Biseda | Mjedis

Vladimir Simović: Politikanët nuk marrin masa për të drejtat e punëtorëve pa i detyruar

Nga - 01.07.2025

Hulumtuesi dhe aktivisti flet për të drejtat e punëtorëve, bashkëfajësinë e BE-së dhe solidaritetin rajonal.

Në gjithë Ballkanin Perëndimor, kushtet e punës vazhdojnë të mbeten të pasigurta, ligjet e punës janë të dobëta apo zbatohen dobët dhe punëtorët e kanë të vështirë të organizohen. Ndërkohë që e majta politike vazhdon të duket e dobët, si në narrativë, ashtu edhe në fuqinë reale politike, të drejtat e punëtorëve mbeten në mëshirën e forcave kapitaliste.

Për t’i shtjelluar këto sfida, K2.0 bisedoi me Vladimir Simović — hulumtues, aktivist dhe njëri nga figurat kyçe prapa nismës “Decent Work Balkans”, (në shqip: Puna e denjë në Ballkan). Kjo lëvizje rajonale bashkon organizata të shoqërisë civile, sindikata dhe grupe avokuese nga Kosova, Shqipëria, Serbia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Bosnja e Hercegovina, me synimin për t’i përmirësuar kushtet e punës përgjatë Ballkanit Perëndimor.

Simović është sociolog dhe koordinator i Programit për të Drejtat e Punëtorëve në Qendrën për Politikën e Emancipimit (CPE), një organizatë me seli në Beograd, e themeluar në vitin 2012. Puna e tij përqendrohet në avokimin për të drejtat e punëtorëve dhe mbështetjen e kauzave të tyre, veçanërisht të punëtorëve në sektorët industrial. Ai është bashkautor i dy raporteve kryesore të CPE-së rreth kushteve të punës në industrinë e automobilave dhe të tekstilit në Serbi.

Njëkohësisht, Simović ka hulumtuar rreth kulturës së kujtesës, me theks jugo-nostalgjinë, si formë e kujtesës politike dhe shoqërore. Si aktivist prej vitesh, mbetet i angazhuar në nisma që trajtojnë pabarazinë shoqërore dhe avokojnë për një ekonomi më demokratike dhe të drejtë.

Duke u bazuar në angazhimin e tij prej vitesh në fushën e të drejtave të punëtorëve, politikave sociale dhe solidaritetit rajonal, ai ofron një pasqyrë të qartë se si tranzicionet ekonomike pas-socialiste — të formësuara nga lufta dhe reformat neoliberale — kanë zbrazur ekonomitë vendase, duke i shtyrë punëtorët drejt vendeve të pasigurta të punës dhe me paga të ulëta. Ai kritikon mënyrën se si investitorët e huaj trajtohen si të paprekshëm, ndërkohë që punëtorët mbesin pa mbrojtje të duhur ligjore apo politike. Po ashtu, ai përmend standardet e dyfishta të Bashkimit Evropian (BE), që premtojnë integrim, ndërsa në anën tjetër, mbyllin sytë ndaj shkeljeve të normave demokratike dhe të drejtave të punëtorëve.

K2.0 bisedoi me Simović për të ardhmen që po u ofrohet njerëzve në Ballkan, në një kohë kur BE-ja premton anëtarësim të përshpejtuar, duke shpërfillur problemet qenësore rreth të drejtave të punës dhe se kush, në fakt, po e formëson atë të ardhme.

K2.0: Për fillim, a mund të na ofroni një pasqyrë të gjerë lidhur me gjendjen e përgjithshme të të drejtave të punëtorëve, në atë që njihet si gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor (WB6)?

Vladimir Simović: Situata është padyshim e ndërlikuar, por do të thosha se është shumë e ngjashme me vendet që pozicionohen në Evropën qendrore-lindore dhe juglindore, të gjitha shtete ish-socialiste. Në fund të viteve të ’80-a dhe fillim të viteve të ’90-a, ne i braktisëm mënyrat tona të mëparshme të prodhimit dhe riprodhimit social. Në thelb, të gjitha vendet tona përjetuan në një tranzicion drejt kapitalizmit, i cili, për shumicën e vendeve të Evropës qendrore, lindore dhe juglindore, nënkuptoi privatizim dhe humbje të mëdha të vendeve të punës në industri, sidomos në rajonin e ish-Jugosllavisë, ku luftërat ndikuan po ashtu në ekonomitë dhe bazat e prodhimit.

Simović flet për standardet e dyfishta të BE, që premtojnë integrim ndërkohë që mbyllin sytë ndaj shkeljeve të normave demokratike dhe të drejtave të punës. Foto: Konventa EDI.

Gjatë viteve 2000, rajoni i Ballkanit Perëndimor hyri në tregun ndërkombëtar pa pasur ndonjë përparësi të mirëfilltë konkurruese në aspektin e prodhimit. Çka mund t’i ofronim ne prodhimit kapitalist të globalizuar? Për të siguruar vende pune, politikat tona ekonomike i orientuam drejt tërheqjes së investimeve të huaja direkte (IHD), gjë që bëri që ekonomitë tona të vareshin nga kapitali i huaj, me një shpërndarje të pabarabartë të pushtetit mes aktorëve të përfshirë.

Nga kjo pozitë, qeveritë tona bënë çka patën mundësi t’i tërhiqnin investitorët e huaj, të cilët më pas erdhën dhe krijuan vende pune me cilësi të ulët, pa investuar në teknologji apo njohuri.

Na duhet t’i rimendojmë politikat tona ekonomike, duke iu larguar qasjes që e kemi ndjekur gjatë dy apo tri dekadave të fundit.

Si pjesë e këtij procesi, qeveritë ofruan subvencione të konsiderueshme për investitorët e huaj, në formën e taksave të ulëta dhe infrastrukturës. Kjo reflektohet edhe në standardet e ulëta të të drejtave të punëtorëve në vendet tona. Për shembull, në Serbi, Bosnjë e Hercegovinë dhe Maqedoni të Veriut, ligjet e punës u ndryshuan pothuajse paralelisht, për t’ju ofruar më shumë fleksibilitet punëdhënësve të huaj. Këto reforma e dobësuan pozitën e punëtorëve dhe sigurinë në punë, pasi që promovuan fuqinë punëtore të lirë dhe kushte të ndryshueshme pune për punëdhënësit.

Gjatë dy ose tri dekadave të fundit, kemi dështuar t’i zhvillojmë ekonomitë tona, të ndërtojmë prodhim të qëndrueshëm dhe ta forcojmë qëndrueshmërinë. Në vend të kësaj, jemi shndërruar në burim të fuqisë punëtore me paga të ulëta, për prodhim në sektorë të thjeshtë, si pjesë të veturave, industri tekstili dhe ndërtimtari.

Pasojat janë njerëz më të varfër, që detyrohen t’u nënshtrohen kërkesave të punëdhënësve, me shumë pak hapësirë për ta ngritur zërin për kushte më të mira të punës dhe për një gamë më të gjerë të të drejtave. Është qartazi mbijetesë. Na duhet t’i rimendojmë politikat tona ekonomike, duke iu larguar qasjes që e kemi ndjekur gjatë dy apo tri dekadave të fundit.

Më intereson të di më shumë për konventën e fundit të Nismës për Demokraci të Angazhuar (EDI), e mbajtur në Shkup në maj. Cilat janë reflektimet dhe mendimet e juaja pas kësaj ngjarje?

Jemi pjesë e EDI që nga fillimi dhe përmes kësaj platforme ka buruar edhe nisma “Decent Work Balkans”.

Në vitin 2023, e organizuam punëtorinë e parë në Prishtinë, ku morën pjesë vetëm rreth 10 veta. Pas saj, u lidhëm me organizata të tjera, përfshirë Institutin për Politika Sociale “Musine Kokalari” dhe Institutin për Kritikë dhe Emancipim Social nga Tirana. Më vonë gjatë atij viti, u lidhëm edhe me më shumë organizata të shoqërisë civile dhe hartuam një manifest për punë të denjë, si bazë për ndërtimin e një koalicioni rajonal. Ky dokument, i nënshkruar nga 20 organizata të shoqërisë civile, gjatë konferencës që e organizuam në Durrës në shtator të vitit 2023, shërben si gurthemel i koalicionit tonë.

Në vitin 2024, në Igalo, si koalicion organizuam një tjetër ngjarje, Akademinë për të Drejtat e Punëtorëve, këtë herë duke përfshirë edhe sindikata nga i gjithë rajoni. Ishte një ngjarje e rëndësishme, ku morën pjesë 45 organizata dhe sindikata. Edhe disa prej këtyre sindikatave nënshkruan manifestin, duke forcuar më tej bazën e koalicionit.

Ajo çfarë nisi si punëtori e vogël e organizuar nga EDI, tashmë është shndërruar në një koalicion rajonal në rritje. Shpresojmë që ky koalicion të kthehet në një kornizë për beteja të përbashkëta, që fokusohen në standardet shoqërore dhe të punës në Ballkanin Perëndimor. Siç e përmenda edhe më herët, kemi nevojë të bashkëpunojmë dhe t’i koordinojmë përpjekjet tona nëse duam të sjellim ndryshim të prekshëm. Të ndarë, nuk kemi asnjë shans.

Tani për tani, përqendrimi ynë ka qenë të prodhojmë dosje me informata për standardet e punës në secilin vend, duke nxjerrë në pah se sa të ngjashme janë kushtet në të gjithë rajonin. Gjithashtu, kemi ndërmarrë veprime solidarizuese, siç ishte organizimi për Ditën e Veprimit për Pagën e Denjë në shtator. Kjo ishte pjesë e një lëvizjeje botërore, e nisur nga fushata “Clean Clothes Campaign”, (në shqip: Fushata për rroba të pastra), por me aktivitete që i përshtateshin kontekstit tonë rajonal. Këto përpjekje janë të rëndësishme për t’ju treguar njerëzve në gjithë rajonin — nga Beogradi në Podgoricë, nga Sarajeva në Tiranë — se ndajmë beteja të ngjashme. Kjo vetëdije e përbashkët mund të shërbejë si katalizator për veprim të koordinuar.

Po përballemi gjithashtu me kërcënimin e vazhdueshëm të lëvizjes së kapitalit. Për shembull, kompanitë në Serbi shpesh i kërcënojnë punëtorët e tyre se do t’i zhvendosin në Shqipëri, në kërkim të fuqisë punëtore më të lirë. Prandaj, lufta për paga më të barabarta në gjithë rajonin është qenësore për ta parandaluar këtë lloj shfrytëzimi dhe përçarjeje.

Qëllimet tona përfshijnë ndërtimin e solidaritetit, ofrimin e informacionit të besueshëm dhe avokimin për integrimin e standardeve sociale dhe të punës në proceset rajonale dhe të integrimit në BE, siç janë Procesi i Berlinit apo Korniza e Tregut të Përbashkët Rajonal. Synojmë gjithashtu të ndajmë njohuri dhe përvoja, për shembull, kur organizohen fushata apo greva në një vend, të tjerët në rajon mund të mësojnë prej tyre dhe të ofrojnë mbështetje.

Në thelb, synojmë ta krijojmë një platformë ku shoqëria civile dhe sindikatat në Ballkan mund të veprojnë së bashku, të mësojnë nga njëri-tjetri dhe ta ngrisin zërin kolektivisht për punë të denjë dhe dinjitet për të gjithë.

Pas fitores së Trumpit në zgjedhjet e fundit në SHBA, vlerat ideologjike të lidhura me të drejtat e punëtorëve humbën terren, siç ndodhi edhe me çështje të tjera, si për shembull të drejtat gjinore. Marrë parasysh fuqinë dhe ndikimin global të SHBA, kjo pati ndikim të madh edhe në vende të tjera. Kjo situatë e ka tkurrur po ashtu hapësirën për të bërë fushatë për të drejtat e punëtorëve.

Shumë punëtorë dhe familje të klasës punëtore votuan për partitë dhe politikanët e djathtë, jo vetëm në SHBA, por në të gjithë botën, shpesh të tërhequr nga idetë konservatore. Megjithatë, mendoj se ata kryesisht votojnë kështu sepse elitat liberale i kanë zhgënjyer. Për shembull, demokratët në SHBA, të cilët dikur perceptoheshin si më të afërt me vlerat socialdemokrate, për dallim nga konservatorët që janë haptazi neoliberalë.

Si në SHBA, ashtu edhe në Britani, gjatë viteve të ’90-a, si dhe në pjesën më të madhe të Evropës, pamë një transformim të partive socialdemokrate. Këto parti u larguan nga vlerat tradicionale të klasës punëtore dhe nga parimet socialdemokrate, duke adoptuar gjithnjë e më shumë qëndrime neoliberale. Kjo krijoi terren për konservatorët dhe të djathtën ekstreme, lëvizje që shpesh etiketohen si populiste. Personalisht, nuk më pëlqen ta përdor termin “populizëm” dhe hezitoj ta përdor, pasi zakonisht lidhet me diçka joreale dhe iracionale, e kundërta e asaj që është racionale dhe e udhëhequr nga ekspertët. Përdorimi i këtij termi e mbyll mundësinë për ta diskutuar natyrën e shoqërive tona, pasi çdo gjë që sfidon narrativat dominuese apo mënyrat e prodhimit dhe riprodhimit social që mbizotërojnë, refuzohet apriori si utopike.

Besoj se fakti që shtresat më të varfra të shoqërisë po kthehen kah e djathta ekstreme dhe konservatorëve, që tradicionalisht kanë mbrojtur interesat e klasës sunduese, nuk ndodhi për shkak të ndonjë prirjeje të befasishme fashiste apo ndonjë transformimi të papritur ideologjik. Përkundrazi, ishte zhvendosje në shenjë proteste, një mënyrë për ta ndëshkuar socialdemokracinë, që dështoi t’i mbronte grupet e ndjeshme dhe braktisi vlerat e deklaruara, në favor të politikave të privatizimit dhe mbrojtjes së interesave të kapitalit.

Për ta përafruar këtë me kontekstin tonë, është shembulli i Serbisë. Partia Demokratike, e cila është anëtare e Partisë së Socialistëve Evropianë, u ndëshkua në zgjedhjet e vitit 2012 pikërisht sepse shihej si njëra nga promovueset kryesore të politikave neoliberale, përfshirë procesin e privatizimit. Në vend se t’i mbronte të drejtat e punëtorëve apo të avokonte për mbrojtje sociale, partia u ndërlidh me korrupsionin, pasigurinë ekonomike dhe shkatërrimin e sektorit publik. Si pasojë, shumë votues ia kthyen shpinën.

Për mendimin tim, njerëzit nuk po kthehen kah e djathta për shkak se kanë përqafuar papritur fashizmin apo ide të ngjashme. Një problem i madh është se partitë dhe lëvizjet e djathta kanë arritur të bëhen alternativë ndaj sistemit aktual dhe përmes kësaj kanë ndikuar në votën e protestës. Kjo përfaqëson njërin nga dështimet më të mëdha të së majtës: paaftësia për të ofruar një alternativë bindëse dhe sistemike ndaj status quo-së, duke u parë kështu nga vetë ata që supozohet të identifikohen me të  — klasa punëtore — si kujdestare e rendit ekzistues dhe e interesave të kapitalit dhe fitimit.

Konventa më e fundit e Nismës për Demokraci të Angazhuar (EDI) u mbajt në Shkup këtë maj. Foto: Konventa EDI.

Në Ballkanin Perëndimor, kjo duket edhe më e vështirë. Si e shihni të majtën në rajonin tonë?

Mendoj se është e dukshme që e majta vazhdon të jetë e dobët. Jam aktivist që nga fillimi i viteve 2000. Në atë kohë, kur e identifikoje veten si i majtë, njerëzit të ndërlidhin menjëherë me Slobodan Milosević. Edhe pse, në thelb, ishim të kundërt me të, ai përfaqësonte Partinë Socialiste dhe kjo parti perceptohej si e majtë. Pavarësisht emrit, veprimet e tyre ishin krejtësisht në kundërshtim me parimet socialiste, ishin nacionalistë luftënxitës, që nisën procesin e privatizimit.

Në fillim të viteve 2000, sentimenti anti-socialist dhe anti-komunist ishte i përhapur. Mbizotëronte bindja se problemet e vendit vinin nga socializmi. Pasojat e politikave neoliberale dhe “terapisë së shokut” që u zbatua në atë kohë, përfshirë privatizimin dhe deindustrializimin, nuk ia atribuonin politikanëve neoliberalë që po i zbatonin ato, por trashëgimisë socialiste, gjë që është paradoksale.

Është mirë të kesh informata dhe njohuri, por kjo ka pak ose aspak ndikim nëse nuk kontribuon në organizimin e njerëzve, sepse organizimi është një formë pushteti që nevojitet për të sjellë ndryshime.

Kjo atmosferë vazhdoi, pak a shumë, deri rreth vitit 2010, kur lëvizjet globale si “Occupy Wall Street” në SHBA dhe “Indignados” në Spanjë dhanë shenja se lëvizjet kuptimplote të majta dhe progresiste ekzistonin ende, se historia nuk kishte përfunduar dhe se kërkesa për ndryshim sistemik nuk i takonte thjesht të shkuarës. Që nga ajo kohë, besoj se promovimi i ideve të majta, progresiste apo socialiste filloi të marrë kuptim tjetër dhe u bë disi më i pranueshëm në shoqërinë tonë. Nuk jam shumë i sigurt se si është zhvilluar ky proces në vendet e tjera të rajonit, por nga ajo që kam përcjellë, do të thosha se ka qenë i ngjashëm.

Mendoj se në rajon ekziston mungesë serioze e forcave politike që janë vërtet të lidhura me klasën punëtore. Sipas meje, pikërisht atë drejtim duhet ta marrë e majta: të krijojë lidhje të drejtpërdrejta me njerëzit në nevojë dhe t’i ndihmojë ata të organizohen dhe t’i artikulojnë politikisht interesat e tyre. Kjo nënkupton të shkojnë në fshatra dhe qytete të vogla, vende që nuk janë vizituar nga politikanët prej vitesh dhe kësisoj lëvizjet të ndërtohen praktikisht nga poshtë. Besoj se kjo është e vetmja rrugë. Të mbështetesh vetëm në argumente nuk mjafton. Është mirë të kesh informata dhe njohuri, por kjo ka pak ose aspak ndikim nëse nuk kontribuon në organizimin e njerëzve, sepse organizimi është një formë pushteti që nevojitet për të sjellë ndryshime.

Sigurisht, ka kufizime të caktuara dhe gjithmonë ka dyshime nëse ky lloj angazhimi politik është i realizueshëm me burimet e kufizuara që kemi, por mendoj se ekzistojnë disa shembuj pozitivë. Për shembull, në Shqipëri aktivistët kanë punuar me minatorët dhe janë angazhuar me komunitetet lokale. Ky është njëri nga modelet se si duhet zhvillohet angazhimi politik në mënyrën e duhur. Nuk besoj se ka ndonjë rrugë tjetër.

Ekziston një valë të re optimizmi rreth zgjerimit të BE. Në Shqipëri, Edi Rama fitoi një mandat tjetër muajin e kaluar, kryesisht duke u thirrur në një program elektoral që përqendrohej në integrimin evropian. Menjëherë pas kësaj, Tirana priti Samitin e Komunitetit Politik Evropian, ku presidenti francez Emmanuel Macron tha se Shqipëria është në rrugë të mbarë për t’u anëtarësuar në BE. Megjithatë, sa i përket të drejtave të punëtorëve, si në shumë fusha të tjera në Shqipëri, kushtet janë shumë larg standardeve të BE. Si e interpretoni këtë kundërthënie, nëse mund ta quajmë ashtu?

Sinqerisht, dyshoj se rajoni ynë do të bëhet pjesë e BE së shpejti. Ndoshta Mali i Zi ka një shans, por në përgjithësi, marrë parasysh mënyrën si po zhvillohet situata, nuk besoj se anëtarësimi është në planin afatshkurtër.

Mendoj se BE përfiton nga mbajtja e këtij rajoni pikërisht ashtu siç është — i parregulluar, me fuqi punëtore të lirë, burime të lira dhe nivele të larta korrupsioni. Dhe nuk është çështja se vetëm elitat e vendeve tona janë të korruptuara; akterët perëndimorë luajnë rol të madh në këto procese po ashtu. Njerëzit shpesh thonë se korrupsioni është pjesë e mentalitetit tonë ballkanik, por kjo nuk është e vërtetë. Të paktën, duhet ta pranojmë fajin e përbashkët që elitat dhe kapitali perëndimor ndajnë në mirëmbajtjen e këtij sistemi të korruptuar, duke mbështetur klasat politike lokale në rajon dhe duke forcuar status quo-në ekzistuese.

BE përfiton nga ky bashkëpunim. Krijohet hapësirë për prodhim me kosto të ulët, veçanërisht në industrinë e automobilave dhe atë të tekstilit. Duke pasur parasysh të gjitha këto, nuk besoj se kanë interes të njëmendtë që ky rajon të përparojë në fushën e drejtësisë sociale, të drejtat e punëtorëve apo standardeve mjedisore.

BE shihet si një lloj shprese për punëtorët në vendet që synojnë të anëtarësohen, për shkak të standardeve që ajo vendos për të drejtat e punëtorëve. Por gjersa BE ofron anëtarësim të përshpejtuar për vendet ku të drejtat e punëtorëve janë shumë larg këtyre standardeve, a rrezikon t’i minojë vetë vlerat që pretendon t’i promovojë?

Kur flasim për integrimin në BE — qoftë në nivelin rajonal të Ballkanit Perëndimor apo më gjerë — thuajse gjithmonë diskursi përqendrohet në stabilitetin dhe zhvillimin ekonomik, kurrë në standardet sociale apo ato të punës. Është thjesht realiteti. Këto çështje shumë rrallë, apo pothuajse asnjëherë, bëhen pjesë e diskutimeve apo negociatave në nivele të larta diplomatike mes qeverive dhe akterëve kryesorë. Të vetmit që avokojnë vazhdimisht për këto çështje janë organizatat e shoqërisë civile, megjithatë ato në masë të madhe shpërfillen.

Fatkeqësisht, nuk shoh ndonjë ndryshim të shpejtë në këtë drejtim. Po shkojmë drejt krizave të reja ekonomike dhe historia na tregon se të drejtat e punëtorëve dhe ato sociale janë të parat që sakrifikohen në këto periudha, për t’i mbrojtur fitimet dhe qarkullimin e kapitalit. Edhe brenda vetë BE, ka gjasa të shohim raunde të reja të masave shtrënguese dhe dëmtim të mëtejshëm të standardeve të punës. Për neve që nuk jemi pjesë e BE — veçanërisht marrë parasysh pozitën tonë të ulët në zinxhirët globalë të prodhimit dhe furnizimit — këto çështje do të bien edhe më poshtë në listën e prioriteteve.

Pikërisht për këtë arsye duhet të organizohemi në nivel rajonal — organizatat e shoqërisë civile dhe sindikatat në Ballkanin Perëndimor duhet të ndërtojnë aleanca dhe të veprojnë së bashku. Të ndarë jemi të dobët. Së bashku mund t’i fuqizojmë zërat tanë. Pozita e tanishme e sindikatave dhe shoqërisë civile nuk është e fortë, por përmes avokimit të koordinuar, fushatave dhe përpjekjeve kolektive, mund t’i shtyjmë këto çështje në agjendë.

As politikanët e BE, as udhëheqësit tanë vendorë nuk do t’u japin përparësi të drejtave të punëtorëve dhe çështjeve sociale, nëse nuk i detyrojmë. Duhet të këmbëngulim se ndryshimi në ekonomi dhe shoqëri është i mundur — një që mbron drejtësinë dhe dinjitetin e punëtorëve. Nëse nuk e bëjmë, problemet tona do të mbeten tërësisht në margjina — siç e kemi shprehjen në Serbi, “vrima e fundit e kavallit”.

Për një kohë të gjatë, ekzistonte përshtypja, të paktën nga jashtë, se Serbia po printe krahas vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor në rrugën drejt anëtarësimit në BE. Nuk e di nëse kjo përshtypje ka qenë e pranishme edhe brenda vetë Serbisë. Si është situata tani?

Gjatë viteve 2000, rreth 70% e qytetarëve të Serbisë, apo edhe më shumë, e mbështesnin anëtarësimin në BE. Sot, kjo shifër ka rënë në rreth 40%, apo ndoshta edhe më pak. Shumë gjëra kanë ndryshuar prej atëherë, por mendoj se njëra nga arsyet kryesore për këtë ndryshim është roli që luan BE në politikën e brendshme të Serbisë.

Pavarësisht lëvizjes gjithnjë në rritje kundër regjimit të Aleksandar Vučić, BE vazhdon ta mbështesë haptazi atë. Për shembull, diku para dy vitesh, qeveria serbe miratoi ndryshime në ligjin për mediet, ndryshime që u kritikuan në masë të madhe nga asociacionet e gazetarëve brenda dhe jashtë vendit, si jodemokratike dhe të dëmshme për lirinë e medias. Megjithatë, Ursula von der Leyen vizitoi Serbinë, mbajti konferencë shtypi me Vučić dhe e lavdëroi pikërisht për ato reforma.

Rasti i minierës së litiumit është një shembull tjetër. Një shumicë dërrmuese e qytetarëve të Serbisë është kundër kësaj. Megjithatë, në vitin 2023, kancelari gjerman Olaf Scholz vizitoi Serbinë për ta nënshkruar një marrëveshje për lëndët e papërpunuara kritike. Ai erdhi bashkë me zyrtarë të BE dhe një përfaqësues të Mercedes-Benz. Kur njerëzit shohin këto gjëra, vijnë në përfundim se: BE është e interesuar kryesisht për burimet tona natyrore — dhe është e gatshme ta shpërfillë regresin demokratik për t’i siguruar ato.

Është e vërtetë që Parlamenti Evropian ka shprehur kritika ndaj Vučić dhe qeverisë së tij. Por Komisioni Evropian, Ursula von der Leyen dhe forcat konservatore, të cilat në fakt udhëheqin BE, kanë ruajtur lidhjet e ngushta me të.

Politika e jashtme nxjerr në pah edhe më shumë kundërthënie. Serbia mbetet i vetmi vend evropian që nuk ka vendosur masa ndëshkuese ndaj Rusisë. Në fillim, BE e kritikoi Serbinë për mospërputhje të politikës së saj të jashtme me atë të BE. Por kohëve të fundit, këto kritika janë zbehur, me gjasë sepse Serbia po eksporton municione në Ukrainë dhe Izrael, duke i shërbyer në heshtje interesave të BE.

Së fundmi, është me rëndësi t’i përmendim zgjedhjet që u mbajtën në dhjetor të vitit 2023. Ato u karakterizuan me mashtrime të qarta zgjedhore, të dokumentuara mirë nga organizatat e shoqërisë civile. Ndonëse Parlamenti Evropian thirri seancë lidhur me këtë çështje dhe miratoi një deklaratë që e dënonte këtë proces, në pranverë të vitit 2024 Vučić shkoi në Francë dhe u takua me presidentin Macron. Gjatë kësaj vizite, ai nënshkroi një marrëveshje në vlerë miliarda eurosh, për blerjen e avionëve luftarakë Rafale nga Franca. Me këtë marrëveshje, Vučić siguroi në mënyrë efektive mbështetje politike për qeverinë e tij. Pas kësaj, politikanët evropianë në masë të madhe heshtën.

Çfarë nisi si punëtori e vogël e organizuar nga EDI, tashmë është shndërruar në një koalicion rajonal në rritje. Foto: Konventa EDI

Cila është situata me të drejtat e punëtorëve në Serbi për momentin?

Situata është mjaft e rënduar. Jo vetëm që ligji i punës është i dobët, por kemi parë edhe fragmentimin e tij. Po shpiken korniza të reja ligjore për lloje të ndryshme të kontratave të punësimit, gjë që e minon vetë ligjin bazë të punës. Por problemi më i madh është që as standardet ekzistuese të garantuara me ligj nuk zbatohen.

Kemi vetëm nga një inspektor të punës për çdo 10.000 punëtorë, që është thellësisht i pamjaftueshëm. Këta inspektorë nuk paguhen sa duhet, nuk kanë mjetet e duhura dhe në përgjithësi janë joefikasë. Në të njëjtën kohë, kemi ekonomi që varet shumë nga investimet e huaja direkte (IHD). Në këtë kontekst, investitorët e huaj trajtohen si specie të rrezikuara, që duhen mbrojtur dhe rrallë mbahen përgjegjës. Ata veprojnë me pothuajse liri të plotë dhe kjo është e pranishme, jo vetëm në Serbi, por në të gjithë rajonin.

Të gjitha vendet e rajonit kanë këshille shoqëroro-ekonomike — institucione tri-palëshe ku shteti, sindikatat dhe punëdhënësit negociojnë për çështje të punës dhe ekonomisë. Por në asnjërin nga këto këshille nuk shohim përfaqësues të kapitalit të huaj. Marrin pjesë vetëm kompani vendore. Kjo tregon statusin e privilegjuar të investitorëve të huaj — është e qartë që atyre nuk u duhet të negociojnë, pasi kërkesat dhe nevojat e tyre i trajtojnë përmes kanaleve “alternative”. Shkojnë direkt te qeveria me kërkesat e tyre ose thjesht i kërcënojnë se do të largohen nëse nuk ua mundësojnë kushtet.

Shumica e IHD-ve janë projekte pa angazhime afatgjata. Zakonisht bëhet fjalë për investime nga e para në industri të prodhimit të thjeshtë, që nuk kërkojnë kualifikim dhe mbështeten në fuqi punëtore me paga të ulëta. Ky lloj punësimi zhvendoset lehtësisht nga një vend në tjetrin, kërkon pak trajnim dhe nuk përfshin asnjë investim të mirëfilltë në njerëz, teknologji apo njohuri.

Kjo pabarazi në pushtet e vështirëson ndjeshëm organizimin efektiv të punëtorëve dhe sindikatave. Ata nuk kanë ndikim dhe as aleatë politikë. Shumica e partive dominuese politike në rajon nuk shfaqin asnjë interes të njëmendtë për t’i mbrojtur të drejtat e punëtorëve apo për t’i përmirësuar standardet e punës.

Serbia është perceptuar prej kohësh sikur po rri në dy karrige.

Jo vetëm në dy — do të thosha në të gjitha karriget që mundet. Vučić e di shumë mirë si ta luajë këtë lojë. Korrupsioni në rajonin tonë nuk është thjesht problem vendor, është i strukturuar dhe shumë akterë perëndimorë ndajnë bashkëpërgjegjësi të thellë. Franca, për shembull: supozohet ta ndërtojë një sistem metroje në Beograd, një projekt që është bllokuar për vitesh pa asnjë përparim të prekshëm. Megjithatë, është e qartë që paratë po lëvizin nëpër duar. Aeroportin ia kemi dorëzuar Francës, arin dhe bakrin Kinës dhe jemi pothuajse afër t’ia dorëzojmë litiumin Gjermanisë.

Me Rusinë është pak ndryshe. Ata zotërojnë shumicën e aksioneve në kompaninë tonë kombëtare të naftës, por nuk mendoj se prania e tyre ekonomike, e cila është e kufizuar, është faktori vendimtar. Megjithatë, Vučić shkon në Moskë, takohet me Putinin, diçka që përçon një mesazh të fuqishëm simbolik në shërbim të regjimit rus — BE nuk mund ta ndalojë një vend evropian të afrohet me Rusinë. Vučić është i aftë të baraspeshohet në mes fuqive globale, di si të ulet në të gjitha “karriget” gjeopolitike që i shfaqen. Fatkeqësisht, këto aftësi i sjellin përfitime vetëm atij dhe rrethit të tij të ngushtë, teksa pasuritë publike të Serbisë po shpërdorohen në transaksione që kanë për qëllim vetëm forcimin e pushtetit të tij dhe ruajtjen e përkrahjes nga të gjithë lojtarët gjeopolitikë.

Kjo është një arsye pse perceptimi publik për BE po përkeqësohet. Njerëzit nuk e shohin më BE si komunitet me vlera të përbashkëta, por si institucion që udhëhiqet nga interesat vetjake — fitimet, qasja në burime dhe ndikimi politik. Ndoshta kjo nuk është domosdoshmërisht diçka e dëmshme; ndoshta ka ardhur koha të hiqet ajo perde e vlerave të supozuara dhe t’i shohim gjërat për atë që janë në kapitalizëm: thjesht transaksione ekonomike.

Më ka rënë të bisedoj me politikanë gjermanë të njohur, jo konservatorë por progresistë, të cilët ishin shumë të hapur: “Na duhet qëndrueshmëri. Fatkeqësisht, ndonjëherë udhëheqësit autoritarë sjellin qëndrueshmëri”. Ky është realiteti, me gjithë cinizmin e tij. Ata nuk shqetësohen aq shumë për cilësinë e jetës, të drejtat e punëtorëve apo standardet demokratike në Serbi apo në rajon. Çka ka me të vërtetë rëndësi për ta është qëndrueshmëria dhe rrjedha e pandërprerë e parave dhe burimeve. Kjo është çështja.

 

Imazhi i ballinës: Konventa EDI.

Dëshironi të mbështetni gazetarinë tonë? Anëtarësohuni në “HIVE” ose konsideroni një donacion. Mëso si këtu.