Kur kryeministri në detyrë, Albin Kurti prezantoi kabinetin e tij qeveritar të propozuar më 26 tetor, një emër spikati nga rotacioni i zakonshëm i politikës së Kosovës: Sejnur Veshall, një kandidat rom i propozuar për një post ministror, atë të Zhvillimit Rajonal. Ishte një arritje e heshtur politike – hera e parë që një anëtar i komunitetit rom në Kosovë ishte afër të bëhej pjesë e qeverisë në atë nivel dhe vetëm hera e dytë në historinë e vendit që dikush me prejardhje kaq të pafavorshme të propozohej për ministër.
Megjithatë, simbolika mbeti nën hije nga rrethanat. Qeveria e propozuar nga Kurti dështoi t’i siguronte votat e nevojshme, duke ngritur një pyetje të sikletshme: sa i sinqertë ishte ky gjest diversiteti në një kabinet qeveritar që nuk kishte gjasa të votohej kurrë? A ishte përfshirja e Veshall një shenjë e angazhimit të ardhshëm, apo një përpjekje sa për sy e faqe për të projektuar përfshirje në një qeveri pa jetëgjatësi? Mbetet e pasigurt nëse vetë Kurti – apo Glauk Konjufca, ish-kryetari i parlamentit të cilin Kurti pastaj e propozoi për kryeministër në një përpjekje të fundit për ta formuar qeverinë – do t’i riktheheshin atij premtimi nëse do t’u jepej një shans tjetër.
Për momentin, Elbert Krasniqi, nga komuniteti egjiptian, vazhdon të shërbejë si ministër në detyrë i Administrimit të Pushtetit Lokal, një pozitë që dikur shihej si moment historik në përpjekjet e Kosovës për përfshirje, të paktën në aspektin e përfaqësimit. Emërimi i tij u vlerësua gjerësisht si dëshmi se zërat e përjashtuar prej kohësh nga pushteti më në fund ishin të dukshëm brenda hierarkisë politike të vendit.
Që nga emërimi i tij në vitin 2021, kur Lëvizja Vetëvendosje (LVV) nisi mandatin, pritjet ishin të larta, por të matshme. Askush nuk besonte se një ministër i vetëm, ose një mandat i vetëm, mund t’i zhbënte breza të tërë pabarazie strukturore, nisur që nga strehimi, punësimi ose qasja në jetën publike. Këto probleme janë të rrënjosura thellë dhe asnjë përbërje e re e kabinetit qeveritar nuk do të mund t’i zgjidhte ato brenda natës.
Kufijtë e pozitës së Krasniqit ishin të qartë që nga fillimi. Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal nuk u krijua kurrë për të çuar përpara drejtësinë sociale. Është institucion teknik, përgjegjës për koordinimin e komunave, menaxhimin e buxheteve dhe mbikëqyrjen e qeverisjes lokale. Është një ministri që as nuk merret drejtpërdrejt me pabarazinë dhe as nuk adreson problemet me të cilat përballen çdo ditë komunitetet e margjinalizuara. Struktura e saj është ndërtuar për administrim, jo për rishpërndarje.
Kjo nuk nënkupton që ministrat nga komunitetet e pafavorizuara duhet të udhëheqin vetëm ministri të ndërlidhura me çështjet sociale. Por kur dikush me një prejardhje të tillë arrin këtë nivel për herë të parë, pritshmëritë rriten në mënyrë të pashmangshme. Njerëzit që më në fund e shohin veten të përfaqësuar, shpresojnë që shqetësimet e tyre do të dëgjohen dhe do të pasqyrohen në vendimet nacionale.
Në realitet, këto shpresa shpesh bien ndesh me kufijtë e vetë pozitës. Ministria që udhëheq Krasniqi përqendrohet në administratë dhe jo në reformë. Megjithatë, për shumë njerëz, emërimi i tij mbartte shpresën se dukshmëria do të sillte ndryshim dhe se përfshirja po tejkalonte retorikën. Distanca mes asaj që lejon një pozitë dhe asaj që i duhet një komuniteti mbetet në qendër të luftës së Kosovës me përfaqësimin.
E njëjta dilemë tani ngritët rreth emërimit të propozuar të Sejnur Veshall, një aktivist i ri rom nga Prizreni dhe ish-zëvendësministër i Kulturës.
Përfshirja si performancë, jo si politikë
Para se të vinte në pushtet, Albin Kurti pjesën më të madhe të mesazhit të tij politik e ndërtoi duke e refuzuar atë që ai e shihte si formë sipërfaqësore e përfshirjes, që u praktikua nga qeveritë e mëparshme. Ai shpesh kritikonte idenë se vetëm emërimi i disa përfaqësuesve të pakicave nuk mund të barazohej me barazinë e njëmendtë. Në tubimet që mora pjesë, Kurti shpesh thoshte se vizioni i tij ishte ndryshe: “përfshirja e njerëzve, jo e politikanëve”, përveç nëse këta politikanë ishin me të vërtetë të zotë dhe të aftë.
Në pushtet, kjo vijë ka filluar të zbehet.
Qeveria e Kurtit është përballur me të njëjtat tundime që dikur i kritikonte – trajtimin e diversitetit vetëm si çështje numrash. Një ministri këtu e një post zëvendësministri atje, duke paraqitur emërimet si përparim. Dallimi mes përfaqësimit dhe reformës, mes identitetit dhe meritës, po zbehet sërish.
Përvoja e Sejnur Veshall tregon se si duket kjo në praktikë.
Në moshën 28-vjeçare, Veshall përfaqëson brezin e ri të profesionistëve romë që kërkojnë të ndërtojnë një prani më të qëndrueshme në jetën publike. Emërimi i tij për ta udhëhequr Ministrinë e Zhvillimit Rajonal është i rëndësishëm – si burim krenarie për komunitetin dhe si një test se si kuptohet përfshirja në praktikë. Ministria e Zhvillimi Rajonal nuk është ministri për avokim. Kjo ministri merret me planifikimin ekonomik, programet e investimeve, koordinimin rajonal dhe partneritetet e donatorëve që formësojnë zhvillimin afatgjatë të vendit. Pozita kërkon aftësi administrative, njohuri rreth politikave dhe përvojë menaxhimi që zakonisht fitohen përgjatë shumë viteve në sektorin publik.
Emërimi i dikujt ende në fillim të karrierës së tij në një pozitë kaq të kërkuar ngre pyetje të vështira. Nuk ka të bëjë me faktin a e meriton Veshall shansin apo jo, por nëse qeveria ka mësuar ta baraspeshojë përfaqësimin simbolik me kërkesat e qeverisjes efektive.
Në fazat e hershme të qeverisë së udhëhequr nga Kurti, Veshall shërbeu si zëvendësministër i Kulturës – njëri nga njerëzit më të rinj në kabinet dhe zë i rrallë rom në politikën nacionale. Emërimi i tij u pa si hap inkurajues. Por nuk kaloi shumë kohë, ai u shkarkua dhe u zëvendësua heshtazi pa shpjegime. Qeveria nuk dha asnjë arsye dhe spekulimet u përhapën shpejt.
Çka ndodhi në të vërtetë mbetet e paqartë. Por kur një zyrtar i ri dhe i dukshëm shkarkohet pa shpjegime, pashmangshëm njerëzit do të nxjerrin përfundimet e tyre. Brenda qarqeve politike dhe të komunitetit rom – ku rrjetet janë të vogla dhe lajmet përhapen shpejt – shumë besonin se Veshall kishte humbur mbështetjen e udhëheqësit të partisë së tij, Erxhan Galushit nga Lëvizja Progresive e Romëve të Kosovës (KRAP). Siç tha një burim i brendshëm, “u la në baltë”.
Kjo shtron po ashtu një pyetje të përgjithshme: çka ndodh nëse përsëritet i njëjti veprim? Nëse në të ardhmen, udhëheqësi aktual politik rom, Albert Kinolli, do të vendoste që Veshall – tani anëtar i Partisë së Bashkuar Rome të Kosovës (PRYK), e cila fitoi ulësen e rezervuar për komunitetin në Kuvend në zgjedhjet e fundit – nuk i përshtatet vijës së partisë, a do të zgjidhte sërish qeveria rehatinë politike para integritetit profesional?