoja brenda vetes dhe më bënte të dukesha i pjekur, ndonëse mendja ime ishte ende duke u zhvilluar. Ndihesha krejtësisht jashtë kontrollit dhe askush nuk shfaqte gatishmëri të shihte përtej sipërfaqes apo pritshmërive kulturore, për ta pranuar faktin se më nevojitej mbështetje.
Turp, turp dhe sërish më shumë turp…
Edhe pse e di që familjarët e mi shqetësoheshin teksa e shihnin të birin dhe vëllain teksa shpërbëhej në një gjendje ankthi, që përjetonte disa sulme paniku brenda ditës, i izoluar në shtëpi për muaj të tërë dhe në prag të shtrimit në spital, tani e kuptoj se si ndjenja e turpit kulturor e ka formësuar reagimin e tyre.
Është një rast specifik që më ka mbetur në mendje: prindërit më thanë të mos i tregoja askujt për ilaçet që më ishin përshkruar, pasi nëna më dërgoi për kontroll te mjeku i lagjes. Nuk kisha ndërmend t’u tregoja njerëzve rreth përjetimeve të mia të brendshme, por ky moment shpërfaqi diçka më të thellë. E vërejta se ndjenja e turpit, e rrënjosur në kulturë, po e formësonte mënyrën se si ata komunikonin me mua. Nuk donin që të tjerët të më etiketonin me “s’është mirë”, që në kulturën time personat me probleme të shëndetit mendor i përkufizon si “të çuditshëm”, “për keqardhje” ose “shpirtërisht të thyer”. Po ashtu, po të kisha qenë më i hapur rreth përvojave të mia, njerëzit në komunitetin tim do t’i kishin gjykuar prindërit e mi që kinse nuk kanë treguar kujdes të duhur ndaj djalit të hasretit, term që përdoret për ta përshkruar djalin e vetëm në një familje ku ka vetëm vajza, që shpesh konsiderohet si shumë i shtrenjtë.
Prindërit e mi bënë krejt çka mundën me atë që kishin. Edhe pse vinin nga një rreth kulturor, ku familjet nuk i trajtonin siç duhet problemet e shëndetit mendor dhe emocional, ata ma krijuan hapësirën për të qenë vetvetja në disa aspekte, dhe sot më mbështesin plotësisht në gjithçka që bëj. Por, në të njëjtën kohë, forcuan pritshmëritë më të gjera kulturore dhe patriarkale që priteshin nga unë: nga mënyra se si duhej të sillesha në publik, te minimizimi i vuajtjeve që përjetoja në rini, e deri te diktimi i aspekteve të caktuara të jetës sime. Këto pritshmëri krijuan një mjedis të mbushur me presion, të cilin as nuk e kuptoja dhe as nuk më duhej.
E vërteta është se prindërit e mi nuk kishin mjetet për t’i ofruar mbështetje një djali që po përjetonte përvoja që tejkalonin njohuritë e tyre. Jam i sigurt se po të kishte pasur më shumë vetëdije kulturore për shëndetin mendor në komunitetet shqiptare dhe ballkanike në kohën kur ata u rritën, do të kishin qenë më të përgatitur për të më mbështetur mua dhe veten po ashtu. Por kjo shtresë heshtjeje, turpi dhe mungese gatishmërie për ta pranuar se edhe djali i tyre mund të përjetojë vështirësi emocionale, pavarësisht privilegjeve që ata nuk i patën, çoi në më shumë se një dekadë përpjekjeje, izolimi dhe disa seanca terapie.
T’i japësh fund ciklit
Gjatë kësaj jave të ndërgjegjësimit për shëndetin mendor të burrave, duhet të përballemi me një të vërtetë të vështirë: burrat shqiptarë gjithmonë kanë përjetuar probleme të shëndetit mendor dhe mirëqenies emocionale, thjesht i kanë shpërfillur ato historikisht. Në kontekstin e historisë sonë të ndërlidhur me luftën dhe shtypjen sistemike, ku mbijetesa ishte në qendër të ekzistencës sonë, këto tema u mënjanuan.
Por kjo shpërfillje e vazhdueshme rrjedh nga një përkufizim patriarkal dhe problematik i maskulinitetit, i cili vazhdon ta përhapë dhe normalizojë dhunën e burrave ndaj grave dhe vajzave, e që po ashtu ka lënë pasoja të mëdha edhe te vetë burrat. Sot përpiqem ta shpreh përkufizimin tim për maskulinitetin shqiptar, një përkufizim që nuk përcaktohet nga fshehja e emocioneve apo se sa “macho” dukem para të tjerëve. Është koha ta pranojmë faktin se përkufizimi i supozuar se ajo ka e bën një burrë shqiptar “të vërtetë”, sjellë vetëm dëme dhe vetë ne, burrat, që historikisht i kemi mirëmbajtur këto sisteme, duhet të jemi pjesë qenësore e çrrënjosjes së tyre.
Rrëfimi im me shëndetin mendor nuk do të përfundojë kurrë. Kjo përvojë më ka treguar sa e rëndësishme është që mendjen ta vendosësh në qendër, sepse është ajo që na mban gjatë gjithë jetës. U rrita në një mjedis që më mësoi se nuk kisha arsye të përjetoja probleme të shëndetit mendor dhe prapëseprapë, përsëri i përjetova. Jam në proces shërimi tash e një kohë dhe ndonëse nuk do t’ia uroja askujt këto përvoja, ishte pikërisht rrugëtimi im me shëndetin mendor që më bëri një njeri më të ndjeshëm dhe gjithashtu ia mundësoi familjes sime të fillojë t’i çrrënjosë ato pritshmëri të pabaza, që dikur formësuan jetët tona.
Besoj se duke pranuar traumat e paraardhësve tanë dhe mungesën e përkujdesjes që shumica kanë ndaj shëndetit mendor, ne mund ta shndërrojmë atë dhimbje në një rrugë të re, ku djemtë, vëllezërit, baballarët dhe burrat shqiptarë mund të qajnë, të jenë të butë dhe të ndjeshëm pa u përqeshur, t’i përpunojnë emocionet e ndërlikuara në mënyrë të shëndetshme dhe të kërkojnë ndihmë pa u turpëruar. Sot, jam krenar për burrin që jam bërë, i qëndrueshëm dhe i gatshëm për t’i kontribuuar komunitetit tim, në formën më të mirë që mundem.
Por më dhemb zemra kur shoh kaq shumë burra shqiptarë dhe kulturën tonë në përgjithësi, që vazhdojnë me qasjen e heshtjes dhe turpit, kur bëhet fjalë për shëndetin mendor të burrave.
Është koha t’i japim fund këtij cikli.
Imazhi i ballinës: Atdhe Mulla / K2.0
Dëshironi të mbështetni gazetarinë tonë? Anëtarësohuni në “HIVE” ose konsideroni një donacion. Mëso si këtu.