Chiayo Kuo i shpjegon planet ambicioze të saja për pavarësinë digjitale të Kosovës gjatë një bisede në Skype, duke folur nga Tajpei. Normalisht ajo jeton në qendër të Prishtinës, por për një kohë të shkurtër është kthyer në vendlindjen e saj në Tajvan, për të mbledhur fonde për nismën e saj të re. Së shpejti, ajo do të fluturojë për 17 orë për t’u kthyer në Kosovë e për ta vazhduar punën në projektin e saj. Objektivi i saj? Një domen për shtetin e Kosovës.
Kuo shpjegon se një domen i nivelit të lartë – si .de e Gjermanisë apo .it e Italisë – është hap jetik për njohjen ndërkombëtare të Kosovës. Prandaj ajo e krijoi një grup i cili i përkushtohet kauzës së lobimit tek organizatat, diplomatët dhe ligjvënësit ndërkombëtarë. Por si u bë një tajvaneze 26 vjeçare promovuese e një çështjes teknologjike të Kosovës që është relativisht e panjohur në Ballkan? Të nisim nga fillimi.
Chiayo Kuo, një 26 vjeçare nga Tajvani, është një prej aktivisteve që kanë bërë thirrje për pavarësinë digjitale të Kosovës. Foto nga Chiayo Kuo.
Është viti 2008. Kosova feston shpalljen e pavarësisë së saj. Disa mijëra kilometra larg, në Tajpei, një nxënëse 16 vjeçare e shkollës së mesme i sheh lajmet e përqendruar. Së fundmi ajo ka lexuar librin fantashkencë “Death One”, i shkruar nga autorja e Hong Kongut, Zita Law. Një kapitull në këtë libër shtjellon një ngjarje në Kosovë – një gjë e rrallë në traditën e letërsisë së Azisë lindore.
“U magjepsa menjëherë nga përshkrimet e peizazheve dhe kulturës. Madje në shkollë e shkrova një ese, e frymëzuar nga Kosova”, kujton Kuo. “I premtova vetës se do ta vizitoja një ditë këtë vend”.
Kuo u rrit dhe vijoi studimet në një universitet në Tajpei, por imazhi i Kosovës mbeti i gjallë në mendjen e saj. Në vitin 2014, fitoi bursë për një program masters në Universitetin e Budapestit, në drejtimin e administrimit të politikave publike. Pas diplomimit, ajo udhëtoi nëpër Ballkanin Perendimor, vetëm për ta parë më në fund vendin e ëndrrave të adoleshencës së saj.
“Më kujtohet kur erdha në mesnatë, përshtypja ime e parë ishte ‘Ua, sa shumë dyqane për fustane dasmash’”, thotë Kuo duke qeshur. “Të nesërmen vendosa se do të kthehem prapë”.
“E kuptova se mund ta përdorja përvojën time për ta gjetur një mënyrë për t’i ndihmuar Kosovës dhe për ta ndërtuar një urë ndërmjet saj dhe Tajvanit."
Chiayo Kuo
Si një grua që vepron, Kuo u kthye në Tajvan dhe filloi t’i punonte dy punë për të mbledhur para për t’u kthyer. Një nga këto punë ishte në qendrën e inovacionit në Universitetin Kombëtar të Tajvanit. Nga kjo punë fitoi përvojë të drejtpërdrejtë në sektorin dinamik të bizneseve të reja teknologjike në Tajpei dhe aty iu bë menjëherë e qartë rëndësia e infrastrukturës funksionale digjitale dhe lidhjet botërore të saj. Nga këtu filloi të zhvillohej një plan.
“Tajvani është një prej shteteve më të avancaura teknologjikisht”, thotë Kuo. “E kuptova se mund ta përdorja përvojën time për të gjetur një mënyrë për t’i ndihmuar Kosovës dhe për ta ndërtuar një urë ndërmjet saj dhe Tajvanit”.
Kuo i punoi dy ndërrime të njëpasnjëshme në Tajpei, por ngjashëm ishte i zënë dhe Kreshnik Gashi në Prishtinë. Si kreu i Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP), ai ishte përballur me detyrën e rëndësishme për ta mbyllur marrëveshjen për prefiksin kombëtar telefonik.
“Përderisa disa çështje mbesin të pazgjidhura, pavarësia digjitale nuk mund të ndodhë plotësisht. Ky është hap i rëndësishëm për shtetësinë tonë.”
Kreshnik Gashi
Fillimisht u themelua në Marrëveshjen e Brukselit 2013 me Serbinë, e më vonë u ritheksua në marrëveshjen teknike të vitit 2015, por telefonata e parë me prefiksin e Kosovës +383 u bë në vitin 2017. Gjatë asaj kohe çështja e domenit ishte në tryezën e ARKEP, por kishte pak kohë apo burime të mbetura për të. Por me zgjidhjen e çështjes së prefiksit, kjo situatë mund të ndryshojë.
“Kemi qenë shumë të zënë me marrëveshjen e telekomit, por aktualisht jemi duke negociuar për çështjen e domenit”, thotë Gashi. “Përderisa disa çështje mbesin të pazgjidhura, pavarësia digjitale nuk mund të ndodh plotësisht. Ky është hap i rëndësishëm për shtetësinë tonë”.
Përderisa prefiksi telefonik ishte në fokus të rrjedhës së përgjithshme, në syrin publik domeni ka mbetur si çështje e vogël. Në fakt, shumë qytetarë nuk janë të vetëdijshëm se Kosovës i mungon një domen shtetëror. Por kjo çështje ka implikime të cilat shkojnë përtej sferës teknike.
Nëse keni vizituar ndonjëherë një uebfaqe kosovare, mund ta keni dalluar se pothuajse të gjitha përfundojnë me .com apo .net. Kjo vlen për kompani private, organizata të shoqërisë civile dhe për vet qeverinë. Këto domene gjenerike të nivelit të lartë normalisht përdoren nga organizatat dhe kompanitë të cilat nuk asociohen me ndonjë shtet të caktuar.
Për dallim prej tyre, domenet e nivelit të lartë dhe me kod shtetëror janë të bazuara në një shtet apo territor specifik. Përderisa shtetet tjera mund ta shfaqin origjinën gjeografike të uebfaqeve të tyre nëpërmjet mbarimit të domenit, kosovarët detyrohen të blejnë emra të domenit nga regjistrat ndërkombëtarë. Provoni ta shkruani ndonjë adresë me .ks në fund dhe nuk do të gjeni thuajse asgjë.
Emrat e domeneve të cilat mbarojnë me .com dhe janë ende në dispozicion për t’u blerë mund të kushtojnë më së paku 10 dollar amerikan (rreth 8 euro) në vit, por emrat më tërheqës zakonisht janë të zënë. Pronarët e uebfaqeve kosovare duhet të garojnë në tregun e domeneve ndërkombëtare për të blerë adresa – dhe emrat më të mirë rrallëherë gjinden me çmime të lira; domeni me emrin kosovo.com aktualisht është në shitje për një vlerë të majme 750,000 dollar amerikan (rreth 630,000 euro).
Kur algoritmet e Google e marrin parasysh lokacionin tënd, ka më shumë gjasa që rezultatet lokale të mbulohen nga rezultatet e shteteve tjera në google.com.
Kështu mirëmbajtësit e uebfaqeve kosovare duhet të pranojnë adresa të ndërlikuara të uebfaqeve me viza ndarëse dhe akronime si për shembull, uebfaqet e qeverisë së Kosovës i përdorin disa alternativa, përfshirë këtu rks-gov.net dhe mfa-ks.net.
Kjo e dëmton legjitimitetin e autoriteteve sa i përket funksionit të tyre si burim zyrtar për qytetarët dhe turistët. Ndërsa bizneset private dhe OJQ-të i parandalon të kenë brendim efektiv, për shkak se adresat e ndërlikuara të uebfaqeve përdoren më vështirë si vegël e marketingut.
Në anën tjetër, një domen kombëtar i nivelit të lartë do t’i mundësonte shtetit të Kosovës ta kontrollonte regjistrin – përfshirë këtu të hyrat nga shitjet. Ky burim i të hyrave nuk është i papërfillshëm; larg saj. Disa ishuj më të vegjël në Oqeanin Paqësor i mbajnë ekonomitë e tyre gjallë falë të hyrave nga shitjet e emrave të domenit.
Një shembull tjetër më afër Kosovës është Mali i Zi, i cili ka fituar mbi 20 milion euro nga emrat e domenit prej vitit 2008. Ndonëse domeni i tyre .me mund të jetë rast i veçantë për shkak të përshtatjes natyrale për bizneset anglisht-folëse – about.me është një shembull tipik i kësaj se edhe domeni .ks mund të jetë tërheqës. Emrat e domenit si stoc.ks apo truc.ks mund të sjellin fitim në ankande, duke u bërë rrjedhë e qëndrueshme e të hyrave e cila kërkon shumë pak mund për t’u mirëmbajtur.
Një çështje tjetër është optimizimi i programeve të kërkimit (search engine optimisation – SEO) – vegël jetike për bizneset në ditët e sotme. Normalisht Google i renditë uebfaqet lokale më lartë për ta përmirësuar relevancën për përdoruesit e tij. Megjithatë, për shkak se përdoruesit e internetit në Kosovë e përdorin domenin inekzistent google.ks, ata drejtohen tek versioni ndërkombëtar. E përderisa algoritmet e Google e marrin parasysh lokacionin tënd, ka më shumë gjasa që rezultatet lokale të mbulohen nga rezultatet e shteteve të tjera në google.com.
Kjo do të thotë se uebfaqet kosovare e kanë më të vështirë të renditen në faqen e parë të rezultateve të kërkimit në Google dhe kështu duhet të pajtohen me paraqitje në faqen e dytë apo tretë. Siç thotë një hajgare e njohur, vendi më i mirë për ta fshehur një trup të vdekur është pikërisht pas faqes së parë të Google. Por kjo situatë nuk është ideale për bizneset të cilat kërkojnë ekspozim.
Ligjërisht, mungesa e domenit shtetëror të Kosovës i paraqet disa probleme. Për shembull, pretendimet ligjore kundër uebfaqeve kosovare të cilat mbarojnë me .com mund të bien nën jurisdiksionin e SHBA-së, për shkak se kompania e cila e drejton regjistrin, Verisign, është e bazuar në Virginia. Në vitin 2012, prokurorët amerikan e mbyllën me sukses një uebfaqe kanadeze të basteve e cila kishte domen .com. Ndonëse domeni kombëtar nuk nënkupton mundësi për të ndërhyrë në përmbajtje online, ai do ta mundësonte gjykimin e konflikteve në gjykata kosovare, e jo amerikane.
Por mbi të gjitha është çështje politike. Në strukturën aktuale, Kosova gjeografikisht dhe formalisht është ende nën domenin serb, .rs. Përderisa Kosova vazhdon të luftojë për vendin e saj ndërkombëtar, një domen shtetëror do të nënkuptonte njohje në sferën digjitale.
PrapFusnota.ks
Në vendlindjen e saj në Tajpei, Chiayo Kuo merrte shënime mbi problemet teknologjike të Kosovës. Kur mbledhi para të mjaftueshme për t’u kthyer në Evropë, ajo e themeloi një organizatë: Shoqata e Shkëmbimit Kulturor ndërmjet Tajvanit dhe Kosovës. Ndonëse në fillim baza e anëtarësimit ishte mjaft e vogël – “Më duket se jam e vetmja tajvaneze në vend”, thotë ajo duke buzëqeshur – ambiciet ishin më të mëdha. Në shtator 2017, Kuo më në fund u bë banore e Kosovës, e gatshme për të punuar.
Nisma e parë e saj ishte themelimi i grupit Domain For Kosovo. Ata e hapën një faqe në Facebook për ta vlerësuar interesimin në mesin e publikut të përgjithshëm. Reagimi ishte pozitiv: Disa vullnetarë prej vendeve të ndryshme të Kosovës iu bashkuan nismës. Doli se shumë nxënës të shkollave të mesme dhe studentë të universiteteve ishin veçanërisht të pasionuar për domenin kosovar. Objektivi i tyre ishte i qartë: marrja e një domeni kombëtar të nivelit të lartë për Kosovën.
Kuo dhe bashkëpunëtorët e saj të ri filluan ta prezantonin projektin e tyre tek autoritetet dhe OJQ-të në Kosovë nëpërmjet telefonatave dhe vizitave. Pas shumë takimeve të pafrytshme, më në fund arritën në zyrën e Kreshnik Gashit. ARKEP, të këputur pasi kishin punuar me vite për prefiksin telefonik, e pritën duarhapur grupin entuziast, i cili kishte nevojë për pushtet zyrtar për t’i ndihmuar përpjekjeve të tyre. U lind një partneritet simbiotik – ndonëse paksa i papritur.
Së bashku, ARKEP dhe Domain for Kosovo tani janë duke sajuar një strategji për ta fituar pavarësinë digjitale për Kosovën.
Por çfarë duhet të bëjnë për ta marrë domenin shtetëror? Këtu fillojnë të ndërlikohen gjërat. K2.0 e ndjeki zinxhirin e kritereve që në fund të çon tek Organizata e Kombeve të Bashkuara dhe ajo fusnotë shumë problematike.
Domain for Kosovo, një grup i përbërë kryesisht prej nxënësve të shkollave të mesme dhe studentëve universitar, ka bërë fushatë për Kosovën, për ta marrë një domen kombëtar të nivelit të lartë. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.
Organizata e cila është në krye të caktimit të domeneve është një organizatë ndërkombëtare jofitimprurëse e quajtur Internet Corporation for Assigned Names and Numbers (ICANN). Pjesë e përgjegjësive të tyre është caktimi i kodit të shumëkërkuar shtetëror të domenit të nivelit të lartë, i cili është i rezervuar për shtete dhe territore. Megjithatë, gjoja për t’iu shmangur gjykimeve arbitrare, ata kanë një grup formal kriteresh të cilat duhet përmbushur për të marrë një kod të tillë.
ICANN deklaron se domeni shtetëror mund t’i caktohet vetëm shteteve me një kod ISO 3166-1. Ky kod ipet nga një tjetër OJQ, Organizata Ndërkombëtare për Standardizim, dhe i përmbanë ato shkronja të cilat përdoren në gjithçka, prej transfereve ndërkombëtare bankare e deri tek transporti i mallrave; për shembull, Shtetet e Bashkuara e kanë US, Gjermania e ka DE, Shqipëria e ka AL etj.
Ndërsa Kosova nuk ka një kod të caktuar zyrtarisht. Pse? Sepse caktimi i kodeve ISO është i bazuar në dy burime të OKB-së: kodet standarde shtetërore apo zonale për përdorim statistikor, të njohur ndryshe si lista M49 dhe Buletini i Emrave të Shteteve.
Buletini i Emrave të Shteteve, i përbërë nga Grupi i Ekspertëve të Emrave Gjeografik i Organizatës së Kombeve të Bashkuara (UNGEGN) me mbështetje sekretariale nga Divizioni i Statistikave i OKB, ofron udhërrëfime terminologjike për referim ndaj shteteve të botës. Për shkak se nuk ekziston më në shtyp, ndryshimet bëhen në databazën terminologjike të OKB.
Në anën tjetër, M49 kompozohet nga Divizioni i Statistikave i OKB. Kjo listë shkon përtej anëtarëve të OKB-së apo shteteve të njohura universalisht, që do të thotë se janë të përfshira territoret e vogla si Ishujt Pitcairn dhe shtetet e kontestuara si Tajvani. Kështu e morri kodin ISO dhe domenin shtetëror (.tw) shteti i Chiayo Kuo – i cili i ka vetëm rreth 20 njohës. Kjo është një vegël e domosdoshme në ekonominë digjitale të Tajvanit.
Megjithatë, Kosova mungon në këto burime të OKB-së.
“Kosova... statistikisht konsiderohet nga OKB si pjesë e Serbisë.”
Ian Rutherford, Divisioni i Statistikave i OKB
A mund ta gjejmë shpjegimin për përjashtimin e Kosovës në kriteret e OKB-së? Formalisht, shtetet duhet t’i përmbushin vetëm një nga dy kriteret për përfshirje në Buletin: anëtarësimin në OKB apo anëtarësimin në një agjenci të specializuar të OKB-së. Si anëtare e organeve të OKB-së, Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore, Kosova me sa duket i ka kualifikimet e domosdoshme.
K2.0 e kontaktoi Divizionin e Statistikave të OKB-së për ta qartësuar këtë. Në një email, statisticieni i OKB, Ian Rutherford, aludoi se FMN dhe Banka Botërore janë disi anomali sa i përket rolit të tyre në OKB.
“FMN dhe Banka Botërore janë agjenci të specializuara, por historikisht dhe ende në praktikë ato administrohen më ndryshe nga ato që janë në ‘sistemin e OKB’, si ILO, FAO dhe UNESCO”, shkroi Rutherford. “Prandaj mund të ketë dallime në njohjen e territoreve të caktuara, për shkak se kanë borde të ndara dhe të pavarura të menaxhimit”.
E për të hyrë në Listën M49 duhet të ketë ndryshime sa i përket vullnetit politik. Në një shënim redaksional të ekipit ligjor të OKB-së, të dërguar në vitin 2012, ceket ndjeshmëria e situatës terminologjike e Kosovës me anë të ofrimit të një zgjidhjes unike: “Duke pasur parasysh pasigurinë e vazhdueshme në lidhje me statusin e Kosovës, e kemi një qasje shumë praktike. Departamentet e OKB-së i kemi këshilluar, që aty ku është e mundur, t’i shmangen referimit të Kosovës në dokumente zyrtare”.
Aktivistët kanë punuar që Kosova ta marr një domen kombëtar të nivelit të lartë, por ata deri më tani janë frustruar nga pengesat burokratike dhe mungesa e vendosmërisë politike ndërkombëtare. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.
Ndërkohë, me sa duket rruga e vetme për Kosovën është përmes Serbisë, për shkak se pozita neutrale e OKB-së në lidhje me statusin e Kosovës buron nga Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
“Kosova… statistikisht konsiderohet nga OKB si pjesë e Serbisë”, shkroi Rutherford, duke qartësuar se disa territore të vogla janë të përfshira në Listën M49 për shkak se “prind” shtetet e tyre janë pajtuar për tu dhënë atyre kode statistike. “Unë besoj se Serbia do të duhej ta bënte të njejtën gjë në mënyrë që Kosova ta pranojë publikisht një kod”.
Këtu ndeshen realiteti i ashpër i politikave botërore me ambiciet kosovare për pavarësi digjitale. Përderisa mosnjohësit i bllokojnë përpjekjet për rishikim të listave, rasti i Kosovës mbetet pezull.
Kreshnik Gashi thotë se ARKEP e ka çuar rastin në OKB nëpërmjet kanaleve joformale. “Deri më tani nuk kemi marrë përgjigje pozitive”, thotë ai.
Mbështetje e papritur
Megjithatë, Kosova ka marrë mbështetje nga vendet tjera. Marc J. Randazza, një avokat nga Massachusetts, që njihet kryesisht për përfshirjen e tij në disa raste të profilit të lartë të lidhura me lirinë e fjalës të cilat u zhvilluan në SHBA, si dhe për punën e tij si ekspert ligjor në Fox News dhe CNN.
Por, para disa viteve, vëmendja e tij u kthye drejt Kosovës, kur ai morri pjesë në një seminar në Itali. Kur pjesëmarrësve u dhanë etiketa në të cilat ishin të shtypur emrat e shteteve përkatëse të tyre, Randazza dalloi se etiketa e mikut të tij kosovar përfshinte ‘Rezoluta 1244’ si shtesë. Amerikani u befasua dhe u hutua shumë.
“Thash ‘Çka osht kjo budallaki’”, thotë ai duke qeshur në zyren e tij në Miami, në bisedë me K2.0 nëpërmjet telefonit. “Në etiketën time nuk shkruante ‘Shtetet e Bashkuara të përcaktuara sipas blla blla’, e as e tij nuk duhet të jetë ashtu. Kështu që fillova ta hulumtoja”.
“Pse Bashkimi Sovietik ka domen e Kosova nuk ka?”
Marc J. Randazza, avokat
Ato hulumtime u shndërruan në një ese akademike me titullin “Pavarësia Digjitale e Kosovës”. Në këtë shkrim, Randazza argumenton se Kosova është shumë më e kualifikuar për të marrë një kod shtetëror të domenit të nivelit të lartë, sesa shumë tjerë që e posedojnë një të tillë. Ai e kritikon ashpër ICANN, për të cilin pretendon se i shmanget sfidës së caktimit të domeneve të diskutueshme duke iu referuar kritereve të ISO, ndërsa ka dështuar t’i zbatojë rregullat e vazhdueshme në të kaluarën.
“Pse Bashkimi Sovietik [ende] ka domen e Kosova nuk ka?”, thotë Randazza. “Sinqerisht, mendoj se Kosova duhet të deklarohet ligjërisht kundër ICANN në SHBA. Sigurisht se mund të nervozohen shtetet si Rusia, por të paktën do të shtjellohet kjo çështje në gjykatë”.
Për shkak se Kosova është fjalëpak dhe nuk bënë trazira të tilla ndërkombëtare pa mbështetjen e partnerëve kyç diplomatikë, kështu, të pakta janë gjasat se Kosova do ta ndjekë këtë rrugë.
Megjithatë, edhe rrugët tjera janë të kufizuara. ARKEP i është qasur në mënyrë jorformale ICANN-së, por reagimet e tyre nuk ishin shumë entuziaste. Gashi thotë se arriti të ngriste këtë çështje personalisht para Kreut të ICANN, Göran Marby, në një konferencë në vitin 2017; por shumë shpejtë dolën pengesa të reja.
“Ai [Marby] tingëllonte pozitiv, por më kërkoi që ta çoja çështjen tek një menaxhere tjetër në ICANN”, thotë Gashi. “Ajo iu referua rregullave dhe tha se ishte absolutisht e pamundur”.
Për ARKEP dhe Domain For Kosovo, dyert e pasme diplomatike dhe lobimi industrial mbesin si vegla kryesore në arsenalin e tyre për ta çuar para këtë çështje.
Gashi thotë se ARKEP po i përdorë kanalet diplomatike të saj për ta ngritur këtë çështje tek ambasadorët, por deri më tani kanë dhënë pak rezultate. Sipas disa aktivistëve, një problem i vogël paraqitet nga mandati i shkurtër i stafit diplomatik, që normalisht nuk zgjasin më shumë se 4 vite. Ambasadorët ndonjëherë punojnë për këtë çështje gjatë qëndrimit në Prishtinë, por progresi zhbëhet kur vijnë pasardhësit me çështje të tjera.
ARKEP, i drejtuar nga Kreshnik Gashi (i dyti nga e djathta), dhe Domain for Kosovo, e drejtuar nga Chiayo Kuo (në fund në të majtë), kanë bashkëpunuar në lobim për pavarësinë digjitale të Kosovës. Foto nga Chiayo Kuo.
Këtë muaj, ARKEP dhe Domain for Kosovo janë duke marr pjesë në një konferencë të domeneve në Mal të Zi për të prezantuar rastin e Kosovës dhe për të lobuar tek organizatat dhe zyrtarët. Gjithashtu kanë planifikuar të organizojnë konferencën e tyre në Prishtinë, ndërsa Kuo dhe grupi i saj i vullnetarëve do t’i vazhdojnë përpjekjet e tyre për ta ngritur nivelin e ndërgjegjësimit për këtë çështje në mesin e qytetarëve kosovarë.
“Po t’i pyesësh njerëzit në rrugë, pak e dinë ku është problemi. Ne duhet t’i tregojmë se çfarë do të thotë, në mënyrë praktike dhe simbolike”, thotë Kuo. “Kjo çështje ka nëvojë për mbështetje më të gjërë në shoqëri, në mënyrë që të ketë sukses”.
Avokati Marc J. Randazza e mbështetë rastin e tyre nga ana tjetër e Atlantikut. Ai thotë se kërkimi i Kosovës për pavarësi digjitale shkon përtej teknikaliteteve të serverëve dhe ekonomive të shitjes së domeneve.
“Një faktor duhet të jetë i mjaftueshëm: krenaria”, thotë ai. “Ky shtet ka luftuar poaq sa Amerika për pavarësinë e tij. Pse duhet të ngulfated?”
Aktivistët nga Domain for Kosovo vazhdojnë të gjejnë mënyra për t’i ndihmuar Kosovës që ta marr një nivel kombëtar të nivelit të lartë. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.
Përderisa Chiayo Kuo prezanton për të kërkuar sponsorim nga një kompani tjetër në Tajvan, vullnetarët në Domain for Kosovo e mbajnë një takim tjetër strategjik në Prishtinë. Rreth 20 studentë janë mbledhur në katin e fundit të një restoranti për t’i ndarë detyrat – nga drejtimi i rrjeteve sociale tek krijimi i fletëpalosjeve.
Thuhet se të jesh kosovar në internet është sikur të jesh i lindur më 29 shkurt. Ekziston çdo të katërtën herë. Por përderisa ky koalicion ndërkufitar po merr vrull, anëtarët e tij shpresojnë se Kosova më në fund do ta ketë një vend të përhershëm në hartën digjitale.K
Foto kryesore: Atdhe Mulla / K2.0.