Blogbox | Ambienti

Çfarë zgjedhje, përveç të gjelbërtës?

Nga - 17.01.2019

Duhet të bëjmë më shumë për ta ndihmuar vetën në prag të katastrofës klimatike në kanosje.

Raporti i fundit nga Paneli Ndërqeveritar i OKB-së për Ndryshimin Klimatik ka deklaruar se bota nuk është aspak në rrugën e duhur për t’i arritur synimet e saj. Në vend të kufizimit të targetuar të ngritjes së temperaturës prej 1.5 gradë Celsius krahasuar me kohët paraindustriale, tani parashikohet se planeti do të ngrohet për 3 gradë Celsius deri në vitin 2100.

Ndryshimi klimatik ndikon te të gjithë dhe çdokund, por pasojat janë shumë më shkatërruese për lokacionet që janë në rrethana të pafavorshme dhe shtetet me të hyra të ulëta si ky i joni, që nuk janë të përgatitur për katastrofën në sfond. Ndonëse temë e diskutuar gjerësisht, perceptimi i përgjithshëm i shoqërisë kosovare – dhe jo vetëm në Kosovë – është se ndryshimi klimatik është problem i së ardhmes i cili nuk do të ndikojë tek ne. Por ne veçse jemi të ndikuar.  

Në 1994, John Elkington zhvilloi strukturën vija e ulët e trefishtë që sot përdoret gjerësisht për t’i përfaqësuar shtyllat e zhvillimit të qëndrueshëm: ambienti, ekonomia dhe shoqëria; apo ndryshe 3 P-të – Planeti, Profiti dhe Populli.

Aktualisht, ky zinxhir funksionon kështu: Ekonomia i merr burimet e domosdoshme nga ambienti për ta shtuar profitin, e njëkohësisht garanton përfitime për shoqërinë si punësim dhe të mira të tjera që mundësojnë ngritjen e standardit të jetës në shoqëri.

Ndonëse prodhimi ekonomik rritet vazhdimisht, burimet mjedisore që përdoren janë fundore, dhe një ditë të mirat që sot i gëzojmë do të jenë të pamjaftueshme për gjithë ne. Pamjaftueshmëria e burimeve do të implikojë më pak prodhim, duke shkaktuar pamjaftueshmëri edhe të të mirave bazike, e kjo rrezikon të shkaktojë trazira shoqërore dhe politike. Pra në thelb varësia në burime fundore nuk është e qëndrueshme dhe ka pasoja shoqërore, duke nënkuptuar rritje të pabarazisë në shoqërinë globale, standarde më të ulëta të jetës dhe privim social.  

Është e qartë se dëmtuesit më të mëdhenj të ambientit janë shtetet e zhvilluara, por pasojat janë globale. Varësia ekonomike ndaj burimeve fundore të mjedisit ka shkatërruar natyrën dhe ka shkaktuar ndryshime klimatike nëpërmjet emetimit të gazrave serrë, gjë që ndikon tek shoqëria, e kryesisht tek ata që veçse janë në pozitë të pafavorshme. Njerëzit anekënd botës po përballen me numrin e shtuar të zjarreve në natyrë, vërshimeve, valëve të nxehtësisë dhe periudhave të thatësisë, si dhe me ndotjen e shtuar të ajrit.

Ky i fundit është shqetësim mjaft i njohur për ne. Ndotja e ajrit nuk është problem i së ardhmës, është problem aktual i joni; ne veç jemi duke thithur ndotjen e dukshme, të paktën në kryeqytet.

Pse kemi ndotje të ajrit në Prishtinë?

Institucionet e ndryshme kombëtare, si koncept-dokumenti për mbrojtjen e ajrit nga ndotja që u publikua nga Ministria e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor, dhe intervistat e dhëna nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës dhe Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës, kanë theksuar një list të pakufizuar të faktorëve që kryesisht i fajësojnë industritë, veturat, përdorimin e thëngjillit për ngrohje të vendbanimeve, termocentralet, por edhe kushtet klimatike që nuk e largojnë me shpejtësi ndotjen që krijohet nga vet ne.

Ne po i fajësojmë familjet me të hyra të ulëta që nuk kanë zgjedhje tjetër, por mirëqenia sociale është përgjegjësi sociale që duhet të adresohet. Nëse nuk adresohet, nuk mund t’i fajësojmë.

Së pari, industritë shihen si zhvillues të shenjtë ekonomikë. Për shkak të zinxhirit 3 P, nevoja për to është e qartë, dhe e ndjejmë si obligim t’i mbrojmë ata që na sjellin zhvillim edhe pse në anën tjetër e dëmtojnë shoqërinë nëpërmjet emetimit dhe shkatërrimit të ambientit.

Së dyti, ne i fajësojmë veturat sepse jemi të vetëdijshëm që përdoren edhe kur nuk është e domosdoshme, por vazhdimisht investojmë gjithnjë më shumë në rrugë, sepse besojmë se rrugët e reja do të na sjellin më shumë zhvillim ekonomik. Njëmend transporti është parakusht për zhvillim ekonomik, por në vetvete nuk garanton zhvillimin ekonomik.

Nevoja për lëvizshmëri është e pakontestueshme, mirëpo lëvizshmëria nuk është e kufizuar vetëm në vetura private. Vazhdimi i prioritizimit të nevojave të veturave private, si zgjerimet e planifikuara të rrugëve, vetëm do të na sjellin më shumë vetura private dhe do të na bëjnë më të varur ndaj tyre.   

Nëse i referohemi përsëri zinxhirit të 3 P-ja, veturat janë të mira që globalisht gëzohen nga një pjesë e shoqërisë që ka tendencë të fitojë më shumë nga shtylla e ekonomisë (domethënë kategoritë me të ardhura më të larta) dhe pjesa më e madhe e veturave janë të varura në burime fundore të mjedisit, domethënë në benzinë e naftë. Natyrisht, kur kemi më shumë njerëz që kanë vetura, çmimi i burimeve të tilla do të rritet, dhe dikur shoqëria do të përballet me pamjaftueshmërinë e këtyre burimeve.

Për shembull, më së shumti do të ndikohet numri gjithnjë e më i madh i vendeve periferike dhe banorët e tyre që udhëtojnë rregullisht në Prishtinë për të punuar; e dikur atyre do t‘iu duhet të zgjedhin alternativa më të lira. Kur alternativat janë të volitshme, të vozitësh më pak nuk paraqet problem. Por kur alternativat nuk janë të volitshme, popullsia mund të ndikohet në mënyrë disproporcionale me lëvizshmëri që është financiarisht e papërballueshme për disa, dhe kosto të shtuar në kohë.

Së treti, meqë ndotja e ajrit përkeqësohet në dimër, lehtë e pikasim dallimin nga vera: ngrohja. Ne i fajësojmë shtëpitë që përdorin thëngjill për ngrohje. Përdorimi i thëngjillit për ngrohje nuk është rëndom zgjedhje që ndërmerret, marrë parasysh rreziqet që i paraqet për shëndetin, veçanërisht për fëmijët dhe të moshuarit. Andaj, ne po i fajësojmë familjet me të hyra të ulëta që nuk kanë zgjedhje tjetër, ndërkaq mirëqenia sociale është përgjegjësi sociale që duhet të adresohet. Nëse nuk adresohet, nuk mund të fajësohet.

Familjet me të hyra të ulëta përfitojnë më pak nga ekonomia 3 P, dhe për më tepër, disa e fitojnë bukën e gojës duke mbledhur mbeturina për reciklim, gjë që i kontribuon reduktimit të dëmtimit të ambientit.

Ne mund të jemi viktima të një shoqërisë pa vizion. Por çfarë shqetësime kemi sot që na dallojnë aq shumë nga paraardhësit tonë?

Së katërti, ndotësi më i madh është termocentrali. Kërkesa për energji elektrike po shtohet dhe do të vazhdojë të shtohet, ndërsa mungesa e saj do të kishte pasoja ekonomike, e kështu edhe pasojat sociale do të ishin të pashmangshme. Ne mund t’i fajësojmë paraardhësit tanë për lokacionin e tmerrshëm të termocentralit, që e sjell gjithë ndotjen poshtë në Prishtinë dhe zonat përreth. E në këtë linjë të të menduarit, lokacioni i termocentralit nuk ka kurrëfarë kuptimi.

Por nëse shqetësimet do të ishin në reduktimin e kostos, perspektiva do të ishte shumë më ndryshe: Marrë parasysh lokacionet e minierave, hekurudhave – transportimi i thëngjillit bëhet përmes hekurudhës – dhe afërsinë e tyre ndaj Prishtinës, lokacioni i termocentralit është veçse i përkryer.

Prioritetet dhe shqetësimet tona i japin formë të ardhmës. Ne mund të jemi viktima të një shoqërie pa vizion. Por, shtrohet pyetja: Çfarë shqetësime kemi sot që na dallojnë aq shumë nga paraardhësit tonë?

Ne kërkojmë më shumë energji elektrike, dhe si zgjidhje duam të ndërtojmë më shumë termocentrale me kosto që tejkalojnë miliarda euro, e krejt kjo për ta përmirësuar ekonominë tonë. Fatmirësisht, Banka Botërore ka refuzuar kërkesën tonë për kredi me justifikimin se burimet tjera të ripërtërishme të prodhimit të energjisë janë më efektive në relacion me koston. Sidoqoftë, padyshim se do të jemi në kërkim të kredive nga banka të tjera.

Ne frymojmë zhvillimin e ekonomisë.

Edhe pse ndotja e ajrit në Prishtinë ka qenë problem me vite të tëra, tek së fundmi publiku u informua për nivelet e ndotësit PM2.5, si rrjedhojë e matjeve të Ambasadës së SHBA-së. Në sezonet dimërore, nivelet e ndotjes së ajrit po regjistrojnë sasi alarmuese të PM2.5 në Prishtinë.

PM2.5 janë grimca ndotëse që e bëjnë ajrin të duket i mjegullt dhe e reduktojnë dukshmërinë. Këto grimca mund të mbesin në ajër për disa ditë, madje edhe disa javë. Janë grimca aq të imëta sa që mund të hynë thellë në mushkëritë tona. Efektet shëndetësore afatshkurte janë irritimi i syve, hundës, fytit dhe mushkërive, si dhe kollitja dhe gulçimi. Grupet e ndjeshme – si fëmijët, të moshuarit dhe njerëzit me sëmundje respiratore – janë më sensitive ndaj këtyre efekteve.

Ekspozimi në afat të gjatë ndaj këtyre grimcave të imëta lidhet me bronkit kronik, probleme me funksionimin e mushkërive, kancer në mushkëri, sëmundje të zemrës dhe vdekje të parakohshme.

Organizata Botërore e Shëndetit ka deklaruar se nivelet e pranueshme për këto grimca janë në mesatare vjetore prej 10 μg/m3, apo një mesatare prej 25 μg/m3 në periudhë 24 orëshe. Ndërsa në kohë të caktuara në Prishtinë, ky numër ka shkuar deri në 400 μg/m3, e edhe pse përkohësisht, kryeqyteti jonë në ato kohë është renditur si qyteti më i ndotur në botë.

Një nga pasojat e ndryshimit klimatik dyshohet të jetë reduktimi i shpejtësisë së erës në disa pjesë të botës, dhe shtimi i shpejtësisë së erës në disa pjesë tjera të botës. Çka nëse mbesim në grupin e parë dhe nuk ka erë për ta larguar ndotjen me shpejtësi? A mund të jetojmë me gjithë ndotjen që e krijojmë edhe në 40 vitet e ardhshme?

Institucionet deri sot e kanë trajtuar këtë çështje si rrethanë të jashtëzakonshme që do të ndodh në një dimër, duke përgatitur rregulla që krijojnë iluzionin se po merren me këtë probleme – por pjesa tjetër i mbetet klimës.

Dimrin e kaluar u ndërmorrën masa afatshkurtra si rrjedhojë e protestave. Pjesë e këtyre masave ishte ndalimi i përdorimit të transportit në disa zona të qytetit dhe ofrimi i transportit publik pa pagesë – për disa ditë. Gjithashtu, qytetarëve iu premtua zgjerimi i rrjetit të ngrohjes qendrore, investimi në filterë të termocentraleve dhe promovimi i energjisë së ripërtërijshme. Përveç kësaj u ndalua përdorimi i thëngjillit për ngrohje, por planet për ndërtimin e termocentralit të ri vazhduan.

Ndonëse pjesa më e madhe e shteteve të pasura kanë ndërmarrë veprime dhe kanë filluar ta ndryshojnë sjelljen e tyre deri diku, OKB ka deklaruar se nuk është bërë aq sa duhet për ta trajtuar këtë çështje. Në të vërtetë, shqetësimi për ambientin nuk është zgjedhje, por domosdoshmëri shoqërore.

Duhet të sigurohemi që vendimet e qeverisë nuk janë të shtyra vetëm nga tregu, por marrin parasysh ambientin në të cilin jetojmë, sepse ne jemi ata të cilët duhet të jetojmë në të.

Trajtimi i çështjes së ndryshimit klimatik kërkon bashkëpunim global. Me të drejtë mund të thuhet se shtetet e zhvilluara e kanë dëmtuar shumë më shumë ambientin se Kosova jonë. Në shkallë globale, shtetet e vogla si Kosova nuk mund të implikojnë dallim të madh, përveç që shërbejnë si shembuj të menaxhimit efektiv të ambientit, dhe i bëjnë presion shteteve të mëdha për të vepruar.

Sidoqoftë, në shkallë të vogël, veprimet tona ndikojnë në jetët tona: Termocentralet ndikojnë në shëndetin e minatorëve, qytetarëve, kafshëve dhe vegjetacionit përreth, si dhe në kualitetin e përgjithshëm të jetës. Këto rrethana shoqërore ku ambienti po përdoret për qëllime ekonomike mund të zbuten nëse planet tona për investime në termocentral i shndrrojmë në prodhim të qëndrueshëm të energjisë elektrike me hulumtime paraprake për kombinimin më të mirë të alternativave të prodhimit të energjisë dhe efekte afatgjate të 3 P, si dhe kërkojmë politika të qëndrueshme nga industritë, zhvillojmë politika të pyllëzimit dhe i ndryshojmë praktikat tona të udhëtimit, për t’i adresuar vetëm disa prej çështjeve.

Duhet të sigurohemi që vendimet e qeverisë nuk janë të shtyra vetëm nga tregu, por marrin parasysh ambientin në të cilin jetojmë, sepse ne jemi ata të cilët duhet të jetojmë në të. Ekonomia nuk do të na jep ajër tjetër.

Nëse mendojmë në afat të gjatë, numri i pacientëve me probleme shëndetësore do të rritet, siç do të shtohet edhe migrimi drejt ambienteve më të shëndetshme, domethënë shteteve të zhvilluara, e kjo jo vetëm që do ta reduktojë numrin e taksapaguesve, por do ta shkatërrojë atë zhvillim të pakët ekonomik për të cilin po luftojmë me kaq shumë përkushtim, e pa kurrëfarë vizioni.

Për fund, nuk është vetëm për t’i dhënë mundësi të gjelbërtës; është për të marrë mundësi më të mirë për gjithë shoqërinë.

Foto kryesore: Besnik Bajrami / K2.0