Shtyp | Hapësira Publike

Një artist në kërkim të hapësirave alternative

Nga - 03.06.2013

Alban Muja e sheh Prishtinën si qytet të mundësive të humbura, por ai gjithashtu sheh edhe zgjidhje

Gjithçka që ishte këtu, s’është më”.

Duke i vajtuar zgjedhjet e planifikuesve të qytetit të Prishtinës, Alban Muja drejton vëmendjen time nga një rrethojë e vogël çeliku, rreth një peme të prerë në sheshin “Zahir Pajaziti”. “Ata prenë një pemë të vjetër, dhe më pas vendosën një rrethojë për të. Nga kush po e mbrojnë atë?” Unë jam i sigurt se ai po tregohet retorik, por më pas ai jep vetë një përgjigje duke pëshpëritur: “Mbase nga vetvetja”.

Muja është i tillë, flet për një ide me energji të çuditshme, dhe më pas befasisht zbërthehet, duke të kujtuar një aparat “pinball”-i. Ai i njeh rrugët mirë, dhe gjithashtu është i mirënjohur në rrugë. Ne ndalemi shumë shpesh, teksa ai përshëndet njerëz, duke shijuar shkurt, por gjithmonë, çdo përqafim përcjellës. Gjithçka e tij, nga flokët e tij të valëzuar, e deri te mënyra se si ai i përdredh mustaqet e tij, të bën të kuptosh se ai është artist. Ai duket të ekzistojë si një performancë në mendjen e përbashkët të rrugëve, sikur të ishte thashetheme e përhapur nga jeta.

Teksa ne nisemi të endemi rrugëve, unë përpiqem t’ua mësoj emrat, por me përjashtim të pikave të njohura ka pak informata. Dokumentari i Mujës “Muri i kaltër, dera e kuqe”, të cilin ai e ka bërë me Yll Çitakun, tregon se si orientohen njerëzit në Prishtinë, dhe se cilën ndërtesë apo objekt të madh ata e shfrytëzojnë si pikë orientimi.

Emrat e rrugëve kanë ndryshuar aq shpesh në Kosovë, saqë njerëzit priren të mos i përdorin ato për orientim. Muja tregon se si “pyetja më e vështirë të cilën ua bën kosovarëve një i huaj me hartë është: ‘Ku ndodhet kjo rrugë?’” Shumica e njerëzve, me sa duket, bazohen në ndërtesa apo në monumente për të përcaktuar se ku ndodhen.

Muja qëndron para një ndërtese të papërfunduar pranë Ngrohtores së qytetit.

Biseda jonë është e incizuar me diktafon dhe shpesh pengohet nga një mori zhurmash industriale. “Prishtina është në ndërtim e sipër”, thotë Muja, teksa neve na huton një kakofoni e çuditshme tingujsh që vijnë nga mikserët e çimentos, sharrat elektrike dhe automjetet buçitëse që nxjerrin tym të dendur. Prishtina është në një fazë vendimtare të rimodelimit të imazhit të saj publik, dhe Muja është i shqetësuar se çfarë do t’u ndodhë rrugëve, sikur ato të ishin arterie metaforike të vetëdijes publike.

Duke shikuar përreth, mua më bëhet e qartë se Prishtina është duke kaluar nëpër fazën e pubertetit. Ajo ka kuptuar se duhet t’u lërë përshtypje të mirë të huajve. Prandaj, ajo i ka mbledhur të gjithë mjekët për t’ia hequr aknet e pasluftës. Këto rinovime “urgjente”, megjithatë, kanë zgjatur shumë, duke i lënë pjesëtarët e publikut, si Muja, të pyesin veten nëse këto ndërtime do të përfundohen ndonjëherë. “Ndodh shumë rrallë që të shohësh përfundimin e një ndërtimi publik”. Po ndërtimet private? – e pyes unë. “Ndryshe është me ndërtimet private. Ndryshe është kur paratë janë të miat, e ndryshe kur ato janë të dikujt tjetër”, më përgjigjet ai.

Duke iu afruar bulevardit “Nënë Tereza”, te Muja shihet një hidhërim jo i rrallë, që gjithashtu transmetohet si turpërim. Ne vëzhgojmë vendin e një ndërtese të braktisur, dhe Muja s’ka pse të ma thotë fare: Për të, ky është një përkujtues i mundësive të humbura të Prishtinës.

“Njerëzit nuk shkojnë tek arti, duhet t’ua sjellësh artin njerëzve. E shikon këtë ndërtesë, është e përkryer për ekspozita të artit, gjë që i duhet Prishtinës tani, – një skenë komerciale arti, – por qe shumë vjet, kjo ndërtesë ka mbetur e braktisur”, thotë ai.

Pjesa e përparme e ndërtesës, në drejtim të bulevardit, është kryesisht e mbuluar me pllakate reklamuese dhe me disa mbishkrime të pakuptimta – përveç shenjës “mos hidhni mbeturina”, që shfaq një figurë duke hedhur në shportë kryqin nazist. Megjithatë, hidhërimi i Mujës kthehet në një entuziazëm të frustruar (të cilit i bashkohem edhe unë), teksa ne sillemi rreth ndërtesës si grabitqarë. Ai thekson veçoritë që sinjalizojnë se ajo mund të shfrytëzohet ende nga njerëzit.

Prapa ndërtesës ndodhet një verandë, ku njeriu lehtësisht mund të imagjinojë një tubim me atmosferë gazmore: asi tubimi me gota shampanje dhe diskutime filozofike për artin. Përballë ndërtesës ndodhen disa baraka të braktisura që janë shumë të vjetra për t’iu përshtatur standardeve moderne të jetesës, por ato do të ishin ideale si hapësira për studio të artit. Muret sikur lusin të shfrytëzohen, dhe është gati e dhimbshme t’i shohësh ato cullak. “Njerëzit kanë luftuar për të”, shpjegon Muja betejën e gjatë ligjore për pronësinë e ndërtesës, e cila kontestohet edhe publikisht, edhe privatisht, “por, përderisa ata po vendosin se kujt i përket ajo, pse të mos shfrytëzohet tash?”

Muja ka ide të ngjashme për stadiumin e qytetit. Një varg hapësirash të pashfrytëzueshme për dyqane në pjesën e jashtme të stadiumit ofrojnë një mundësi të përkryer për një martesë unike të sportit dhe artit – diçka që nuk është parë askund në botë. Pa ndonjë objekt banesor pranë, këto hapësira do të ishin të përkryera si vend pune për artistët dhe si vend ushtrimi për grupet muzikore, por ato mbeten në një gjendje të vazhdueshme sakrifice, në pritje të shfrytëzimit nga dyqanxhinjtë për qëllime tregtare.

Ne ecim tutje, mbi pllaka të çara të mermerit, nën dritat e shtyllave të ndriçimit “që në fakt janë të menduara për autostrada”. Muja thotë se kjo ka ndodhur si pasojë e neglizhencës, që është e metë e luftës – asokohe neglizhenca e qëllimshme ka qenë mjet për t’iu kundërvënë armikut. “Gjatë luftës, oborri i përkiste armikut”. Prandaj, ajo që ishte jashtë mund të prishej, sepse dëmi i bëhej armikut. “Unë dilja jashtë dhe i prishja dritat në shtyllat e ndriçimit, sepse ato ndikonin që ne të vëreheshim lehtë. Por, për veprime të tilla nuk ka më nevojë”.

Ne kalojmë pranë një busti të Nënë Terezës. Fytyra e saj është dëmtuar nga një mbishkrim me nofkën e dikujt, dhe përqark saj është një rreth i cekët me ujë të ndenjur, të gjelbër. Shumica e monumenteve në Prishtinë vuajnë nga një nivel i ngjashëm i përkujdesjes, dhe Muja është i prirë për ta marrë këtë si ofendim, sepse ai e konsideron këtë mosrespektuese për njerëzit që Prishtina synon t’i nderojë: “Nëse do ta bësh, bëje si duhet. Por, në Prishtinë, gjërat ose bëhen keq, ose nuk shfrytëzohen si duhet”.

Statuja e Skënderbeut, përballë Teatrit Kombëtar, është më interesantja prej këtyre monumenteve. Ajo është bërë për nder të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, i cili është një simbol epik i guximit dhe i rezistencës. Gjatë shekullit të 15-të, ai ka luftuar për shumë dekada në mënyrë legjendare kundër otomanëve. Me një shpatë të lakuar në dorë, ai qëndron mbi yzengji të një kali që duket gati për të kërcyer. “Por, ajo është kopjuar nga Shqipëria”, shfryhet Muja, me një ngjyrë dëshpërimi në zërin e tij. Ai qëndron përballë statujës, gati duke iu lutur asaj që të tregojë pak origjinalitet, por më kot.

Ajo që është e çuditshme për këtë statujë është pozita e saj brenda lidhjeve bashkëkohore të Kosovës me Turqinë. Ajo ekuilibron vetveten në një litar të tendosur ndërmjet dy rrëfimeve kontradiktore historike, një akt që në thelb ia dëmton asaj rëndësinë.

Së fundi, Trusti Ballkanik për Demokraci ka caktuar një grup prej 60 historianësh nga 11 vende të Evropës Juglindore për të rishqyrtuar librat e historisë në rajon, për shkak të pretendimeve kundërthënëse për natyrën e okupimit otoman të Ballkanit.

Ka polemika edhe për atë se çfarë duhet të thonë librat e historisë në Kosovë: A e kanë pushtuar otomanët Ballkanin me forcë apo ata kanë qenë vetëm administratorë paqësorë, që në të vërtetë janë mirëpritur këtu?

Nëse zgjidhet kjo e fundit, atëherë çfarë përfaqëson Skënderbeu, nëse jo një pikëpamje të ekzagjeruar epike? “Nëse ata do t’i rishkruajnë librat e historisë, atëherë edhe kjo statujë duhet të hiqet”, thotë Muja. Kjo nuk duket brengosëse për të, meqë ai dyshon se do ta pikëllonte humbja e një gjëje të kopjuar.

Më vonë, qëndrojmë përballë monumentit “Newborn” – një koleksion shkronjash, 3 metra i lartë, që përbëjnë fjalën “Newborn” (shqip: E porsalindur). Ai përmban flamujt e pikturuar të të gjitha shteteve që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, dhe unë pyes veten nëse ai është çelës i zgjidhjes së problemeve të identitetit të Kosovës. Kosova, në të vërtetë, nuk është aspak e porsalindur. Ajo ka jetë të mëparshme, histori, disa lidhje kërthizore që formojnë një nyjë të ndërlikuar, e cila refuzon që të zgjidhet. Përpjekjet e Kosovës për t’u qartësuar vijnë në dëm të një identiteti të fuqishëm që duket se godet kyçet e Mujës nga hapësirat e errëta, të pafundme, ndërmjet faqeve të librave të historisë.

Në fund, Muja më çon ta shikoj një skelet metalik të një objekti, pranë ngrohtores së Prishtinës, larg nga qendra. Me sa duket, ai ndodhet aty si projekt i papërfunduar qe shumë vjet. Teksa Muja pozon para tij për një fotografi, unë vërej se si brendësia e këtij vendi është e mbuluar me mbishkrime. Këto shkarravina të pakuptimta më duken intriguese – pyes veten kush do të jetë ndier kaq i pasionuar sa për t’i bërë këto mbishkrime në një vend të pazakontë si ky? Por, “mediumi nuk ka rëndësi. Nuk ka rëndësi se si e paraqet një tregim, e rëndësishme është ta paraqesësh atë”.

Për më tepër, nuk ka rëndësi se çfarë thotë mbishkrimi. Vetë fakti se ai thotë diçka është një ndërhyrje kreative që tregon një dëshirë për t’i shfrytëzuar strukturat e çuditshme të Prishtinës, si ky skelet metalik. Nëse planifikuesit e qytetit të Prishtinës nuk i marrin parasysh këto të vërteta të qarta, atëherë Prishtina nuk do ta paraqesë më të mirën e saj.

  • PËR AUTORIN/EN Farhad Mirza
  • Ky artikull fillimisht është shkruar në anglisht.

KOMENTO