Hapi 1: Grumbullo një popullsi prej 1.6 milionë banorësh.
Hapi 2: Bëj që ta humbasin besimin tek “e mira e përgjithshme”.
Hapi 3: Pranoje se një mbeturinë e vogël nuk shkakton dëm.
Urime — ke krijuar me sukses një deponi mbeturinash.
Nëse ndodhesh në Kosovë dhe e do një ilustrim të hapave më sipër, mjafton të shikosh përreth.
Si turist, mund të duket se bukuria e vendit qëndron te maja me dëborë e Gjeravicës dhe shtigjet e Rugovës, por Kosova ofron shumë më tepër maja sesa pamjet e tyre mahnitëse. Bukuria e Kosovës qëndron në rutinën e përditshme që krijohet para se të nisemi në punë në mëngjes, zemërimin e bashkudhëtarëve në autobus që të shtyjnë dhe janë të zhurmshëm, apo edhe netët e së premteve që nuk planifikon të dalësh, por megjithatë del, dhe përfundon duke pirë tri gota verë me njerëz që nuk i ke takuar që nga klasa e tretë. Kosova është si një shoqe e fëmijërisë. I di rrëfimet, buzëqeshjet e problemet tona, dhe ne i dimë të saj. Është kultura jonë, fjalët që flasim dhe dialekti që përdorim.
Pavarësisht dashurisë dhe krenarisë së madhe që kemi për këtë tokë dhe luftës sonë për të, mënyra se si e trajtojmë Kosovën sot është gjithçka tjetër, përveç patriotike. Kosova është e bukur dhe e çmuar. Pse atëherë nuk e trajtojmë si të tillë?
Nga 1.6 milionë banorë, askush nga ne nuk është i gatshëm të marrë përgjegjësi për sfidat ekologjike dhe mjedisore që po përjeton Kosova. Psikologjia e justifikimeve është e dukshme. Nga 1.6 milionë banorë, secili beson se “një copë mbeturine nuk shkakton dëm”. Si rezultat, kemi 1.6 milionë copa mbeturinash që askush nuk merr përgjegjësi, pra një deponi.
Duket se njerëzit supozojnë se tjetri do ta pastrojë dhe kur përgjegjësia shpërndahet në miliona, askush personalisht nuk ndien se është përgjegjës. Arsyetimi duket se gjithmonë mbizotëron mbi të mirën e përbashkët. Hedhja e një letër mbështjellësi në rrugë mund të duket e padëmshme dhe e pafajshme në shikim të parë, por kur shumëzohet me miliona, rezulton në mbeturinat mbi të cilat ecim çdo ditë, ndërkohë që veshjet tona shkëlqejnë si gjithmonë, gati për ta shijuar diellin me një kafe espresso në dorë. Ironia është e mprehtë dhe nëse vazhdojmë kështu, qeset plastike mbi të cilat ecim mund të bëhen pjesë e identitetit tonë kombëtar.
Kjo psikologji e justifikimit jo vetëm që shtohet, në fakt përhapet. Kështu fillon një efekt domino dhe mund të funksionojë në të dyja anët. Nëse shumica hedh mbeturina, të tjerët veprojnë njësoj. Por nëse shumica refuzon të hedhë mbeturina, papritmas ky bëhet akt i çuditshëm – një akt që të bën të biesh në sy për të keq.
Le ta bëjmë!
Me ndotjen që ka arritur në pikë kritike, Kosova mund t’i ndjek hapat e Estonisë, një vend i ngjashëm për nga madhësia, që ka arritur ta përmirësojë dukshëm gjendjen mjedisore. Indeksi i Performancës Mjedisore i Estonisë (EPI) prej 75.3, më i larti në mesin e vendeve të vlerësuara, tregon se mobilizimi shoqëror, bashkë me ndryshimet e normës, ndikojnë fuqishëm në perceptimin publik për mjedisin. Indeksi i Performancës Mjedisore mat se sa mirë një vend menaxhon çështjet mjedisore me prioritet të lartë, si menaxhimi i mbeturinave, cilësia e ajrit dhe ujit, biodiversiteti dhe politika klimatike. Në thelb, indeksi tregon se sa mirë një komb mbron ekosistemet dhe shëndetin publik, një standard që Estonia e dëshmon me sukses përmes politikave dhe angazhimit qytetar.
Sipas revistës “Poltika dhe hapësira”, në fillim të viteve të ‘90-a, qeveria estoneze kuptoi se nuk kishte burimet teknike ose financiare për t’i pastruar ndotjet e periudhës sovjetike. Megjithatë, të dhënat tregojnë se gjatë asaj dekade, Estonia ia doli t’i pastronte ndotjet e vjetra. Më 3 maj 2008, rreth 3% e popullsisë së Estonisë u mblodh vullnetarisht në hapësira publike në të gjithë vendin për vetëm një ditë dhe ndihmuan në pastrimin e mbeturinave dhe mbetjeve të padëshiruara. Organizimi quhej “Teeme Ära!” (në shqip: “Le ta bëjmë!”) dhe solli ndryshim të madh në problemin e mbeturinave të Estonisë, duke e kthyer atë në nismë globale.
Për Estoninë, këto përpjekje nuk përfunduan me kaq. Sot vendi numëron nivele të larta të angazhimit qytetar në çështjet mjedisore. Si rezultat i nismës “Teeme Ära!”, popullsia vazhdon të marrë pjesë në Ditën Botërore të Pastrimit, një datë që duket se është bërë pjesë e identitetit qytetar estonez. Përveç kësaj, Estonia ka nivele të larta të riciklimit krahasuar me mesataren rajonale dhe investimet në energji të ripërtëritshme, si dhe kontrollet e ndotjes në përputhje
me BE janë rritur gjatë viteve të fundit. Që nga anëtarësimi në BE në vitin 2004, Estonia ka siguruar praktikat më të mira të qëndrueshme. Në Estoni, shkollat dhe organizatat joqeveritare ligjërojnë temat mjedisore dhe edukojnë qytetarët që në moshë të hershme. Madje edhe sistemet e të dhënave janë publike, në mënyrë që ata të mos kenë asnjë arsye për të mos qenë të informuar rreth gjendjes mjedisore të vendit të tyre.
Ndërkohë, në Kosovë, të dhënat e publikuara nga UNDP në edicionin e 21 të Pulsit Publik tregojnë se tri problemet kryesore të raportuara nga qytetarët ishin papunësia (26.7%), varfëria (24.3%) dhe mjedisi (10.1%). Në të njëjtën hulumtim, 14.5% e të anketuarve në Kosovë deklaruan se nuk kishin njohuri për të drejtën e tyre pë të jetuar në një mjedis të pastër dhe të shëndetshëm.