S`fundmi

Prej raftit: Si mund t’i sfidojmë narrativat mbizotëruese përmes rrëfimtarisë në vetën e parë?

Nga - 14.07.2025

Vendi: Libraria Konceptuale e K2.0

Data: 17 korrik

Ora: 18:00

Jemi shumë të lumtur ta lansojmë programin tonë më të ri “Prej raftit”, me një diskutim që vendos në qendër rrëfimtarinë në vetën e parë, përmes së cilit do të shqyrtojmë fuqinë, rreziqet dhe potencialin e saj për t’i sfiduar narrativat mbizotëruese dhe për të ndërtuar kujtesën kolektive. 

Në qendër të këtij diskutimi vendosim botimin tonë më të ri, “Fragmente të jetuara – Një përzgjedhje e rrëfimeve të botuara në K2.0 (2010–2025), si pikënisje për këtë bisedë. Ky botim risjell rrëfime personale nga arkivi ynë, si dëshmi e mënyrave të ndryshme se si njerëzit i kanë përjetuar dhe rrëfyer kohët që i kanë jetuar, duke u përqendruar te personalja, si një dritare drejt realiteteve më të gjera shoqërore e politike.

Në një kohë kur zërat individualë shpesh heshten nga strukturat dhe narrativat mbizotëruese, duam ta shtjellojmë rolin që luan rrëfimtaria në vetën e parë si formë dëshmie, rezistence dhe kujtese kolektive.

Çka ndodh kur e vërteta intime bëhet vetëdije publike? Si mund të ndikojnë përvojat individuale në sfidimin e heshtjes institucionale dhe në ndërtimin e një historie më gjithëpërfshirëse? Kur përvojat personale nxjerrin në pah struktura më të mëdha shoqërore dhe rrëfimi nuk mbetet thjesht një histori private, si ndikon kjo në mënyrën se si e kuptojmë realitetin?

Në diskutim do të bisedojmë me:

 ● Doruntina Basha, dramaturge dhe skenariste

 ● Arbër Selmani, shkrimtar dhe hulumtues

 ● Mirishahe Syla, aktiviste

 

Diskutimi do të moderohet nga Besa Luci, kryeredaktore e K2.0.

Do të ketë përkthim në gjuhën angleze. 

“Prej raftit” është një seri e ngjarjeve publike, që vë në qendër botime të ndryshme nga raftet e librarisë konceptuale të K2.0, për të diskutuar dhe reflektuar mbi temat që ato shtjellojnë. Kjo seri sjell analiza kritike, lexime të përbashkëta dhe biseda të hapura lidhur me libra e tema që na prekin, na zgjojnë kureshtje dhe na shtyjnë të mendojmë ndryshe.

Ju mirëpresim!