Natyra e ekonomisë energjetike të Kosovës, e mbështetur gati njëanshëm në qymyr dhe me burime financiare jashtëzakonisht të kufizuara, paraqet pengesë serioze për një të ardhme të gjelbër, të qëndrueshme. Shëndeti mjedisor i Kosovës është tepër i keq: ajri dhe uji i ndotur, degradimi i tokës, kontaminimi me plumb i tokës dhe shpyllëzimi janë disa nga rreziqet më serioze dhe më këmbëngulëse. Këto rreziqe e kanë një kosto; sipas Bankës Botërore çmimi vjetor i degradimit mjedisor të Kosovës llogaritet të jetë 223 milionë euro.
Si metodë e mbrojtjes së mjedisit reciklimi ka qenë temë e shumë diskutimeve në lidhje me efikasitetin e arritur kundrejt kostos së vetë procesit. Megjithatë, me shtimin e vlerësimeve të ciklit jetësor — teknikë e cila vlerëson efektet që kanë të bëjnë me produktin e recikluar, sipas Agjensisë së Mbrojtjes së Mjedisit të SHBA-ve — ndjeshmëria mjedisore e reciklimit në masë të madhe u njoh dhe u pranua nga zhvilluesit e politikave. Ana ekonomike e diskutimit nuk është shumë e qartë, por një studim nga Popular Mechanics e ka vënë në pah natyrën thelbësisht lokale të reciklimit; përkundër “investimit të rëndësishëm paraprak kapital për ta implementuar [programin e reciklimit]”, komunat mund të kenë dobi nga programet e tilla në një periudhë afatgjatë nese ato zhvillohen në mënyrë efikase.
Për Kosovën, arritja e suksesit të madh në sigurimin e shëndetit mjedisor pengohet nga një sërë faktorësh, duke përfshirë mungesën e theksuar të të dhënave mjedisore. Kjo paraqet pengesë për vlerësime gjithëpërfshirëse mjedisore; Instituti Kosovar i Stabilitetit (IKS), organizata think-tank me seli në Prishtinë, i ka përshkruar të dhënat që janë në dispozicion në lidhje me energjinë si “infantile”.
Po ai raport, gjithashtu ka gjetur se përdorimi i reciklimit në përmasa të mëdha “gati se nuk ndodh”. Ironikisht, Kosova ka një kornizë të fuqishme ligjore mjedisore sa i përket menaxhimit të mbeturinave dhe reciklimit. Ky grumbull ligjesh e rregulloresh, të cilat përbëjnë arkitekturën ligjore që rregullon fushën e mjedisit, është në fakt një shenjë disi konfirmuese se politikat aq të nevojshme energjetike po inkorporohen në agjendën nacionale.
Prej administrimit ndërkombëtar e përtej shpalljes së pavarësisë më 2008, Qeveria e Kosovës ka përcaktuar bazën ligjore dhe administrative për zhvillimin e programeve për menaxhimin e mbeturinave. Ligji për mbrojtjen e mjedisit, Ligji për mbeturina si dhe shumë “udhëzime administrative” rregullojnë se si duhet zhvilluar reciklimi dhe nismat relevante. “Rigjenerimi i mbeturinave përmes reciklimit, ripërdorimit apo ndonjë procesi tjetër me qëllim të nxjerrjes së materialeve sekondare”, “përdorimi i mbeturinave si burim energjie”, dhe “restaurimi i zonave të ndotura me mbeturina” janë disa nga dispozitat të inkorporuara në udhëzimet administrative.
Ligji për mbeturina ka për qëllim të zvogëlojë prodhimin e mbeturinave, sa më shumë që ështe e mundur, duke ripërdorur njëkohësisht komponentë nga mbeturinat. Megjithatë, një raport i vitit 2008 nga Agjensia e Kosovës për Mbrojtje të Mjedisit erdhi në përfundim se këto qëllime nuk po arrihen. “[Kosovës i mungojnë] mekanizmat efikas për të inkurajuar ndarjen e mbeturinave dhe reciklimin” përfundon raporti. Ai gjithashtu gjeti se të dhënat rreth ndotjes dhe ndikimeve tjera negative mbi mjedisin mungojnë tej mase. Gjendja e mjerueshme e kapaciteteve recikluese të Kosovës gjithashtu theksohet nga Banka Botërore në Analizën Mjedisore të Vendit, e cila thotë se “Kosovës i mungon menaxhimi i duhur i mbeturinave për gati të gjitha llojet e mbeturinave të ngurta (shtëpiake, industriale, shëndetësore dhe të rrezikshme)”. Kjo më tej ndërlikohet me faktin se “të dhënat dhe sistemet e informacionit mbi mbeturina janë të pakta”.
Zbatimi i këtyre statuteve dhe direktivave gjithashtu është mjaft i papranishëm. “Kosova gati nuk reciklon fare mbeturina”, thekson Banka Botërore. Si rezultat i kësaj, gati të gjitha mbeturinat përfundojnë në deponi, hedhen ilegalisht apo digjen, një praktikë që do të vazhdojë edhe më tej pa ndonjë strukturë të duhur zbatimi. Fatkeqësisht, ka pak dëshmi që Kosova do të zhvillojë implementim të duhur mjedisor në një të ardhme të afërt. Sipas IKS-it, “dykuptimësia e ligjit dhe dobësia e shtetit” u lejon “sektorëve të caktuar të shoqërisë” të veprojnë “pa ndonjë konsideratë sa i përket ndjeshmërisë mjedisore”, duke i bërë edhe rastet më të lehta mjedisore të vështira për t’u ndjekur penalisht. Në këtë mënyrë detajet e kornizës ligjore kanë pak ngjashmëri me atë që ndodh në praktikë.
Pak nga pak
Por edhe në mungesë të një programi madhor nacional të reciklimit, aktiviteti po ndodh në mikronivel. Kjo ka implikime afatgjata për miratimin potencial të një sistemi funksional të menaxhimit të mbeturinave. Reciklimi mund të jetë në kapacitetin e tij të plotë kur bëhet në mënyrë të duhur në nivel lokal. Aktualisht, punëtorët e sektorit joformal shoshisin kontejnerë për të gjetur materiale të reciklueshme që më vonë mund të shiten në njërën nga shumë fabrika në Kosovë, të cilat janë të përfshira në reciklimin e materialeve bazë, duke përfshirë letra dhe plastikë.
Është pikërisht këtu, në nivel lokal, aty ku po zhvillohen disa iniciativa në Kosovë për të rritur punësimin dhe për të inkurajuar përdorimin e reciklimit për t’i mbushur boshllëqet në makronivel; edhe pse suksesi i shënuar ende është i paqartë, ka momentum që mund të rritet me vëmendjen e nevojshme nacionale.
Një përpjekje e tillë është zhvillimi i shërbimeve të qëndrueshme të mbeturinave në nivel lokal, projekt që mbështetet nga kompania gjermane GIZ, e cila është e specializuar në zhvillim ndërkombëtar. Fokusi i projektit është fuqizimi i komunave lokale për të marrë përsipër përgjegjësi për kontroll më të madh mbi menaxhimin e mbeturinave, i cili u është besuar viteve të fundit, në mënyrë kompetente dhe në një mënyrë që është “përqendruar karshi qytetarit”.
Në thelb të këtij projekti është shkathtësia e komunave për t’i drejtuar ndërmarrjet publike, efikase, të grumbullimit të mbeturinave. Derisa autoriteti më i madh në këtë fushë i është bartur komunave, që nga vitit 2008, ende mbesin shumë sfida, duke përfshirë mungesën e fondeve (normat e mbledhjes së taksave janë rreth 50 përqind), patronazhi dhe mungesa e dukshme e vullnetit politik.
Në përgjithësi, grumbullimi i tanishëm i mbeturinave mund të shihet përgjatë një ndarjeje urbano-rurale: hulumtimi i IKS-it sugjeron se: derisa 90 përqind e popullsisë urbane është e mbuluar me ndonjë formë formale të grumbullimit të mbeturinave, më pak se 10 përqind e zonave rurale kanë ndonjë formë të shërbimit grumbullues. Sipas GIZ-it, ka pasur përmirësime të dukshme në grumbullimin e mbeturinave në disa qytete; Prizreni, për shembull, ka marrë përsipër mbledhjen e taksave dhe ka vendosur konkurrencë ndërmjet kompanive të grumbullimit të mbeturinave për të ofruar shërbime më të mira për banorë. Menaxheri i programit të GIZ-it, Kai Hofmann, sugjeron se kjo ka pasur një efekt garues në qytetet tjera. “Shumë qytete tjera po e përcjellin këtë shembull duke i zgjeruar shërbimet te zonat që më parë nuk kanë qenë të përfshira, duke e riorganizuar grumbullimin në qendra të qytetit, duke zhvilluar fushata vetëdijësuese, sidomos nëpër shkolla, duke zhvilluar plane kuptimplota të menaxhimit të mbeturinave të ngurta, duke shtuar buxhete komunale për menaxhim të mbeturinave dhe duke nisur ndarjen e mbeturinave”, tha ai.
Çoje në bankën e mbeturinave
Dega e dytë e projektit të GIZ-it, e quajtur EcoFriend, kërkon të krijojë “banka mbeturinash” në Prishtinë, të cilat grumbullojnë mbeturina joorganike, të reciklueshme. Shtëpitë do të nxiten t’i ndajnë produktet e tyre të mbeturinave në mbeturina të reciklueshme dhe ato standarde. Pastaj mund t’i vendosin ato produkte në kontejnerë “të ndarë siaps burimeve”, të vendosur afër kontejnerëve të zakonshëm në lagjet e tyre. Grumbulluesit joformalë, sidomos ata të cilët tanimë shoshisin mbeturina individuale shtëpiake, pastaj me lehtësi mund t’i mbledhin mbeturinat e ndara dhe t’i çojnë ato në banka mbeturinash e të marrin para për to. Materialet e grumbulluara do të peshohen dhe do t’u caktohet një vlerë monetare në bazë të çmimeve të tregut dhe do të krijohet një llogari për kontribuesit, nga e cila ata do të mund të tërheqin. Ndryshe, banorët do të mund të zgjedhin t’i çojnë materialet e tyre të ndara direkt në bankën e mbeturinave dhe të krijojnë llogaritë e tyre. Në këtë rast, ata do të mund të zgjedhin që vetë t’i marrin paratë apo t’i dhurojnë ato fondit EcoFriend, i cili do të përdorej për projekte të arsimit mjedisor në shkollat lokale.
Projekti EcoFriend mbështetet në masë të madhe në vetëdijen lokale të banorëve për ta pranuar atë, por Hofmanni është optimist, duke thënë se gjetjet e para të projektit tregojnë një nivel të lartë të kërkesës për nisma të reciklimit. Në këtë mënyrë, ai e sheh atë si situatë si win-win-win: banorët janë në gjendje t’i kontribuojnë lehtë përmirësimit të lagjes së tyre, grumbulluesit joformalë fitojnë më shumë resurse dhe komunat fitojnë nga kostot e zvogëluara që kanë të bëjnë me grumbullimin e rregullt të mbeturinave.
Një projekt i ndarë i cili po implementohet nga Qendra Evropiane për Çështje të Minoriteteve (ECMI)-Kosovë dhe financohet nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë kërkon t’i fuqizojë komunitetet RAE përmes prizmit të reciklimit, si për të siguruar mundësi ekonomike ashtu edhe për të shtuar vetëdijen e përgjithshme sa i përket mjedisit. Kjo nismë ka për qëllim të krijojë një kolektiv reciklues për t’i rritur “kapacitetet dhe autputet” e komuniteteve RAE, shumë prej të cilëve janë tashmë të përfshirë në grumbullimin e mbeturinave. Projekti ka për qëllim ta bëjë këtë duke u ofruar ekspertizë dhe resurse të nevojshme për ta unifikuar shitjen e materialeve bazë (me fjalë tjera, të krijohet një mekanizëm i vetëm për ta lehtësuar procesin) në një “mënyrë të sigurtë dhe kolektive”. Një konferencë e organizuar rishtazi nga ECMI mblodhi zyrtarë qeveritarë, grumbullues joformalë, kompani reciklimi dhe organizata respektive për të diskutuar përparimin e bërë në këtë fushë, ndërsa pritet të dalë një raport i cili ofron detaje lidhur me sektorin e grumbullimit joformal të mbeturinave në Kosovë.
Këto projekte kanë filluar të adresojnë atë që është e nevojshme në Kosovë për të garantuar një të ardhme shpresëdhënëse për reciklim si dhe për nisma të ngjashme: duke angazhuar shërbime efikase në nivel lokal dhe duke fuqizuar komunitete lokale — sidomos ato me disavantazh ekonomik — për ta demokratizuar procesin e grumbullimit të mbeturinave dhe për t’i gëzuar dobitë e tij. Përpjekjet e këtilla, krahas shumë të tjerave, gjithashtu mund të shtohen me punën e OJQ-ve, duke sjellë vëtëdijen mjedisore nëpër klasa. Secili përparim që nuk ndodh në nivel federal, sigurisht do të vazhdojë në nivel lokal.
Sot, arsyeja për alarm sa i përket integritetit të përgjithshëm të botës natyrore është më e fortë se kurrë; efektet e ndryshimeve klimatike të shkaktuara nga njeriu paraqesin kërdi shkatërrimtare në një mjedis të brishtë dhe kanë prirje të përkeqësohen me kohë. Dëmi i pakthyeshëm i shkaktuar në mjedisin e pasur dhe unik të Kosovës është në rrezik, duke marrë parasysh rrethanat ekzistuese dhe pa reforma, nisma recikluese të përmendura këtu do të jenë kot së koti.
Megjithatë, në fund të fundit, Kosova mund të ketë dobi nga pasuria e vet mjedisore. Kushdo që del jashtë qendrave urbane mund ta dëshmojë këtë dhe bukuria natyrore e vendit do të mund të ishte shkas për ta çuar Kosovën përpara drejt një rrugëtimi të qëndrueshëm. Reciklimi është një kundërmasë e dobishme ndaj degradimit mjedisor, duke marrë parasyshë qëllimin e tij thelbësor të përdorimit të materialit ekzistues dhe rishfrytëzimit të tij për përdorim tjetër. Nismat që u përmendën këtu gjithashtu kanë dobi të prekshme ekonomike, të cilat janë gjithmonë atraktive për politikëbërësit. Padyshim se ekziston një momentum në nivel lokal, i cili po rritet eksponencialisht, përderisa shumë e më shumë nisma unike po zënë vend dhe shumë e më shumë komuna po miratojnë programe vetanake të grumbullimit të mbeturinave.
Por që Kosova ta përcaktojë reciklimin si prioritet, do të duhet më shumë vullnet në nivel nacional. Mungesa e planeve publike të reciklimit hap një rol të cilin duhet ta luajë qeveria. Themelimi i partneriteteve publiko-private ndërmjet kompanive vendore si dhe atyre ndërkombëtare, do t’i mundësonte shtetit ta orientojë më mirë financimin drejt atyre që janë të pajisura më mirë për t’i menaxhuar impiantet e tilla, njëkohësisht duke ruajtur një pjesë të pronësisë. Kalimi i më shumë kompetencave te komunat gjithashtu do t’i ndihmonte asaj që tashmë po ndodh në nivel vendi; pamundësia (apo mosgatishmëria) e qeverisë për të vepruar vendosmërisht në këtë fushë nënkupton që niveli lokal ofron potencialin më të madh për inovacion dhe përparim. Sa i përket reciklimit, e ardhmja e gjelbër e Kosovës prapëseprapë mund të realizohet, por gjithashtu mund të mbështetet edhe në qytetarë, që ata vetë ta marrin përsipër përgjegjësinë për kujdesin ndaj mjedisit.