Madina ishte gjashtëvjeçare. Në orët e mbrëmjes së 21 nëntorit, me nënën dhe katër vëllezërit e motrat e saj, ajo e kaloi një pjesë të pakontrolluar të kufirit me Serbinë dhe hyri në Kroaci. Ata ecën për dy apo tri orë deri sa arritën në një zonë e populluar. Të rraskapitur dhe të ngrirë, u ulën në një park për të pushuar. Siç e mbajnë mend, aty u takuan me disa policë kroatë, të cilët e morën familjen me furgon dhe e çuan përsëri te kufiri serb.
Nëna e saj foli kot kur i kërkoi policisë që të paktën t’i linin të qëndronin në stacion deri në mëngjes. Në atë natë të ftohtë dhe të errët, bashkë me dy burra të tjerë, i nxorën nga furgoni në vendin ku hekurudha e kalon kufirin.
Ky vend njihet në mesin e refugjatëve dhe vullnetarëve si pikë e dëbimit sistematik dhe shpeshherë brutal të personave fatkeq të cilëve u mohohet e drejta ligjore për të kërkuar azil në Republikën e Kroacisë. Është hekurudhë aktive dhe funksionale në të cilën kalojnë trena çdo ditë.
Njëri prej atyre trenave e mbyti Madinën. Jo larg prej vendit të aksidentit, thuhet se policia e shikoi duke vdekur, disa minuta pasi e urdhëroi familjen të ecnin përgjatë hekurudhë drejt Shidit.
Vdekja e Madinës, një prej shtatë vdekjeve të refugjatëve të regjistruara në vitin 2017 në kufirin serbo-kroat, me gjasë do të ishte parandaluar po të mos ishte heshtja mediale – për shkak të saj, lajmet si ky as që janë transmetuar për publikun kroat vitin e kaluar.
Siaps të dhënave të UNHCR-së, vitin e kaluar policia kroate i ka dëbuar në mënyrë të paligjshme në Serbi gati 3,000 njerëz. Është e pamundur të vlerësohet numri i dëbimeve në Bosnjë e Hercegovinë dhe në Mal të Zi.
Në mesin e tyre kishte familje me fëmijë të vegjël, persona me aftësi të kufizuar, gra, persona të moshuar, por edhe burra, të diskriminuar dyfish për shkak të idesë cinike që ata nuk kanë të drejtë të kërkojnë shpëtim – se ata “duhet të kishin qëndruar në vendlindje për të luftuar”, pa marrë parasysh se kanë mbetur pa shtëpi për një kohë të gjatë.
Të gjithë erdhën në Kroaci duke shpresuar ta ushtrojnë të drejtën e tyre ligjore për të kërkuar azil në Bashkimin Europian. Në vend të kësaj, shumë prej tyre u plaçkitën, u rrahën dhe u dëbuan në po atë hekurudhë ku u mbyt Madina.
Ndërsa ti po e lexon këtë artikull, ka shumë gjasa që policia kroate po i thotë dikujt: “S’ka azil për ty!” ose “Kthehu në Serbi!” Është gjithashtu mjaft e mundur që paratë apo telefoni i atij personi ka përfunduar në xhepat e uniformës së kaltër të një personi tjetër.
Situata bëhet edhe më e keqe për shkak se procedura dikton se refugjatët duhet të kërkojnë azil në stacionin më të afërt policor pas hyrjes në territorin kroat. Në praktikë, rastet e tilla tepër shpesh kanë rezultuar me dhunë dhe trajtim poshtërues, dhe në fund, dëbim të paligjshëm nga vendi.
Azilkërkuesit e gjejnë veten në një situatë paradoksale, në të cilën hyrja ligjore në Kroaci është e ndaluar, dhe kalimi i paligjshëm trajtohet si krim, edhe pse sipas ligjit vendor dhe ndërkombëtar, ky nuk duhet të jetë faktor rëndues i kërkimit të azilit.
Edhe nëse arrijnë ta kalojnë kufirin, refugjatët mund të mos shkojnë në polici për shkak të frikës nga dëbimi jashtë shtetit, e kjo pastaj i shtyn edhe më larg mekanizmave ndërkombëtarë të mbrojtjes, në duart e kontrabanduesve, rrjeti i të cilëve është shumë i fuqishëm në rajonin e ish-Jugosllavisë.
Në përpjekje për t’u ndihmuar refugjatëve gjatë kërkimit të azilit, vullnetarët filluan t’i përcjellin në mënyrë të organizuar deri në stacione të policisë. Prania e mbikëqyrësve vullnetarë e ka zvogëluar në mënyrë efektive praktikën e trajtimit të paligjshëm policor, por vetëm në Zagreb (qytet në të cilin arrijnë pak refugjatë) dhe në disa raste në qytete të tjera ku njerëzit janë të gatshëm t’i kalojnë disa orë duke u shtyrë me policë.
Në zonën kufitare ndërmjet Serbisë dhe Kroacisë, afër qytetit Shid, qindra refugjatë po mundohen ta kalojnë kufirin çdo ditë për të kërkuar azil në BE. Foto: Nidzara Ahmetasevic.
Garantimi i të drejtës për qasje në territor dhe mbrojtje ndërkombëtare është mandati primar i UNHCR-së. Dega kroate e UNHCR-së, me seli në Zagreb, gjithashtu i përcolli azilkërkuesit në stacione policore. Kjo praktikë u ndal pasi policia filloi t’i kapte refugjatët para dyerve të ndërtesës së UNHCR-së dhe t’i dëbonte jashtë vendit. Veturat e policisë, të cilat vazhdimisht janë të parkuara para hyrjes së ndërtesës së UNHCR-së, tani po i dekurajojnë azilkërkuesit potencialë, të cilët nuk po i qasen kësaj organizate ndërkombëtare.
Ndërkohë, UNHCR-ja e ka transferuar Qendrën Ligjore Kroate (Croatian Legal Center – CLC), aktivitetin e informimit të refugjatëve për mundësinë e kërkimit të azilit. Kjo qendër e ka gjithashtu për detyrë të garantojë disponueshmërinë e mekanizmave ndërkombëtarë të mbrojtjes. Punëtorët e CLC-së u përgjigjen refugjatëve vetëm gjatë orarit të rregullt të punës, ndonëse një numër i madh i azilkërkuesve potencialë hyn në vend gjatë fundjavës ose pas mesnatës, duke mbetur kështu krejtësisht të pambrojtur.
Dyert e BE-së të mbyllura
Çdo ditë, këta njerëz nuk përjetojnë mundime vetëm në kufij, por edhe në qendër të Zagrebit dhe në qytete të tjera në zemër të këtij shteti. Ndërkohë, publiku kroat jeton me iluzionin se nuk ka më refugjatë në vendin e tyre.
Mbyllja formale e kufijve në mars të vitit 2016 u interpretua nga shumica e painformuar si “kapitulli përfundimtar” dhe kthimi në “jetën normale”. Kujtimet e tyre ishin plot me imazhe pozitive të Kroacisë si shtet i cili u ka ofruar refugjatëve transport të organizuar dhe pa pagesë nëpër territorin e tij, qytetarët e të cilit nxituan në kampe tranziti për të dhënë ujë, ushqim dhe veshëmbathje për ata të cilët e gjetën veten aty.
Në atë kohë, mbështetja e refugjatëve me sa duket u bë çështje e krenarisë kombëtare – një shtet i cili gjithashtu kishte vuajtur nga lufta, Kroacia, tani kishte mundësinë për të treguar zemërgjerësinë dhe për t’u dëshiruar atyre fat në rrugën drejt Austrisë dhe Gjermanisë, me buzëqeshje në fytyrë. Atëherë nuk përmendej fort mundësia për të kërkuar azil në Kroaci, dhe në një situatë të kaosit dhe ngazëllimit të përgjithshëm, nuk dyshuam në strategjinë e transferimit të problemeve te shtetet më të pasura perëndimore.
Kjo sidomos nuk u mor në kontekstin e dhunës shokuese që nisi të shpërthente në kufirin hungarez me Serbinë. Këtë dhunë ne e kopjojmë sot si vëllau i ri dhe i frustruar duke i mbrojtur kufijtë e Bashkimit Europian me pendrekë e çizme të policëve. Kjo dhunë kryhet nga po ata policë të cilët u dhanë bonbonë e ujë moshatarëve të Madinës në vitin 2015.
Kujt duhet t’ia mveshim këtë ndryshim dramatik në trajtimin e refugjatëve nga policia kroate? Çka ka ndryshuar nga vera e vitit 2015 deri në dimrin e vitit 2017?
Në varrezat e vogla në Shid janë të varrosur katër refugjatë, duke përfshirë këtu gjashtëvjeçaren Madina Hussiny e cila vdiq në hekurudha më 21 nëntor. Foto: Nidzara Ahmetasevic.
Në nivel botëror ende ka luftëra, dhe numri i refugjatëve po rritet proporcionalisht. Megjithatë, në nivelin europian pothuajse gjithçka ka ndryshuar. Politika e kufijve të hapur u zëvendësua me tregti bilaterale me fate të njerëzve.
Marrëveshja famëkeqe ndërmjet Europës dhe Turqisë i dha gjashtë miliardë euro regjimit të Erdoganit në shkëmbim për zvogëlimin e numrit të njerëzve të cilët arrijnë në ishujt grekë me anije të vogla, duke i lënë miliona refugjatë në një shtet që ua pamundëson qasjen në arsim dhe shëndetësi dhe strehim adekuat, ndërsa fëmijët shpeshherë detyrohen të punojnë në fabrika të paligjshme për t’i ushqyer familjet e tyre.
Në Turqi aktualisht janë rreth 3.4 milionë refugjatë të regjistruar. Në bazë të marrëveshjes ndërmjet BE-së dhe Turqisë, vetëm rreth 11,000 prej tyre janë transferuar në Europë. Ndërkohë, u arrit edhe një marrëveshje e ngjashme e cila parandalon lundrimin drejt BE-së ndërmjet Italisë dhe Libisë, ku aktualisht janë të regjistruar ligjërisht rreth 800,000 refugjatë. Si në rastin e Turqisë, numri real është shumë më i madh.
Raportet e organizatave ndërkombëtare tregojnë shpërfillje sistematike, torturim e madje edhe vrasje të refugjatëve në Libi, ndërsa mediat botërore së fundmi publikuan video që shfaqnin refugjatë nga pjesët e jugut të shkretëtirës Sahara duke u shitur në tregje të skllavëve.
Nga pikëpamja humanitare, eksternalizimi i problemit solli një përkeqësim dramatik të kushteve në të cilat e gjejnë veten këto viktima të luftës, të varfërisë e të persekutimit politik, të refuzuar shumë pranë Bashkimit Europian. Nga pikëpamja burokratike e BE-së, të dy marrëveshjet u shpallën si të suksesshme për shkak të numrit të reduktuar të refugjatëve të ri, duke i shpërfillur kushtet në të cilat i kemi lënë ata.
Dy kufijve të pamerituar ujorë iu bashkua vitin e kaluar edhe kufiri tokësor.
Heshtja e mediave
Pas mbylljes zyrtare të Rrugës së Ballkanit, Kroacia dhe Hungaria e morën përsipër detyrën e dëbimit të azilkërkuesve potencialë nga zona e Bashkimit Europian. BE-ja vendosi t’i shpërfillë metodat e paligjshme të cilat u përdorën në këtë proces si dhe disa tregues të tjerë të fashizimit të shpejtë të të dy shoqërive.
Trajtimit jonjerëzor të refugjatëve i kontribuoi pjesërisht ndryshimi i qeverisë në Kroaci, ku qeveria social-demokratike e cila u deklarua si pro-refugjatëve, u zëvendësua nga një koalicion popullist të krahut të djathtë i cili e udhëhoqi fushatën zgjedhore duke përhapur ksenofobi dhe frikë nga terrorizmi, si dhe duke paralajmëruar mbylljen e kufijve.
Kjo retorikë u fuqizua nga deklaratat publike të presidentes së shtetit Kolinda Grabar Kitaroviq; deri më tani ajo ka shfaqur shpërfillje të vazhdueshme për refugjatët, ku veçohet gjykimi i saj famëkeq se i kemi pranuar refugjatët e gabuar.
Në një kontekst të tillë politik, “mos fol kundër shtetit tënd” është bërë sllogani i redaktorëve të cilët filluan të raportonin për çështjen e refugjatëve kryesisht nëpërmjet kumtesave për media të atyre që janë në pushtet. Raportet për shkeljen e të drejtave themelore të refugjatëve, duke përfshirë këtu të drejtën e patjetërueshme për të jetuar, vështirë se kanë arritur të depërtojnë në mediat e mëdha.
Ndonëse redaktorët e disa mediave kroate janë përpjekur ta ndalin lajmin për Madinën, zërat e vullnetarëve dhe dëshmitë e hollësishme të njerëzve kanë filluar të marrin vrull në rrjete sociale. Ndërkohë, raportet e mediave të huaja prestigjioze si The Guardian këtë herë janë bërë më të zëshme se heshtja lokale.
Një nga një, mediat kroate ngadalë filluan të raportojnë për këtë tragjedi. Ato më të guximshme filluan ta mbështesin tregimin e familjes dhe të vullnetarëve para versionit të policisë për këtë ngjarje. Policia shtetërore kufitare u përshkrua në mënyrë hipokritike si shpëtimtare e familjes së Madinës. Në fund, Televizioni N1 publikoi raportin e plotë të së ëmës e cila e ndriçoi gjithë rastin, duke e implikuar seriozisht policinë kroate.
Vdekja e një vajze të pafajshme e ka tërhequr për një kohë të shkurtër vëmendjen e publikut kroat, duke e kthyer atë drejt tmerrit i cili po ndodh në kufijtë tanë, drejt tmerrit i cili po ndodh disa kilometra larg Vukovarit, prej ku ikën gratë, fëmijët dhe burrat gjatë viteve të nëntëdhjeta, të etiketuar me stigmën e atyre të cilët nuk kanë të drejtë të kërkojnë shpëtim, duke ikur drejt sigurisë që ofrojnë Austria dhe Gjermania.
Fotografia e vitit 1991 e vajzës së Vukovarit duke qarë, e veshur me një palltë të kaltër, fotografia e trupit të pajetë të Alan Kurdit nga viti 2015, dhe tani fotografia e Madinës, janë simbole të fuqishme të tragjedisë së mijëra viktimave të papërmendura ndaj vuajtjes së të cilave Europa nuk ka reaguar, ose nuk ka dashur të reagojë.
Gjatë atyre viteve të luftës, kroatët të nervozuar shikonin drejt Bashkimit Europian, duke shpresuar se ai do të na ndihmonte disi, ndërsa sot jemi kufiri i tij, dhe po i parandalojmë disa viktima të reja të luftës, duke mos i lënë të gjejnë siguri në tokën europiane.
Dëbimet e dhunshme nga Kroacia kanë vazhduar edhe pas vdekjes së Madinës. Vetëm nëse ngulim këmbë për përgjegjësinë shtetërore mund t’i parandalojmë tragjeditë në të ardhmen. Me ndihmën e vullnetarëve, familja e Madinës dorëzoi një ankesë penale në Zyrën e Përfaqësuesit Ligjor Shtetëror të Republikës së Kroacisë. A do të tregojë Kroacia gatishmëri t’i ndjekë penalisht autorët e krimit?
Foto kryesore: Nidzara Ahmetasevic / K2.0.