Gjarpërinjtë, si shumë zvarranikë të tjerë, rrallë herë bëhen të dukshëm në sipërfaqe. Por më së shpeshti dukjen e tyre e vënë në pah kur janë në kërkim, sidomos në kërkim të një strehe të sigurt kur bie shi apo ka stuhi jashtë.
Këtë javë, edhe “Gjarprin” e Kosovës – siç njihet presidenti Hashim Thaçi që nga koha kur ishte drejtori politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – e zgjoi një stuhi duke e shtyrë atë që të kërkoj strehë tek populli të cilit iu drejtua me një fjalim si asnjëherë më parë. E stuhia quhet Gjykata Speciale.
Gjykata për të cilën Thaçi kishte punuar personalisht që t’i bindte deputetët e tij të PDK-së, për ta ndihmuar që ta kalojnë themelimin e saj përmes Parlamentit, në vitin 2015. Gjykata, të cilën presidenti e quante një “domosdoshmëri”, por tash del të jetë krejtësisht e padrejtë dhe nuk po i shërbejka paqes mes shqiptarëve dhe serbëve të Kosovës.
Të paktën kështu e prezantoi ai që udhëhoqi procesin e themelimit të saj në Kosovë, Thaçi, gjatë një fjalimi që mbajti të hënën gjatë prezantimt të raportit, me titull: “Përceptimi publik për Gjykatën Speciale”.
Në këtë konferencë, presidenti thuajse tentonte të shfajësojë tërësisht vetën nga procesi i themelimit të kësaj Gjykate duke theksuar dy herë se “vendimi për themelimin e Gjykatës Speciale erdhi si nevojë politike ndërkombëtare, të akterëve ndërkombëtarë, sesa për drejtësi”. Fajin për këtë i’a atribuonte kryekëput komunitetit ndërkombëtar, me theks Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian.
Këto deklarata të Thaçit vijnë pikërisht në kohën kur Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë, pritet të bëjë publike edhe aktakuzat e para për ish- pjesëtarët të UÇK-së që supozohet të kenë kryer krime të luftës dhe krime ndaj njerëzimit.
Afro tre vite më parë, ishte pikërisht Hashim Thaçi ai që, siç u pati vlerësuar në raporte e media të ndryshme, me presion kishte arritur të bindte deputetët që të votojnë pro Gjykatës Speciale.
Dy herë ishin vënë amandamentet për ndryshimet kushtetuese për themelimin e Gjykatës Speciale, respektivisht Projektligji për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, brenda seancës së 3 gushtit të vitit 2015. Në tentativën e parë për t’i votuar amandamentet, as 10 deputetë të PDK-së nuk kishin votuar pro. Miratimi pati ndodh në tentativën e dytë, pasi ishin bindur edhe disa deputetë të PDK-së, që kishin votuar kundër herën e parë.
Asokohe Thaçi prej pozitës së Ministrit të Punëve të Jashtme, nuk pati përmendur fare premtimet e ndërkombëtarëve për integrim, por pati thënë se nuk ka asnjë rrugëdalje tjetër veçse të votohet Specialja, apo çështja e krimeve të luftës të supozuara të kryera nga pjesëtarë të UÇK-së, të dërgohet në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Kjo gjë tentohej të shmangej me çdo kusht për shkak të pozicionit edhe ashtu të brishtë të Kosovës në arenën ndërkombëtare, dhe faktit se do t’ia merrte Kosovës thuajse edhe 20 vite të tjera për ballafaqim me të kaluarën.
“Qeveria e Kosovës ka proceduar ndryshimet e nevojshme kushtetuese që të themelohet Gjykata Speciale si një vendim jo i lehtë, por i domosdoshëm”, pati nis Thaçi elaborimin në seancën e gushtit të 2015-es.
“Në kuadër të përgjegjësive dhe thellimit të partneritetit me bashkësinë ndërkombëtare, i përgjegjësive tona që këtë sfidë thjesht të mos e vëmë si pengesë për rikthim ose si pengesë që do të na kushtonte në një vonesë shumë të madhe për vendin tonë të lëvizë drejt integrimeve euro-atlantike”. Nuk ishte aspak seancë e lehtë ajo në të cilen Thaçi i pati thënë këto, meqë u përcoll me presion e akuza kundrejt tij.
Tash, pas më shumë se dy vitesh, në konferencën e së hënës [9 tetor] Thaçi tha se ndërkombëtarët ishin ata që i kishin dhënë premtime në këmbim të votimit për Specialen, përfshirë anëtarësimin në Këshillin e Evropës, liberalizimin e shpejtë të vizave për Kosovën, mbështetjen masive për antërsim në UNESCO, themelimin e shpejtë të Forcave të Armatosura të Kosovës si dhe njohje të reja.
“Kosova e mbajti fjalën, e themeloi Gjykatën, bashkësia ndërkombëtare ansjë nga këto premtime nuk i realizoi përkundrazi Kosovës i’u vështirësua integrimi euro-atlantik”.
Fjalimi i presidentit për shumkë në sallën ku po mbahej, u bë i padurueshëm. Ambsadori britanik Ruairi O’Connell lëshoi i pari sallën gjatë fjalimit të Thaçit dhe më pas në një prononcim për gazetën “Koha Ditore”, e kishte quajtur të padrejtë akuzën e Thaçit ndaj bashkësisë ndërkombëtare. Ai madje mohoi edhe premtimet që Thaçi numëronte se kishte marrë, për të themeluar Specialen.
“Ne nuk i kemi bërë premtime Kosovës me Gjykatën Speciale dhe nuk është e drejtë të pretendohet e kundërta. Anëtarësimi në organizata ndërkombëtare bazohet në kritere specifike të anëtarësimit të organizatave individuale. Mbretëria e Bashkuar po punon për të mbështetur integrimin e plotë ndërkombëtar”, ishte përgjigja e ambasadorit për numrin e datës 11 tetor 2017, të gazetës.
Largimin e O’Connel nga salla ku po mbante fjalimin e ka komentuar para gazetarëve të mërkuren vetë Thaçi, duke thënë se “nuk e ka parë ambasadorin as që ka qenë i pranishëm e as që ka dal kur ka qenë duke folur”. “Nëse ka dal si kundërshtim ndaj asaj çka kam thanë është një sjellje aspak diplomatike”, deklaroi Thaçi.
Por përgjigje jo shumë ndryshe nga britaniku, për “Kohën Ditore”, kanë dhënë edhe përfaqësuesit e Ambasades së SHBA-së në Kosovë, si dhe Bashkimit Evropian. Implementimi i reformave të mënjëhershme të sundimit të ligjit, ishte ndër kriteri kryesor që zëdhënësja e BE-së në Bruksel, Maja Kocijanqiq ka përmendur, ndër tjerash, si kriter kyç të Kosovës e të papërmbushur në procesin e integrimit evropian.
Kosova ka probleme serioze me shkallën e korrupsionit dhe krimit të organizuar. Derisa gjyqësori kosovar në vazhdimësi vlerësohet në raporte të ndryshme, si në atë të progresit të Komisionit Evropian, si i hapur ndaj ndikimeve politike, luftimi i korrupsionit dhe ratifikimi i marrëveshjes së demarkacionit mes Kosovës dhe Malit të Zi, mbeten kriteret kyçe të Kosovës për të zhbllokuar procesin e liberalizimit të vizave.
Thaçi tani megjithatë thotë se ndërkombëtarët ia kishin premtuar liberalizimin e vizave në këmbim të Speciales. Edhe SHBA-të, të cilat presidenti i atakon, kanë ritheksuar përmes Ambasadës së tyre në Prishtinë se “përkrahin fuqishëm Kosovën në anëtarësimin e saj në organizata ndërkombëtare; anëtarësimi i së cilës bazohet në kritere specifike për çdo institucion…”.
Çka na tregojnë mesazhet e presidentit për Specialen?
Fjalimi i së hënës i Thaçit rreth Gjykatës Speciale, përmban një narracion totalisht të kundërt me narracionin që ai kishte përdorur para gati tre vjetëve kur tentonte të bindte deputetët të votojnë Specialen.
Megjithatë, disa konkludime të rëndësishme mund të nxjerren prej mesazheve të tij. E para, presidenti, sipas fjalëve të tij, i bie se nuk e ka treguar asnjëherë të vërtetën e plotë rreth Gjykatës Speciale, të cilën e proklamonte si një iniciativë që ka për qëllim që të zbardh të vërtetën mbi “gënjeshtrat” e raportit të Dick Martyt dhe se nuk do të ketë përndjekje të ish -pjesëtarëve të UÇK-së.
E dyta, presidenti Thaçi, po del se paska bërë kompromis të dëmshëm në emër të Kosovës, me tentativën për, siç tha edhe vet, t’ia plotësuar dëshirat ndërkombëtarëve. Bashkësia ndërkombëtare, sipas tij paska premtuar liberalizimin e vizave, anëtarësim në UNESCO, njohje të reja dhe integrim të Kosovës, pas votimit të Ligjit për Specialen në Parlament. Asnjëra nga premtimet nuk janë pëmbushur, ndërsa Gjykata Speciale shpejt pritet të nis me gjykimet.
Tash kur pritet të publikohen edhe aktakuzat e para për ish-pjesëtarë të UÇK-së, që supozohet se kanë kryer krime lufte dhe krime ndaj njerëzimit, presidenti po e quan Gjykatën Speciale një padrejtësi dhe një proces që nuk do të sjellë paqe por do të ndjekë penalisht vetëm pjesëtarët e UÇK-së. Rrjedhimisht, presidenti Thaçi, paska marrë pjesë në një proces që mund të delegjitimojë luftën e UÇK-së, dhe të nxjerrë fakte juridike që mbeshtetin teorinë absurde të Serbisë që kosovarët ishin agresorë dhe UÇK-ja një organizatë terroriste.
Prej çka po frikësohet me të vërtetë Thaçi?
Kritikat ndaj presidentit Thaçi, lidhur me fjalimin kontraditor të tij rreth Speciales, nuk kanë munguar gjatë debatit që u diskutua pas fjalimit të presidentit, por as ditëve pas kësaj.
Publicisti Veton Surroi ia ka kushtuar një shkrim të tërë kësaj çështje duke e kritikuar Thaçin se po hedh fajin bashkësisë ndërkombëtare për dështimet e veta politike. Surroi aludon madje se Thaçi nuk e ka pasur seriozisht me akuzat ndaj SHBA-së dhe BE-së, duke vazhduar tutje me ironi dhe duke sugjeruar që akuzat e Thaçit ndaj ndërmkombëtarëve janë aq serioze “saqë ka mundur të shtojë edhe disa faje për dështimin e përhershëm të përfaqësueses së Kosovës në futboll për të mos shënuar fitore, apo mos ndërtimin e godinës së re të Operës dhe Baletit”.
Por Surroi që njihet si ndër kritikët e tij të shumtë, nuk ishte i vetmi që kritikoThaçin. Kishte edhe nga ata që dikur e pëkrahnin në shumë procese, si gazetari dhe drejtori i Televizionit Klan Kosova, Baton Haxhiu, që gjatë debatit të hënën i tha Thaçit se ndihet i dëshpëruar me fjalimin e tij “të çuditshëm”, si dhe e pyeti nëse ai [fjalimi] ka të bëjë me faktin se Thaçi mund të jetë në listën e personave të akuzuar nga Zyra e Prokruorit të Specializuar, dhe mund të përfundoj në Hagë.
Thaçi nuk i’u përgjigj konkretisht kësaj, por vazhdoj elaborimin e tij mbi Specialen me akuzat se ajo do të përndjekë në mënyrë të padrejtë ish-pjestëratë e UÇK-së, mbi prentendimet e raportit të deputetit zvicran në Parlamentin Evropian, Dick Marty me titullin: “Trajtimi çnjerëzor i njerëzve dhe trafikimi i paligjshëm i organeve njerëzore në Kosovë”, të publikuar në vitin 2010. Raporti i Martyt nxirrte Thaçin në pah si protagonistin kryesor dhe liderin e një grupi të organizuar kriminal të përbërë prej ish-pjestërave të UÇK-së, dhe sot politikanë të Kosovës të cilët ishin marrë me trafikim organesh.
Asokohe Thaçi paralajmëroi padinë për Martyn, e të cilën asnjëherë nuk e bëri duke u thirrur në atë se deputeti zvicran ka imunitet. Megjithatë raporti pati ndikim dhe për pasojë u themelua Gjykata Speciale, që sipas presidentit Thaçi ka bashkëpunim maksimal dhe reciprok me Serbinë dhe departamentin për krime lufte në Beograd, e shumë pak me Kosovën. “Me Kosovën bashkëpunimi është minimal, për të mos thënë fare. Ka bashkëpunim minimal e procedural. Autoritetet në Beograd pretendojnë të dinë se kush dhe kur do të akuzohen shqiptarët e Kosovës për krime lufte”, tha Thaçi të hënën gjatë konferencës.
Duke insistuar tutje se si e tilë dhe në rrethanat aktuale, Gjykata Speciale është një gjykatë etnikisht e motivuar dhe kundër shqiptarëve. “Duhet të themi atë që dijmë, saktë, dhe ajo që dijmë dhe është e saktë se Gjykata Speciale do të merret vetëm me krimet e supozuara të kryera nga pjesëtarë të UCK-së… Asnjë serb nuk do të jetë i akuzuar”.
Porse a është ky preokupimi i vetëm i “gjarprit” me Specialen, mbetet të shihet.
Foto kryesore: Atdhe Mulla / K2.0.