Pikëpamje | BE

Raportet e zhveshura nga realiteti

Nga - 13.10.2020

Mungesë e plotë e interesimit për raportin vjetor të Komisonit Evropian mbi zhvillimet në rajon.

Raporti i përvitshëm i Komisionit Evropian mbi zhvillimin e shteteve të Ballkanit Perëndimor që synojnë t’i bashkohen Bashkimit Evropian (BE) nuk ka ngjallur shumë interesim në shtetet të cilave u drejtohet. Edhe pse vlerësimet kanë të bëjnë me mungesë të paktë apo të plotë të përmirësimeve në shumicën e fushave relevante për anëtarësim në BE, është vështirë të thuhet kush ishin më pak të interesuar për të — politikanët në pushtet apo qytetarët.

Ky mosinteresim nuk ka të bëjë me pandeminë COVID-19, e cila ka lënë nën hije të gjitha temat e tjera. Këto “vlerësime të gjendjes aktuale” as më parë nuk kanë qenë shumë të rëndësishme, por herë pas here kanë pasur sukses në nxitjen e diskutimeve publike rreth reformave të ngadalta dhe në të bërit presion ndaj qeverive letargjike të rajonit. Pas mungesës së vëmendjes për raportet e këtij viti, mund të thuhet se nuk ka fare interesim rreth tyre.

Ndjenja e parehatisë së thellë

Për ta kuptuar këtë rrëshqitje në jorelevancë, do të gjurmojmë më thellë në mangësitë që janë bërë emblematike.

Kur lexojmë raportet e reja dhe u kthehemi atyre të vjetrave, është e vështirë të mos ndiejmë parehati të thellë. Problemi nuk qëndron vetëm në vlerësimin e dobët, teksa raportet përmendin fakte si korrupsioni, institucionet jofunksionale, dhe të tilla. Burimi kryesor i parehatisë bazohet në përshtypjen e fuqishme se autorët e raporteve shpesh dështojnë të përmendin çështjet kryesore të cilat kanë vendosur t’i adresojnë.

S'është e thënë të jesh ekspert i politikës së brendshme të Serbisë për ta kuptuar se parlamenti serb prej kohësh është reduktuar në një "reality show" mediokër.

Për shembull, në kapitullin për institucionet demokratike në Serbi, raporti thekson se parlamenti ka mbajtuar seanca për vetëm gjashtë javë që prej shpalljes së gjendjes emergjente, gjë që “ka kufizuar mundësitë e tij për të monitoruar shtyllën ekzekutive të pushtetit gjatë kësaj periudhe”.

S’është e thënë të jesh ekspert në politikën e brendshme të Serbisë për ta kuptuar se Parlamenti Serb prej kohësh është reduktuar në një reality show mediokër, ku shumica udhëheqëse në vazhdimësi i mbivoton e i lë në hije partitë opozitare, dhe nuk mbikëqyr qeverinë në pushtet. Përmendja se mungesa e seancave ka kufizuar parlamentin në kryerjen e të gjitha detyrave, përveç mekanizmit të tejzgjatur të mbivotimit të ligjeve nën udhëheqjen e liderit suprem, na i rikujton përsëritjet e definicioneve të shkollës së mesme, dhe jo të një raporti të prodhuar nga ekspertë të aftë për këtë temë.

Një problematikë tjetër që në vazhdimësi i karakterizon këto raporte është trajtimi me lehtësi dhe pa vëmendjen e merituar i rasteve të proceseve të rëndësishme, me pasoja të mundshme afatgjata.

Pas kritikave nga Komisioni i Venecias, në pjesën mbi lirinë e shprehjes në Shqipëri thuhet se draft ndryshimet në Ligjin për Media janë rishikuar. Raporti përmend shkurtimisht se ndryshimet nuk janë në pajtueshmëri me standardet ndërkombëtare dhe mund të çojnë në rritje të cenzurës dhe vetëcenzurës, por thekson se Shqipëria është “mesatarisht e përgatitur për t’u bashkuar në BE”, të paktën sa u përket praktikave të lirisë së shprehjes.

Përderisa ky vend është në prag të vendosjes së gjobave të ashpra për “krimin” e definuar gjerësisht si “dëmtim i reputacionit”, është e paqartë se si ka arritur në këtë kategori të shteteve. E njëjta gjë vlen edhe për raportuesit të cilët qartazi nuk kanë njohuri se degradimi i kritikës dhe kontrolli i medias u ofron autoriteteve një carte blanche për të konsoliduar pozitat e tyre.

Lëvdata dhe kundërthënie

Analogjike me këtë është mungesa e reformimit të procesit zgjedhor në Mal të Zi — përfshirë rishikimin e listave zgjedhore, keqpërdorimin e burimeve shtetërore në fushata partiake, verifikimin e nënshkrimeve për kandidatë dhe elemente të tilla bazike — e cila përmendet shkurtimisht si një temë “që është ende në pritje” si të ishte një porosi e vonuar në McDonald’s, dhe jo një nga mekanizmat kyçë  që e ka mbajtur DPS-së në pushtet për tri dekada të plota.

Raportet e Komisionit Evropian gjithmonë listojnë diçka të lavdërueshme, edhe nëse kjo do të thotë rënie në fushën e kundërthënieve.

Në të njëjtën mënyrë, theksohet se nuk janë bërë zhvillime të mëtutjeshme në hetimin e keqpërdorimit të parave të shtetit të Malit të Zi për qëllime partizane, të cilat kishin filluar nga viti 2012. Do të mund të ishin përdorur fjalë më të ashpra në përvjetorin e dhjetë të mungesës së veprimeve të ndërmarra në këtë drejtim, por përvoja na mëson se nuk duhet të shpresojmë shumë.

Së treti, krijohet përshtypja se pavarësisht se sa shumë plutokratët dhe oligarkët i injorojnë rekomandimet e vitit të kaluar, raportet e Komisionit Evropian gjithmonë listojnë diçka të lavdërueshme, edhe nëse kjo do të thotë rënie në fushën e kundërthënieve.

Kështu, Maqedonia e Veriut lavdërohet për përmirësimet në ekonominë e tregut, përkundër shtrirjes së punës së padeklaruar, ekonomisë joformale, dhe kontrabandës. Kosova është “mesatarisht e përgatitur” për ta luftuar korrupsionin, edhe pse theksohet se ky fenomen është gjerësisht i shtrirë, dhe se një vend pune në sektorin e shërbimeve civile mund të sigurohet vetëm përmes kontakteve individuale.

Serbia ka arritur “disa përmirësime” në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, edhe pse anëtarë të klaneve mafioze vrasin njëri-tjetrin në pikë të ditës, derisa zyrtarët në nivele të larta dhe të mesme janë mbi ligjin.

Megjithatë, problemi më i madh i të gjitha raporteve qëndron në faktin se raportuesit nuk investojnë asnjë përpjekje (nga observimet e tyre të fragmentarizuara) për të nxjerrë përfundime rreth gjendjes në vendet e shqyrtuara apo përpiqen në çdo mënyrë t’i paraqesin çështjet kryesore në termat e duhur.

Për shembull, në rastin e Bosnjës dhe Hercegovinës, përshkrimet si “mungesë e përmirësimit” edhe pse të cekura për çdo pjesë, dështojnë të paraqesin shkallën e paralizës institucionale të shtetit dhe faktin se shteti është shndërruar në pronë feudale të klasës politike.

Gjetjet vjetore për ngecjen në vend janë zhveshur nga çdo kuptim, në mungesë të një iniciative serioze nga BE-ja për t’u marrë me këtë gjë apo për ta cilësuar si problemin parësor.

Neglizhimi i kontaminimit të vazhdueshëm të opinionit publik nënkupton reduktim të marrëdhënieve ndërshtetërore në letra dhe protokole, pa pasur parasysh jetën reale.

Raporti i Komisionit Evropian e vlerëson Serbinë mirë për bashkëpunimin e saj rajonal, duke përmendur përmirësime si e ashtuquajtura zonë e “Mini Shengenit”, por në të njëjtën kohë injoron realitetin e këtyre marrëdhënieve. Aktualisht nuk ekzistojnë marrëdhënie të duhura me Kroacinë, me Bosnjën dhe Hercegovinën e as me Malin e Zi, ndërsa retorika inflamatore e ministrave serbë shoqërohet me tituj nxitës në tabloidët e kontrolluar nga qeveria.

Neglizhimi i kontaminimit të vazhdueshëm të opinionit publik nënkupton reduktim të marrëdhënieve ndërshtetërore në letra dhe protokole, pa pasur parasysh jetën reale.

Raportet duken të shkëputura nga realiteti për shkak të paaftësisë së tyre për të paraqitur pamjen e plotë por edhe për faktin se çdo here na sigurojnë që qeveritë dhe krerët e shteteve — që po kryejnë punët e tyre dobët — nuk do t’i nënshtrohen ndonjë pasoje të rëndësishme.

Edhe pse shumë nga liderët tanë pa e çarë kokën janë zhytur në tendenca autokratike, ne ende jemi dëshmitarë të shtrëngimeve të tyre të përzemërta të duarve me komisionerët për zgjerim, pas së cilave i lejohet të përshëndeten para kamerave dhe cinikisht të pranojnë përgjegjësi për veprime për të cilat asnjëherë nuk do të japin llogari.

Këtu qëndron problemi më i thellë: Bashkimi Evropian nuk dëshiron të ketë shtete të pabalancuara dhe problematike në Ballkan, por sidoqoftë i sheh udhëheqësit e tyre si partnerë të pëlqyeshëm, edhe pse këta liderë janë ata që po i mbajnë këto shtete në gjendjen e tanishme.

Përderisa kjo gjë të ndodhë, BE-ja do të jetë vetë përbërës i një nga problemeve qenësore, pasojat e të cilave i liston vit pas viti.

Imazhi i ballinës: Arrita Katona / K2.0.

KOMENTO