Një përmbledhje e edicionit të pestë të bienales, "Rrymat që shpalosen: Pulsi i kohës".
Në dhomat me gurë të Hamamit të Prizrenit, rrinë të vendosura një grumbull objektesh në kabinetet e rimenduara si pllaka rrethore, nga artistja Doruntina Kastrati. Të ngjyrosura me bojë rozë korali, pllakat përputhen me muret e objektit të shekullit XVI. Kur kalon përmes hamamit, vetëm disa nga stendat e ekspozimit ruajnë artefaktet e Kastratit, ndërsa shumica janë bosh. Këto objekte, fragmente prej qeramike të madhësive të ndryshme – copëza të mprehta këndore, doreza e mbetje vazosh – janë të organizuara në atë strukturë që i ngjason renditjes muzeale. Mes mbetjeve të qeramikës, Kastrati ekspozon ato që mund të përshkruhen vetëm si gjësende të lavamanit të kuzhinës, fije të flokëve dhe mbetjeve të lëkurës: mbetje trupore që shpesh nuk gjejnë vend në ekspozitat e muzeut.
Edhe pse këto “artefakte” i përkasin historisë, shikuesit nuk i ofrohen përshkrime apo data përkatëse për to. Për më tepër, nga ato pak informacione që ofrohen në përshkrim, vihet në pikëpyetje autenticiteti i objekteve, pasi, siç u thuhet shikuesve, disa janë gjetur, ndërsa disa të tjera janë krijuar nga vetë Kastrati. Pra, shikuesit detyrohen të krijojnë interpretime të reja nga artefaktet që s’flasin: artifakte që shërbejnë si objekte të një historie të parrëfyer, duke pritur nga vizitorët që të i’u japin kuptim.
“Dhe kështu vendosim gurë të rinj mbi të vjetrën” Doruntina Kastrati, Fotografia nga Tughan Anit. Arkivi i Autostrada Biennale.
Ky instalacion i një muzeu të pazakontë, kuruar nga Erzen Shkololli, paraqet një metaforë të mirë për edicionin e pestë të Autostradës Biennale. “Rrymat që shpalosen: Pulsi i kohës” paraqet veprat e 25 artistëve, vendorë dhe ndërkombëtarë, të ekspozuara në shtëpinë e përhershme të bienales, hangarët e Autostradës dhe vende të përzgjedhura në qendrën historike të Prizrenit. KurAutostrada filloi për herë të parë në vitin 2017, si projekt vullnetar nga pasioni i Leutrim Fishekqiut, Vatra Abrashit dhe Barış Karamuços, bienalja s’kishte një shtëpi ose galeri arti bashkëkohore funksionale të veten. Në mungesë të hapësirave të tilla, organizatorët i rikonceptuan vendet publike, si stacionin e autobusëve të qytetit, për të ekspozuar art.
Autostrada e fitoi lokacionin e përhershëm në vitin 2018, kur Forcat Gjermane të KFOR-it të Kosovës u tërhoqën nga kampi, duke lënë prapa 39 hektarë tokë dhe shumë hapësira tjera. Në një nismë të përbashkët mes qeverisë gjermane dhe asaj të Kosovës, kampi u rikonceptualizua si një Park i Inovacionit dhe Trajnimit. Autostrada Biennale u bë “banorja” e parë e kampit në vitin 2019. Që atëherë, hapësira është transformuar në Autostrada Hangar – Qendra për Arte Bashkëkohore, një objekt i përhershëm që ekspozon art dhe organizon programe edukative përgjatë ngjarjeve artistike që organizohen çdo dy vite.
I organizuar në vende të shumta nëpër tërë Prizrenin, nga ish-kazermat në periferi të qytetit e deri te shtëpitë osmane në qendër të tij, ky edicion e shndërron historinë e këtyre ndërtesave në material – një histori që edicioni e hap përmes plasticitetit të artit. Shkololli, kuratori i parë vendor i bienales, mbështetet në transformimet që kanë pësuar hapësirat për të udhëhequr logjikën e tij kuratoriale. Kjo logjikë e tij vie në jetë, në rastin më të mirë, përmes objekteve të gatshme e të zakonshme, që rimendohen si vepra arti – një praktikë përmes së cilës hapësirat përfshihen në program të bienales, duke i bërë ato të transformohen në objekte të përdorura sërish, për qëllime të shprehjeve artistike.
Shkololli refuzon ta prezantojë të kaluarën ashtu siç e gjejmë zakonisht nëpër muze.
Teksa vë theksin tek këto transformime, Shkololli refuzon ta paraqesë të kaluarën ashtu siç e gjejmë zakonisht nëpër muze, ku artefaktet na shfaqen në kontekstet e tyre origjinale, me përshkrime që tregojnë funksionet që kishin dhe kohërat të cilave u përkisnin. Në kontrast me këtë qasje historike, që i sheh objektet të privilegjuara për atë që ato ishin dikur, Shkololli i paraqet funksionet e tyre të rimenduara, e kontekstet të ndryshuara, në mënyrë që historia të zgjohet dhe të vendoset para, tek e tashmja.
Në hangarët e Autostradës, kjo logjikë kuratoriale shpallet me veprën “Qarkullime” të Tamara Gričič, një instalacion ku mbi 11.000 shishe janë të radhitura në formë të rrymave ujore, të shtrira në dyshemenë prej betoni të Hangarit III. Të vendosura me kujdes nga Gričič, këto mbetje industriale jetësohen në formën e një lumi, që shkëlqen në ngjyrë kafe e të gjelbër, ku drita e diellit përthyhet në shishet e qelqit. Një rrjedhë dhe dritë që shoqërohet vetëm nga zhurma e erës, tinguj që fishkëllejnë nga të gjithë cepat e hapësirës së gjerë.
Hangari 3, Fotografia nga arkivi i Autostrada Biennale.
“Qarkullimet” Tamara Gričič. Fotografia nga Tughan Anit. Arkivi i Autostrada Biennale.
Gričič i ka larguar këto shishe nga cikli i prodhimit për t’i shndërruar në vepra arti të përkohshme. Teksa shishet nuk luajnë “funksionin e tyre fillestar“, ky ripërpunim i tyre është jetëshkurtër; sapo të mbarojë ekspozita, ato janë të destinuara të “riciklohen plotësisht” për t’u përdorur sërish për qëllimin e tyre origjinal. Vepra e Gričič është shumë më interesante nga sa e bën të duket përshkrimi, që rrezikon ta shndërrojë veprën në një reklamë riciklimi. Por, shumë më provokuese sesa praktika e riciklimit është bukuria që buron nga këto materiale industriale, e cila krijon një lumë të formave të ngurta inorganike.
Në dhomën tjetër të Hangarit, vepra “Mbetjet II” e Ayşe Erkmen ndjek një logjikë të ngjashme kuratoriale, por jo krejt të njejtë. Nga mbeturinat e drurit të marra prej punishteve vendore, Erkmen prodhon modele shumëngjyrëshe në të gjithë perimetrin e hangarit ushtarak. Së bashku me veprën e Gričič, këto objekte të ripërdorura nxjerrin në pah demilitarizimin e ndërtesave ku ndodhen – një tranzicion që reflekton dimensionin kohor kur hangari ishte depo e pajisjeve ushtarake, ndërkaq sot është bartës i artit. Kjo kthesë kuratoriale që ndërtesat dhe objektet marrin së bashku, i çrrënjos referencat e zakonshme të luftës me të cilat shpesh është karakterizuar Kosova.
Previous slide
Next slide
“Mbetje II” Ayşe Erkmen. Fotografia nga Tughan Anit. Arkivi i Autostrada Biennale.
Ngjashëm, fotografitë e Armend Nimanit në Hangar 10 e hapin të kaluarën traumatike të Kosovës ndaj leximeve alternative. Pamjet e rimenduara nga praktika e Nimanit si fotoreporter zmadhohen këtu në shkallë muzeale, duke i shtrirë fotografitë digjitale në kufijtë e tyre absolutë. Nga ky proces zmadhimi, shpërfaqen pikselë të njollosur në ngjyrë, të cilat i bëjnë imazhet si piktura. Skenat e përshkruara dokumentojnë të gjitha llojet e vendeve dhe ngjarjeve, nga ceremonitë tradicionale te rituali i synetisë, e deri te rrugët e afërta të udhëtimit të azilkërkuesve. Në “Personat e zhdukur”, Nimani kap pikëllimin e familjarëve, të dashurit e të cilëve ende mungojnë që nga lufta e viteve të ‘90-a në Kosovë.
Shkololli i ka nxjerrë këto fotografi nga konteksti i tyre fillestar, duke e ftuar Nimanin t’i ekspozojë veprat e tij në formë të rimenduar. Të paraqitura për herë të parë në një hapësirë galerie, fotografitë e Nimanit çlirohen nga funksioni gazetaresk, për çka shërbejnë zakonisht. Me këtë gjest kuratorial, pamjet nuk janë më vetëm prova fotografike, thjesht dëshmi të së vërtetës. Në vend të kësaj, ato hapen ndaj kuptimeve tjera, duke ngacmuar një zhanër që ka vizualizuar historinë e fundit të Kosovës.
Previous slide
Next slide
“Synetia” dhe “Kriza e refugjatëve” Fotografia nga Tughan Anit. Arkivi i Autostrada Biennale.
Në qendrën historike të qytetit, bienalja shtrihet në një shkallë më intime në katër vendndodhjet tjera. Në shtëpinë e familjes Dorambari, që i takon periudhës osmane, objektet e rimenduara shfaqen sërish. Për shembull veprat e David Fesl, me madhësinë e një pëllëmbe dore, rrinë të shpërndara nëpër muret e shtëpisë të lyera me gëlqere. Këto gjësende të vogla bashkojnë objekte të ndryshme, kanaçe të shtypura, pupla, lavamane, çezme të dëmtuara dhe materiale të tjera, origjina e të cilave nuk është plotësisht e deshifrueshme. Veprat përsëri i rezistojnë përshkrimit,sepse nuk kanë tituj, por në vend të titujve, mirëpresin krijimin e interpretimeve të reja, kundrejt brikolazhit të objekteve.
Shtëpia e familjes Dorambari, Arkivi i Autostrada Biennale.
Këto objekte të përditshme paraqiten së bashku me “Lotët”, nga dyshja Small but Dangers. Këtu, shamitë e përdorura shndërrohen në pëlhura pikture me korniza prej druri. Të shfaqura në një shtëpi të zbrazët, veprat e ripunuara nga brezi i gjyshërve tanë bëhen shkas i rikthimit në kujtime intime, familjare.
Nën shkallët e shtëpisë, ndërtesa rigjallërohet me këngën “Kush është aty?” të Nika Špan. Në këtë cep, një tingull audio trokitje dëgjohet prapa një dere të vjetër prej druri. Meqë nuk ka shenja për ta paralajmëruar veprën, tingujt regjistrohen së pari si trokitje të vërteta, duke shkaktuar një lloj trembje të këndshme.
Previous slide
Next slide
“Pa titull” nga David Fesl dhe “Lotët” nga Small but Dangers. Fotografia nga Tughan Anit. Arkivi i Autostrada Biennale.
Në katin e sipërm, ezani që dëgjohet nga Xhamia Bajrakli, tingëllon aq i skenuar dhe i pazakontë, ngjashëm me veprën “Beiti” – shtëpia ime – nga Laurent Mareschal. Kjo ndjenjë përforcohet nga tema e Mereschalit: mëlmesa të derdhura në dysheme në forma që ta kujtojnë gjeometrinë e artit islamik. Duke përdorur melmesa nga traditat kulinare të Palestinës dhe Lindjes së Mesme në përgjithësi, Mareschal u referohet traditave të shkatërruara nga dhuna koloniale.
Këto tematika janë zgjatim i shtëpisë; një relikt arkitekturor i Perandorisë Osmane, të cilës dikur i përkisnin si Kosova ashtu edhe Palestina – e rënia e së cilës shkaktoi shpërngulje të panumërta dhe trazira të dhunshme. Këtu, vepra e brishtë e sjell ndërtesën në gjirin e saj – mbetjet e një trashëgimie arkitekturore që në Evropë, në disa raste, kanë përjetuar fshirje të qëllimshme.
Në Prizren, këto gjurmë vërehen për shembull në minaren e vetme të mbetur të Xhamisë “Arasta” poshtë rrugës, e cila ka mbetur e vetmja dëshmi e luftës dhe ndërhyrjeve të planifikuesve urbanë jugosllavë, të cila u bënë në emër të “modernizimit” të qytetit. Kohët e fundit, turbo urbanizmi i parregulluar ka bërë që shtëpitë shekullore osmane të shndërrohen në vende për parkingje.
“Beiti” nga Laurent Mareschal. Fotografia nga Tughan Anit. Arkivi i Autostrada Biennale.
Tema e historisë shpërfaqet sërish në shtëpinë e Shani Efendiut, një vend që ka kaluar nëpër një sërë transformimesh, nga një shtëpi private në një pikë referimi për tubime qytetare në periudhën jugosllave. Tani, kjo hapësirë është rimodeluar bukur, si një galeri. Vendi gjithashtu krenohet me veprat e artistëve të ndjerë Simon Shiroka dhe Alije Vokshi, figura që kanë zënë vendin e tyre në histori si shembuj të artit modernist kosovar. Veprat e Shirokës dhe Vokshit marrin role të ndryshme për shkak që ekspozohen në këtë hapësirë të rimenduar: ato mund të lexohen si objekte arti ose si objekte historike, citime të një periudhe tjetër historike.
Shtëpia Shani Efendiut, Fotografia nga Ferdi Limani
Në veprën e Vokshit, “Natyrë e qetë”, vizitorët takohen me dy piktura të mëdha, boshllëqe abstrakte me prekje brushe në ngjyrë kafe balte, të gjelbër ulliri dhe të verdhë mustardë, pasuar me nuanca rozë. Sipas kësaj qasje, objektet tradicionale të natyrës së vdekur dhe referencat ndaj kulturës shqiptare shkrihen në prapavijë. Vepra e Shirokës, ngjashëm, mbështetet në motive vendore, duke shfaqur punime të ndërlikuara në filigran argjendi në formën e njerëzve, miteve dhe simboleve, të vendosura në korniza që u ngjajnë ëndrrave.
Previous slide
Next slide
“Natyrë e qetë” nga Alije Vokshi dhe “Pa titull” nga Simon Shiroka. Fotografia nga Tughan Anit. Arkivi i Autostrada Biennale.
Këto ripërpunime moderniste të traditave plotësojnë dukshëm etosin e bienales. Por përtej cilësive të tyre formale, vepra është rikrijuar edhe si artefakt historik. Nga këto objekte, Shkololli nxjerr në pah lidhjet me artistët bashkëkohorë kosovarë, duke krijuar paraardhës dhe gjenealogji ndër breza. Megjithatë, ky rrëfim i historisë së artit nuk i qëndron besnik kornizimit shumë më radikal të historisë që bienalja e bën përmes elipseve dhe çarjeve.
Previous slide
Next slide
“Pa titull” nga Brilant Milazimi dhe “Pa titull” nga Blerta Hashani. Fotografia nga Tughan Anit. Arkivi i Autostrada Biennale.
Për shembull, kur bëhen bashkë, veprat bashkëkohore abstrakte të Blerta Hashanit rreth jetës rurale në Kosovë dhe abstraksionet e mëparshme të Vokshit fillojnë të ngjajnë me njëra-tjetrën. Ngjashëm mund të bëhet një ndërlidhje mes Shirokës dhe veprave të Brilant Milazimit, figurat me njolla dhe bojë të të cilit shfaqen pranë filigranit të detajuar figurativ të Shirokës. Teksa këto kombinime duken në harmoni në aspektin vizual, kjo renditje lineare rrezikon t’i zhvendosë veprat e Shirokës dhe Vokshit në të kaluarën, duke bërë që të lexohen vetëm në kontekstin e tyre historik dhe jo atë bashkëkohor.
Kjo radhitje lineare e kohës është braktisur plotësisht në pikën referuese të bienales, “Fari” të Vadim Fishkin, një instalacion që e paraqet të transformuar një sahat kullë të shekullit XIX. Nga një orë që dikur tregonte kohën, tash është kthyer në një lloj tjetër udhëzuesi që ndriçohet nga dritat pulsuese të kuqe, duke transmetuar rrahjet e zemrës së Fishkin. Ndërsa ky sinjal ndihmon shikuesit që të orientohen natën, edhe më e rëndësishme është që paralajmëron për ujërat e cekëta poshtë – për rreziqet që kanosen nga interpretimi i thjeshtëzuar i historisë që shfaqet në Muzeun Arkeologjik të Prizrenit, poshtë shkallëve, ku ekspozohet pjesa tjetër e veprave të Fishikin.
Previous slide
Next slide
“Fari” dhe “Kohë të errëta” nga Vadim Fishkin. Fotografia nga Tughan Anit. Arkivi i Autostrada Biennale.
Në “Kohët e errëta”, njësoj si në “Fari”, Fishkin transformon një seri orësh në marka, forma dhe madhësi të ndryshme, me xhamin e ngjyrosur me të zezë. Objektet e varura në fillim duken si piktura minimaliste, megjithatë tingujt tik-tak shpërfaqin atë se çfarë janë në realitet. Të ekspozuara pranë një ekspozite arkeologjike të së kaluarës së Prizrenit, që përfshin periudhat e neolitit deri te periudhat romake, bizantine dhe osmane, këto orë të zeza hapin me forcë interpretimin linear të historisë në muze. Kjo paraqet një akt që çliron imagjinatën tonë historikografike, duke vërejtur çarje dhe plasaritje aty ku dikur transmetohej ndërlidhja e thjeshtë e shkakut dhe pasojës.
Interpretimi i historisë i parë këtu dhe në hapësirat e tjera të bienales është më e mira që Autostrada dhe Shkololli mund të ofrojë për shikuesit: një e kaluar që ekspozohet në të tashmen, thesaret dhe traumat e së cilës janë të hapura për ndërhyrje.
Edicioni i pestë i Autostrada Biennale u hap më 5 korrik të vitit 2025 dhe do të mbetet i hapur deri më 5 tetor të vitit 2025, në disa vendndodhje të Prizrenit. Për më shumë informacion, vizitoniautostradabiennale.org.
Shënim i redaksisë: Përkthimet e titujve të veprave nuk janë përkthime zyrtare.
Imazhi i ballinës: “Kush është aty?”, Nika Špan. Fotografia nga Tughan Anit. Arkivi i Autostrada Biennale.
Dëshironi të mbështetni gazetarinë tonë?
Në Kosovo 2.0, përpiqemi të jemi shtyllë e gazetarisë së pavarur e me cilësi të lartë, në një epokë ku është gjithnjë e më sfiduese t’i mbash këto standarde dhe ta ndjekësh të vërtetën dhe llogaridhënien pa u frikësuar. Për ta siguruar pavarësinë tonë të vazhdueshme, po prezantojmë HIVE, modelin tonë të ri të anëtarësimit, i cili u ofron atyre që e vlerësojnë gazetarinë tonë, mundësinë të kontribuojnë e bëhen pjesë e misionit tonë.
Anëtarësohuni në “HIVE” ose konsideroni një donacion.