Gjatë dhjetë ditëve të ardhshme, vëmendja kulturore e Kosovës do t’i kushtohet përsëri Prizrenit, meqë do të fillojë edicioni i 16 – të i DokuFest i cili zgjat deri me 12 gusht. Në një epokë kur koha që e kemi para nesh po bëhet gjithnjë më e pasigurt dhe e ndërlikuar, festivali e ka zgjedhur një temë të përshtatshme: ‘e ardhmja’. Drejtori artistik i DokuFest, Veton Nurkollari, thotë për K2.0 se kjo temë e i pasqyron “shqetësimet dhe shpresat e organizatorëve, por mbi të gjitha besimin e tyre se e ardhmja më e mirë është e mundshme, dhe që po vjen”.
Festivali nis sonte me gjashtë shfaqje të njëkohshme, përfshirë “Risk” të regjisores Laura Poitras (fituese e çmimit Oscar), film që dokumenton jetën e themeluesit të WikiLeaks, Julian Assange, gjatë një periudhe gjashtë vjeçare, si dhe koncert filmin klasik të Talking Heads, “Stop Making Sense”, me regji të Jonathan Demme.
Sivjet do të shfaqen gjithsej 254 filma prej 63 shteteve të ndryshme në gjashtë kategoritë garuese të festivalit (Balkan Dox, International Dox, Human Rights Dox, Green Dox, International Shorts dhe National) ose në 14 programet speciale. Tri programe speciale jo-garuese janë kuruar veçanërisht për ngjarjen e sivjetme: ‘Future My Love’; ‘Fake it so Real’; dhe ‘VR Experience’.
“I mrekullueshëm ishte kërkimi dhe gjetja e filmave që kanë tema që lidhen me të ardhmën, ose filma që janë në kufirin mes botës së filmave artistik dhe atyre që flasin për ngjarje të vërteta”, thotë Nurkollari, duke e theksuar veçanërisht VR Experience, program i shkurtër i krijuar për t’i mundësuar audiencës që ta shijojnë realitetin virtual, për të cilin Nurkollari thotë “shumë argumentojnë se është e ardhmja e filmit”.
Programi “Future My Love” përfshinë “Stalker” të regjisorit të madh sovietik, Andrei Trakovsky, film fantastiko-shkencor që e tregon historinë e udhëtimit të tre personave që përpiqen ta gjejnë ‘the Zone’, vend që përfshinë një dhomë në të cilën i plotësohen njerëzve ëndrrat më intime. Filmi prej së cilit e morri emrin ky program është përfaqësim vizual i vizioneve të futuristit Jacques Fresco, i cili ndërroi jetë në maj të këti viti. Ky program përfshinë ‘Manifesto’, në të cilin Cate Blanchett i luan 13 personalitete të ndryshme, si dhe pasqyrime kinematike të së kaluarës, së tashmës dhe së ardhmës nga Terrence Malick dhe Adam Curtis, si dhe filma tjerë progresiv.
Programi “Fake it So Real” përfshinë filma hibrid si “DRIB”, historia e një skeme të dështuar të marketingut nga një kompani e pijeve energjike, dhe “Stranger in Paradise”, në të cilin një aktor përpiqet që t’i tregojë refugjatëve të ri për realitetin e ashpër të statusit të tyre në Evropë. Ky program fokusohet në filma që inkorporojnë elemente të skenuara e të skriptuara në filmbërien e dokumentarëve, meqë audienca angazhohet në bisedën për lajmet e rrejshme.
Filma tjerë të dalluar në edicionin e sivjetëm janë filmi i shkurtër satirik me temë për arte marciale “Kung Fury” nga David Sandberg, “Last Man in Aleppo”, dokumentar për një grup të vullnetarëve në Aleppo të cilët zgjedhin që të qëndrojnë në qytet për të shpëtuar jetët e njerëzve deri sa lufta në Siri futet në vitin e gjashtë, dhe “Austerlitz” e Sergei Loznitsa, që trajton kujtimet e Holokaustit nëpërmjet vizitorëve të kampeve të përqëndrimit të regjimit nazist.
Por sigurisht që DokuFest nuk është vetëm për filma. Shumë muzikantë po vijnë në Prizren për serinë legjendare DokuNights. Sivjet prej hip hopit kosovar vijnë Buta dhe Crown, e prej zhanreve house e techno vijnë DJ prej Beogradit, Mynihut dhe Suedisë. Një kolektiv mbarëbotëror i bazuar në Zagreb do të performojë afrobeat, e një prej performueseve më konfrontuese të repit bashkëkohor, Princess Nokia, gjithashtu do të merr pjesë në program. Dy koncerte gjithashtu do të mbahen gjatë perendimit të diellit në kështjellën e saporenovuar: një bashkëpunim unik ndërmjet pianistit Robert Bisha dhe Korit Iso-Polifonik të shtunën (5 gusht), dhe “forma e re e trans-kinos” nga Vincent Moon dhe Priscilla Telmon, shoqëruar me këndim live nga Agona Shporta, me 11 gusht.
Dashamirët e fotografisë do të kenë mundësi t’i shijojnë fotografitë historike të Shqipërisë së fundit të shekullit nëntëmbëdhjetë dhe fillimit të shekullit njëzet, falë Muzeut Kombëtar të Fotografisë Marubi në Shkodër, si pjesë e serisë DokuPhoto. Një përzgjedhje nga koleksioni i gjërë i 500,000 fotografive glass negative që dokumentojnë jetët e tri gjeneratave të fotografëve shqiptarë do të prezantohen nëpërmjet aktiviteteve të ndryshme përgjatë festivalit, përfshirë një punëtori dhe ekspozitë e artit rrugor, një master klasë me drejtorin e muzeut, Lucjan Bedeni, një punëtori për revista të prodhuara prej amatorëve dhe një ekspozitë me video-mapping.
Sivjet festivali i teknologjisë DokuTech e ka temën “Fear, Hope and Everything in Between” (Frikë, Shpresë dhe Gjithçka Mes Tyre). Do tëm bahet të shtunën (5 gusht) te Kino Lumbardhi. Disa biseda dhe master klasa të udhëhequra prej ndërmarrësve dhe inovatorëve të rinj do të jenë të hapura për pjesëmarrësit. Sivjet në program përfshihen dy persona prej listës së Forbes ’30 under-30’, dhe bashkë-themeluesit e Modcloth, Susan Gregg dhe Eric Koger. Gjithashtu do të paraqitet një stratege e 18F (division i qeverisë së SHBA), Lane Becker, dhe dizajnerja Courtney Scott që ka fituar disa çmime për punën e saj, mes personave tjerë mbresëlënës e progresiv.
Si zakonisht, K2.0 do të jetë e pranishme gjatë tërë festivalit, duke u sjellë pamjet, tingujt dhe përvojat e realitetit virtual nga DokuFest. Pritni intervista me regjisorë, aktorë dhe producentë, rekomandime për programin e filmave, raporte prej mishërimeve të shumta të DokuFest, dhe vizione tjera për të ardhmën e Prizren. Për të mos ju ikë diçka, përcjelleni K2.0 në Twitter (@kosovo2poin0), Facebook (Kosovo 2.0) dhe Instagram (Kosovo2point0).