Kreu i Ushtrisë së Serbisë është burrë me të kaluar problematike. E ata që dënohen ose dyshohen për krime të luftës janë deputetë në parlamentin e Serbisë; mund t’i gjeni në pozita të larta të partive udhëheqëse. Zyrtarët më të lartë këshillohen nga kriminelët e luftës. Disa prej tyre janë ligjërues në Akademinë Ushtarake.
Ky është imazhi i Serbisë së sotme, më shumë se 20 vjet pas përfundimit të luftërave në Kroaci dhe Bosnjë, dhe gati 20 vjet prej fundit të luftës në Kosovë.
Gjatë luftës në Kosovë, gjeneral Ljubisa Dikovic ishte komandant i Brigadës së Motorizuar 37 të Ushtrisë së Jugosllavisë. Në zonën e përgjegjësisë së tij (zona e Drenicës), prej fundit të marsit e deri në mes të qershorit të vitit 1999, rreth 1,400 shqiptarë të Kosovës u vranë, e dhjetëra mijëra njerëz të tjerë u dëbuan.
Jo, ata nuk u vranë e nuk u dëbuan prej paramilitarëve dhe grupeve të jashtëligjshme të cilat nuk ishin nën kontrollin e Dikovicit. “Dosja Ljubisa Dikovic”, e përpiluar nga Qendra për të Drejtën Humanitare, përmban dokumente të cilat tregojnë se në kryerjen e këto krimeve morën pjesë pothuajse ekskluzivisht njësitet e policisë dhe ushtrisë. Njësitet e ushtrisë ishin të kontrolluara nga Dikovici, ndërsa ai bashkëpunonte me forcat policore.
Për shembull, më 19 mars 1999, në fshatin Izbicë në Komunën e Skenderajit, më shumë se 130 burra civilë shqiptarë të Kosovës u vranë në mënyrë brutale menjëherë pas arritjes së trupave serbe. Pjesa më e madhe e civilëve ishin të moshuar. Kishte edhe njerëz me aftësi të kufizuara në mesin e tyre. Ata u vranë nga policia, ndërsa brigada e Dikovicit e siguronte perimetrin.
Më pas, në prill të vitit 1999, në territorin që ishte nën komandën e Brigadës 37, ushtarët ushtruan dhunë në fshatin Çirez, ku njerëzit u persekutuan e gratë u përdhunuan. Gjashtë vajza dhe gra u vranë. Qindra civilë të tjerë u vranë e u bënë krime të tjera në fshatrat Shavarinë, Baks dhe Vërboc.
Pa dyshim brigada e Dikovicit mori pjesë në veprime në fshatrat Rezallë dhe Çikatovë e Vjetër, ku 68 civilë u vranë në vitin 1999. Kjo tregohet nga urdhërat për sulm dhe raportet e betejave të zhvilluara nga kjo brigadë në atë periudhë. Trupat e 47 viktimave nga këto dy krime, përkrah trupave të pesë viktimave të tjera nga Zabeli i Epërm dhe Gllanasella, u gjetën në fillim të vitit 2014 në një varrezë masive në Rudnicë, afër Rashkës, ku gjindeshin barakat kryesore të Brigadës 37. Përveç kësaj, ekziston një dokument policor që dëshmon se anëtarët e një departamenti të brigadës së Dikovicit i kishin në posedimin e tyre trupat e viktimave të Rezallës disa ditë pas vrasjeve.
E thënë shkurt, Gjeneral Ljubisa Dikovic sot është shef i stafit në Forcat e Armatosura Serbe.
Partneri i tij në fushëbetejë, Bozidar Delic, ish-komandant i Brigadës 549 të Ushtrisë së Jugosllavisë, në zonën e përgjegjësisë të të cilit u vranë rreth 2,200 civilë, përfshirë këtu një numër të madh të cilët u vranë gjatë veprimeve ushtarake, sot është deputet në Parlamentin e Serbisë, si anëtar i Partisë Radikale Serbe. Presidenti i kësaj partie nacionaliste është Vojislav Seselj, i akuzuar në Hagë, dhe njeriu i cili bëri thirrje për të kryer krime në luftërat në Kroaci dhe Bosnjë e Hercegovinë, dhe i cili gjithashtu rekrutoi vullnetarë dhe shkoi në fushëbetejë për të kryer krime. Ai poashtu ka ulëse në Parlamentin e Serbisë.
Për më tepër, ish-oficeri i Trupave të Prishtinës nga radhët e Ushtrisë së Jugosllavisë, Momir Stojanovic, i cili sipas raporteve të dëshmitarëve e urdhëroi dhe udhëhoqi operacionin Reka në të cilin 350 burra shqiptarë të paarmatosur u vranë në fshatrat Mejë dhe Korenicë të komunës së Gjakovës, ishte deri vonë deputet i Partisë Progresive Serbe, por edhe kreu i Kommitetit Parlamentar të Kontrollit të Shërbimeve të Sigurisë. Së fundmi është grindur me progresivët dhe e ka themeluar partine e tij, duke u bërë pjesë e opozitës. Ai jeton dhe punon në paqe, ndonëse është ngritur një padi kundër tij në Kosovë për krime të kryera në Mejë dhe Korenicë, në bazë të së cilës Interpoli kishte lëshuar një urdhër të kuq kundër tij.
Në radhët e larta të Partisë Progresive Serbe është Goran Radosavljevic Guri, i cili është akuzuar për përfshirje në transportim të kufomave të civilëve shqiptarë nga Kosova në Serbi, por edhe për vrasje të Mehmet, Agron dhe Yll Bytyqit, vëllezërit të cilët u arrestuan nga policia serbe pasi e kishin kaluar gabimisht kufirin që ndanë Kosovën dhe Serbinë, në përpjekje për ta ndihmuar një familje rome për të kaluar në Serbi. Guri ishte oficer i lartë policor i cili gjatë luftës në Kosovë ishte kreu i forcave operative policore, dhe i cili e udhëheqi sulmin në fshatrin Reçak në janar të vitit 1999.
Partia e dytë udhëheqëse – Partia Socialiste e Serbisë – në bordin qendror të saj e ka një kriminel të luftës i cili nuk është i dyshuar apo akuzuar, por i fajësuar. Ish-Presidenti i qeverisë së Republikës Federale të Jugosllavisë, Nikola Sainovic, ishte në burg për 18 vjet, pasi u dënua për pjesëmarrje në ndërmarrjen e përbashkët kriminale që kishte për synim dëbimin e përhershëm të popullsisë shqiptare nga Kosova në vitin 1999.
Kolegu i tij në këtë padi, ish-komandanti i Trupave të Prishtinës nga radhët e Ushtrisë Jugosllave, Vladimir Lazarevic, pasi qëndroi në burg për 14 vjet për krime të kryera kundër shqiptarëve të Kosovës, erdhi në Serbi nëpërmjet një aeroplani qeveritar dhe u prit si hero në prani të ministrave dhe zyrtarëve të lartë. Sot ai është ligjërues në Akademinë Ushtarake, meqë Ministria e Mbrojtjes beson se përvoja e tij luftarake – të cilën shumëkush do ta quante kriminale – ka vlerë shumë të madhe.
Në vitet e fundit, qeveria ka nderuar edhe kriminelë të tjerë të luftës. Momcilo Krajisnik, president i Parlamenti serbo-boshnjak gjatë kohës së luftës, i cili ishte në burg për 20 vjet për dëbim, deportim dhe transferim me forcë të civilëve boshnjakë dhe kroatë gjatë luftës në Bosnjë dhe Hercegovinë, në prill të vitit të kaluar e prezantoi libirn e tij në Qendrën Rinore, që ndodhet në Beograd dhe është institucion publik i Qytetit të Beogradit.
Një tjetër kriminel i lutës, një ish-oficer i Ushtrisë Kombëtare Jugosllave, Veselin Sljivancanin, pasi i kaloi 10 vjet në burgun e Hagës, u angazhua në promovimin e ideve dhe politikve të Partisë Progresive udhëheqëse, si pjesë e të cilave ai rregullisht flet në ngjarje publike. Ai u dënua për torturim të më shumë se 200 kroatëve të kapur në Vukovar në nëntor të vitit 1991; këto viktima pastaj u vranë në një pronë bujqësore në Ovcar, në periferi të qytetit.
Përfaqësuesit e Nismës së të Rinjve për të Drejtat e Njeriut protestuan kundër dhe i penguan paraqitjet e mëdha mediale në të cilat morën pjesë Krajisnik dhe Sljivancanin. Në të dy rastet ata u sulmuan fizikisht, dhe sulmuesit nuk u dënuan.
Këto mund t’i shohim me sytë tanë. E strukturat më të ulëta të ushtrisë dhe shërbimeve të sigurisë? Tash e disa vjet, Qendra për të Drejtën Humanitar ka dërguar kërkesa në Minisrinë e Mbrojtjes dhe Ministrinë e Brendshme, duke pyetur për vendndodhjet dhe aferat e njerëzve të cilët nga hulumtimet e kësaj organizate janë identifikuar si pjesëmarrës apo bashkëfajtorë në raste të vrasjes, dëbimit, burgimit, abuzimit dhe krimeve tjera të luftës. Në 90 për qind të rasteve, ata kanë mbetur në pozita të shërbimit shtetëror pas luftës, madje shpeshherë edhe janë ngritur në pozitë; në rastet më të këqija, ata dolën në pension qetësisht, ose janë ende në postet të cilat i mbajtën gjatë luftës.
Në fund të fundit, edhe e kaluara luftarake e presidentit serb, Aleksandar Vucic, nuk është shumë e pastër.
Nuk ka të dhëna për pjesëmarrjen e tij në krime, por dimë se gjatë të ‘90-ave ai kishte vizituar fushëbeteja në Bosnjë e Hercegovinë dhe në Kroaci, si dhe kishte bërë kërcënime me vdekje nga posti i kryetarit të Parlamentit. Ai deklaroi “do t’i vrasim nga 100 muslimanë për çdo serb të vrarë”, si dhe u bëri thirrje serbëve të Krajinës që të vazhdojnë kryengritjen e armatosur kundër Kroacisë. Gjithashtu avokoi për Serbinë e Madhe me kufi në Ogulin, Karlobag, Karlovac dhe Viroviticë, ide e formuluar më parë nga babai i tij politik, Vojislav Seselj.
Ndërkohë, Vucic i ka ndryshuar politikat e tij, të paktën në nivel deklarativ. Ai tani avokon për integrim në BE dhe predikon paqe e stabilitet. Megjithatë, asnjëherë nuk ka dhënë një qëndrim të qartë sa i përket të kaluarës së tij luftarake, duke pretenduar se thirrjet e tij për konflikt u morën jashtë kontekstit, ose se nuk i kishte thënë kurrë. Është e padiskutueshme që ai ka pranuar politika të reja, por është problematike që nuk ka hequr dorë nga politikat e vjetra të tij.
Kjo ecje nga maja deri në themelet e piramidës mund të zgjasë përherë, dhe prapëseprapë do ta gjenim dikë që ka marrë pjesë në luftërat e të ‘90-ave, qoftë në mënyrë direkte apo indirekte. Situata është pak më mirë në shtetet fqinje, por Serbia është helmuar më së shumti nga lufta (dhe personeli kriminal). Në fund të fundit, ky ishte i vetmi vend që mori pjesë në tri luftëra, prandaj e ka personelin e luftës aq të stërngarkuar.
Serbia asnjëherë nuk ka bërë hapa drejt spastrimit të strukturave ushtarake dhe policore për ta larguar personelin e kompromentuar të luftës, e kjo është një prej arsyeve kyçe për dështimin e procesit të drejtësisë tranzicionale.
Me njerëz të moshuar brenda sistemit politik, dhe veçanërisht në ushtri dhe polici, është e pamundur të zbatohet një mekanizëm i vetëm i drejtësisë tranzicionale – hetimet për krime të luftës sigurisht nuk do të drejtohen nga ata të cilët duhet të hetohen parimisht; reformat institucionale nuk do të zbatohen nga ata të cilët do t’i humbnin vendet e punës nga ky proces; viktimat nuk do t’i çmojnë ata që i bënë viktima.
Me gjithë këto, ekziston një sllogan publik që thotë se duhet të kthehemi nga e ardhmja, ndërsa të kaluarën ta harrojmë e ta lëmë për historianët. Pikërisht në këtë mënyrë i mbrojmë më shumë ata që morën pjesë në luftëra dhe kriminelët e luftës brenda qeverisë. Kështu nuk ka drejtësi për viktimat. Kjo është nënyra e përkryer për ta mbushur rezervoarin me derivatet më të ndyra për konfliktet e reja në Ballkan.
Foto kryesore: Majlinda Hoxha / K2.o.