Pikëpamje | Pajtimi

Më shumë pyetje se përgjigje në “fazën e re” të dialogut Kosovë-Serbi

Nga - 12.10.2017

Na pret një e ardhme e pasigurt derisa thirrjet për unitet po injorohen.

Bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nisën në vitin 2011, fillimisht si dialog teknik i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Deri më 19 prill 2013, Kosova dhe Serbia kishin nënshkruar një marrëveshje në përbërje prej 15 pikave, e nëpërmjet së cilës është shpresuar se do të përmirësohen marrëdhëniet ndërmjet dy fqinjëve.

Prej atëherë, Kosova dhe Serbia janë angazhuar në një dialog në Bruksel për disa çështje të ndryshme: nga liria e lëvizjes së popujve, te telekomunikacioni, e deri te njohja e diplomave dhe përdorimi i targave gjatë kalimit të kufijve.

Pavarësisht faktit se fillimi i dialogut u duartrokit nga bashkësia ndërkombëtare, si proces iu nënshtrua edhe kritikave të ashpra për shkak të mungesës së rezultateve dhe zbatimit në terren nga ana e dy palëve dialoguese.

Nga 10 marsi i vitit 2017, dialogu veçse nuk është ndalur krejtësisht, pasi parlamenti i Kosovës i pezulloi bisedimet për shkak të arrestimit të Ramush Haradinajt në Francë si rrjedhojë e urdhër arrestit të lëshuar nga Serbia. Haradinaj, kryeministri aktual i Kosovës, ishte pjesë e opozitës në atë kohë dhe akuzohej për krime lufte. Marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve kanë qenë të tendosura prej atëherë.

Një fazë e re?

Të dy presidentët, Hashim Thaçi i Kosovës dhe Aleksandar Vucic i Serbisë, u takuan në korrik të vitit 2017, në një takim joformal me përfaqësuesen e lartë të BE-së për punë të jashtme dhe politika të sigurisë, Federica Mogherini. Në atë takim pati pajtim që të kalohet në fazën e re të “normalizimit të marrëdhënieve, dhe pajtimit”.

Megjithatë, pak hollësi dihen për atë se çfarë përfshinë kjo fazë e re e dialogut ndërmjet dy fqinjve të Ballkanit Perëndimor, ndonëse veçori kryesore e saj është aluduar të jetë kalimi nga niveli kryeministror në atë presidencial.

Presidenti i Kosovës, duke përdorur prerogativa nga Kushtetuta, që i jep kompetencë për përfaqësimin e unitetit të popullit, së fundmi ka bërë thirrje për krijimin e një “ekipi të unitetit” për fazën e ardhshme të dialogut, e të cilën Thaçi e konsideron si fazë përfundimtare e cila do të përmbyllet me njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Serbia. Thaçi ka për qëllim të përfshijë në këtë ekip jo vetëm anëtarë të partive politike kosovare, por edhe akademikë e anëtarë të shoqërisë civile.

Në këtë fazë, gati të gjithë mendojnë se dialogu duhet të hyjë në një fazë tjetër, por askush nuk po arrin ta shpjegojë domethënien e fazës së re.

Përpjekjet e Thaçit nuk janë unike. Homologu i tij serb, Aleksandar Vucic, ka lansuar një fushatë të ngjashme të debatit të brendshëm me parti politike, në mënyrë që të diskutohet më haptaz për “fazën e re” të dialogut me Kosovën dhe për të garantuar më shumë unitet sa i përket “çështjes së Kosovës”. Në një koment të botuar në gazetën e përditshme serbe  “Blic”, Aleksandar Vucic argumentoi për nevojën për t’u përkushtuar në dialog në mënyrë që “të mos ua lënë këtë barrë pasardhësve të tyre”.

Megjithatë, Vucic është kritikuar nga opozita në Serbi, si dhe nga shoqëria civile serbe. Ka pasur aludime se ai është duke e prezantuar një qasje te rreme,  duke e përdorur këtë “debat të brendshëm” për ta justifikuar rolin e tij në fazën e ardhshme, dhe për ta forcuar kapjen e pushtetit në Serbi.

Ndërkohë, Bashkimi Evropian ka kërkuar vazhdimisht që Kosova dhe Serbia t’i përkushtohen dialogut. Brukseli e sugjeron dialogun si mënyrë për t’i përmirësuar marrëdhëniet fqinjësore dhe për të shtruar rrugën drejt integrimit evropian për të dy vendet. Kur u pezullua dialogu nga Kuvendi i Kosovës, BE reagoi duke deklaruar se një lëvizje e tillë nuk kontribuon në normalizimin e marrëdhënieve.

Megjithatë, aktualisht ka pothuajse mendime të përbashkëta se dialogu duhet të hyjë në një fazë tjetër, por askush nuk po arrin ta shpjegojë domethënien e fazës së re. Cilat do të jenë temat kyçe të dialogut? A ka afate të caktuara kohore? Këto dhe shumë pyetje tjera kanë mbetur pa përgjigje.

Pasiguri mbi unitetin

Me 14 shtator, presidenti Thaçi u prit nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) në një diskutim të hapur me anëtarë të shoqërisë civile, diplomatë dhe përfaqësues të mediave, lidhur me të ardhmën e dialogut për normalizim dhe pajtim me Serbinë.

Ndonëse presidenti foli për nevojën e konsensusit politik dhe shoqëror për fazën e ardhshme të bisedimeve, ai nuk i zbuloi hollësitë e tyre, përveç që deklaroi se “dialogu nuk ka alternativë”.

Marrëveshja e parë mes dy vendeve u nënshkrua në prill të vitit 2013, dhe u përshkrua si historike në atë kohë. Ajo i përfshinë 15 pika, prej të cilave më e rëndësishmja konsiderohet se është ajo ku garantohet krijimi i Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe. Asociacioni kundërshtohet nga shumë zëra të politikës kosovare dhe nuk është themeluar ende. Moszbatimi i marrëveshjeve të arritura në Bruksel  ka qenë kritikë tjetër e adresuar sa i përket dialogut dhe efektivitetit të tij, në vazhdimësi, dhe atë jo vetëm nga opozita.

Ndonëse të dy vendet po kërkojnë fronte më të unifikuara para takimeve në Bruksel, të dyja me sa duket po e kanë të vështirë t’i realizojnë.

Ndonëse kryeministri i ri, Ramush Haradinaj, së fundmi e ka mbështetur moton e Thaçit se dialogu nuk ka alternativë, ai më parë e quante dialogun si proces të dështuar që duhet të nis nga fillimi. Tre javë pas formimit të qeverisë aktuale të Kosovës, hapat e ardhshëm në dialogun me Serbinë mbesin të paqartë, ndërsa presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tani i ka kaluar disa muaj duke folur për një “fazë të re të dialogut dhe pajtimit’.

Ndonëse Thaçi po propozon krijimin e një ekipi të unitetit dhe po kërkon kohezion brenda spektrit politik kosovar, partitë opozitare si Lëvizja Vetëvendosje (LVV) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) rrallëherë janë pajtuar me presidentin sa i përket dialogut.

LDK-ja së fundmi është deklaruar kundër transferimit të dialogut në nivel presidencial, duke ngulur këmbë se kryeministri dhe qeveria duhet ta udhëheqin dialogun. Ndërkohë, Lëvizja Vetëvendosje, e cila fitoi më së shumti vota si parti në zgjedhjet e fundit, kishte opinion edhe më radikal, duke bërë thirrje për ta ndalur dialogun e për të caktuar parakushte për Serbinë, në të cilët përfshihen dëmshpërblimet e luftës dhe njohja e sovranitetit të Kosovës.

Më 29 shtator, në ngjarjen “Forum 2015”, që u organizua nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur dhe u fokusua në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, lideri i LVV-së, Albin Kurti, e përsëriti qëndrimin e tij që në vend se të zhvillojë dialog me Serbinë, partia e tij synon nisjen e dialogut me serbë të Kosovës për çështjet e tyre socio-ekonomike, duke e përjashtuar Serbinë nga çështjet e brendshme të Kosovës.

Ndonëse të dy vendet po kërkojnë fronte më të unifikuara para takimeve në Bruksel, të dyja me sa duket po e kanë të vështirë t’i realizojnë, ndërsa natyra e saktë e fazës së ardhshme të dialogut mbetet e fshehur dhe e mistershme. E, meqë as nuk është caktuar ndonjë datë për takimet e ardhshme, dialogu nuk duket se është në gjendje të mirë.

Foto kryesore: Atdhe Mulla / K2.0.